News Item: : Gjenia 10-vjeçare në Shkodër
(Category: NDERI I SHKODRES)
Posted by ::bud::
Tuesday 05 February 2013 - 09:32

Klodiana Vata është vetëm 10 vjeç, por edhe brenda ketyre viteve duket se ka arritur maksimumin për moshen, duke marrë pjesë në shumë veprimtari dhe duke u nderuar me shumë çmime ndërkombëtare dhe kombëtare.

Ishte vetëm një vogëlushe 3-vjecare kur u përzgjodh të luante rolin e Klotilda Shantojës së vogël në dokumentarin që u realizua për të para disa vitesh.

“Luajta në një dramë dhe fola me një pjesë të vogël, më pas luajta në një dramë tjetër për jetimët dhe një tjetër ku është vënë në skenë drama “Këngë e këputur nëpër natë”, që është edhe drama ime e preferuar”, deklaroi e mitura.

Por, jo gjithçka mbeti tek aktrimi. Zëri i saj tërhoqi vëmendjen e mësueses së muzikës e më pas të shumë artistëve shkodranë.

“Kur kam qenë e vogël kam marrë pjesë tek festivali i “Bilbilave” në teatrin “Migjeni”, më pas duke u rritur më shumë, edhe zëri u poq, siç thuhet në gjuhën e këngës. Atëherë fitova çmimin e parë me lëngën “Je t’aime” të Lara Fabian. Në Maqedoni kam marrë dy vjet radhazi çmimin e parë në vitet 2011-12”, shtoi Klodi.

Shkodrania duket se ka shumë pasione, por asgjë nuk e bën të heqë dorë nga një tjetër ëndërr. Në të ardhmen ajo dëshiron të jetë gjykatëse dhe në të gjitha dëftesat e saj qendron hijerëndë vlerësimi maksimal.

“Dua që ata njerëz që bëjnë faje të futen në burg dhe të mos ndodhë e kundërta, me shumë të pafajshëm që dënohen kot”, shtoi 10-vjeçarja.

Megjithëse nëna e saj Famira u tregua skeptike në fillim, sot është fansja e saj më e madhe. Ajo nuk stepet asnjëherë dhe gjithmonë kërkon më të mirën për vajzën e saj.

“Sakrificat që një prind bën për fëmijën janë sublime. Ne kemi për detyrë ta rrisim, por Zoti i ka falur talentin dhe gjithçka tjetër është më e lehtë”, deklaroi Fatmira.

Pianoja është një tjetër pasion i Klodit. Ushtrohet çdo dite dhe nuk lodhet kurrë. Ja çfare na tregon mesuesja e saj e pianos.

“Klodi është një fëmijë i rrallë që me talentin e saj më ka befasuar. Lufton gjithmonë për më të mirën dhe është tamam një artiste“, deklaroi mësuesja.

Anton Kaftalli është një nga violinistët shqiptarë që ky talent i ri nuk ka kaluar pa i rënë në sy. “Klodi është përfaqësuerse e fëmijëve të Shkodës, është në atë kategori që provojnë të bëjnë muzikë dhe kanë tentativa me shumë sukses“, theksoi Kaftalli.

Por jo gjithçka ka qene e lehte. Klodi dhe familja e saj kane bërë shumë sakrifica. Fatmira na tregon se nuk kanë munguar as të papriturat.

“Në një koncert, sa mbërrijmë tek dera dhe bëjmë të zbresim nga taksia, kur Klodi bie në një puesë me ujë deri në grykë. Në fillim mendova se u vra, por pasi pamë që ishte mirë, e çuam në pazar, ku me shpejtësi blemë tesha të reja dhe në shfaqje luajti edhe më mirë se herët e tjera. Ka qenë dita kur këndoi përkrah Kastriot Tushës”, tregoi e ëma e “gjenisë” së vogël të qytetit të Shkodrës.

Lista e çmimeve që ka fituar është e gjatë, megjithatë vajza është shumë modeste. Për momentin ajo di të thotë vetëm një fjalë: “Muzika është jeta ime”.







This news item is from Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV
( http://shkodraonline.com/news.php?extend.5227 )


Render time: 0.0702 sec, 0.0182 of that for queries. DB queries: 20. Memory Usage: 1,726kB