Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Martin Camaj
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Mon Sep 15 2008, 09:38am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Camaj, ose poeti në kërkim të atdheut të mohuar

Nga Mark Marku

Poeti i ri ëndërrimtar që arratisej nga Shqipëria në vitin 1948 për t'i shpëtuar ferrit komunist me siguri nuk ka menduar se ikja e tij do të ishte përfundimtare, fatale. Më vonë, duke u endur nga Beogradi në Romë, nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të shkonte kudo me përjashtim të vendit të vet.Dhe ndoshta zgjedhja e fshatit malor Bavarez si vendqëndrim i fundit, është konsideruar prej tij si kthim në vendlindje.

Vetëm ai që e ka parë Bavarinë e epërme dhe fshatrat malorë të saj në një ditë të ngrysur dimri, e kupton pse Martin Camaj zgjodhi pikërisht këtë vend për të ngrysur ditët e fundit të jetës së tij të gjatë prej mërgimtari. Zona malore e Bavarisë të ndërmend Alpet e Shqipërisë, dhe meqenëse Camaj e kishte të ndaluar të kthehej atje, në Temal, fshatin alpin ku kishte lindur një ditë vere të vitit 1925, u detyrua të zgjidhte diçka të ngjashme me malet e tij, me vendlindjen e tij. Fshati malor Lenggries i krijonte mundësinë të binte në gjumë dhe të zgjohej nga gjumi me faqen e malit përballlë dhe kaq i mjaftonte mërgimtarit për të shuar mallin e tij.

Poeti i ri ëndërrimtar që arratisej nga Shqipëria në vitin 1948 për t'i shpëtuar ferrit komunist me siguri nuk ka menduar se ikja e tij do të ishte përfundimtare, fatale. Më vonë, duke u endur nga Beogradi në Romë, nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të shkonte kudo me përjashtim të vendit të vet.Dhe ndoshta zgjedhja e fshatit malor Bavarez si vendqëndrim i fundit, është konsideruar prej tij si kthim në vendlindje.

Pamundësia për t'u kthyer në vendlindje ka rezultuar tragjike për jetën personale të poetit por fatlume për letërsinë shqipe. Sepse atë që nuk ka mundur të bëjë fizikisht e ka realizuar nëpërmjet artit të tij.Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje.Vepra e tij është dëshmia më e mirë e përpjekjes për të mos e humbur atdheun, vendlindjen. Aty ai është me të gjitha aromat, ngjyrat, dritëhijet.

Emigrimi i parë i poetit nis qysh i vogël, kur largohet nga fshati për të hyrë në kolegjin saverian të jezuitëve në Shkodër. Fillimi i studimeve në këtë kolegj do të përcaktojë të ardhmen e poetit në shumë drejtime. Është emigrimi i parë prej të cilit lindin dhe emigrime të tjera dhe kjo do të jetë përcaktuese për fatin personal të poetit. Rruga e dijës e çonte gjithnjë e më larg, dhe për ata që e ndjekin me ngulm këtë rrugë kthimi është vetëvrasje. Ja pse pas kolegjit saverian ai duke ndier nevojën e shkollimit do të largohet nga Shqipëria për në Jugosllavi ku do të vazhdojë studimet në Universitetin e Beogradit studime që do t'i mbarojë në Romë në Universitetin La Sapienza ku edhe u doktorua me një studim për Mesharin e Buzukut. Në vazhdën e kësaj rrugë në fillim të vitev 60 ai zhvendoset në Mynih, kësaj radhe jo në rolin e nxënësit por të mësimdhënësit, rrugë që e vazhdoi deri në fund të jetës. Camaj e ktheu katedrën e albanologjisë së Mynihut në një institucion dinjitoz të studimeve në këtë fushë.

Studimet e tij në kolegjin saverian janë përcaktuese edhe nga pikëpamja ideologjike, bindjet e tij ishin në kundërshtim me komunizmin dhe për këtë arsye të kësaj mospërputhjeje ai do të largohej nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në vende që kishin më respekt për lirinë e fjalës dhe të medimit.
Por studimet në këtë kolegj do të ishin përcaktuese në mënyrë të veçantë për orientimin e tij kulturor dhe intelektual. Në përshtatje me formimin që ai merrte aty Camaj do të bëhet vazhduesi më i denjë i veprës së autorëve të letërsisë shqipe në gegnisht nga Budi tek Mjeda e Koliqi, ndoshta i vetmi autor modern shqiptar i denjë për të vazhduar trashëgiminë e ndritur të tyre. E zhvilluar në mënyrë të natyrshme dhe jashtë presionit të letërsisë dogmatike të realizmit socialist, vepra e Camajt është niveli më i lartë i zhvillimit të letërsisë moderne shqipe ose më saktë është ana tjetër e painfektuar e saj.
***
Nëse vepra e Camajt paraqet një univers të tërë që ngelet për t'u eksploruar nga lexuesi shqiptar, jeta e tij përbën një model që i duhet sugjeruar shoqërisë shqiptare.Camaj është intelektuali dhe krijuesi shqiptar që e realizon veprën e tij pavarësisht rrethanave ose që më saktë nuk i përdor kurrë ato si justifikim për mosrealizimin e saj.

Nga viti 1953 kur ai boton në Prishtinë veprën e parë të tij, vëllimin me poezi "Një fyell ndër male", vargu i veprave të tij nuk ka të ndaluar edhe pse e di fare mirë se një pjesë e kësaj vepre do të ngelet larg lexuesit shqiptar për një kohë të gjatë. Përveç disa vëllimeve me poezi ku vlen të përmenden vëllimet "Legjenda" botuar në Romë në vitin 1964, "Lirika mes dy moteve" dhe "Njeriu me vete e me të tjerë", botuar në Mynih njëri në vitin 1967 e tjetri në vitin 1978, Camaj është autor i romaneve "Djella", 1964, "Dranja", 1981, "Shkundullima", 1981 dhe "Karpa", 1987 si dhe autor i disa studimeve gjuhësore të rëndësishme.

Komuniteti i vogël i emigrantëve shqiptarë që e ka njohur Camajn e përshkruan atë atë si një intelektual tejet të kulturuar, të qytetëruar, e njerëzor por të patjetërsuar nga të jetuarit e gjatë në Përëndim.Njerëz të afërm të tij tregojnë një detaj që na konkretizon krenarinë e tij për vendin e origjinës dhe racën që përfaqësonte. Ndërsa paraqiste dokumentet për te filluar punë si lektor në Universitetin e Mynihut sekretarja duke kryer formalitetet e rastit e pyet për profesionin e të atit. Bari- i përgjigjet Camaj dhe meqë sekretarja e përsëriste pyetjen duke mos u besuar veshëve Camaj përsëriste përgjigjen i patrazuar: - Bari, -zonjë.

Kolegët shkrimtarë shqiptarë dhe institucionet e kulturës shqiptare e denigruan dhe e fyen shpesh herë Camajn, por ai nuk u soll kurrë në të njëjtën mënyrë me ta. Nga faqet e revistës "Shejzat" që ai botonte në Romë bashkë me Koliqin, Camaj i analizon pa mllef dukuritë e letërsisë shqipe dhe nuk është rastësi që Camaj qysh me botimin e librit të parë të Kadaresë paralajmëron shfaqjen e një shkrimtari të madh në letërsinë shqipe. Kadare më vonë do të jetë ndër të parët që do të thyejë heshtjen që mbulonte veprën e Camajt duke dhënë vlerësimin maksimal për të.

Camaj vdiq, në mars të vitit 1992, në Lenggries të Bavarisë. Erika, gruaja e tij gjermane, në përmbledhjen e veprave të tij të botuara në Shqipëri në vitin 1996 nga shtëpia botuese "Apollonia" shoqëruar me parathënie nga A. Klosi na ka sjellë fjalët e fundit të poetit: "Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time:ky vlerësim na afron.Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej.Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt".


[ Edited Sat Sep 05 2009, 09:21am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
Loris
Fri Oct 31 2008, 06:57pm
Veni-vidi-vici !!

Registered Member #2417
Joined: Thu Oct 30 2008, 12:28pm

Posts: 2261
Shume studjues e kane veshtire me e "zberthy" vepren e Camaj pse ishte shume hermetik, ndoshta kjo asht arsyja pse ka ken i vecante. Duhet shume pune me e kuptu Camajn deri ne fund e ndoshta s'kane me arrit ndojhere por shyqyr asht gjalle Erika, ndoshta ka me ndihmu per shume gjana. Shtepia botuese "Camaj Pipa" ne Shkoder di qe ka lidh kontrate me Eriken per te drejten e autorit mbi Camajn.
Pune te mbare studjuesve qe kane me pase deshire me u marre me te madhin Martin Camaj

Ne nuk jemi ajo qe themi, ne jemi ajo qe bejme!
Back to top
L - N
Tue Jul 21 2009, 10:11am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Lanksch: Ditët kur mësoja shqipen me Martin Camajn

Sot, në 84-vjetorin e lindjes së pedagogut, mikut dhe shkrimtarit nga i cili njohu më së pari poezinë shqipe, përkthyesi gjerman, Hans-Joachim Lanksch, kujton kohët kur ai, një djalosh i ri, rrekej të mësonte gjuhën shqipe

Oliverta Lila

Sot, mësuesi i tij i shqipes do të mbushte 84 vjeç. Atëherë, një i ri i etur të përvetësonte gjuhë të huaja, Hans-Joachim Lanksch takohet me Martin Camajn. Ai do ta udhëhiqte jo vetëm në terrene gjuhësore, por edhe letrare. Atëherë kur mund të lexonte mirë shqip, Camaj, tashmë pedagog dhe mik i tij, e tërhoqi edhe si shkrimtar. Lanksch njihet për publikun shqiptar si përkthyes i poezive të tij në gjermanisht. Azem Shkreli, Ali Podrimja, Kasëm Trebeshina janë të tjerë shkrimtarë shqiptarë, të cilët ai i ka përcjellë te publiku gjerman. Misioni i tij vazhdon edhe sot, ndonëse thekson vështirësitë e botimit të letërsisë shqiptare në vendet gjermanishtfolëse. Në intervistën e mëposhtme, Lanksch tregon qasjen dhe interesat e tij për krijimet poetike të ditëve të sotme.

Zoti Lanksch, si ka qenë kontakti i parë me gjuhën shqipe?

Kontakti i parë me shqipen ka kenë metoda e gjuhës shqipe (varianti geg) e Martin Camajt, "Lehrbuch der albanischen Sprache". Mbas afro shtatë leksionesh vendosa që kjo gjuhë nuk mund të mësohet dhe e ndërprita mësimin e saj. Mirëpo, nuk më la rehat problemi i gjuhës së "pamësueshme", sidomos mbasi në gjimnaz i kisha bâ ballë mësimit të nji gjuhe jo indeuropiane (hebraishtja biblike). Mbas nji kohe zuna me mësue me metodën e shkëlqyeshme për mësimin autodidaktik të gjuhës së njisueme, "Gjuha shqipe 1-3" të L. Radovickës, Z. Karapicit dhe A. Tomës, dhe studioja tekste në shqipen standarde me Martin Camajn. Kur kisha kontakte të para me shqiptarët e Kosovës, nuk i merrja vesh fare dhe ata s‘më kuptonin mue, kështu që prof. Camaj nisi me lexue me mue proza popullore të mbledhuna prej Anton Çetës. Mësimin e shqipes e rrumbullaksoja me manualin e shqipes për tre variantet e saj (gegnishtja, gjuha standarde dhe arbnishtja), "Albanian Grammar" prej Martin Camajt.

Më tregoni pak për fjalët e para që nisët të mësonit...

Metoda e Martin Camajt nuk filloi me fjali të tipit "Agroni është mësues. Teuta është mësuese...", por me nji prozë popullore, "Ujku dhe poçari", ku më bani përshtypje fjala e parë, "ujku", me kenë se ajo duket fort ekzotike ndërsa lidhet etimologjikisht me fjalët e gjuhëve sllave për "ujk": volk, vlk, vuk etj.

Ju keni qenë nxënës i Martin Camajt. Si do ta vlerësonit si njeri dhe si shkrimtar?

Nga nji anë ka kenë njeri fort punëtor me disiplinë të madhe. Përveç ligjëratave dhe leksioneve n‘universitet merrej me punë hulumtuese linguistike. Krahas me punën shkencore merrej me veprimtari të gjanë krijuese në disa gjini letrare. Njikohësisht, Martin Camaj ka kenë njeri jashtëzakonisht i butë dhe i mirë. E ndihmonte çdokê dhe pa marrë para sysh nëse ishte profesor a punëtor krahu. Ishte ndihmëtar deri në vetëmohim. Për sejcilin student kishte nji program të posaçëm, simbas nevojave të sejcilit, kështu që jepte mâ shumë orë se sa paguhej prej universitetit. Si shkrimtar, Martin Camaj asht klasiku i poezisë moderne në shqipet. Po të mos shtihej në harresë, por po të botohej e përkthehej sa e meriton, ai kish me kenë ambasadori mâ i mirë i poezisë shqipe në botën e jashtme.

Nën ndikimin e tij ju flisni sot një shqipe gegërishte. Ndjeheni i privilegjuar për këtë?

Nuk më pëlqen shprehja "i privilegjuem". Në kjoftë se pranojmë këtë term, mund të them që ndjehem i privilegjuem sepse e kisha mësues dhe mik Martin Camajn. Përveç kësaj, "privilegjin" e të folunit gegnisht e ndaj me dy të tretat e njerëzve të thjeshtë të viseve shqipfolëse që s‘e flasin fare gjuhën "të-të-të" siç e quajti Martin Camaj "gjuhën e njësuar".

Keni udhëtuar në Kosovë e Shqipëri. Ende student ju kishit krijuar një imazh tuajin për botën shqiptare. U përmbys ai kur i prekët nga afër këto vende?

Kontaktin e parë me botën shqiptare e kisha si student i sllavistikës, para se me u njohë me gjuhën shqipe. Mora pjesë në nji seminar veror në Novi Sad të Serbisë. Gjatë nji ekskursioni në Kosovë, nji mbramje u shëtita dhe hyra në nji bahçe të madhe me muzikë të mrekullueshme cigane, shumë mysafirë, kamerierë. Mbas nji kohe doli se nuk isha në nji restorant, por në nji festë të madhe private për kremtimin e synetit. Më ftuen si mysafir nderi në odën e mjeshtërve, ku më pritën me njerëzillëk të madh e mikpritje fantastike mjeshtërit mâ me nam të qytetit. Rrinim bashkë gjithë natën deri n‘orën shtatë të mëngjesit. Tanë kohën, për shkakun tim që s‘dija as edhe nji fjalë shqipe, ata flisnin vetëm serbisht. Kështu krijova nji imazh për botën shqiptare para se me ndie legjendat serbe për "shiptari" ("shiptarët janë të egër, dinë vetëm me pi e me therë me thikë").

Ndryshe ka kenë kontakti i parë me Shqipninë. Në kohën e diktaturës nuk kam kenë në Shqipni. Më 2001 isha i ftuem në nji takim të pendave shqiptare me përkthyesa të huej në Fshatin e Paqes ngat Shkodret. Udhëtimi në rrugën Tiranë - Shkodër domethënë pamjet e shumta të vorfnisë qenë nji shok i vërtetë. Njohja me Shkodrën qe nji shok po aq i thellë. Kisha pritë Shkodrën e Koliqit e Camajt, kisha imazhin e nji qendre idilike kulture dhe hasa nji qytet të degraduem gjysmë-gërmadhë (me nji xhami të bardhë monumentale në mes që i vjen era e parave arabe). Edhe atëherë edhe nji vit mâ vonë, kur kaloja disa ditë në Tiranë, më zhgënjyen pasojat dhe gjurmët e regjimeve të këqija politike, ama jo njerëzit. Di me dallue Shqipninë zyrtare e politike nga pejsazhet e bukura dhe shqiptarët aq mikpritës e të hapun. Ka shumë popuj që krenohen për mikpritje - shqiptarët kanë pse janë krenarë për mikpritjen e tyne.

Prej vitesh përktheni nga shqipja në gjermanisht. Keni zgjedhur kryesisht poezinë. Ishte një zgjedhje që erdhi pas njohjes së këtyre poetëve apo një brumosje e mëhershme me poezinë?

Substrati i përkthimit të poezisë, në të vërtetë, për mue asht nji brymosje e hershme me poezinë. Në vitet e gjimnazit, gjatë orëve të mërzitshme (kimi, fizikë...), merresha me shkrimin e soneteve n‘italishten e vjetër që e kisha mësue për të lexue n‘origjinal veprat e Alighieri Dantes e të poetëve të tjerë të "Dolce stil nuovo". Në përgjithësi kam kenë i dhanun mbas poezisë italiane prej Françeskut t‘Asizit deri te Ungaretti, mbas poezisë spanjolle të "Generación del 27" (sidomos Jorge Guillén, Rafael Alberti, Vicente Aleixandre), të T.S. Eliot-it, të poetëve t‘ekspresionizmit gjerman, të modernistëve francezë e shumë të tjerëve. Për mue, mund të them, leximi dhe shijimi i poezisë italiane ka kenë shkolla e poezisë që më tregoi se ç‘asht poezi, deri te abstragimi i skâjshëm i poezisë në vjershën e Ungarettit me titull "Mattinata": "M‘illumino / d‘immenso". Nji poezi fantastike e unike për të cilën shumëkush, mjerisht, thotë se ajo as nuk asht poezi... Sapo u njoha me poezinë e Martin Camajt dhe, mâ pastaj, me poezinë e poetëve shqiptarë të Kosovës, entuziazmi për këto poezi flakëroi mbi substratin e dashnisë së vjetër për poezinë si të tillë.

Autorët shqiptarë që keni njohur e me të cilët keni punuar, për një kohë të gjatë janë shmangur në Shqipëri.

Sot diskutohet shumë për disidentët dhe ata që e meritojnë të quhen të tillë. Kë do të rreshtonit ju si të tillë për letërsinë shqiptare?

Më duket se disidentë mund të quhen ata që dilnin dhe shpreheshin qëllimisht dhe me vetëdije kundër doktrinës politike të "Nanës Parti". Në kët kuptim, disidentë ishin Kasëm Trebeshina dhe, me sa di unë, Fatos Lubonja por edhe burgaxhinj të tjerë jo aq prominentë. Prej tyne duhet me dallue shkrimtarë që nuk i përkuleshin diktatit të realsocit, domethënë doktrinës letrare të "Nanës Parti", si Martin Camaj, që i kisha quejtë shkrimtarë stilistikisht e tematikisht nonkonformistë. Disa syresh për fjalët e tyne të shkrueme a të foluna, për fat të keq, ranë viktimë e regjimit paranoid si, fjala vjen, Frederik Rreshpja, apo, me fat edhe mâ tragjik, Vilson Blloshmi.

Ju jeni vlerësuar edhe me çmime për punën tuaj si përkthyes. A ka ndonjë autor që ju ka "sfiduar", të cilin e keni shumë të vështirë për ta përkthyer në gjermanisht?
Në përgjithësi, përkthimi i letërsisë, sidomos ai i poezisë, asht i vështirë. Nji autor që përkthehet kollaj, zakonisht nuk meriton të përkthehet. Sfida e parë për mue ka kenë poezia eliptike e Martin Camajt. Sfida e dytë ishte poezia e Azem Shkrelit deri te e cila shumë vjet nuk gjeja kurrfarë shtegafrimi. Sfida e tretë ka kenë novela e Kasëm Trebeshinës, "Odin Mondvalsen", plot aludime dhe lojna të ndryshme të papërkthyeshme fjalësh.

Nëse flasim për letërsinë shqipe të ditëve të sotme, si i shihni zhvillimet e saj në poezi e prozë?

Pyetja s‘asht e lehtë, sidomos nëse jeton jashtë Shqipniet. Nuk ka nji kritikë letrare që informueka periodikisht dhe sistematikisht për zhvillimet dhe risitë letrare. Mungojnë dhe revista të tilla letrare resp. me sa ekzistojnë, nuk qarkullojnë në botën e jashtme. Nëse nji autore a autor shqiptar diku ka nji reçension, ose ka miqësi përkatëse ose ka sukses "jashtë".

Me sa mund të shoh, mbas ‘90-shit pendat e reja poetike shpejt e përfunduen procesin e emancipimit prej letërsisë së kolektivizueme të socrealit, kështu që në letërsi (poezi) te pendat e reja, ndryshe nga sfera politike, erdhi deri te nji kthesë e vërtetë, nji përmbysje e rreptë e modeleve të kohës së diktaturës. Poezinë e Shqipnisë e shoh ende në rrugën e përpjekjeve për identitete të reja, në rrugën e konsolidimit të individualiteteve të reja. Përveç emnave deri diku "t‘afirmuem" si Agron Tufa, Gazmend Krasniqi, Arian Leka, Mimoza Ahmeti, Romeo Çollaku e të tjerë, në ndërkohë ka rritë nji brez edhe mâ i ri, përafërsisht rreth moshës 30-vjeçe, për të cilin asht mjaft vështirë t‘informohesh nëse nuk rrin në Shqipní. Në prozë ka prurje me kërkesa të nalta prej pendave si Ridvan Dibra, Gazmend Krasniqi, Ardian Kyçyku e të tjera, të cilat ndërkaq për fat të keq duket nuk kanë sukses aq të madh sa vepra që merren me tema apostafat shqiptare. Duket se tematika kombëtare në të gjitha variantet e saj premton sukses të shpejtë e të lirë. Unë personalisht shpresoj që letërsia shqiptare të çlirohet sa mâ shpejt prej barrës tematike të kombëtarizmit. Kur të lirohet prej barrës së shqiptarizmit, ajo do jetë mâ interesante për hapësinën jashtëshqiptare. Nji fjalë për konjunkturën e romaneve për kohnat e diktaturës. Proza autentike për traumat e diktaturës kena mjaft: nga Kasëm Trebeshina, At Zef Pllumi, Fatos Lubonja, tash dhe Lekë Tasi e Vera Bekteshi. Këto penda kanë hjekë të zitë e ullinit nën diktaturë, nuk na duhen vepra konjunkturale autorësh që tregojnë poshtë e përpjetë traumat që s‘i kanë përjetue ata. Shpresoj që proza shqiptare të fillojë mâ shumë me trajtue tema aq individuale sa universale. Letërsia në Kosovë asht tjetërgjâ, nji kapitull tjetër.

Keni pikasur ndonjë vepër me të cilën do të donit të punonit?

Me poezinë e Moikom Zeqos. Me gjithë se emni i tij asht mjaft i njohun, poezia e tij duket me kenë jo aq e njohun sa e meriton. Problemi asht se vepra e tij poetike asht gjiganteske. Kompleti i poezisë së tij ("Miscellanea 1 - 5") përfshin përafërsisht 2600 faqe libri!

Cilat janë raportet tuaja me veprën e Ismail Kadaresë?

Kam preferenca të tjera. Vepra e z. Kadare nuk m‘intereson.

A ka sot ndonjë emër që mund të bëhet pasues i juaji në fushën e përkthimeve?

Po, asht nji student i albanologjisë që ka potencial me u bâ përkthyes i spikatun, Florian Kienzle. E njeh fort mirë gjuhën shqipe dhe ka dellin e duhun letrar. Nji përkim i rrallë me kenë se ka edhe persona të tjerë që merren me përkthime letrare pa njohë si duhet gjuhën shqipe (n‘Austri) ose që janë shqiptarë e që nuk e zotnojnë sa duhet gjermanishten letrare (në Zvicër).

Si janë mundësitë e botimit të letërsisë shqipe në vendin tuaj?

Shumë të dobëta. Me gjithë trumbetimin e disave, në vendet gjermanishtfolëse letërsia shqipe njihet shumë pak. Këndej njihet Kadareja. Kaq. Kuptohet se ai asht pjesë e letërsisë shqiptare, prapëseprapë me njohjen e tij nuk njihet edhe letërsia shqipe. Për këtë asht absolutisht minimal interesimi i botuesve për vepra të kësaj letërsie pak a shumë të panjoftun në këto anë. Nuk gjen botues nëse nuk mundesh me ia sigurue dhe ofrue financimin e botimit. Në këtë mes shoh lëshime të mëdha të palës shqiptare e cila pandërpré vajton për imazhin e keq që e ka në botën e jashtme. Nëse ka dëshirë që jashtë të mos flasin vetëm për gërdecat shqiptarë, korrupsionin etj., kish me kenë e udhës që pala shqiptare t‘angazhohet konkretisht e t‘investojë tue sponzorizue e financue botimin e letërsisë së saj jashtë siç e bajnë shtete të tjera t‘Europës Lindore - Bullgaria, Rumania, Hungaria, Greqia - që kanë secili nga nji institut kulture në Gjermani në vend se t‘organizojnë zgjedhje missash dhe spektakle të ngjashme të kota.

Cilat janë angazhimet tuaja të momentit?

Këto ditë e pa dritën e botimit revista letrare gjermane "Matrix" (Matriks) ku më janë botue poezi të Jamarbër Markos dhe nji prozë e Elvira Donesit. Për nji botues zviceran kam me përkthye nji vëllim të poetit shqiptar nga Kosova me banim në Zvicër, Shaip Beqiri. Përveç kësaj, mundohem me gjetë nji botues për antologjinë e poezisë shqiptare të pasluftës me 24 autore dhe autorë prej Zef Zorbës deri tek Ervin Hatibi. Deri më tash, antologjia m‘asht publikue vetëm n‘internet (http://www.transcript-revieë.org/de/issue/transcript-24-neue-lyrik-aus-albanien/leitartikel). Kam edhe projekte të tjera, ku mungojnë vetëm botuesit për t‘i sendërtue ato resp. sponsorët për të financue botimin.

© Gazeta Shqip - 2006-2008


[ Edited Sat Sep 05 2009, 09:23am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sat Sep 05 2009, 09:25am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Proza e Martin Camajt, ndikim në studimin ndryshe të letërsisë shqipe

Nga Dr. Yrjet Berisha

Veprat letrare të Martin Camajt, gjatë disa dhjetëvjetësheve kanë qenë të lëna anash nga historia e kritika e letërsisë sonë, sepse ky autor, tok me disa të tjerë, ka jetuar e ka krijuar larg atdheut. Këta kanë qenë letrarë të injoruar për shkaqe jashtëletrare. Përkundër këtij fakti, krijimtaria e tyre letrare, edhe pse e shkruar dhe e botuar jashtë atdheut, ka pasur ndikim të madh e të tërthortë edhe në shkollat e mëvonshme letrare. Mendimi kritik për veprat e këtyre autorëve ka ekzistuar (natyrisht më tepër në biseda private), por nuk është shkruar a interpretuar në revista letrare e në libra të veçantë kritikë a të historisë së letërsisë. Qarqet ideologjike qëllimshëm krijuan vakuum në artin tonë.

Në mesin e shkrimtarëve të shpallur të padëshirueshëm është edhe Martin Camaj, i cili nuk u kursye nga “kujdesi” i censurës diktatoriale në Shqipëri. Shkrimtarët në atdhe mbase heshtnin me arsye, sepse në të kundërtën merrnin dënime drakonike! Këso ndëshkime merrnin njëjtë edhe ata në Prishtinë.

Historia e letërsisë, kritika letrare edhe teoria e letërsisë janë ato disiplina filologjike që drejtpërsëdrejti merren me interpretimin e krijmtarisë letrare, për të cilën gjë qysh herët kanë konkluduar se vepra letrare, sado qoftë e krijuar në kushte specifike, ajo ka lexuesit e vet. Veprat e tilla kanë jetë më të gjatë, kanë jehonë të përhershme, kanë ndikimin e vet në letërsi. Kanë gjuhën e stilin e vet specifik. Andaj, mu për këtë arsye, historianët, kritkët, teorikët dhe estetët e letërsisë, do të orientohen vetë për t’i studiuar hollësisht këto vepra. Jo pse i detyron dikush, por thesht për këtë e cyt arti i veprave të këtij autori, është provokues edhe për lexuesin heterogjen e atë të rëndomtë. Vepra e tillë është me interes edhe për disiplinat e filozofisë, sociologjisë, antroplogjisë, drejtësisë, psikologjisë, etnografisë, historinë, politikën etj. Veprat letrare të Martin Camajt s’janë të pakta, as në gjini të poezisë, as në gjini të prozës, as në gjini të dramës. S’janë të pakta as edhe si vëllim e cilësi. Veprat e këtij autori sjellin përvojën hulumtuese, mbështetur në mitet e letërsisë popullore shqiptare, por edhe në shkollat e poetikës perëndimore që ndikuan drejtpërsëdrejti në kulturën, artin, filozofinë, botëkuptimin europjan perëndimor, që autori i thithi gjatë edukimit të tij të vazhdueshëm universitar në Beograd e Romë.

Arti i Camaj mbështetet në linjat thelbësore të botës së paprekur

Veprat në prozë të Martin Camajt janë shkruar duke u bazuar në shtresa të artit, të zbërthyera në mënyrë të logjikshme, që lexuesin nuk e dëshpërojnë. Përkundrazi, do të mrekullohet gjatë leximit të tyre. Arti i këtyre veprave nuk vë në gjumë receptuesin. Këto tekste letrare janë shkruar me ndjenjën e stërhollimit e të peshimit të fjalës. Janë të shkruara me durim meditues dhe zbërthejnë dukuri e fenomene të lidhura me etnikumin tonë. Mbështetur në këto parime estetike, ky autor orientohet të japë bukur e me nuanca të shumta artistike strukturën e prozave të veta. Nisur nga këto rregullsi të shkruara e të pashkruara nga teorikët e letërsisë, Camaj artin e tektesve letrare e vë në binarë të fortë, ku nuk e lë anash, të themi figurshëm, kompleksin e trenit të kompletuar, me lokomotivë, duke ia bashkangjitur edhe shumë elemente të tjera të nevojshme, ashtu siç pohojnë kritikët e estetët e letërsisë, të cilët kështu mbrojnë tezën e gjykimit kritik në tejkalimin e temave triviale, shpesh të përsëritur në art. Arti ka qenë e do të mbetet i tillë që të mbështetet në linjat thelbësore të botës së paprekur, nga e cila edhe krijohen vepra me vlera artistike e estetike. Shkrimtari pasqyron skajshmëritë e jetës intime, situata absurde, legjenda, jetën e pështirë që është shumë afër së vërtetës e fantastikës dhe që ka elemente të fuqishme me strukturë kompozicionale si çdo vepër arti. Martin Camaj nuk u instrumentalizua, por me alegori e mjete artistike e estetike shkroi veprat e tij që do të jenë fort të lexueshme dhe s’do të kenë bagazhin e hipotekën e -izmave diktaturiale. Ky autor, deri në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, praktikisht qe shkrimtar i panjohur për qarqet letrare në Tiranë. U desh të vijë sistemi pluralist në Shqipëri dhe ky autor të botohet pjesërisht. Idetë e veprave të Camajt do të kenë ndikim në formimin e një mendimi konkret dhe me shumë rëndësi për artin tonë. Ambienti i Shqipërisë Veriore do të mbetet monument i paharruar në kujtesën e lexuesit. Malësia e Mbishkodrës, e pasqyruar nga ky autor, është e paprekur. Është e thjeshtë dhe e lashtë. Relievi i saj është karakteristik. Ambienti i tillë s’ka ilustrime të tejdukshme. Njerëzit aty janë të ashpër, natyrisht, kur duhet. Natyra e kësaj hapësire është e pashkelur. Mbizotëron gjelbërimi, shkëmbinjtë, qielli i kaltër, uji i pastër, kullotat e pashkelura etj. Proza e Camajt ka botën e veçantë të njerëzve, rrënjësisht të veçantë, ata jetojnë në një rreth të izoluar, të harruar nga shoqëria, për të mos thënë të injoruar e të poshtëruar. Jeta e thjeshtë e këtyre njerëzve është me interes për lexuesin. Thjeshtësia e të jetuarit në këtë trevë u afrohet miteve e legjendave të lashta ilire e shqiptare. Brenda kësaj hapësire paraqitet fantazia, etnosi, kultura, arti i gjeografisë tipike ilire. Bota është tronditëse dhe ka një mori fenomenesh e dukurish që s’janë prekur në artet tona të deritashme. Teksti i këtyre veprave sikur bëhet edhe më i plotë kur të kihet parasysh tematika e kësaj proze që lakuriqon edhe hijen më të vogël të grimit e të lustrimit të mërzitshëm e të trishtueshëm të atyre faktorëve që quhen personazhe e që dalin ashtu si janë: pa rrobën e lustruar të pushtetit, që jetojnë jetën e tyre në Malësi, ku s’ka ligje e pushtet, është trevë specifike, mbretëron qetësia, ajri është i pastër, burimi i ujit i kulluar, banorët kanë mendje të kthjellët, etj. Malësia e Mbishkodrës për shkrimtarët tanë prore ka qenë dhe ka mbetur Parnas i artit për shkollën letrare të Shkodrës, trasuar që nga fillimshekulli i njëzet, që historia e kritika jonë letrare e njeh si letërsi moderne, ashtu sikundër e ka definuar Prof. dr. E. Çabej. Fshehtësitë e kësaj treve janë emblematike dhe të pashkelura, të pazbuluara dhe mjaft karakteristike për Shqipërinë ilire dhe që mu për këtë arsye jo një herë qe pre e të huajve. Por, kjo trevë ka pasur edhe vende ku nuk ka shkelur kurrë askush. Nëpër ato shtigje kalojnë udhëtarët e rastit. Ecin tregtarët. Trup e tërthor marrin rrugën e pakalueshme luftëtarë e ushtarë të ndryshëm. Aty kalojnë njërëz të mirë e të kë[shhttt]. Kjo hapësirë e paprekur gjeografike e mitike është objekt frymëzimi për veprat letrare të Martin Camajt. Ky vend është më se origjinal, për t’u shfaqur ndjenja e gëzimit dhe e hidhërimit. Malësorët e Camajt kanë forcë të madhe për ta kaluar e përbuzur të keqen. Ata dinë të gjejnë formulën e qëllueshme për t’i bërë ballë çfarëdo rreziku që u vjen nga jashtë. Kështu, në këto vepra autori këtë lëndë e shtron me nota dramatike e në mënyrë të qetë, varësisht nga momenti a nga gjendja psikologjike, filozofike, sociale etj., dhe kështu këto krijime marrin strukturë të pëlqyeshme fiktive.

Romani “Djella”

Romani “Djella”, i Martin Camajt vë në spikamë të metat e mjedisit të një sistemi të mykur, që nis me ton ironik: “Se të gjithë, edhe ata që sundojshin atje naltë, pa përjashtim, ishin jashtë në borë e shi, po pak njerëz e pohoshin këtë. Por do të vishin kohë edhe mâ të vështira dhe era, bora do të bâheshin edhe mâ të ftoftë.”

Nga ky fragment lexuesi do të kuptojë qëndrimin kundërshtues ndaj nomenklaturës së sistemit socialist, që autori e thotë me ton ironik e alegorik. Narratori i romanit “Djella”, hulumton format e veçanta të rrëfimit, kërkon nektarin e artit. Është këmbëngulës në gjetjen e shprehjeve tejet origjinale për të thumbuar e shqiptuar paradokset çmendurake. Ngrehina e romanit është me përmasa të shumta. Narracioni intim i shqiptuar në vetën e parë të bën për vete. Poetika e këtij romani shkrihet në shtresa të ndryshme strukturore që i përkasin arealit të fjalëve të urta dhe si të tilla edhe përhapin idenë e të shqiptuarit pa lajka, që herë pas here dinë të dalin me rrëfime parabollike a me rrotlla.

Pikërisht këtë çështje e zë ngojë edhe studiuesi e poeti Arshi Pipa, kur shkruan: “ ‘Djella’, asht nji pjesë e episodeve narrative, e përcjellë me vjersha të cilat shpërfytyrojnë narracionin përmes lirizmit.” . Ndërkaq, këtë çështje e ka interpretuar edhe shkrimtari Ernest Koliqi, ku mes tjerash shkruan: “Vargjet janë si ushtima e âmbelsueme e ngjarjeve disi të zymta qi përmbâjnë t’endëmen e tregimit.” Kur lexohet romani “Djella“, duket se ai është ndërtuar përmes një gërshetimi të qëllimshëm. Romani herë pas here i nënshtrohet strukturës narrative. Shqiptimi i tillë strukturor narrativ e lirik vë në spikamë vuajtjet e Bardhit, me profesion mësues e me vokacion poeti, që pas një hamendjeje të madhe rrëfen shlirshëm tronditjet e veta shpirtërore në një moshë gati senile.

Arti i romanit shpalon dilemën estetike, shqiptuar me diskurs të fshehtë, diskurs ironik, alegorik, surrealist etj., që si shkrim artistik është sprovë praktike e artit romanësor me prirje eksperimenti në poetikën e prozës, me fabulë parabollike të ngjeshur me shtresa mozaiqesh, por edhe me rrënjë legjendash, histori, nyje kanunore etj. Gjendja lemeritëse që e kaplon shoqërinë në atë mjedis zbulon huqet, gabimet dhe joseriozitetin e një sistemi që ka humbur rrugën në fushë, pak nga shtytja, frika, amullia, humbja e besimit në vetvete, pesimizmi, kërcënimet, komplekset e nënçmimit, mospuna, terrori i përditshëm mizor, tensioni i vazhdueshëm, burgosjet e shumta... Vështruar nga konteksti estetik, ky roman vë në sprovë lexuesin. Poetika e larmishme është dëshmi e mirë për t’u bindur lexuesi se arti mund të shkruhet në gjini dhe forma të ndryshme, ashtu siç ka shkruar edhe Xh. Xhojsi në romanin “Ulisi”. Kjo formë e të shkruarit është hap i guximshëm i autorit, që dëshmoi përpjekjet dhe hulumtimet e tij ku poetika e romanit duket se u afrohet formalistëve, por edhe pak më tepër artit eksperimentues europjan. Romani, i botuar më 1958, në letrat tona është më tepër se risi. Ai mëton t’i thyejë kornizat klasike në shkrimin e romanit tonë. Dhe për habi, autori këtë sprovë estetike e bën në dekadën e pestë të shekullit njëzet, atëherë kur letërsisë sonë i mungonte edhe romani më i rëndomtë, me poetikë të mërzitshme të metodës socrealiste ruse. Romani “Djella”, ka një kompozicion të veçantë. Rrëfimi i shqiptuar në vetën e parë vrojton shqetësimet e një intelektuali, një artisti e njeriu të thjeshtë, që gjatë të jetuarit në një ambient jostabil ndihet i humbur e i harruar, për të cilin askush nuk e çan kokën, për hallet e tij. Arti i ligjërimit prek pahetushëm problemet shoqërore, pa shkelur në shtresa monotonike të historisë.

Personazhet kanë vello fshehtësie...

Shkrimtari Martin Camaj ia arriti që personazhet e veta t’i japë me identitet të posaçëm dhe pati sukses t’i ngjallë në veprat e tij në prozë. Çështjen problematike të historisë sonë nuk e trajtoi me monotoni e me kakofoni a si të glorifikuar, përkundrazi, arti i veprave të tij shqiptoi mjetet artistike me ton alegorik, ironi, fjalë, të rrëfyerit me rrotulla, me gjykim të hollë e kritik. Arti i tij shfaqet pa emocione. Personazhet e kësaj proze, në qeliza e damarë kanë vello fshehtësie që jetojnë në një kohë e hapësirë të njohur, të panjohur. Rrëfimi e trillimi artistik shfaqet me prizmin e ireales. Herë-herë me natyrën reale që merr shtresat e artit fantastik, të absurdit, pa harruar edhe mrizin e legjendave e mitet tona të njohura nga letërsia popullore. Bazuar në mënyrën e tillë të ndërtimit të kësaj proze, lexuesi ynë e ka të pamundshme ta saktësojë kohën dhe vendndodhjen e tekstit letrar ose, siç do të thoshte Aristoteli, kohën e hapësirën e veprës letrare. Ngjarjet në roman shëtisin shlirshëm nëpër shekuj, mu sipas ëndrrave e zhgjëndrrave të personazheve, që dinë të befasojnë këndshëm receptorin. Mënyra e rrëfimit në tekstin letrar bëhet nga pozicione të ndryshme dhe, si e tillë është produkt i të menduarit dhe i materialit të punuar hollësisht nga diskursi. Konstruktimi i këtillë në disa raste duket se s’është gjithaq bindës, por kur shihet larëmia e strukturës dhe bota e psikologjia e personazheve në këtë vepër, atëherë s’kemi se si të mos konstatojmë se s’mbesin çështje individuale as veçanti të figurave të prozës së M. Camajt që përmbushin portretin kompleks të fatit njerëzor në raporte shoqërore që ishin tejet të acarueshme, në ato rrethana të krijuara nga thjerrëzat përbërëse, siç janë problemet e shumëfishta të ngritura në skeletin e ngrehinës së romanit. Këto karakteristika determinante filologjike mundësojnë, por edhe diktojnë shtytjen e mëtejshme të prosedeut romansor, që konsiderojmë se shkrimtari është prozatori më intelektual, më i formuar shkencërisht që jetoi e krijoi, i izoluar nga vendlindja, në diasporën shqiptare në Europë.

Struktura e novelës ”Pishtarët e natës”

Struktura e novelës ”Pishtarët e natës”, që nga fillimi e deri në mbarim pasqyron botën rurale me ambient tipik të Alpeve shqiptare të Veriut. Në plan të parë del jeta e një fshatari dhe familja e fisi i tij. Fabula e novelës paraqet nuancat reflektuese të dokeve të hershme që kanë pasur “jetë” në trevat tona dhe këto shtresa jepen ashtu si njihen e si nuk njihen. Në këtë prozë, me rreth nëntëdhjetë faqe, përqendrohen elementet e artit estetik e artistik, mjaft fuksional të një bote e një shoqërie, që duket sikur ka humbur fijet e lëmshit të quajtur ndryshe jetë normale e një njeriu a e një familjeje. Niveli kompozicional del i ngjyrosur dhe i patrajtuar gjithaq në letrat tona. Bazuar në këto çështje komplekse që i shtron autori, ato janë krijme artistike a vëllim i gjurmëve të vendosura nga e kaluara jonë e hershme. Ky shenjëzim modelues nis nga dukuria e urrejtjes, për të përfunduar si material i shoqërisë, i nderit, i njerëzores, etj. Urrejtja është dobësi e gjakut të fisit tonë. Ndërsa dashuria, puna, mikpritja, besa etj., shkelin në arealin e legjendave e të miteve që hyjnë në binarët e mbitekstit, siç janë mbitekstet që identifikohen si zana e dragonj, karaktere këto dalluese të qenieve mbinjerëzore, karateristikë për mitologjinë ilire - shqiptare. Proza e gjatë është shtruar me nëntekst përrallash e legjendash tona, që pahetueshëm depërtojnë në tekstin që është strukturim i shtresave rrëfyese, a një si amalgam mes visareve popullore me prozën artistike, si tekst i poetikës tradicionale, por edhe si strukturim i tekstit që është model i prozës moderne i vendosur në një sipërfaqe të diskursit vital. Autori në këtë prozë letrare, që shquhet si ngrehinë e tij verbale, kujdes të posaçëm i kushtoi korpusit kompozicional që vë në fokus dilemat, problemet, kundërshtimet fisnore, familjare etj., që dalin nëpër faqet e novelës “Pishtaret e natës”, me elemente artistike, duke i dhënë forcë tematikës me shtresa të dukshme fantastike që, si rëndom, në këtë poetikë moderne europjane arti nis nga diskursi i konsumar përmasash zmadhuese, jehona e thashethemeve, rreth pranisë së zanave ose, siç i quan Nika: Te Lumet. Kështu, trajtimi i një teme të tillë, sa misterioze aq specifike e të paprekshme më herët nga letrarët tanë, cyt lexuesin të mendojë për lashtësinë, krenarinë, njerëzoren, jetën, bëmat, artin, filozofinë, gjeografinë, historinë, gjeneologjinë e trashëguar nga të parët tanë. Tipi i novelës trajton një sërë problemesh që marrin karakter simbolik. Struktura e saj përcakton temën e

shkapërderdhshme të një njeriu fatkeq e të familjes së tij, në një kohë kur vështirë jetohej pa tokën e bukës.

Tregimi i gjatë “Gjon Gazulli”

Tregimi i gjatë “Gjon Gazulli” është prozë artistike me elemente autobiografike të Gjon Gazullit, emër i çmuar i shkencës, humanist i njohur me origjinë shqiptare, që jetoi në shekullin XV. Ai ishte i biri i një bariu nga Arbëria, i cili falë arsimimit dhe aftësisë së tij mendore bëhet njeri i shquar në Padovë.

Këtë novelë me shtresa të shumta narrative e përshkon pesha e rëndë e zhgënjimit të vuajtjes, tensioni i vazhdueshëm i polemikës me njeriun që s’ka emër, me njeriun hije, me njeriun e panjohur, pastaj shpërfaqet, bredhja a vrapi i tij i përhershëm pas gruas së panjohur që ia rrëmben zemrën në pleqëri.

Novela "Gjon Gazulli" trajton temë klasike nga shekulli XV, që pasqyron botën e jetën autentike të rendit të atëhershëm shoqëror. Proza mëton të aktualizojë katrahurën, gati të harruar të njerëzve tanë që u detyruan të iknin nga dhuna e barbarëve të Lindjes që qenë ngritur si lugetër, për t’i gllabëruar trevat e shumta shqiptare e europjane.

"Gjon Gazulli" në shumë faqe vë në spikamë probleme njerëzore, fenomene trilluese a fantastike, brengë, fatkeqësi, tragjedi, gëzim, mall, mjedise shoqërore e klasore, raportet politike, statusin intelektual, social, etj. Tërë kjo tematikë, e shumë të tjera, ia arrijnë të eksperimentojnë me artin. Arti në përgjithësi (pa përjashtuar edhe artin e Martin Camajt) mëton të kopjojë shtresat e njohura e të panjohura të jetës lakuriqe të përvojës së gjatë të një populli me etni të hershme të trashëguar përmes gjakut, gjuhës, kulturës, artit, dokeve etj.

(vijon në numrin e ardhshëm)

Shënim: Titulli dhe mestitujt janë redaksionalë

© Copyright 2007 tema.al.


[ Edited Sat Sep 05 2009, 09:26am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sun Sep 06 2009, 11:43am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Pse novelat e botuara të Martin Camajt nuk janë marrë në shqyrtim

Nga Dr. Yrjet Berisha

-Vijon nga numri i kaluar

Novelat "Pishtarët e natës" dhe "Rungaja në mars", si për nga tematika skeletore, hapësira, përmasa, forma estetike, janë të përqendruara brenda shenjave, thuajse të ngjashme, edhe nga kompleksi i materies, ashtu që problemet e ngritura në këto faqe proze fare lehtë mund të përfshihen në një opus të përafërt, meqë fabula e tyre shtrihet në një periudhë të njëjtë kohore - fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit njëzet. Pikat e përbashkëta të këtij shqiptimi nuk i përkasin vetëm problemit kohë-hapësirë, por kjo pikë shënuese ka edhe personazhe që kanë psikologji, karakter, botëkuptim, veprim, etj., që përballen me shumë dilema. Këto novela (pa harruar edhe “Gjon Gazullin“), janë përcaktueset më të mira të determinateve të njohura e të panjohura të lidhura me nyja të ndryshme të fatumit historik, që janë pasqyrë e trashëgimisë sonë shumëshekullore që zbarkoi deri në ato anale që nxjerrin në pah identitetin e një populli, të një kulture e një arti që trajtojnë prozat e këtij autori. Kur lexohet teksti i këtyre tri novelave, që s’janë më të gjata se dyqind faqe libri, lexuesi mrekullohet me artin sublim por, në anën tjetër, tragjikja rëndon, peshon sa shkëmbinjtë veriakë, që këto tekste i rrinë afër prozës me formë nacionale verbale, të afërt me mitet e legjendat tona burimore. Novelat e botuara të Martin Camajt nuk janë marrë gjithaq në shqyrtim. Ernest Koliqi ka shkruar një studim titulluar: “Arti i Marin Camaj-t”, ku mes tjerash shkruan: “Pâmjet e ndryshme të jetës së vendit të vet dalin nepër art të tij të vizatueme me drita e me hije dridhëse. Atij, edhe padeshtas, i shkon syni ke brumi njerzuer. N’ato vigâj te rrzuem, ai kerkon njerin. Lufta qi Malsori ndërmerr për me dalë nga gurzimi i nji gjendje shoqnore kurrkund në pajtim me kohën e sotshëme, ia thekë shpirtin. Ai s’do qi burri i Malsis të shikohet si specimen i nji rrace së lashtë, objekt kureshti për t’u vndue në nji muze. Nën leskrat xhixhlluese të një epiciteti anakronistik, syni vezhgues i tij kundron nji zemër të plasun rrudhat e shkaktueme nga uja, nga mundi keq i shpërblyem prej natyrës e njerzve e fatit, nga ndryshku i disa zakoneve dampruese, nga ngushtësija e vendit”. Proza e Martin Camajt bën pjesë në atë tip arti që gjatë leximit zgjon kërshërinë e receptimit. Ky mendim s’vlen veç për veprat që i zumë ngojë, por edhe për romanet "Djella", (1958), "Rrathë", (1978), pastaj novela "Shkundullima", (1981) dhe romani modern "Karpa", (1987), tematika e të cilave është brenda kornizave të njohura të segmenteve a dimensioneve nacionale, konkrete, por edhe të përmasave fantastike, që qëmton mentalitetin tradicional që në përmasa të tilla shtrihet dhe merr karakter të përgjithshëm.

Përpjekjet e para për studimin e veprës së Camajt

Megjithatë, në mesin e kritikëve që e kanë studiuar krijimtarinë e Martin Camajt, pa dyshim interpretim më serioz i ka bërë A. Berisha, i cili botoi një studim që e shtron në mënyrë të përgjithshme, ku mes tjerash shkruan: ”(…) veprat e tij në prozë kanë shumë tipare të përbashkëta, sidomos si struktura gjuhësore dhe mesazhe poetike, megjithatë, secila prej tyre paraqet një botë artistike e kuptimore të mëvetësishme dhe rrjedhimisht me këtë dhe mundësinë e ndikimit të veçantë estetik”. Përpjekje të tillë me shkrime kritike kanë bërë edhe: K. Petriti botoi një studim të gjatë për lirikën, Y. Çiraku disa motive karakteristike në poezinë. Studime të paharrueshme shkruan edhe E. Koliqi, A.Pipa etj., që si objekt shqyrtimi patën disa libra të veçantë të këtij autori, të cilët i botuan në periodikun letrar të Italisë e të Amerikës sa ishin gjallë. Kurse akademik S. Hamiti e prof. F. Dado, gjatë sprovave të tyre poetike, analitike e estetike e interprertojnë “Dranjën”. Romani ”Karpa” i Martin Camajt është më i arrirë në letrat tona, si në planin tematik, por edhe nga prania e shtresave artistike e estetike shtruar në këtë prozë të gjatë dhe shquhet si njëri ndër romanet më të mirë në korpusin e romaneve të letërsisë sonë bashkëkohore botuar në deceniet e fundit të shekullit njëzet. Romani në fjalë i përket metodës moderne të të shprehurit, e mbi të gjitha është ndërtuar sipas modelit të prozës artistike me kontura skeletore të përsosura të një vepre letrare. Poetika e saj ndërtohet duke u mbështetur në një tekst artistik që orientohet kah ngrehina verbale që kalon nëpër faza të ndryshme të thurjes së tekstit, ku me harmoni pasqyrohet tematika dhe arti i shqiptimit të romanit të ri. Camaj këtë roman e quan roman parabollë.

Romani “Karpa”

Romani “Karpa” s’ka temë të njëtrajtshme. (Kapitulli i parë dhe i fundit janë të lidhur mes vete. Lidhje të tillë kanë edhe dy kapitujt e mesëm.) Teksti i tij është i shtrirë në disa sekuenca të vogla që u hapin shtigje e motive të gërshetuara me fantastikë (tre-katër shekuj më vonë, pikërisht më 2338) dhe përmasës së rrëfimit retorspektivë (që është afër atij konkret). Teksti i këtij romani është ndërtuar në formën e skemës tabelare të traviatës në muzikë, i nisur nga një shteg orientues e i saktë se, ka nëntituj që secila njësi e tillë e fabulës paraqet motivet e lidhura nëpër dimensione e shtresa skeletore të romanit, ku në qendër vrojtimi vihet rruga sizifike e Vonit, këtij të riu që është viktimë e të tjerëve. Romani është një simfoni në vete i komponuar në formë metaforike, që nis me kronikën e një qyteze të shkruar me akribi për një kohë të së kaluarës dhe së ardhmes. Romani është një studim i hollë i gjenealogjisë konfliktuoze i vendosur në një mozaik të fabulës që mëton të ndriçojë pasqyrën e errët e të mjegullt të krimit në mendjen njerëzore.

Sekuencat letrare të paraqitura në roman, si: intrigat, ndërskamcat, oreksi, përforcimi i karriges për pasuri dhe mbi të gjitha kriza e identitetit, etja për pushtet e famë që e detyroi oligarkinë të nisi lojën e përgjakshme të kamufluar si “revolucion i klikës sunduese”, që edhe shkaktojnë fatkeqësi të paparë e absurde brenda fisit me klasë të ndryshme.

Fabula e këtij romani herë-herë del e ndërtuar me strukturë unazore, pa ikur nga elementi i fantastikës magjike, trashëguar nga përrallat e mitet tona. Kështu, në këtë rast del në skenë struktura paralele e dy fabulave që zhvillohen në kohë të ndryshme, por në të njëjtin vend e po me ato toponime që edhe ndërrohen nga çasti në çast. Fabula zhvillohet në një hapësirë të mbyllur që bazohet në funksionimin e shenjave intime, egoiste etj. Atëherë kur vihet në sprovë të romanit, fabula narrative zbeh intrigën e dashurisë e të krimit, që në roman janë inde kryesore të ekzistencës së fabulës, me një mori ngjarjesh të brendshme, që ndryshe cilësohen si motive të përshkrimit, të peizazhit të pashkelur në Karpë. Pastaj, këto motive degëzohen dhe paraqesin shumë episode në fabulë që lë përshtypje sikur ecën në një linjë me narratorin. Dhe kështu shfaqet modelimi i retradimit në prozë dhe mu për këtë romani duket sikur ndërtohet sipas kërcimit të kalit, (siç pohon Shklovski) dhe në mëmyrë të ndërprerë arrin në cak. Autori zbulon paragjykimet, dhimbjet, fatëkeqësitë e një shoqërie, që janë tekste të shkruara me stile të ndryshme dhe kështu marrin funksion psikologjik. Teksti i tillë letrar del i fokusuar me elemente sociale, politike etj. Në këtë tematikë shfaqet edhe dimensioni i tejdukshëm artistik, si: alegoria, ironia, sarkazmi, që aludohet në një kohë të hershme (ngjarja në roman zhvillohet në vitin 2338) ku edhe bëhet lufta mes shmirjakëve dhe qytetarëve. Kështu, nga ky moment romani nis e merr një orientim a zhanër fantastik. Struktura e romanit u nënshtrohet rregullave të kërkimeve shkencore, ashtu si e kanë zbatuar M.Buklgakovin te romani: ”Mjeshtrit dhe Margarita”, dhe H.L Borhes në tregimet e tij brilante), që hulumtojnë në hapësirën tokësore e nëntokësore. Element tjetër i rëndësishëm i këtij romani është kronika a ditari i shkruar nga kronistë të ndryshëm, që shquhen nga stile a versione të dallueshme. Gjetjet e rralla ilire hyjnë në korpusin e gjërave me interes për historinë. Mes faqeve hetohet interesimi i mangët për gjenealogjinë tonë ku të futurit në labirinte s’është i rastësishëm. Krimbi përçarës ponon në tokë e mbi tokë, e keqja, gabimet, fatkeqësitë e ndryshme janë ushqim i urrejtjes e i kryengritjes.

(Vijon në numërin e ardhshëm)

Shënim: Titulli dhe mestitujt janë redaksionalë.Dh.H.

© Copyright 2007 tema.al


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Tue Sep 08 2009, 06:27am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Pse novelat e botuara të Martin Camajt nuk janë marrë në shqyrtim

Nga Dr. Yrjet Berisha

Vijon nga numri i kaluar


Tematika e romanit ”Karpa” përfshin materialin tekstor që ndahet në dy kuadro e dy pjesë, brenda të cilave shfaqen edhe disa proza me tituj të ndryshëm. Romani në fjalë hyn në radhën e tipit të hapësirës kohore; këtë formë të ndërtimit të prozës studiuesi M. Bahtin e ka cilësuar si roman i kronotropit të “qytezës së provincës” , që është i ndërlidhshëm me llojin e romanit të “pragut”. Pikërisht poetika e këtij romani është e gatuar me tekst letrar që arrin hov a nismë për ndryshimin e imazhit të artit të letrave tona. Teksti i kësaj vepre ka vëllim të shtrirë në fantastikë e gjeografi; pozitë kjo jobindëse (por që mbetet në suaza fiktive), që paksa e zbeh fabulën e perspektivës, njësi e veçantë në situata të ndryshme. Bëhet modelimi i tragjedive që u ngjajnë atyre antike greke a shekspiriane. Ky tekst del si strukturim e me digresion rrëfyes të rikonstruktuar në formë postmoderne. Një pjesë e romanit mbështetet në tekstet e kronikës, shënime rasti, ngjarje të ndryshme. Romani lidh indet e segmentet e luhatshme, që fillojnë sipas lidhjeve personale, familjare, shoqërore, profesionale, doknore dhe kështu krijohet ngrehina e madhe e romanit “Karpa”, që është roman i hapësirës, si tip i ri i romanit, që teorikët frëngë e kanë pagëzuar si roman i rrjedhshëm (roman fleuve). Romani sfidon historinë karpase duke ia hequr maskën asaj bote me shtresa të fshehta të strukturës që nisin nga një fabulë me model e strukturë unazore dhe kështu sendërton të rrëfyerit e romanit të logjikshëm. Shkrimi i tillë paraqet këmbëngultësinë e autorit. Paraqet emocione që marrin funksione ekspresive dhe kështu njohuritë e tij marrin ton gnosologjik, ku romani bëhet tërheqës për lexuesit. Në këtë tekst letrar janë të dukshme shenjat e zvetënimit, sociale, etike, morale, etj., që spikaten me alegori e rrëfim komentues. Arti sjell mendime të stërholluara, ku jepet ndriçimi i ndjenjave, por në disa raste fshihen ose i nënshtrohen një rrëfimi sqarues etj. Dy novelat e shkurtra “Shkundullima” e “Katundi me gjuhë të fshehtë” janë një cikël i veçantë i prozës së M. Camajt. Brenda këtyre faqeve jo të vëllimshme shfaqet tematika e strehuar në një pellg të harruar etnikumi me dallesa edhe më të veçanta. Ashtu si e kanë vlerësuar teorikët prozën artistike, veçmas te novela (“termi rrjedh nga italishtja dhe nga Rilindja e saj, kurse “Dekameroni” i Xh. Bokaçios është shembull i novelistikës që më vonë me kënaqësi është imituar qysh në shek. XIX, ku edhe u interpretua shpesh si teoria e novelës.”) është formë e shkurtër dhe e mbyllur e prozës që për arsye të shkurtësisë ka eksistencë më të qëndrueshme se romani. Këto dy novela, shikuar nga prizmi i tematikës, para lexuesit tonë sjellin një hapësirë e një kohë të panjohur, ashtu siç është në të vërtetë opusi dhe bota arbëreshe. Karakteret e këtij sfondi artistik janë dhënë me ngjyra të veçanta të një lokaliteti, në damarët e tyre ruhen indet e qelizave të një gjaku të lashtë; gjak princor skënderbejan e ilirjan. E veçanta e këtyre novelave është ndërtuar në formën e petkut të një pikture me kompozicion abstrakt. Llojllojshmëria e elementeve artistike të këtyre dy novelave është me reflektim nuancash të shtrira në tërë tekstin letrar, arti i ligjërimit derdhet me zhdërvjelltësi nëpër forma e shtresa narrative të këtyre novelave të shkruara me gjuhë të mprehtë, me gjuhën e fshehtë, forma këto stilistike që zbulojnë mençurinë e filozofinë e atij etnikumi karakteristik. Rrëfimi i këtyre teksteve letrare nis nga shpalosja e gjërave të rëndomta që i ka në dispozicion jeta. Dhe dalin me vija të shkathta si të piktorit, diskursi s’harron të bëjë bindshëm portretet e personazheve, pa e lënë anash peizazhin e ambjentin ku zhvillohet fabula e tyre. Etnikumi specifik i këtyre novelave jeton thjesht, në katunde e lokalitete ku rrallë kush shkel.

Ngrehina kompozicionale e këtyre novelave i nënshtrohet narracionit komentues, rrëfyes, por kjo shtresë strukturore bëhet në veta të ndryshme rrëfimi që më mirë sheshohen sjelljet, mendimet, ndjenjat, ëndrrat, dëshirat, vuajtjet, paragjykimet, por edhe sqarohen gjëra të njohura e të panjohura të atyre njerëzve dhe të botës që i rrethonte.

Arti i ligjërimit

Arti i ligjërimit në novela bëhet në formën e retrospektivës. Kur rrëfimi i novelës bëhet në mënyrën e perspektivës, atëherë narracioni futet fshehtësive të jetës së personazheve dhe hapësirës që ata i rrethon. Forma e tillë narrative i lejon autorit të gjurmojë nëpër doke arbëreshe që ruhen me xhelozi. Brenda kësaj bote arkaike shfaqen edhe botëkuptimet e reja që duket se nuk e kanë të lehtë rrugëtimin nëpër shteg të izoluar, ku për të qenë absurdi më i madh, banorët e asaj treve u tremben fjalëve të veta, andaj heshtin mos t’ia bëjnë varrin vetes!

Novelat “Shkundullima” dhe “Katundi...” kanë tematikë të gërshetuar me motive rurale e urbane si edhe një prani të konsiderueshme të tekstit letrar, tipike konservatore; raportet e ftohta njerëzore (dukuri tipike urbane europjane), dhe në anën tjetër rri kultura dhe etnografia etnike arbëreshe, autoktone, që pasqyrojnë botëkuptimet e mentalitetin e tyre. Arti i konsumuar në këto novela shfaqet i fshehtë. Por, një arsye tjetër edhe më e dhimbshme është se arbëreshët ndihen të lënë pas dore. Ata janë të përbuzur nga të afërmit në vend e në mërgatë. Por, pak më keq i kanë punët me pushtetin i cili qëllimisht dhe në mënyrë të heshtur ua kishte hapur “dyert” për të shkuar në mërgatë. Motive arbëreshe gjejmë edhe në romanin “Karpa”, në dramë por edhe në disa vjersha të Martin Camajt. Mirëpo, novelat e ciklit arbëresh janë të shkurtëra si tekst a si shtof letrar, por më të kondenzuara në formën e artit letrar e estetik. Struktura e këtyre teksteve e kthen lexuesin në një botë të panjohur arbëreshe, në një labirint të panjohur malësor. Narracioni i këtyre veprave i mundëson autorit që me lehtësi t’u kthehet mënyrave të ndryshme të rrëfimit të ndërtimit të shtresave të kësaj proze. Fabula e tyre depërton në mbretërinë e jetës oborrtare që del përmes rrëfimit retrospektiv, por edhe të paraqitur me monolog e dialog të kursyer.

Elementet e tilla artistike zbulojnë çaste madhështie a të dobësisë njerëzore. Katundi i ruan dhe i nxjerr në shesh vlerat, fshehtësitë e viseve që i përkasin një ambienti e një bote të proviencës patriakale, arkaike, me përmasa nacionale, por edhe shfaqet modeli i jetës bashkëkohore. Shpërnguljet e mëdha janë plagë të pashërueshme tëjhuajësimi. Harresa e rastit a e qëllimshme është prekëse. Vrasin paragjykimet. Frika tmerron. Pleqëria prek në shpirt. Varfëria është përditshmëri që i duhet dikujt për t’i realizuar eksperimentet e liga me banorët e pafajshëm!

Titujt dhe teksti letrar i novelave ka simbolikën e vet. Kjo formë stukturimi orienton lexuesit në një ambjent që paraqet atmosferë lemerie, jetë modeste, halle personale e shoqërore, marrëdhenie të qarta, krenari të trashëguar, burrëri etj., ku jetojnë banorët e varfër e të harruar, por që në asnjë moment s’ia shtrijnë dorën askujt, as nuk i përkulen. Ata kanë orbitën e vet në të cilën mund të jetojnë. Vuajnë dhe s’ankohen. Nuk u dëgjohet zëri. Kanë botë e jetën e vet modeste. Janë të kënaqur me atë jetë të thjeshtë që e gëzojnë. Pikërisht ky ambient ka ndikuar që ata të ruajnë etnikumin e vet nga të huajt. Shkundullimën, si fenomen natyror, në këtë tematikë e gjejmë të pranishme në fund të tekstit të novelës, me të njëjtin titull. Kur plas ajo, opinioni arbëresh e pranon me një habi të tepruar. Tërmeti (shkundullima) sipas disave u erdhi si pasojë e mëkateve të mëdha që kishin bërë, por edhe si ndëshkim, si nëmë, si pasojë e gabimeve, si përbuzje, si kërcënim që të jenë të kujdesshëm, etj. Pas shfaqjes së katastrofës natyrore, befasisht ndryshon mentaliteti i dikurshëm i arbëreshëve të mbyllur e të heshtur. Atij visi i kthehet gjallëria. Banorët e zymtë dalin nga gjendja e amullisë. Pas fatkeqësisë s’bëjnë jetë të mbyllur, kanë energji të paparë në shpirt, rindërtojnë katundin, janë më të dashur mes vete. Flakin mërinë. I lënë inatet e dikurshme. Fillojnë të flasin e t’ia qajnë hallet njëri-tjetrit, si kurrë më parë. Gjendja e vështirë i kthen arbëreshët të bëhen qytetarë të rëndomtë.

“Katundi me gjuhë të fshehtë”

Ndërkaq novela më karakterisike e ciklit arbëresh “Katundi me gjuhë të fshehtë” është ndërtuar nga një sërë dromcash të shumta me sekuenca tekstore që kanë elemente të theksuara psikologjike e filozofike. Narratori në këtë prozë suksesshëm përpiqet të zbulojë rrënjët, gjenet, gjuhën, kulturën, traditën e valleve, përrallat, legjendat, mitet, historinë e një katundi, që për çudi jeton i izoluar. Ai ka konfigurcion gjeografik të ndryshëm nga të tjerët. Pikërisht për këtë arsye edhe u nënshtrohet eksperimenteve a ekspeditave shkencore, bestytnive, paragjykimeve tendencioze, ku sillen në atë rreth banorët e tij.

Novela ka motive me probleme sociale, prania e “miqve” të katundit, fshetësia gjuhësore e komunikimit, problemi i largimit të njerëzve, humbja e këngëve e valleve popullore, toponimet autoktone e çështje të tjera të rëndësishme për këtë etni. Thënë qartë, autori në këtë novelë pasqyron të qenmen e një qytetërimi të hershëm arbëresh që është buzë greminës, shkatërrimit e shurjes së përhershme.

Tematikë karakteristike i kësaj novele është se banorët e atij visi gëzohen pa masë kur aty vjen një njeri “i huaj” me veshje e pamje, të panjohur që iu flet me gjuhën e tyre. Ky motiv trajton temën e etnikumit të harruar, të brejtur, të shkallmuar nga sindromi i shpërnguljeve të mëdha, nga katundi i tyre në Amerikë, Argjentinë, Europë etj. Ky fenomen tragjik shpie kah zhdukja e traditës autoktone arbëreshe. Andaj, ata ndjehen të lodhur, të sfilitur nga largimi jashtë katundit. Arbërshët kanë mbi shpinë presionin e vazhdueshëm të monotonisë, lodhjes, pasigurisë, pleqërisë, vdekjes. Andaj mu për këtë arsye, ata janë të prirur të fshehin edhe “frymën” e tyre, përkatësinë gati të sosur. Fshehin gjuhën. Jetojnë me punën e tyre që bëjnë në fushë, vreshta. I tremben shuarjes e vdekjes së ngadalshme. Kështu që të gjitha këto “fshehtësi” s’kishte se si të mos quhen ndryshe veçse mbijetesë. Ata janë disi të mbyllur dhe jo gjithkush i kupton e i çmon. Kur e botoi romanin “Djella”, autori provoi të ndërrojë formën e shkrimit, pa iu larguar kohës e hapësirës sonë, të njohur e të panjohur. Fabula e këtij teksti letrar zhvillohet në Ndërsanë (vend fusharak) brenda një rrethi të mbyllur që autori e vë në pah dukuritë e paradokset e ndryshme të një shoqërie që s’pajtohen me realitetin e hidhur, ku autori në mënyrë alegorike e thumbon klikën moniste.

Romani ndërtohet nga një varg dilemash emocionale, abstrakte, shpërthim e ndrydhje ndjenash, fshehje dëshirash, heshtje e arsyeshme, frikë, presion i vazhdueshëm, ndjekje, keqtrajtim, përbuzje, amulli, ikje nga realiteti, hutim, etj. Problem në vete është fatumi i njeriut të thjeshtë i mbetur pa krahë dhe në mëshirën e askujt. Narracioni i romanit evoluon nga rrëfimi i frikshëm nga vlimi i ndjenave të shkallmuara, të nëpërkëmbura, të sfilitura, të pordhosura, të rraskapitura që bën mendja penduese e herë-herë racionale e një heroi, në veten e parë njëjës, me shtresa të mendueshme monologu e dialog të dialogizuar, por edhe ka rrëfim retrospektiv. Motive me inters që vërshojnë në roman janë: intrigat e dashurisë, problemi i cubave, aktet kriminale të dyshimta, urrejtja klasore, krahinore ose kundërthëniet mes vendëseve e ardhësve të dyndur në fushë a Ndërsanë, që shkonin në llogari të pushtetmbajtësve për t’i përçarë e futur në kthetrat e veta. Parë në kontekstin teorik e estetik, arti i shkrimit të romanit është provokues. Uniteti i narracionit në këtë roman u nënshtrohet ligjeve të ligjërimit specifik, që rëndom brenda kapitujve të këtij romani nisin me tekst a strukturë rrëfyese dhe në fund përmbyllen me vargje lirike.

Paradokset e ambientit dalin në formë dromcash kuptimplote pas të cilave fshihen dëshirat, qëllimet, ëndrrat, vuajtjet, gëzimet etj., të një bote kompleksive thurur në një hapësire karakteristike, siç ishte Ndërsana, aty ku ndodhin ngjarje befasuese e tragjike që lënë pa ment njerëzit e rëndomtë që nuk e kanë të qartë se pse bëhen të gjitha ato eksperimente, provokime e sprovokime të pakuptueshme, por pas të gjitha këtyre ekzistonte një regji e një strategji disi ashpër e kontrolluar.

Romani “Rathë”

Tematikë të ngjashme hasim edhe në romanin “Rrathë”, që ka shumë elemente arti; skalitjen e personazheve, fenomenet, paradokset, motivet, idetë. Rrëfimi zhvillohet ndryshe, por edhe ka ngjashmëri tematike me “Djellën”. Është e vërtetë se romani “Rrathë” i Martin Camajt s’është aq i interpretuar në shkencën e letërsisë sonë. Thënë troç, romani ka shtigje të reja e tradicionale të nivelit të kompozicionit. Bota e brendshme e këtij romani ka tension tendosës, ngjallje energjish, botëkuptime të ndyshme të një kohe të pakohë, kur nis zhvillimi i proceseve të një shoqërie që ecën nëpër qelq e absurde të pakuptimta, kur edhe një fjalë e pamatur kushton shtrenjtë. Romani trajton problemet e një periudhe të rëndë e të paqartë. Çështjet e tilla duket se janë strukturë e një pellgu me paperspektivë arti, por ato s’duhen nënçmuar. Përkundrazi. Pikërisht në këtë moçal me sekuenca narrative zbardhin të metat çmendurake të një shoqërie shfernuese që donte të shtypte çdo zë kundërshtues. Në këtë “mal” me njerëz të persekutuar, ndjekjet institucionalizohen, hapen plagët e pashërueshme që çojnë drejt shkatërrimit të menjëhershëm. Tendosja si moment psikologjik del e fshehtë si fenomen mashtrues, banorëve t’iu shitet tru gomerësh. Ka atmosferë tragjike që është pasqyrë e një lebetie e një katastrofe mesjetare. Në këtë gjendje të rënduar s’mbetet kush pa u përfshirë në statistikën e dhunës. Makineria e sistemit në krizë orë e çast shpik armiq, për të mbetur gjallë. Veprimet e tilla synim të vetëm kishin të shuajnë fshehtas zërat kundërshtues.

Kështu, në këtë roman vrasësit vishen me rroba pushteti. Në ekspeditën ndëshkuese disa njësite të fshehta bëjnë “pastrimin” e malit nga Ilegali. Kryejnë krime çnjerëzore dhe shfarosin fizikisht e psikikisht kundërshtarët e sistemit. Ky kalvar i inskenuar tipik ikuzicional s’harron as s’fal dikë as banorët e asaj ane që mendojnë ndryshe. Kishte asish që në mal t’i shfarosë ujqit që bëjnë kërdi në bagëtitë e tyre, mirëpo ndëshkohen me dënim kapital: vrasje në pusi! Megjithëse ky motiv në roman del në kontekst të figurshëm e të fshehtë!

Romani “Rrathë” ka një fabulë që pasqyron disa motive sociologjike, psikologjike, etnike, fantastike, antropologjike etj. Parë në prizmin e këtyre konturave motivore, arti i romanit merr prirjet e të shprehurit modern që, falë vërshimit të sekuencave mitike e legjendave të futura brenda këtij aliteracioni merr pamjen dhe formën e ngrehinës romansore që është fryt i momenteve paradoksale. Vepra ka tematik absurde të përzier me art realfantastikë.

Kontura hapësinore e romanit “Rrathë” është e vendosur kryesisht në Ripë (a Tri Ripa) dhe rrethinën e saj të pas Luftës së Dytë Botërore që autori i përqendruar në këtë hapësirë, eksperimenton me elementet e mundshme të artit dhe problemet e kohës e plotësojnë lajmotivin artistik; estetët këtë material e quajnë roman. Dhe së dyti, këtë çështje biologët e quajnë jetë a ekzistencë. Vërshimi i këtyre nocioneve, biologjike, psikologjike, fizike e shpirtërore, mbetet i shënuar dhe i shkapërderdhur nëpër shumë kategori fiziologjike, estetike, filozofike etj., që mbi të gjitha s’mbetet i pa veçuar e i sforcuar me segemente e kategori semantike të përhapur nëpër nyjat narrative të këtij romani me tematikë antidiktaturë. Në qënder të vëmendjes është kompleksi problemor i viseve të Ripës; nis loja e eksperimenteve që bën pushteti me malësorë. Në këtë vorbull ngjarjesh rrahen dhe trajtohen disa motive kryesore të romanit, doket, kundërshtimi i sistemit, dashuria e ndaluar, zbulimi i kundërshatarit (Cubi), keqtrajtimi i intelektualit Bac, instrumetalizimi i njeriut të thjeshtë si Agoni, etj. Kështu, brenda kësaj hapësire konfliktuoze zbardhen, probleme komplekse, duke pasur si parim metodën hulumtuese a dekoduese të labirinteve.

Trajtim të posaçëm në art zë tematika që u kushtohet çështjeve të letërsisë, kulturës, dokeve, arkitekturës, etonogafisë, folklorit, dramës, lojës etj, që këto çështje zgjidhën përmes elementeve letrare, personazheve, narracionit, shtresave estetike, përmes të cilave autori hedh dritë mbi gjendjen tronditëse, të jashtëzakonshme që “mbiu” në Ripë, me ndërhyrjen e sistemit totalitar që ekperimentonte njeriun! Romani “Rrathë” është stisur përmes sekuencave të vazhdueshme të personazheve. Këta fatkëqinj i nënshtrohen trajtimit tipik orvelian. Ata në mënyra të vazhdueshme kontrollohen, përgjohen, ndiqen, persekutohen, provokohen, instrumentalizohen. Romani në veçanti shquhet me tematikën e jashtëzakonshme. Vepra është shkruar sipas rregullave klasike të shkrimit letar. Fabula ka strukturën e një romani, narracioni i tij është i gërshetuar me tematikë të ndryshme e të pëlqyshme. Arti e tema e këtij romani është me bazë, brumë, me poetikë të veçantë, me shumë intriga, ngjarje, motive, ide, personazhe e disa përmasa modeluese të trasuara qysh nga poetika e romanit të parë “Djella”. Elementet artistike kanë harmoni të dukshme e funksionale. Poetika e romanit sendërtohet përmes rrëfimit perspektiv e retrospektiv, që rëndom bëhet në veten e tretë e të parë. Romani ka polifoni tekstore me peripeci të gjallë, që tërë receptimin e shtron nga një semiotikë e rrallë. Ajo që dominon dukshëm në këtë roman është ironia verbale që i jep forcë shqiptimit të alegorisë, por diskursi rëndësi të posaçme i kushton parodisë (karikaturës) së karaktereve, që dalin në një nivel kompozicional, që s’haset shpesh në letërsinë tonë bashkëkohore. Kjo vepër është roman i personazhit, me karakteristika për romanin realist europian. Edhe në qarqe heterogjene, romani s’ka mbetur pa jehonë. Ai çmohet se është me poetikë e art paraardhës, si dhe formë të ndryshme të romanit modern perëndimor. Fabula e këtij teksti futet në qelizat e personazheve, që autori i pasqyron natyrshëm, herë-herë zbaton monologun e karaktereve. Në këtë formë të artit modern zbërthehen hallet njerëzore, dilemat, problemet fisnore e shoqërore, konfliktet e ndryshme. Autori vizaton edhe episode në disa kapituj të romanit, që ai e di se nga duhet t’i drejtojë shtresat narrative e tematike të thurjes e shthurjes së konflikeve, skenave, fubulës etj., që nisin nga një material i thjeshtë, e që në fund marrin formë të stisur artistike.


Shënim: Titulli dhe mestitujt janë redaksionalë.Dh.H.

© Copyright 2007 tema.al.


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Sat Oct 10 2009, 02:34pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Ja pse Martin Camaj është akoma i papranuar

» Dërguar më: 10/10/2009 - 14:09

Fatmira Nikolli

Një sërë studimesh, antologjish, romanesh dhe vëllimesh me poezi kanë mbushur jetën e tij. Në 40 vite, janë të panumërt librat që ka shkruar apo lexuar. Shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë i ka studiuar imtësisht për të dhënë për ta tablo të plota, por edhe për të nxjerrë në pah vlerat e tyre. Pas kësaj eksperience të papërshkrueshme, Anton Nikë Berisha flet për problemet e artit të fjalës, raportin e gegnishtes me toskërishten, gabimet e Kongresit të 1972, ndikimet e politikës në të dhe "mëkatet" e këtij kongresi, por edhe për arsyet pse Martin Camaj, Azem Shkreli e Anton Pashku janë akoma "të papranuar".

Keni dyzet vjet pune në krijimtarinë letrare, që shtrihet në fusha të ndryshme: studime për letërsinë, romane (për fëmijë e për të rritur), poezi, antologji, vëllime me poezi ose me punime të zgjedhura të autorëve të tjerë (sidomos të atyre të traditës).

Si ia del shkrimtari t'i përballojë vështirësitë e punëve të këtilla të ndryshme?


Puna krijuese në artin e fjalës, në letërsi, siç ndodh dhe në artet e tjera, është një mister i jashtëzakonshëm. Edhe vetë krijuesit, herë-herë, nuk ia dalin ta sqarojnë krejtësisht punën që bëjnë, në ç'mënyrë e bëjnë dhe pse e bëjnë. Ata, njëmend janë bartës të gjithë asaj që ndodh, po as vetë nuk e kanë të qartë si dhe pse ndodhin disa punë dhe për ç'arsye njëra i paraprin tjetrës ose pse gjatë procesit të punës ndjen nevojë ta ndërpresë atë punë e ta fillojë një tjetër. Kështu ngjet dhe me llojshmërinë e punëve që bën krijuesi letrar. Në një çast ai e ndjen se nëpërmjet një lloji mund ta shprehë më mirë atë që i fle ne shpirt, mund ta përjetësojë artistikisht më mirë në atë formë atë që mendon se duhet t'ua thotë edhe të tjerëve. Dihet se secili prej llojeve letrare ofron diçka të veçantë dhe nëpërmjet tij mund të shprehet diçka më thellësisht se nëpërmjet një lloji ose formë tjetër. Edhe në punën time ka ndodhur kështu. Kur kam qenë i bindur se një punë mund ta vështroj ose të them më mirë nëpërmjet, fjala vjen, një studimi monografik, ia kam hyrë dhe e kam shprehur në atë formë; kur kam menduar se do t'ia dal më mirë të them diçka nëpërmjet romanit, ia kam hyrë hartimit të tij. Ndonjëherë punët e ndryshme në fushën e letërsisë e shpërndajnë energjinë e autorit, po shpesh janë dëshmi e zbulimit të "shtrojerës" ku fshihen mundësi të mëdha të të shprehurit.

Keni botuar studimet monografike për De Radën, Zef Skiroin, Fishtën, Ernest Koliqin, Mark Krasniqin, Martin Camajn, Dushko Vetmon.

Pse i zgjodhët pikërisht këto figura, përkatësisht veprat e tyre?


Zgjedhjen e këtyre shkrimtarëve nuk e kam bërë rastësisht: ata hyjnë në rrethin më të ngushtë të shkrimtarëve më të shquar të letërsisë sonë, qoftë për rrafshin e lartë artistik që mbërritën me veprat e tyre, qoftë për llojet e veprave që i krijuan dhe e pasuruan artin tonë të fjalës. Të merresh me veprat e tyre, që janë krijesa sa të veçanta aq dhe poetikisht të pasura, duhet të kesh një dije më të madhe për artin, domethënë të jesh i gatshëm të ballafaqohesh me vështirësi më të mëdha, me struktura tekstore më të ndërliqshme, që kur të interpretohen, kërkojnë më shumë përpjekje e më shumë mund. Në studimet dhe në monografitë që ua kam kushtuar autorëve që përmendni ju, kam gjakuar t'i ndriçoj veçantitë shtjelluese dhe mesazhet poetike që dalin prej tekstit të veprave të tyre e që i bëjnë ata të mëdhenj. I kam zgjedhur këta shkrimtarë madhorë edhe për një arsye tjetër: prej tyre mësohet më shumë; duke i lexuar veprat e tyre pasurohesh më shumë artistikisht dhe shpirtërisht. Këtë pasuri, pastaj, dëshiron t'ua sugjerosh dhe të tjerët që ta bëjnë pronë të tyre.

Vepra e Martin Camajt është akoma "e papranuar" tek ne. Pse ndodh kjo dhe si mund të kapërcehet gjendja?

Çështja kryesore është botimi dhe ribotimi i veprave të tij veç e veç dhe përfshirja e tyre në programe shkollore dhe universitare. Disa individë që edhe më tej kanë funksione në entet përkatëse shtetërore, këmbëngulin ende t'i mbajnë disa autorë në programe shkollore e universitare, veprat e të cilëve, si art, ofrojnë krejt pak të qenësishme, për të mos thënë asgjë. Është dhe një punë tjetër që disa shkrimtarë tanë në këtë rrjedhë të zhvillimit (pas rënies së sistemit komunist që i shkaktoi letërsisë sonë dëme të mëdha për më së gjysmë shekulli) bëhen të "papranuar": arti i madh i veprave të tyre, që ndryshojnë rrënjësisht nga veprat që u krijuan gjatë sistemit të përmendur. Në këtë "paprani", Martin Camajt i bashkohen dhe dy shkrimtarë të tjerë të orës së parë, Azem Shkreli e Anton Pashku. Është e padyshimtë se veprat e tyre nuk lexohen lehtë, po artin e madh asnjëherë nuk mund ta bësh lehtë pronë tënden. Sa më gjatë që ndaj këtyre shkrimtarëve madhorë të sillemi në këtë mënyrë, siç ndodh sot, dëmet dhe pasojat do të jenë më të mëdha për artin tonë të fjalës.

Mjerisht, dikujt po i përgjigjet (i shkon për shtat) ruajtja e kësaj gjendjeje.

Ndonjëherë keni bërë dhe krahasime midis veprave të shkrimtarëve tanë. Sa është e rëndësishme një qasje e këtillë brenda letërsisë sonë?

Studimet e mirëfillta krahasuese, qoftë brenda një letërsie, qoftë midis letërsive të tjera, janë me interesa të madh. Nëpërmjet tyre më së miri vërehen dukuritë e qenësishme letrare: ndryshimet, përkimet, afritë, po dhe mënyrat e veçanta shtjelluese dhe shprehëse poetike. Unë kryesisht jam marrë me krahasimin e veprave të letërsisë sonë gojore me atë të letërsisë sonë të shkruar. Kjo mënyrë e studimit për mua ka qenë me rëndësi të shumëfishtë: kam mësuar mirëfilli ç'është letërsia gojore e ç'është letërsia e shkruar - si dy forma, shtresa të artit të fjalës, që kanë shumëçka të përbashkët, po që mënyra e lindjes dhe e përcjelljes, ka bërë që ato të ndryshojnë njëra nga tjetra.

Cilat janë arsyet që ju shtynë ta shkruani dhe ta botoni librin "Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë"?

Dy, pos të tjerash, qenë arsyet që i hyra punës së ndërliqshme të leximit e të krahasimit, dhe pastaj botimit të librit "Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë":

a) nevoja që të dihen (të bëhen publike) në ç'mënyrë u shëmtuan disa nga veprat kryesore të kësaj letërsie, dhe b) domosdonë që të bëhen botime të reja, të plota, ashtu siç meritojnë të botohen veprat që na i kanë lënë trashëgim autorët arbëreshë. Libri "Gjymtime dhe shëmtime...", fund e krye është konkret, me citate e me faqe, ku janë ndërruar vargjet ose ku janë hequr pjesë të tëra, sikur vepra letrare të ishte një thes me grurë!

Më 2008 botuat studimin rreth këngëve kreshnike me titull, "Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij" dhe "Antologjinë e kangve kreshnike shqiptare", ku keni përfshirë 51 këngë.

Cilat janë arsyet e një pune të tillë?


Këngët tona kreshnike përligjin në mënyrë thellësore pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Në studim i kam vështruar disa dukuri në një dritë tjetër nga ç'bënë disa studiues që u morën me këto këngë, duke sjellë argumente që nuk mund të hedhen poshtë për sa i përket lashtësisë, burimsisë dhe lidhshmërisë së këtyre këngëve me llojet e tjera të epikës e të poezisë sonë gojore (pa përjashtuar edhe përkime me përrallën tonë). Janë rreth dyqind vjet që këto këngë vështrohen sipërfaqësisht, sidomos nga disa studiues. Këtu qëndron arsyeja e botimit të studimit. Po them pa i dhënë lak fjalës, sikur asnjë këngë tjetër kreshnike të mos ishte mbledhur e të mos ekzistonte në gjuhën tonë, mjaftojnë këto 51 tekste të zgjedhura nga 11 burime të ndryshme, që i kam përfshirë në Antologji, për të dëshmuar qenësinë, pasurinë e madhe poetike dhe burimsinë e tyre të pamohueshme.

Herë pas here debatohet për gjuhën standard dhe vendin e gegnishtes në të. Si e shihni ju këtë çështje?

E para punë që dua ta them në fillim të kësaj pyetje është: gjuha është përbërësi kryesor i një populli dhe qëndrimi dhe kujdesi ndaj saj përligj shkallën e zhvillimit të vetë popullit, përligj vetëdijen e tij. Kjo dëshmohet nëpërmjet përfaqësuesve, që i caktojnë rregullat, e kodifikojnë atë si formë shkrimi.

Mjerisht, me vendimet që u morën në Kongresin e vitit 1972 gjuha u trajtua si çështje politike. Edhe teza kryesore e atij Kongresit ishte e rreme:


në dokumentet e Kongresit thuhej se bashkoheshin dy dialektet e shqipes (gjuha e arbëreshëve të Italisë u anashkalua pa vështirësi; arbëreshët s'kishin të drejtë të shqetësoheshim për këtë anashkalim për arsye se "i ndante deti" dhe ata e flitnin dhe e shkruanin një gjuhë shqipe më të lashtë!), po u kodifikua dialekti toskë!

Dialekti gegë ka një pasuri të jashtëzakonshme shtjellimesh, shprehjesh e frazeologjizmash, mënyra foljesh, siç është paskajorja (infinitivi), dhe ato bëjnë pjesë të thesarit gjuhësor shqip dhe si të tilla duhet të merren dhe të përfshihen edhe në rregullat e gjuhës së shkruar. Duke e kuptuar së gjuha është një përbërës kryesor dhe një dukuri e gjallë, arsyet pse kuvendohet dhe pse bëhen kërkesa që të rishikohen disa gjëra e përcaktime (rregulla), janë të natyrshme, jo për të filluar nga fillimi (me këtë do të përligjnin parimin e Kalasë së Shkodrës!), por për të përcaktuar rregullat që mbështeten vetëm në materiale gjuhësore, jashtë çdo ngjyrimi politik, po në të mirë të pasurimit të gjuhës.

Në qoftë se një rregull, një fjalë, një shprehje, një mënyrë e foljes, siç është paskajorja ose diçka e ngjashme, nuk do të jetë e natyrshme, në rrjedhë të kohës nuk do të përdoret dhe do të zhduket. Po kujtoj këtu se në Kongresin e Manastirit (1908) u pranuan, me të drejta të barabarta, dy alfabete, dhe nuk u përmbys bota shqiptare. Koha tregoi se alfabeti me shkronja latine ishte më i përshtatshëm dhe atë e përfillën njerëzit tanë. Mendoj se me disa rregulla të Kongresit të '72-shit u veprua mbi parimin: meqenëse me mjafton njëri sy, çka më duhet tjetri! Një veprim i këtillë është sa vetërrënues, aq dhe vetëvrasës. Ata që mendojnë se me Kongresin e 1972-shit është mbyllur çdo gjë me gjuhën tonë, kuptojnë gjithçka tjetër, po jo dhe çka është gjuha dhe çfarë rëndësie ka ajo për jetën dhe identitetin e një populli.

Keni vite që punoni dhe bëni punën e shkrimtarit dhe të profesorit universitar. Përse ju, si shumë kolegë tuaj, nuk hyrët në politikë?

Shumë kolegë të mi u "shtynë më bërryla", siç do të thoshte shkrimtari Azem Shkreli, për të hyrë në politikë e për të pasur përparësi (privilegje) sa më të mëdha, materiale e shoqërore. Në këtë punë jam krejtësisht i vetvetes, po njëherit, besoj, bëhem edhe i të tjerëve. Me një fjalë, janë dy arsye që kushtëzuan mbetjen time në profesion: kënaqësia e pazakonshme që më shkakton puna krijuese dhe vlera që ka letërsia për njeriun tonë. Unë vetë e kam zgjedhur rrugën të jem Sokrat i vuajtur.

Copyright 2007 Gazeta Shqiptare


[ Edited Sat Oct 10 2009, 02:36pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
sunríse
Sun Oct 11 2009, 08:11am

Registered Member #2659
Joined: Wed Feb 18 2009, 12:09pm

Posts: 11479
Martin Camaj [Albania]
1925-1992

Martin Camaj was born in Temali in the Dukagjin region of the northern Albanian alps. He is an émigré writer of significance both for Albanian literature and for Albanian scholarship. He received a classical education at the Jesuit Saverian college in Shkodër and studied at the University of Belgrade. From there he went on to do postgraduate research in Italy, where he taught Albanian and finished his studies in linguistics at the University of Rome in 1960. From 1970 to 1990 he served as professor of Albanian studies at the University of Munich and lived in the mountain village of Lenggries in Upper Bavaria until his death on 12 March 1992. Camaj's academic research has concentrated on the Albanian language and its dialects, in particular those of southern Italy.



His literary activities over a period of forty-five years cover several phases of development. He began with poetry, a genre to which he remained faithful throughout his life, but in later years also devoted himself increasingly to prose. His first volumes of classical verse Nji fyell ndër male, Prishtina, 1953 (A flute in the mountains), and Kânga e vërrinit, Prishtina 1954 (Song of the lowland pastures), were inspired by his native northern Albanian mountains for which he never lost his attachment, despite long years of exile and the impossibility of return. These were followed by Djella, Rome 1958 (Djella), a novel interspersed with verse about the love of a teacher for a young girl of the lowlands. His verse collections Legjenda, Rome 1964 (Legends) and Lirika mes dy moteve, Munich 1967 (Lyrics between two ages), which contained revised versions of a number of poems from Kânga e vërrinit, were reprinted in Poezi 1953-1967, Munich 1981 (Poetry 1953-1967).

Camaj's mature verse reflects the influence of the hermetic movement of Italian poet Giuseppe Ungaretti (1888-1970). The metaphoric and symbolic character of his language increases with time as does the range of his poetic themes. A selection of his poetry has been translated into English by Leonard Fox in the volumes Selected Poetry, New York 1990, and Palimpsest, Munich & New York 1991.




Think happy thoughts!

Back to top
L - N
Wed Mar 24 2010, 01:27pm
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Me vjen keq qi po e ve ne dy tema te nryshme kyt artikull por kshtu po e shof te arsyeshme.

Camaj, i paragjykuar prej gegërishtes



Në 85-vjetorin e lindjes, studiuesi Behar Gjoka sjell si një botim më vete, titulluar “Rikthimi i Martin Camajt”, i cili shpreson që ky përvjetor të mos jetë vetëm një akt homazhi, por një nxitje për të nisur leximi dhe pranimi i Camajt shkrimtar.

Sapo keni dërguar në shtyp librin kushtuar Martin Camajt. Në ç’këndvështrim i qaseni ju kësaj figure?

Libri titullohet “Rikthimi i Martin Camajt”, kuptohet i teksteve dhe shenjave letrare që ato bartin se vetë shkrimtari qysh me ikjen në vitin 1948, nuk e pa më dheun e të parëve. Shpresojmë që së paku të hapet udha për veprat e tij. Edhe ndaj Camajt, ashtu si me autorët e tjerë të letërsisë shqipe, qasja është në këndvështrimin e analizës së teksteve dhe të formave të ndryshme letrare që ai i lëvroi me kaq sukses dhe si një sprovë letrare e përfunduar. Janë marrë në shqyrtim tekste me poezi, një pjesë e krijimtarisë së tij e pranuar edhe nga studimet e shqipes, por edhe prozën, që përgjithësisht nuk është zbërthyer dhe vlerësuar sa duhet, si dhe dramatikja e autorit, pothuajse e harruar, pra në fokus kam pasur letraren dhe vlerat që ajo përcjell.

Ndonëse kanë kaluar disa vjet, Camaj mbetet ende shumë pak i pranuar. Cila është arsyeja sipas jush?

Kanë kaluar 20 vjet nga viti ’90, një vit që zgjoi jo pak shpresa edhe për vlerësimin dhe rivlerësimin e autorëve dhe teksteve të tyre, padyshim edhe të Martin Camajt, të poezisë, prozës, dramës, shqyrtimeve gjuhësore dhe letrare, por krahasuar me nevojën dhe mundësitë, mendoj se është bërë pak. Në rastin e Camajt nuk ka vetëm një arsye, por do të veçoja një kryearsye, që është shkrimi i tij në variantin e gegërishtes, por edhe me jo pak fjalë nga arbërishtja, si një mënyrë shprehje e ndaluar qysh me kongresin e drejtshkrimit në vitin 1972. Një arsye tjetër, jo më pak e pranishme në qëndrimin ndaj Camajt (teksteve të tij letrare), është fakti se ai në shumicën e teksteve ka eksperimentuar, ka kërkuar dhe sendërtuar tekste që më së shumti i përkasin ligjërimit modern. Po, ashtu, ndaj tij ka pasur edhe një qëndrim specifik, prej studimeve shqiptare, madje edhe nga ndonjë akademik ai paraqitet si shkrimtar i së kaluarës. Pra Camaj, duket si jashtë kohe, jashtë hapësire, jashtë rrjedhave të letrave shqipe, me synimin e pashpallur për ta lënë jashtë panteonit të letrave shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, por në fakt duke e lënë jashtë, vetëm sa thellojmë mungesat e shumta që ka letërsia shqipe.

Mendoni se ka një heshtje institucionale në këtë drejtim?

Prej viteve ’90 ka ndonjë institucion që është kujtuar për autorin dhe tekstet e tij. Në vitin 1996, Ministria e Kulturës ka mbështetur botimin e shumicës së veprave të Camajt. Është futur në programet e shkollave të mesme dhe të larta. Por me shkrimtarin dhe tekstet e tij, institucionet e shqyrtimit dhe të vlerësimit të shenjave dhe vlerave të tij, kanë një heshtje të dyfishtë: heshtja e tipit të leximit të leximeve të palexuara, për shkak të shkrimit të variantit të gegërishtes, pra një heshtim i arsyeshëm, natyrisht sipas optikës zyrtare të ligjërimit të letërsisë me standardin e njësuar, heshtja duke folur, sepse ka përpjekje për të mërguar nga koha moderne, pra nga bashkëkohësia të cilës i përket më së shumti si tekst dhe formësim letrar.

Fakti që Camaj krijoi jashtë vendit bën që një pjesë e veprës së tij të mos ketë mbërritur te lexuesi shqiptar. Cilin dimension të Camajt nuk njohim?

Një pjesë e krijimtarisë poetike të Camajt, përkatësisht dy librat e parë janë njohur dhe lexuar nga lexuesi shqiptar i Kosovës, që i përkasin kohës kur ai jetonte në Prishtinë, ndërsa deri në vitet ’90, në Shqipëri, pra lexuesi shqiptar i kësaj ane nuk i dinte as emrin. Lexuesi shqiptar nuk ka rënë në kontakt me tekstet e tij të shumta jo thjesht prej faktit sepse krijoi jashtë, porse së brendshmi u bënë përpjekje të shumta, për t’ia fshirë emrin dhe krijimtarinë e larmishme letrare. Mendoj se jemi në fillesat e leximit dhe pranimit të kësaj dukurie letrare, e cila duhet perceptuar si e tillë prej shkrimit të pashkëputshëm të variantit të gegërishtes, të ligjërimit të të tri gjinive, të shumicës së llojeve letrare, të lëvrimit të letrares si eksperiment i pashkëputur, si dhe të materializimit të një letërsie që vendos ura komunikimi të letërsisë shqipe me letraren e kontinentit, si një rast i koherencës së ligjërimit të letërsisë moderne.

Sivjet shënohet 85-vjetori i lindjes së Camajt. Për çfarë duhet të shërbente ky përvjetor?

Shpresoj dhe do të dëshiroja që ky përvjetor të mos jetë vetëm akt homazhi, me ndonjë veprimtari të zakonshme përkujtimore, ku referohet pafundësisht për arsyet e mosarsyeve të ndalimit, pra të vështrimit heroik dhe biografik, të sprovave të leximit të kumtesave, kujtuese dhe përkujtuese, ku të shpalosen flamujt e shpëtimtarëve të kulturës dhe të shkrimtarëve, disidentë dhe të përzënë. Camaj dhe vepra e tij është ndryshe, nuk është e rëndomtë që të guxojmë ta përkujtojmë me mediokritetin e përhershëm, me vagullinë se po ia kthejmë borxhin që i kemi. Le të botohet i plotë, le të nisë leximi dhe pranimi i tij, le të hapim mendjen se letërsia nuk shkruhet me porosi dhe me norma, le ta hapim qiellin vetëm një çast për Camajn, se pastaj na hyn në shpirt dhe nuk na braktis asnjëherë

© Copyright 2007-2009 Bota Sot
trokit ketu


[ Edited Wed Mar 24 2010, 01:36pm ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
SuperGirl
Tue Mar 20 2012, 10:45am
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Vijnë pesë vepra të tjera nga Martin Camaj


Përshëndetje miq të librit,

Pak kohë më parë ju njoftuam për botimin e dy prej veprave të Martin Camaj në formatin e përhershëm. Kësaj here kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë për botimin e katër veprave të tjera në gegnisht.

Konkretisht:

Dranja (proza poetike) madrigale mbi fatin e një frymori të papërsosun.

Dranja Madrigale, Martin Camaj (kopertina)Në dy dekadat e fundme për veprën “Dranja” të Martin Camajt është shkruar jo pak. Në konferenca shkencore, në botime akademike e universitare dhe në teza disertacionesh, për këtë vepër janë nyjëtuar e shqiptuar vlerësime themelore, që lehtësojnë rihyrjen e saj në komunikimin letrar e estetik me lexuesin popullor e të përzgjedhur. Në këto studime “Dranja” është quajtuar shprehje e përkryerjes së mjeshtërisë së Martin Camajt dhe një kryeshenjë e modernitetit të letërsisë shqipe. Me të drejtë është cilësuar vepra më e arrirë e autorit dhe një rekord cilësor i letërsisë – Prof. Dr. Shaban Sinani.

Palimpset (poezi) – Nema; Buelli; Palimpset.

‘Palimpsesti’ i zbulon Camajt misterin e mjeshtërisë së poetit, enigmën e asaj që ai kërkon në poezi. Enigma, sikundër shprehet vet Camaj, qëndron në “një shkronjë” [vargjet 15-16]: sigurisht që është fjala për shkronjën që gjendet poshtë asaj të dukshmes. Për ‘shkronjën’ e cila e lë tekstin poetik të hapur, e bashkë me tekstin dhe interpretimin për të. Por, njëkohësisht, tek i jep fjalës drejtshkrimin gegë “shkrojë”, Camaj e ka fjalën edhe për ‘të shkruarit’ e për ‘shkrimin’ në përgjithësi. Si edhe, pa dyshim, për mundin e poetit në kërkim të shkronjës dhe të shkrojës së saktë. Në këtë pikë, poetika e palimsestit na zbulon gjithë arsyen dhe forcën e saj. Pa llogaritur që vetë kënaqësia e deshifrimit vjen e bëhet një poetikë më vete. – Prof. Dr. Ardian Marashi.

Poezi - Nji fyell ndër male; Kanga e vërrinit; Të pabotueme; Dorëshkrime, variante.

Novela – Pishtarët e natës; Shkundullima; Rrungaja në mars; Katundi me gjuhtë të fshehtë; Gjon Gazulli; Jesminë; Bigami.

Drama – Loja e mbasdrekës; Kandili argjendit.

Të katër botimet shoqërohen me nga një fjalorth të shkurtër fjalësh të rralla dhe fjalëformash dialektikore që i vijnë në ndihmë edhe lexuesit apo folësit të rregullt të gegnishtes.



Marre nga trokit ketu




Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
- Stella -
Wed Sep 19 2012, 07:27pm

Registered Member #3337
Joined: Wed Sep 23 2009, 05:25pm

Posts: 5501


Kush iu kujtue territ
qe bie ne lugine mbas fikjes se yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhe
e gjeti se koha e munget
mes dritave
i hyn ne palce gurit
dhe ashtit njerezor.

Terrin mes dy dritave
s'e duron ylli qe shkoqet,
as njeriu.

Martin Camaj - Shkushullim ©


Sogno felicità piccole e occhi grandi per vederle




Back to top
- Stella -
Wed Sep 19 2012, 07:29pm

Registered Member #3337
Joined: Wed Sep 23 2009, 05:25pm

Posts: 5501


Ne lulzimin e mbrame
ndrandofillja ndrroi bluzen
prej saj zberthyen flete vezake.

Njomza ne vjeshte, e shkurte,
rrezja e fikun ne sy te ligshte
nuk ishin sendegja te trishta!

Djega e lashte, egoiste,
vese mengjesi nder gjethe t'zverdhuna
shkrihej me dyllin e tretun
dhe ulej nder rranje.


Martin Camaj - Djega e vjeshtes se dyte©

Sogno felicità piccole e occhi grandi per vederle




Back to top
LUPEN
Sun Feb 26 2017, 04:36am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Koha e Lules
- poemë nga Martin Camaj





I.

Sonte më lajmruen se ka vdekë nji njerí
prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunija âsht e vetmja shtyllë guri
kur andej gardhit fluturojnë
shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë mâ rrufeprojse
se dy shpata tû për tû
me teha përjashta.

Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.

II.

Të zit e synit tand nuk due
ta ndeshi në shtiqet e ngushta.

Flakën e synit ta due mes fushës
e zemrën tande mollë,
të ndêmun në degë, në naltsin
e krahut prej tokës.

Mos bzâj para muzgut
të njerzishëm në fushë
e erës zemërgjanë
që përqafon çdo maje bari.

Lule, hiqe pëlhurën e zbetë prej hanës
e shtroje për tokë.

III.

Sy tú, lule-kadife, nuk njohin
pagjen. Mos bjer me vehte vérin e Nordit
por zjarm që ta rrisim bashkë
në kët natë të gjatë.

Lule, dashunija
rrin këtu derisa hana të jesë
përballë zjarmeve tonë
e drita e agimit të shkrijë
gacën e mbrame!

IV.

Ti je në zemër teme
e me zâ s’mund të thom
qetsinë e ndjenjes mos të prishi.

Zanin tand e njoh mes tingujve
të njimij currilave.

Vjollca që nis me çelë
i ka fletzat e njoma e të zbardhemta.
Ashtu dhe buza jote e mëngjestë.

Ti mbas vetullave ke hijen e hyllit
që zbulon vetëm nji faqe
dhe shpresa eme me trajtën e siluetës sate
në duer vuen ndër dhimba,
ndoshta për vdekje.

V.

Ndjesitë e mia rrjedhin e humbin
në buzqeshjen tande t’idhtë.

Çohen njimij zâne
- shpatza badrash të pjekuna -
kur dëshirave u thue jo
përmbrenda. Mandej vjen shiu
e majet e badrave zbuten.

Mes flokëve të zèz e vetullave
e ndali shikimin
për të gjetun fillin e të vetmes poezi
të kësaj moshe seme djegagure.

VI.

Ashkël jam, Lule,
e shetis prej vendi në vend
i shtymë nga murrlâne, shum.

Kur ndalem këqyri në vehte
e shoh fëtyrën tande e para meje
shtiqe me oleandra anash.

Tre hapa mbas
shtrîhet nji tokë e djegun
me gûr e shkambij në pa skâj.

Eja përsri në mëngjes.

Po erdhe ti, në vend të kallijve t’djegun
kah rrâjt dalin filiza të rij.

VII.

Në kohën e kangës së qokthit
drita e synit t’nji hylli
ra meteor në mue
e ndriti fëtyrën tande:
ishte mallkimi i atij që lindi natën!

Kalorës i shtigjeve t’ngushta,
kurr ma s’do ta përkas
agimin e flokve tú.

Udhtoj me hijet e natës së vonë
e shoh gishtat tú që mbyllin
fletën e bardhë t’nji jete.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2994 sec, 0.0537 of that for queries. DB queries: 50. Memory Usage: 3,174kB