| Vaso Pasha 1825-1892- jeta dhe vepra. O moj Shqypni, e mjera Shqypni  O moj Shqypni, e mjera Shqypni,Kush të ka qitë me krye n'hi?
 Ti ke pas qenë një zojë e randë,
 Burrat e dheut të thirrshin nanë.
 Ke pase shumë t'mira e begati,
 Me varza t'bukura e me djelm t'ri,
 Gja e vend shumë, ara e bashtina,
 Me armë të bardha, me pushkë ltina,
 Me burra trima, me gra të dlira;
 Ti ndër gjith shoqet ke qenë ma e mira!
 Kur kriste pushka si me shkrep moti,Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
 Ke qenë për luftë e n'luftë ka dekun
 E dhunë mbrapa kurr s'i mbetun.
 Kur ka lidhe besen burri i Shqypnisë,
 I ka shti dridhen gjithë Rumelisë;
 Ndër lufta t'rrebta gjithëkund ka ra,
 Me faqe t'bardhë gjithmonë asht nda!
 Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
 Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
 E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet.
 Si mal me borë, si fushë me lule
 Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
 E s'të ka mbetun as em'n as besë;
 Vet e ke prishun për faqe t'zezë!
 Shqyptar', me vllazen jeni tuj u vra,Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
 Sa thonë kam fe sa thonë kam din;
 Njeni:" jam turk", tjetri:"latin"
 Do thonë: " Jam grek", "shkje"-disa 
                  tjerë,
 Por jemi vllazen t'gjith more t'mjerë!
 Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
 Për me ju damun me ju vorfnue!
 Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
 Me ju turpnue me grue e motër,
 E për sa pare qi do t'fitoni,
 Besën e t'parëve t'gjith e harroni,
 Baheni robt e njerit t'huej,
 Qi nuk ka gjuhen dhe gjakun tuej!
 Qani ju shpata e ju dyfeqe,Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
 Qani ju trima bashkë me ne,
 Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!
 E s'i ka mbetun as bukë as mish,
 As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
 As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
 Por asht rrëzue e bamun trokë!
 Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,M'ata sy t'bukur q'dini me qa,
 Eni t'vajtojmë Shqypninë e mjerë,
 Qi mbet' e shkretë pa em'n, pa nder;
 Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
 Ka mbet si nanë, qi s'pat djalë kurrë!
 Kujt i ban zemra m'e e lan' me dekëKet fare trimneshe, qi sot asht mekë?
 Ketë nanë të dashtun a do ta lamë,
 Qi njeri i huej ta shklasë me kam?
 Nuk, nuk! Këtë marre askush s'e doKëtë faqe t'zezë gjithkush e dro!
 Para se t'hupet kështu Shqypnia,
 Me pushkë n'dorë le t'desë trimnia!
 Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
 E mos shikoni kisha e xhamia:
 Feja e shqyptarit asht Shqyptaria!
 Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,Gjithkund l'shon dielli vap'ë dhe rreze,
 Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë
 Kush mos na e preki, se desim t'tanë
 Të desim si burrat që vdiqnë motit
 Edhe mos marrohna përpara Zotit.
 
 [Faleminderit 
                  nga Arben Cokaj]
 |