News Item: : Pranga Ndërtimorit, dosje false për tokat në Velipojë
(Category: SHKODRA SOT)
Posted by ::bud::
Monday 22 April 2013 - 10:08

Një inspektor i Policisë Ndërtimore të Shkodrës, ish-topograf, u arrestua dje pasi dyshohet se ka falsifikuar dosjen e një prone prej 43 mijë metrash tokë në bregdetin e Velipojës. Sulejman Metani, 58 vjeç, ra në pranga gjatë operacionit të koduar “Topografi”. Nga hetimet e Njësisë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, dyshohet se ai ka tentuar të përvetësojë një sipërfaqe të madhe toke në plazhin e Velipojës, duke vepruar në emër të një gruaje të moshuar, rreth 74 vjeçe.

Hetimi i përbashkët i Task Forcës në Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorisë së Antikrimit Ekonomik ka bërë të mundur arrestimin e 58-vjeçarit Sulejman Metani. Sipas Policisë së Shtetit, mësohet se në sajë të hetimeve intensive për një periudhë 6-mujore ka rezultuar se inspektori i Ndërtimores, Sulejman Metani, në bashkëpunim me persona të tjerë ka falsifikuar dhe paraqitur pranë Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave një dosje për kthim prone, për përfitimin e një prone shtetërore prej 43 mijë metrash katrorë në bregdet. Prona ndodhet në zonën turistike të Velipojës, në Shkodër. “E gjithë skema e falsifikimit dyshohet se është kryer nga i arrestuari Sulejman Metani, që ka manipuluar hartat e vjetra të zonës ku ndodhet prona shtetërore për të cilën me dosje të falsifikuar është aplikuar për kthimin e saj tek ish-pronarët”, tha Prokuroria e Tiranës. Sipas burimeve nga hetimi, “pronari” i gjithë kësaj toke në bregdet ishte një grua e moshuar rreth 74-vjeçare. Pasi u njoh me dosjen, Prokuroria e pyeti këtë grua në lidhje me kërkesën që ishte bërë për kthimin e pronës, dhe ajo tha se nuk dinte asgjë në lidhje me kërkesën në fjalë. Nisur nga ky fakt, Prokuroria dyshon se Sulejman Metani në bashkëpunim me persona të tjerë, duke kryer falsifikime, kanë dashur të realizojnë kthimin e pronës tek e moshuara pa dijeninë e saj. Dyshohet se me dokumente false, prona po përgatitej të shitej te një palë e tretë, me qëllim kryerjen e investimeve për një kompleks turistik. Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve në bashkëpunim më shumë se një herë”. Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës u realizua edhe operacioni “Topografi”, që bëri të mundur arrestimin e 58-vjeçarit në Shkodër. t.s/e.d
Panorama Online.





This news item is from Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV
( http://shkodraonline.com/news.php?extend.5242 )


Render time: 0.0431 sec, 0.0134 of that for queries. DB queries: 20. Memory Usage: 1,020,608B