Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Mon Sep 15 2008, 09:49am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Hil Mosi dhe krijimtaria e tij letrare.

Dihet më se begatinë e letërsisë së një populli e përbën shumëllojshmëria e profileve të shkrimtarëve që e formojnë atë.Disa nga ata shkrimtarë dallohen për kah thellësia e ndjenjës, disa me angazhimin e tyre në sferat e jetës politiko-shoqërore, të tjerët me prirjen për të depërtuar në problemet e jetës shpirtërore, e kështu me radhë.Këtë nevojë, që letërsia e një populli të jetë sa më e pasur dhe më e kompletuar, e ka shprehur në një formë të bukur figurative një poet i ditëve tona duke thënë se poezinë e duam të jetë e larmishme, të ketë sa më shumë poetë të ndryshëm dhe të mirë.Poetët janë si zogjët në qiell: disa fluturojnë lartë e disa më ulët , disa janë të kaltër e disa janë të kuq. Qielli ka vend për të gjithë poetët e mirë.Qielli do të ishte i mërzitshëm sikur mes tij të fluturonte vetëm një zog , sado i madh të ishte ky.Dhe secili nga këta zogjë, poetë, duke mbushur si duhet detyrën e vet brenda një ambienti të caktuar të kohës kur jeton, kontribuon në formimin dhe në përcaktimin e fizionomisë së një letërsie.Kjo bën që shkrimtari t'ia sigurojë vetes vendin e nderit dhe autonominë e paçënuar në historinë e letërsisë dhe të kulturës së popullit të vet si tërësi, e nëpërmjet saj, varësisht nga preftësia e intuitës dhe afiniteti për të kapur e trajnuar si duhet çështjet që kanë domethënjë të përhershme dhe të përgjithshme njerëzore, dhe në letërsinë dhe kulturën e përbotshme të njerëzimit.Shikuar nga ky kënd mund të konstatohet se Hil Mosi, edhepse s'kishte pretendime të kapet me pikat kulmore të artit, ishte i nivelizuar me rrafshin e zhvillimit dhe të preokupimeve të njeriut tonë në atë stad të rëndësishëm të jetës së vetë kombëtare e shoqërore, prandaj krijimtaria e tij letrare përbën padyshim një hallkë të rëndësishme kaukaze, të domozdoshme për ta kuptuar e vendosurkontinuitet in e letërsisë sonë të re.Poezia e HIL MOSIT, së bashku me atë të A.Z.Cajupit , Ndre Mjedës, L.Gurakuqit,F.Shirokës,Asdrenit e të tjerë, do të përbënte në atë kontinuitet brezin e tretë të letërsisë sonë romantike, e cila shënon fazën kalimtare mes letërsisë së Rilindjes dhe tendencave të tjera: realiste, neoklasiciste dhe simbolike të letërsisë shqipe.Cerekun e parë të këtij shekulli, kur lindi dhe u formua poezia e Hil Mosit, e karakterizojnë ngjarje të mëdha që përcaktuan fatin e popullit tonë.Ndër to janë për t'u përmendur lufërat e armatosura të çetave nën udhëheqjen e patriotëve demokratë dhe të komiteteve ,"Për lirinë e Shqipërisë", pjesëmarrja aktive e popullit në Revolucionin e turqve të rinj
të vitit 1908, lëvizjet e gjalla politike dhe kulturale që u zhvilluan në Shqipëri në vitet 1908-1910, lufta e ashpër e popullit shqiptar kundër regjimit reaksionar të xhon turqve, kryengritjet e mërdha brenda tivete 1910-1912 që u kurorëzuan me fitoren e lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë, përpjekjet për konsolidimin e të parit shtet shqiptar që lëkundej në valët e rrymave të ndryshme nga brenda dhe jashtë e të tjerë.Të gjitha këto ngjarje u reflektuan në forma dhe përmasa të ndryshme edhe në letërsinë e kësaj kohe me prirje të theksuara revolucionare dhe demokratike, duke u transformuar artistikisht dhe duke u harmonizuar jo vetëm me idealet e asaj lëvizjeje, por edhe në përgjithësi me nevojat e preokupimet shpirtërore të njeriut tonë.
Me qenë se letërsia, sikundër edhe vet jeta së cilës i rrin pranë edhe e ndjek, zhvillohet edhe në korent me vlerat e traditës së vetë dhe në përgjithësi të klimës letrare të kohës, krijimtaria poetike e HIL MOSIT do të vlerësohej njëanshëm po të mos shikohej edhe në këto raporte, e edhe në raport me vetë jetën dhe formimin e tij si njeri dhe shkrimtar i kohës së tij.


N'ajr t'u coshe
Fluturim,
T'ju largoshe
Kti mergim
E t'u gzoshe
N'at vend t'im!


Së këndejmi na inponohet nevoja që në poteza të shkurtër ta shohim kohën dhe ta ndjekim më për së afërmi jetën e poetit dhe në rrethënat familjare dhe në të gjitha momentet tjera të rëndësishme, që lanë vulë në krijimtarinë e tij letrare



Mall

Vend i dashtun , ku un'leva,
Sa sa her' me mall t'kujtoj!
Kurr si sot dashtni nuk ndjeva,
Shum' Shypni, un' ty t'dishroj!


Shpesh kujtimet m'shkojn' te shpia,
Ku me mall e shkush fmininë,
Zemrën krejt ma grin dashtnia
E prej mallit mrend po zin.

Ah, at' votër kur kujtova,
Ku qark saj un' jam rrethu...
Dy tri pika lot i lshova,
Ktu n'kët vend ku jam mërgu.

Kur ma thell' jam shty n'mendime
E mjerimin kam kujtu...
Ikne, ikne ç'pata gzime,
Zemra faret m'u coptu!


Djali shqiptar

Un' jam nji bir shqiptari
E Shqipninë e due.
Kujdes na la i pari
M'e dashtë e m'e nderue,

Se na atë e kemi nënë,
Prandej s'do lodhem kurr tue thanë
Un' jam nji bir shqiptari
E shqipninë e due.

Un' jam nji bir iliri
E i lirë un' due me mbetë;
Për çfar' do xhevahiri
Shqipnin' s'e jap për jetë.

Ndër dej dhe gjaku mue ma thot
Se gjaku ujë nuk bahet dot.
Un' jam nji bir iliri
E i lirë un' due me mbetë.

Un' jam nji bir arbnori,
Shqiptar besnik i mirë;
Kaq sa deri ke vorri
Shqiptar un' due m'u thirrë.

Un' kombin kurr s'kam m'e mohue,
Gjithmonë, gjithkund kam m'u diftue:
Un' jam nji bir arbnori,
Shqiptar besnik i mirë.


Ngrehu


Thon' për ty që ke mbarumun
E gjallsi ti ma nuk ke;
Thon' për ty që je poshtnumun
O atdhe!

Jan kah thon' se t'vdiq trimnia,
Qysh se t'ra ajo rrufe;
Thon' se ty t'u prish djelmnia,
O atdhe!

Thon' se je nji komb i lanun,
Ma i poshtri ti sot je;
E çka s'jan' për ty tuj thanun,
O atdhe!

Çdo që bota do të flasin,
Mbushu plot shpres' të re!
Ty asgja nuk do t'humbasin,
O atdhe!

Shkundi t'rrebtat arm' mizore
E për luft' thirrna ne!
Botës diftoj' që s'je me kore,
O atdhe!

Kshtu ndër kombe tjera njehu,
Tunde botën mbar' në dhe!
N'luft' me djelmt' e tu ti ngrehu,
O atdhe!


Guxim

Ti ke pas' pa do koh' edhe ma t'vshtira,
Ti ke pas' hjek, ma shum' mjerim,
Prandej qindro burrnisht sikur përpara
E mos u tremb, por ki guxim!

Shum' dallgë t'rrepta ti i pate hjekun,
Që ty t'u turrshin me rrëmbim,
E pra mbasi der sot trimnisht qindrove,
Ti mos u tremb, por ki guxim!

Sado e rrept' që mundet t'jet' duhia,
Mos u frigso, por banu trim!
Do t'bahesh prap i fort sikur përpara,
Por mos u tremb, e ki guxim!


KOSOVA NË LUFTË

Ah, Shypni, mos thuj mbarova,
Se djelmt tu edhe jan' gjall'!
N'kamb është çu e rrebt Kosova
E ban luftën ball për ball.

Ish nji vjet' ndër ma të vshtira,
Me nji mij nandqind e dhjetë,
Kur Kosov' mbloj egërsira,
Për me shbi çdo bim' mbi dhetë.

Ish, por sa e nis njathera
Bota mbar' për m'u gjallsu
Kur me knaqje vjen prandvera
T'gjith natyren m'e lulzu.

Ah, ehu! Do sheje t'kqia
Jan kah vin' prej ans mbi Le!
N'vent t'prendvers që pret Shqypnia,
Bje mbi të nj' e rrebt rrufe.

Prej Azis' tek jan kah lshohen
Me tërbim të madh barbart,
Për me vra, me pre këta çohen,
Me turpnu për jet Shqyptart.

E n'Prishtin' atje pik' s'parit
Krisi topi me duhi,
Atje gjaku i shqyptarit
Ra në tok' me bi përsri.

Poezia është e frymëzuar nga lufta e Kosovës( 1910) kundër pushtuesit turk që shënon një nga faqet e ndritura në historinë e luftërave të popullit shqiptar për liri.



Drenova

( Asdrenit )

Ktu, afër kti burimit
që rrjedh me qetësi,
Nën hije t'ktyne pemve
Defreve ti n'fmini.

Këtu, në majë t'malit
Tek duket fshati jot,
N'qetsi po fryn këtu era,
Ngadal dhe gjetht i lot.

Ktu, pranë kishe tuj ndejun,
Shoh fshatin ku ke le:
Se sa nji fshat i bukur!
Sa i bukur ky atdhe!

Këtë vjershë Hil Mosi e shkroi kur shkoi në Drenovë , në fshatin e lindjes së poetit tonë të njohur.

Në dyshim

Jam n'dyshim, jo se po vdesim
Pa dit kush a jena gjall',
Por se dru që n'botë na mbesim
Krejt si peshku që rri n'zall.

Jam n'dyshim se shqyptarizmi
Ma përpara s'ka me shku,
Se po shifet fanatizmi,
Si shqyptart' i ka qorru.

Jam n'dyshim tuj pa do krena
Kah na bajn' që mbas t'i shkojmë,
E të tynve qole t'jena,
E për dam t'atdheut t'punojmë.

Në këtë vjershë autori shpreh shqetësimet e tij për fatet e atdheut, tregon qëllimet armiqësore të fesë, pseudopatriotëve dhe të huajve ndaj popullit shqiptar.



"LULES SIME"

Ngadal tek nis e vje' pranvera
E prap çdo bim' po nis m'u ngjall ';
Prap lulet marrin ngjyra t' vlera,
Na mbushin plot me shpres' e mall.

Në gjith' ket gaz q* ka natyra,
Në gjith' ket knaqje pa tregim,
Moj lule, ty s'do t' qeshet ftyra,
E s'do t' më mbushish prap n' shpresim?

A thua për mue ti s'ke me çelun,
Moj lule shkreta, plot me erë?
Ndër fletat tueja s'ke m'e mshelun
Edhe ket zemrën time t' mjerë?


"DASHUNIA"

çfarë zemren teme kështu sot pesh'ka çuemun?
Pse sot qetsi nuk kan' këto mendt e mia?
çmos kurr pse ma e re po m' ngjan djelmia
E zemra her' është n'gzim e herë e hutueshme?

Po e dij mjaft mirë, se jam tue provuemun:
Në zemë teme ndrye është dashunia,
E n' mende teme siellet fantazia,
Tue m, lan n' dyshim e nga nji her' të gzuemun.

Un' kaq të flakt' s'e pata kurr kujtuemun!
E dijshe t'vogël krejt sikur shkëndija,
Që veç nji çast flakron, së shpejti prap m,u shuemun.

Po tash po e ndiej, se po ma njeh fuqia,
Q* n' trupin tem gjithnji vjen tue u ndrruemun,
P' e dij se ç' është ajo: ash 'bukuria."


Asdrenit:

Ah, nji dit', kur Shqypnia e liruemun
E gjuha faqeza nëpër bot' t'i dalë,
Ather' krejt e ngrata kundenduemun
Me gëzime ty ka për t'u përfalë,

Se ti at' pend' si kordh' je tue përdoruemun
Për nder edhe për fam' të Shqipnisë...
Hovin tand ti kurr për pa e ndalë,
M'nji për liri t'atdheut je tue luftuemun.

Me at' zemër t'dhanum krejt mbas dashtnisë,
Që t'atdheut dashtnore është bamun valë;
Zemrat shqyptare pesh' është tue çuemun,
Ma fort në tjertë që jem' jasht' Shqypnisë!

Un', djal' i ri, sot tye jam tuj t'u falë
Për kang't e bukura që ke kënduemun,
Porsi nji bylbyl i djegun mbas dashtnisë,
Që kndon në pyll kangët palë e palë.

Të gjith dashtnorët e mjer' tue përvëluemun:
Kshtu kndon ti sot në gjuh' të Arbënisë.


Maca e mini

Mi un' mbramë të kam shiquemun
Mishin vjerr' tue ngranë;
Pa nji dhimbë kam me t'coptuemun,
N'bafsha ty me t'zanë.

Un' të pash ti kur m'shiqove
M'ata sy si shkëndi;
Traut me i hypun u mundove,
Veç për pa dobi.

Mbramja tjetër sa mërrini,
Maca ndej mbi tra
E porsa u qas prap mini,
Rob i saj ai ra.


Kanga e të vorfnit

Prind nuk kam,
I vorfën jam
E rroben kam të vjetër,
Me buk' e krypë,
Që rri tue lypë,
Kaloj prej ditës m'nji tjetër.

Nuk kam shtëpi,
As se ku rri:
Ndër rruga un' kam mbetun!
Pothuej gjith' herë,
Se nën nji derë
Un' natën shkoj me fjetun.

Gjith' bota lot
E kush s'ma thot'
Nji fjalë që me m'gushlluemun.
Njerzi pse m'qeshë,
Pa buk' e veshë,
Që kurr nuk jam i gzuemun?!

Gjuhës shqype


Gjuh' e ambël, gjuh' amtare,
Je ambla gjuh' shqyptare!
Gjuh' e nalt' për Përëndi,*
T'cilt ndër koh't që kahmot shkuene
Mbi Tomorr të përdoruene;
Gjuh' e ambël, plot dashtni!

Gjuh' e shejt' e kaq e moçme.
Gjuh' sakole**der n'dit t'soçme,
Shoqen tande kund s'e gjenë!
Zoti ty këtu t'ka çuemun:
T'rrebt' e t'bukur e t'kulluemun;***
Kshtu gjithmon' ti ke me qenë.

Gjuh' që t'foli Skendërbegu,
Dhe ndër t'par' qe Naim Begu,
Që me shkrim t'pat lartësue.
Ty t'kan' fol' shum' kapidana,
Burra t'rrebt si t'ishin zana;
Gjuh' e rrebt, ti qofsh nderue!

Gjuh' e bukur si pranvera,
Ti s'do t'quhesh ma: e mjera;
Se na dona ty me t'rritë.
Bashk' me t'tjerat shoqe tueja,
Se ma s'dona zhele t'hueja
Veç duem ty me t'pa në dritë.

Wien (Vjenë) 14.I.1907

(*) poeti imagjinon sikur me gjuhën tonë folën përënditë e orakujve të lashtë të Dodonës etj.
(**) për: gjuhë trimëreshë;
(***) tre veti që ka gjuha jonë.


Kryengritjes së 1911-tës

Nuk është' e para her' që Shqyptaria
Djelmnin e vet për n'luft' është kah e thrret
Mbas qindra vjetsh për t'parën her' djelmnia
Me një dishir' lufton për komb të vet.

Shum' her' në shesh të luftës qe thirr Turkia,
Por çdo fitim i yni n'pluhun mbet,
Se gjall ndër ne nuk ish atdhedashtnia,
E çdo përpjekje kundërshtime gjet.

Por sot me gzim e pam' se kombësia
Me hap t'sigurt n'qëllim të vet po nget,
E me Gegni bashkumun është Tosknia.

E n'qoft se gja nuk qe për ne sivjet,
Mos t'ket dyshim ndokush se vdiq Shqypnia:
Vjen prap prandvera, prap në mal na qe.

Cetinë, 1.IX.1911

H.Mosi këtë vjershë ia kushton kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911.Me shtypjen e saj Lëvizja Kombëtare për autonomi, qëndresa e popullit kundër politikës së shtypjes kombëtare të xhonturqve, jo vetëm nuk u ndërpre, por mosbesimi dhe pakënaqësia ndaj Portës së Lartë vazhdoi të rritej me shpejtësi.Në këtë kryengritje Hil Mosi mori pjesë me armë në dorë.






Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
LUPEN
Wed Feb 22 2017, 06:07am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264





Hilë Mosi lindi me 22 Prill 1885 në Shkodër. Biri i Mark Mosit, qe ndër atdhetarët më të vlefshmit, që nga mbarimi i shekullit të XIX luftuan për idénë kombëtare, duke dalur nepër male me pushkë në krah dhe duke shpërndárë në kohën e robërísë libra shqip dhe flamuj me rrezik gijotine. Vdiq në Tiranë në shkurt e vitit 1933 dhe u varros në Shkodër. Poet luftëtar e publicist, patriot dhe demokrat, figurë politike e njohur e periudhës para e pas Pavarësisë. Pjesë e brezit të dytë të Rilindasve Shqiptarë.

Në Shkodër i filloi mësimet në shkollën italjane, të cilat i vijoi në shkollën teknike tregtare dhe në Kolegjin Saverjan të Jezuitvet e më vonë ndoqi degën e mësuesísë në Shkollën Normale të Klagenfurtit. Duke ndjekur shembullin e prindit, që në moshë të ré, ìu kushtua propagandës kombëtare e duke u gjetur në Vjenë, në 1902 me shokë tjerë shqiptarë nën kryesínë e Gjergj Pekmezit bashkëpunoi në shoqërínë letrare “Dija”, e cila mot për mot botoi nji kalendár, dhe nxorri një fletore me emër “Vllaznija”. Qysh prej asokohe Hila filloi të shkruante me pseudonimin Sakoli proza dhe vjersha atdhetare. Hapën të parin klub "Bashkimi" në Stamboll më 1908. Punonte të botonte gazetën e re "Shqiptari" bashkë me ikanakët nga Struga, Ibrahim Mehmet Naxhin dhe Dervish Himën, dhe Eqrem bej Vlorën.

Mbasi u shpall Kushtetuta e Turqve të Rij në vjetin 1908, u kthye në Shkodër, ku themeloi shoqërínë “Gegnija” e më vonë qé përfaqsues i saj në Kongresin e Manastirit bashkë me Fishten, Mjeden, Gurakuqin dhe Logorecin. Ishte dhe anëtar veprimtar i Komitetit te Kryengritjes së Malësisë së Veriut (1909-1912), ku luftoi edhe me armë në dorë në krah me Risto Siliqin.

Gjatë pushtimit austriak në Shkodër (1916-1918) qé pjesë i Komisísë Letrare, të cilën detyrë e vijoi edhe më vonë kúr Shkodra u bashkua me qeverínë e Tiranës mbas lirimit të vet nga ushtrítë franceze. Në vitin 1919 me 16 Shkurt shoqërítë e Shkodrës “Mustafa Pasha” dhe “Vaso Pasha” u bashkuan dhe sajuan shoqërínë e vetme me emrin “Vllaznija”, e cila qé nji ndër shoqërítë më të organizuara të Shqipërísë dhe që me veprimtarínë e vet letrare, teatrore, muzikore dhe gjimnastike pati një meritë të madhe për zgjimin e rinísë shqiptare, sidomos me botimin për tre vjet me radhë të së përkohëshmes “Agimi”. Hilë Mosi qé kryetár i kësaj shoqërije për një kohë të gjatë dhe me artikujt e përkthimet e veta të ndryshme e zbukuroi organin e shoqërísë. Në këto përkthime është për t’u përmendë studimi historik mbí Vlorën e kohës së mesme, të nxjerrur nga vepra e historjanit Kostandin Jireçek-ut, i cili bashkë me Milan Šufflay dhe Tallotzi-n mblodhën dokumentat e historísë së Shqipërísë dhe i botuan në dý vëllime të mëdha me titull “Acta et Diplomata res Albaniæ Mediæ illustrantia”.

Jeta e Hilë Mosit është një shembull i gjallë atdhedashurije, zelli, veprimtarije dhe vetmohimi për qellime kombtare: e dëshmojnë shoqërítë e themeluara me nismërinë e tij, të përkohëshmet dhe fletoret që nxori ai vetë, ose që i përkrahi me bashkëpunimin e vet. Jeta e tij qé nji jetë ravgimi, dhe kudo që zuri vend, edhe për pak kohë, u pá menjëherë vepra e tij shoqërore dhe letrare, e frymzuar përherë prej një shpirti dinamik dhe prej dëshirës të zjarrtë për t’u liruar nga zgjedha e huaj. U përshkua nepër shum lëvizje politike duke përballuar trimërisht pengime dhe kundërshtime të mëdha. I shërbeu kombit edhe me veprimtarínë e vet të parreshtur si zyrtár shteti: si mis i Komisísë Letrare të Shkodrës, si deputet, prefekt, si Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit botues, si Ministër i Arsimit. Përfaqësoi vendlindjen e tij, Shkodrën, në Parlamentin Shqiptar nga viti 1920 ne 1924, dhe shërbeu gjithashtu si anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve duke filluar nga nëntori, 1920. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.[2]. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, 1924, ai ishte Prefekt i Korcës dhe Gjirokastrës. Në 1927, Mosi u kthye ne Shqipëri pas amnistisë së dhënë nga Ahmet Zogu dhe u bë Ministër i Punëve Publike. Në vitin 1930 bëhet Ministër i Arsimit gjatë kohës së cilës qeveritë shqiptare shfaqnin prirjet për shtetëzimin e shkollave, politikë kjo e cila ra ndesh me françeskanët në Shkoder që mbronin liceun "Illyricum". Postin si ministër e mbajti deri në vdekje, më 1933. Gjatë asaj kohe njihet dhe me Petro Markon një ditë ku i thotë dhe shkruej poezi, poezia asht forma ma perfekte e artit dhe e sistemon si mësues në Dhërmi. Në polemikat e shtypit të kohës, mes Hilë Mosit e Át Anton Harapit tek Hylli i Dritës, u dëtyrua Fishta t'i shkruante një polemikë klasike që në sintezë i thoshte "Gabove Hilë!"; siç mbante edhe titullin. Polemikë të cilën, bashkë me vepren "Bujari", Mosi s'e kapërdiu.

Veprimtaria letrare

Hilë Mosi duke qênë endè në moshën e ré nisi të shkruante nepër fletore shqipe vjersha dhe aty-këtu edhe proza; kështu, gjithnjë nxënës n’Austrí, bashkëveproi rregullisht n’ “Albania”-n e Konicës me pseudonimet Zog Sakoli, Sakoli, Zog Dushmani, Lirijasi, Speci etj. gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si “Drita” e Sofíes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Orthodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj. Në vjetin 1913 themeloi dhe drejtoi, bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavëshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin deri në plasjen e luftës botërore. Në vjetin 1913 botoi në Trieste një grumbull poezísh me emrin “Zâni i Atdheut”, vjersha atdhetare të përpiluara, më të shumtën, mbas frymës popullore, ku qëndron si faktor i parë malli për atdhé. Në ketë përmbledhje Mosi këndon Shqipërínë kúr kjo vuante, dhe kúr coptohej prej diplomacísë së pamëshirshme europjane, për të ngopuë lakmít e popujve fqînj. Vepërza “Lotët e Dashunís”, e botuar në vjetin 1916 përfshînë një tubë lirikash me lëndë të ndryshme dhe me masa vargu gjithfarësh; një pjesë e këtyre janë originale, të tjerat janë përkthime të lira shkërbime autorësh gjermanë si Goethe, Schiller, Heine, Koerner, Lessing etj. Këtij vëllimi i bëni një botim të dytë me titullin “Lule Prendvere” duke i shtuar vjersha dhe balada të reja dhe duke përmirsuar të parat.

Në një vëllim të vogël përmblodhi në 1924 në titullin “Kangët Shqipe” disá prej vjershave të veta dhe të shokëve të vet që këndoheshin prej kryengritasve nepër malet shqiptare në luftat kundra Turqisë, ndër të cilat mori pjesë edhe ai vetë në malet e Shkodrës dhe të Korçës. Edhe si përkthyes penda e këtij shkrimtari njihet nepër “Cubat” (1928) vepër e Frederik Schiller-it, të cilën e ká punuar lirisht duke ìa përshtatë gjendjes shqiptare; nepër “Filja” dramë trí aktesh nga Theodor Koerner-i, duke e sjellur ngjarjen në Kurbî rreth kullës së Kapitan Gjekajt; nepër komedítë e Goldonit: “Shërbëtori i dy zotnive” e “Dy Shërbëtorët”. Poezítë e Hilë Mosit me përmbajtje kombtare nuk kanë një vlerë aq të madhe artistike, por të gjitha janë të veshura me ndìesí të holla atdhetare, familjare e shoqnore, dhe meritojnë të çmohen për zgjedhjen e shprehjevet dhe për kumbimin melankolik e të thekshëm. Një meritim të veçantë për historínë e letërsís shqiptare ká Hila për poezínë prej 138 vargjesh me titullin “Natyra” (Albania, Vit X. nr. 10-11-12, 1906, fq. 188-1919 në të cilën takohet prova më e parë e përshtatjes së heksametrit në shqipen, provë e cila ká dhënë nji përfundim të pëlqyeshëm.



Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Feb 22 2017, 06:09am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Luft'tarit


Atje n’at vend të lamun
Me gjak t’Arbnorit t’dlirë;
Atje nji djalë âsht vramun
Atje mbet nji Ilirë.
Atje n’at vend barbari
E njofti mirë djelmnín;
Atje rrëfei Shqiptari
Sá shtrêjt e blén lirín.


Atje Shqypja luftovi
Trimnisht me zogjt e vet;
Atje nji zâ ushtovi:
“Në zjarm, se nji na mbet!”
Ai vend nuk do t’harrohet
I gjall’ do t’jét për né;
Mbas tashit do t’emnohet:
“Nji çerdhe e Shqipes s’ré”.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Mar 13 2017, 01:40pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Malli im

Erë e malit fryn ngadalë
Përmbi fushë plot me bar,
Mue malli porsi valë
Ma mbush zemrën plot me zjarm.

Erë e malit fryn e qetë
Si në lindje e perëndim;
Breg, lëndinë shohin jetë,
Zogjtë çmallen me këndim.

Më ha malli për natyrë,
Lisa, plepa në largim,
Malli i nanës si pasqyrë,
Ma zgjat jetën, m'ep gjallnim.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Mon Mar 13 2017, 01:44pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Mbramja 1 Nanduer

Pushojti ulërima edhe vaji,
Qi ditën t’vjetrat vorre patën mblue!
N’qetsí t’mjerushme ra tek ka Ermaji
Mbî zall veç ndihet Kiri tue ushtue.

Qe hyjt e hâna m’qiell tek lamparisin
E fushën mbarë e mblojnë m’nji dritë të zbét,
Do drita t’ndezme mbi shum vorre ndrisin...
Mbi tufa lulesh, rrxue me krye për dhét.

Vorrtari, i cili s’njef ç’âsht friga e mnera
Tek shkon mbi vorre dritat tue i shue,
E si mbaron, këthen... po fryn m’turr era,
E gjetht i bân nga nji e nji m’u rrxue...
E kukuvajca mbi qinar, e mjera...
Përpiqet vajin si për m’e mbarue!...

1931

* Mbramja e 1 nandorit, asht vigjilja e ditës së Shumve. Të krishtenët, në Shkodër, si gjithkund, gjatë gjithë këtij moji shkojnë për me ba vizitë ndër vorre, tue çue lule e kunora të dashunve të vet qi s’janë ma. Vorreza katolike në Shkodër, e cila përmendet prej autorit, quhet Ermaj, ose Rrmaj, dhe shtrihet në verilindje të qytetit.





Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1971 sec, 0.0295 of that for queries. DB queries: 39. Memory Usage: 2,669kB