News Item: : Shkodër, PD-së i rrjedhin 7 vota, por e fiton Qarkun
(Category: POLITIKE)
Posted by :::ShkoderZemer
Monday 03 October 2011 - 15:01

Nga mbledhja e Këshillit të Qarkut të Shkodrës
Koalicioni i djathtë Aleanca për Qytetarin do ta drejtojë edhe për 4 vite të tjera Këshillin e Qarkut në Shkodër. Edhe pse koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka siguruar 22 vota në këshillin prej 64 anëtarësh, Maxhid Cungu me 41 votat



e marra, ka sfiduar pa asnjë lloj vështirësie kandidatin e Aleancës për të Ardhmen, Luan Heta, të kryesuar nga Partia Socialiste. Të majtët, edhe pse kanë arritur të marrin 7 vota të tjera nga koalicioni i djathtë, nuk kanë pasur ndonjë ndikim të madh në tentativën për fitore të Hetës ndaj Cungut. Këshilli i Qarkut Shkodër ka qenë i fundit në shkallë vendi që është konstituar, pasi votimi prej tre herësh në komunën e Shalës, solli vonesat për qarkun. Mbledhja e djeshme është shoqëruar me debate të ashpra, ku nuk kanë munguar as ndërhyrjet e herëpashershme të deputetëve socialistë Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj, të cilët kanë debatuar me zv.ministrin e Brendshëm, Ferdinand Pone, si i dërguari i qeverisë në këtë mbledhje. Madje, ato e kanë akuzuar direkt Ponen si manipulator të procesit zgjedhor. Temë e debateve ka qenë përcaktimi i numrit të anëtarëve të komisionit të votimit për kryetarin e qarkut. Nisur nga numri i përgjithshëm i këshilltarëve, ku nga 64 këshilltarë që ka në total ky këshill, 15 këshilltarë janë të majtë, ndërsa 49 janë të djathtë, të djathtët kanë kërkuar që të ruhet edhe një raport i tillë 4 me 1 në komisionin e votimit. Por, ky raport nuk është pranuar nga socialistët, të cilët kanë kërkuar që raporti në komision të jetë 2 me 1. Madje, deputeti Tom Doshi, në cilësinë e të dërguarit politik të PS-së, ka kërcënuar me bojkotim të sallës dhe mosmarrje pjesë në votim, në rast se miratohet një raport i tillë i kërkuar nga të djathtët. Pas shumë debatesh dhe diskutimesh, këshilltarët e djathtë duke qenë se ishin optimistë edhe nga numri i madh i votave, kanë pranuar që të marrin në konsideratë kërkesën e të majtëve, duke caktuar 2 anëtarë komisioni, kundrejt 1 anëtari të PS-së. Më në fund u arrit që të zhvillohej votimi. Në fund të kësaj procedure votimi nga 63 këshilltarë të pranishëm, pasi 1 këshilltar i djathtë, përfaqësues i PR, mungonte në këtë mbledhje, kandidati i Aleancës për Qytetarin, Maxhid Cungi, mori 41 vota kundrejt 22 votave të marra nga rivali i tij, Luan Heta.
Maxhid Cungu, i cili prej vitesh mbante postin e prefektit të Qarkut të Shkodrës, tashmë do të kryejë detyrën e kreut të Këshillit të Qarkut, duke zëvendësuar në këtë detyrë Gjovalin Kolombin. Në këtë mbledhje, krahas deputetëve të dy subjekteve politike, PD dhe PS, në sallë ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës edhe përfaqësuesi i zyrës së OSBE-së në Shkodër, Walter Fugger.
Sterkaj vlerëson Cungun pas votimit
Me gjithë vërejtjet e tij në lidhje me mënyrën e votimit dhe akuzave për manipulim të tij nga ana e të djathtëve, deputeti socialist Paulin Sterkaj ka vlerësuar lart figurën e kryetarit të sapozgjedhur. Ai ka pohuar se Maxhid Cungu me formimin e tij do të tregojë korrektesë dhe profesionalizëm në drejtimin e Këshillit të Qarkut Shkodër.
SHKODER/ RITVAN DIBRA


This news item is from Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV
( http://shkodraonline.com/news.php?extend.4853 )


Render time: 0.0793 sec, 0.0294 of that for queries. DB queries: 20. Memory Usage: 1,726kB