Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Zona e Argetimit :: Muzika
 
<< Previous thread | Next thread >>
Artista Kengetare Muzikanta Kompozitor Shkodran
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
:::ShkoderZemer
Tue Apr 03 2007, 05:54pm


Registered Member #1
Joined: Mon May 22 2006, 08:16pm

Posts: 1803
Kenga popullore qytetare shkodrane-shprehje e vlerave shpirterore e artistike te popullit tone

Kenga popullore qytetare shkodrane,si pjese perberese e gjithe pasurise folkloristike muzikore te rrethit te Shkodres,permban vlera te njohura artistike.Rrepertori i saj i pasur dhe i larmishem,melodite e bukura shkodrane jane punuar me mjeshteri,jane skalitur me rrjedhen e koherave,nga populli,dhe nji pjese e tyre jane pasuruar me elemente gjithnje e me autoktone.
Ne kengen popullore qytetare shkodrane bejne pjese vallja e kenduar dhe ahengu qytetar.Pervec ketyre kemi edhe kenge te tjera si kenget mitunore,nina-nana etj.Me te lashta jane kenget e kenduara,te cilat perdoren ne tre raste:ne dasem,ne festen e pranveres(shtregullat)dhe ne shetitje.
Rituali i marteses eshte ai me i bukuri e me i pasuri.Duke komentuar momentet kryesore te ketij riti,valltaret formojne dy rrjeshta perballe njeni-tjetnit.Ne nje ane vendosen burrat te kapur krah per krah ,kurse ne anen tjeter ,grate me duar te leshuara.
Ne fillim vallen e nisin burrat duke kercyer ne drejtim te grave dhe kthehen perseri ne vendin ku e nisen.E njejta gje ndodh edhe me grate e keshtu me rradhe deri ne mbarim te kenges.
Nga ana muzikore ndertimi i ketyre kengeve eshte i thjeshte dhe i kufizuar.Por edhe pse te shkurtera e te thjeshta ato jane te bukura dhe shprehese.Ne to gjejme elemente me fuqi,njekohesisht me embelsi dhe sinqeritet poetik.
Kenget e ahengut shkodran linden si nevoje e natyrshme,ne nje stadi te caktuar te zhvillimit te qyteteve tona,per te thene dicka me teper se vallet e kenduara.Ato kane kane karakter solistik dhe kendohen nga nji kompleks instrumental.Teknika muzikore e ekzekutimit te tyre mbeshtetet ne disa shkalle modale.Mbi cdo njeren prej ketyre shkalleve ose perdeve qarkullonin disa kenge te cilat te kenduara njera pas tjetres ,ne baze te nje rituali shume te percaktuar,sic ishte rituali i dasmes,perbenin nje repertor shume te pasur e te larmishem.
Nji pjese e ketyre kengeve shtjellohen lirshem,duke ruajtur karakterin e nje improvizimi lirik.
Te kujtojme per nje cast javen e kenges shkodrane,kete rromance te zhvilluar qytetare,e cila shquhet per fantazine dhe pasurine emocionale qe na shkakton sa here e degjojme.
Eshte e kuptushme se kushtet e nje sundimi te dyfishte te huaj dhe klasave sunduese vendase,temat shoqerore trajtoheshin ne tekstin poetik ne menyre te terthore,alegorike.Por ne fillimet e zgjimit kombetar,te Rilindjes kombetare,kemi nje evolim si te permbajtjes ashtu dhe te formes se kengeve popullore qytetare shkodrane.Mjafton te permendim ketu krijimtarine e pasur te Paloke Kurtit.
Pershendetje te gjithve!


http://www.shkodraonline.com/galeria
Back to top
:::ShkoderZemer
Tue Apr 03 2007, 05:55pm


Registered Member #1
Joined: Mon May 22 2006, 08:16pm

Posts: 1803
Intervistë me Luçie Milotin


Luçie Miloti ka lindur më 11 maj 1930, në qytetin e Shkodrës. Për herë të parë ka dalë në skenë në moshën 12-vjeçare dhe çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin etj. Aty filloi karriera e saj, duke kënduar në Radio Shkodra, nën dirigjimin e Artistit të Popullit Preng Jakova. Në 1946, në moshën 16- vjeçare vjen në Tiranë, ku fillon karriera e saj si në skenat kryesore të vendit, ashtu dhe në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai që krijoi figurën e saj të plotë si këngëtare është profesori i saj, Pavlin Pali. Jeta, arti, dashuria dhe pasionet e artistes 75- vjeçare vijnë kësaj radhe në gazetën “Express”. Disa nga këngët e kënduara nga ajo janë: "Bishtalecat palë palë", "Shpend ma i parë i bukurisë", "Zanusha" etj. Në repertorin e saj ka më shumë se 500 këngë popullore.

Intervistë me Luçie Milotin, këgëtaren e cilësuar si bilbili me zë kristalor i Ballkanit ose lauresha e Shkodrës

Gjermani i çmendur pas meje ra nga kati i tretë i hotelit

Cili është momenti më interesant që mbani mend nga skena?
Kam shumë momente të tilla. Kryesisht momente të bukura janë vlerësimet që kam marrë jashtë shtetit. Por më i veçanti ka qenë momenti kur unë mora çmimin e tretë në Festivalin Ndërkombetar të Rinisë në Varshavë. Mbasi mora çmimin e tretë dhe këndova këngën (pasi duhej të përsëritej), duke zbritur nga skena për të takuar kolegët e mi, u pengova tek shkallët. Kisha vesh xhubletën e kostumit popullor dhe nga emocionet m’u morën këmbët, pasi unë nuk e prisja atë çmim. Një natë më parë ne kishim ndenjtë deri vonë, duke hangër dhe duke pirë, aq sa më ishte marrë edhe pak zëri. Ishte gëzim i madh ai çmim dhe emocionet ishin të papërshkrueshme.

E keni dekoratën e çmimit?
Çmimin ma vodhën. E kisha vënë tek gjoksi, ku dihet se kush m’i ka fut durët (qesh).

Si ju prisnin në Shqipëri pasi merrnit këto çmime?
Oh, shumë mirë. Na priste gjithmonë Byroja. Na bënin pritje nderi.

Keni patur rast ta takoni Enverin?
Disa herë, sepse ne shkonim shpesh në Pallatin e Brigadave për të dhënë koncerte. Dhe aty kishte momente që ne flisnim edhe personalisht me Enverin. Aq sa një herë Fiqnete Rexha e hëngri keq, pasi kur Enveri na pyeti: "A keni marrë ndonjë dekoratë?" Ajo iu përgjigj: "Çfarë dekorate, ne nuk na kanë rrit as rrogat".
Ndërsa kur më pyeti mua, për të mos e hangër dhe unë i them: "Kemi kohë për dekorata".

Kur keni qenë jashtë shtetit ju ka propozuar ndonjëri për martesë?
Për martesë jo, sepse ne shkonim nëpër festivale të organizuar dhe të shoqëruar. Por që të lakmojshin dhe të të dëshirojshin për dashni po.

Po ju pranonit? Apo thonit nuk na lë partia?
(Qesh) Ashtu nuk i thosha, por unë i shmangesha. Në festivale ka shumë që të lakmojnë, vijnë të të propozojnë, vijnë me të përqafu, me të marrë një autograf, të ngrejnë peshë, sa nuk i përballon dot.

Si u njohët me bashkëshortin, Ludovikun?
Ishim tek Hotel i Gjuetisë në Lezhë për të dhënë koncert. Ai atë kohë punonte kamerier. Ka qenë shumë i bukur. Dhe ishte dashuri me shikim të parë. Unë isha 35 vjeç, ndërsa ai ishte 10 vjet më i vogël. Po çfarë t'i bësh dashuria nuk njeh moshë.

Nuk bëri bujë kjo martesë, duke patur parasysh diferencën e theksuar të moshës?
Jo. Pasi kjo diferencë nuk binte në sy.

Nuk bëheshit xheloze për të?
Unë? Shumë. Varet se si e mendon ti xhelozinë. Por unë di të them se xhelozia është një kunj, që me të hy, lëshon rrënjë dhe nuk ka burrë nëne me ta heq, me ta shkul. Xhelozia sëmundje është.

Po për vajzën jeni xheloze?
Jam pak, sepse unë jam lidh gjithë jetën me të. Unë nuk u martova më. Ia dedikova jetën time asaj dhe kështu që e dua veç për vete.

Doni që vajza juaj të martohet?
Patjetër që po. Mua nuk më tret dheu pa e parë Norën të rregulluar. Vetëm dua që të mendohet mirë para se ta bëjë këtë hap dhe të gjejë një njeri të mirë dhe ta njohë mirë para se ta marrë.

Cili ka qenë ndonjë kompliment i veçantë që të bënin atëhere?
Ka pas shumë. Po ja shkodranët, për shembull, kalonin nëpër rrugë dhe thonin: Pse s'vjen moj dreq një herë me ne. Apo “e run me zi groshë....”, “Hajde moj dreq, moj zog qene”.

Ju çonin letra dashurie?
Ou, shumë.

I keni ruajtur?
Jo ooo. Unë s'kam ruajtur as tekstet e këngëve.

A ka patur ndonjë fans që ka bërë ndonjë çmenduri për ju?
Jo çmenduri, por kanë vdek për mu (qesh).

Si kanë vdekur?
Po ja, njëri (fans gjerman) ka ra nga kati i tetë i hotelit, duke u mundu me hy në pabesi nga dritarja e dhomës. Ai kishte zanë marak me mu.

Bënit shumë prova për të mësuar këngët?
Jo shumë. Ka pas raste që unë kam mësuar shtatë këngë përnjëherë me profesorin tim, Pavlin Pali dhe i kam kënduar brenda natës.

Çfarë hyzmeti i bënit zërit?
Asnjë gjë. I fusja një teke konjak ose fërnet në mëngjes dhe isha në rregull. Madje e pija me filxhan kafeje që të mos e kuptonin të tjerët, sepse atëhere femrat nuk mund të pinin si ç’pinë sot.

Është e vërtetë se divorci juaj erdhi edhe si rrjedhojë e futjes së burrit tuaj në burg për agjitacion dhe propagandë?
Edhe si rrjedhojë e kësaj. Duhej ta ndaja, sepse përndryshe mund të internohesha.

E vuajtët këtë situatë?
Po, sepse më vinte zor. Ishte edhe opinioni. Që prej atëhere u mbylla. Shumica kishin frikë me më fol në rrugë. Më shmangeshin. Dhe kishin të drejtë, pasi për në atë kohë unë isha bashkëshortja e një të burgosuri politik.

Pasi u ndatë, ju kanë propozuar të tjerë për martesë?
Për t'u dashuru bën vaki, ndërsa për t’u martu jo (qesh).

Mërziteni më shumë tani për shëndetin apo ...
Tani mërzitem për vitet që ikën dhe nuk kthehen më.

Nora më ka thënë se keni lexuar shumë libra. Është e vërtetë?
Po shumë. Madje lexoja dhe shtrirë dhe gjithë natën. Nuk prisja sa ta mbaroja romanin. Aq sa dhe shikimi më ra. Llazar Siliqi më thoshte shpesh: "Mos lexo kështu, sepse leximi intensiv të çon në traumë, sepse del nga realiteti ku jeton dhe hyn në jetën e personazheve."

Kush ka kompozuar këngë për ju?
Pjetër Gaci, këngën me titull: "Qytetit tim" , që e ka kënduar më vonë Sali Brari. Rud Gurashi, këngën me titull: "Shpend ma i parë i bukurisë", Zef Leka, me këngën: "Synin tand larush moj çike". Ndërsa në ditët e sotme, që mi sjellin këngët në shtëpi, janë të Xhevat Lishit, me tekstin e Lah Mema: "Zani yt, na sjell pranverë" dhe e këndon Meri Zefi. Para një muaj kompozitori lezhjan, Agim Velaj më sjell këngën: "Lauresha e Shkodrës"

Intervistoi: Alma Xhupi

01/12/2005


http://www.shkodraonline.com/galeria
Back to top
:::ShkoderZemer
Tue Apr 03 2007, 05:57pm


Registered Member #1
Joined: Mon May 22 2006, 08:16pm

Posts: 1803
Këngëtari i madh pa shtëpi..., pa pension..., pa atdhe...

Këngëtari i mirënjohur i muzikës së lehtë, një nga zërat më të spikatur të saj, Tonin Tërshana, është kthyer për pak ditë në atdhe, për të marrë pjesë në spektaklin "100 Këngët e shekullit", që transmetohet në Televizionin Kombëtar Klan. Si rrallë kush, fitues i katër çmimeve të para në festivalet e muzikës së lehtë të këngës në Radio Televizion, Tërshana tregon për "Metropol", për emocionet e tij në spektakël, për rininë e tij, ku në moshën 13-vjeçare fillon të këndojë, për t'u lidhur pazgjidhshmërisht me muzikën e lehtë, që do të ishte jeta për të. Tërshana nënvizon edhe për jetën e vështirë në emigracion, pas humbjes së shtëpisë në firmat piramidale. Nga ana tjetër, tre muaj më parë i ndërpritet edhe pensioni, pa ditur asnjë arsye. "Po të kisha mundësi, nuk do të shkoja më... Kam shumë mall për vendin tim, për njerëzit e mi, por nuk kam asnjë mundësi praktike që të rri këtu..., ndjehem si një njeri pa atdhe, pasi kur në vendin tim nuk kam ku të rri dhe asnjë mundësi jetese, është njëlloj si të mos kem atdhe. Shpresoj..., pasi shpresa vdes e fundit...", shprehet i mirënjohuri Tërshana.

Një rikthim në skenë, e pikërisht në atë të spektaklit "100 Këngët e shekullit", pas plot 11 vitesh me një emocion të jashtëzakonshëm që përloti me mijëra shqiptarë përtej ekranit të vogël...

Që në vogëli kam qenë shumë i dashuruar pas këngës së lehtë, në përgjithësi, dhe asaj shqiptare, në veçanti. E them këtë, pasi më kanë pëlqyer shumë edhe këngët italiane, të cilat në atë kohë pëlqeheshin shumë në Shkodër. Kur dola në skenën e spektaklit "100 Këngët e shekullit", gati-gati nuk e besoja. Isha shumë i emocionuar, pas kaq vitesh larg skenësh. E përjetova me shumë emocion dhe gjej rastin të përshëndes organizatorët e këtij spektakli, Adi Hilën dhe Pandi e Bledi Laçon, të cilët kanë realizuar një aktivitet të mrekullueshëm dhe, është për të ardhur keq që Televizioni Publik nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë, ndërkohë që ne kemi qenë të lidhur me të gjatë karrierës sonë. Eshtë një spektakël gjigand, që më ka mbushur me shumë emocione dhe nostalgji. Një spektakël madhështor, një homazh i vërtetë si ndaj muzikës së lehtë, ashtu edhe ndaj artistëve që i dhanë aq shumë asaj.

Si ju lindi dëshira për të kënduar?

Thjeshtë, shpeshherë këndoja kur isha vetëm në shtëpi. Madje kishte raste që fusja kokën në ndonjë enë metalike, duke u përpjekur të dëgjoja zërin tim, ashti siç e imagjinoja unë se ndodhte edhe në radio. Isha rreth se 13 vjeç. Pashk dhe Ndoc Martini, që ishin komshinjtë e mi, të dy muzikantë, më dëgjojnë pas pak kohësh dhe më ftojnë të këndoj bashkë me ta, por unë nuk i dija tekstet e këngëve. Pasi mësova disa këngë, Pashku më ftoi të këndoja në “Turizmin” e Shkodrës. Isha shumë i turpshëm dhe këndoja pothuasje i fshehur, prapa orkestrës. Isha fëmijë dhe më kujtohet se, pasi këndoja disa këngë, dilja dhe luaja me shokët, për t'u kthyer sërish të këndoja. Pas pak ditësh fillova të këndoja me pagesë. Ishte e pabesueshme që në atë moshë të paguhesha si këngëtar. Një ushtarak nga Vlora, Mersin Maksuti, i cili ishte një artdashës i vërtetë, pas disa vitesh që më dëgjonte në “Turizëm” apo edhe kur shkoja e këndoja në shtëpinë e tij, më propozoi të shkoja në Tiranë dhe të këndoja në Estradën e Ushtarit, pasi kishte bërë një bisedë paraprake me ta. Kur arrita në Tiranë, trupa e Estradës kishte shkuar në turne dhe i vetmi që ndodhej në Tiranë, ishte saksofonisti Platon Mezini, i cili luante në orkestrën e "Bar Sahatit". Platoni kishte dëgjuar dhe kur e takova më pyeti: "Ti je ai djali i vogël shkodran që këndon bukur?". Kështu më thërrsnin në atë kohë, "djali i vogël që këndon". Aty ishte hera e dytë që u pagova për të kënduar, kuptohet me 250 lekë të vjetra dhe ushqim, që për një djalë në moshën time ishte shumë. Isha vetëm dhe në Tiranë nuk kisha kërkënd. Nuk kisha as letër-njoftimi dhe prandaj nuk mund të flija as në hotele, pasi aty nuk të pranonin pa letër-njoftimi. Flija pas një dyqani fruta-perimesh dhe akulloresh te banka, ku flija mbi arka dhe mbulohesha po me arka, pasi kisha frikë nga policët. Një natë në lokal erdhi Ferdinad Deda, i cili më thirri dhe më tha që të shkoja ta takoja të nesërmen te Radio Tirana. Kur shkova të nesërmen, aty ishin edhe Nikolla Saraçi, Abdurahim Grimçi dhe Tonin Harapi. Midis këngëve të tjera, këndova një këngë të Harapit, që e kishte kënduar Vaçe Zela. Ishte shtatori i vitit '65. Isha vetëm 16 vjeç, por me këngën u lidha pazgjidhshmërisht.

Në atë kohë u ftuat të merrnit pjesë edhe në anketën e parë të Radio Tiranës?

Po, ishte hera e parë që organizohej kjo anketë dhe unë këndova këngën e Grimçit, ndërsa Vaçe Zela me këngën e Agim Krajkës "Gjyshja", zuri vendin e parë. Ndërkohë, Ferdinandi më mori adresën ku banoja në Shkodër, pasi unë nuk mund të qëndroja më në Tiranë dhe u ktheva sërish në Shkodër. Fillova punë si ndihmëskëpucar. Pak muaj më vonë u njoftova me telegram që të paraqitesha në Radio Televizionin Shqiptar, për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës. Tonin Harapi më tha që të këndoja këngën e tij "Të dua, o det". Isha një i ri shumë i lëvizshëm dhe një ditë pas provave ika në Shkodër, pasi më dukej si lojë. Harapi erdhi vetë e më mori në Shkodër dhe, që nga ajo natë, rreth 10 ditë para festivalit, më mori në shtëpinë e tij dhe më kujtohet se, ditën e parë që u gdhiva në shtëpinë e tij, u zgjova i lidhur pas tavolinës. Gruaja e Toninit nuk më zgjidhi deri sa erdhi ai vetë e më mori në prova. Me atë këngë fitova edhe çmimin e parë, festivali i parë që mora pjesë. Pas festivalit u ktheva sërish në Shkodër. Vetëm një muaj më pas erdha të këndoja në Estradën e Ushtarit, pas "urdhrit" të Petrit Dumes, që më thirri në zyrën e tij. Pas pak kohësh u ktheva në Shkodër, ku punova në Fabrikën e Cigareve deri në vitin '68, kur edhe shkova ushtar. Kuptohet që shkova direkt në Estradën e Ushtarit, institucion në të cilin punova deri në shkrirjen e tij, në vitin '94.

Ju keni marrë pjesë në dhjetëra Festivale të Këngës në Radio Televizion dhe, pas Vaçe Zelës, jeni i vetmi që keni fituar katër çmime të para, pa llogaritur këtu shumë çmime të dyta e të treta...

Që nga viti '65, ku këndova për herë të parë në Festivalin e katërt, duke përjashtuar katër festivale, kam marrë pjesë vazhdimisht deri në Festivalin e 27-të, që u zhvillua në vitin '88. Më kujtohet se në Festivalin e 5-të, ku u ftova të këndoja një këngë të Llazar Morckos, vjen gjatë provave ministri i Kulturës të asaj kohe, Thoma Delijani, i cili pyeti instrumentistët se si shkoja unë. Ata u përgjigjën se këndoja shumë bukur, ndërkohë që një këngëtar tjetër, emrin e të cilit nuk dua ta përmend, i tha ashtu tinëzisht, se më pëlqente të këndoja edhe këngë italiane. Kaq u desh që mua të më ndalohej të këndoja jo vetëm në atë festival, por edhe në gjashtin dhe të shtatin. Më pas këndova sërish, duke përjashtuar Festivalin e 12-të, ku si pjesëmarrës i Estradës së Ushtarit, na u ndalua të merrnim pjesë, pas furtunës që pasoi Festivalin e 11-të, në të cilin kisha fituar edhe çmimin e parë.

A u përndoqët pas këtij festivali, sikundër ndodhi me shumë këngëtarë të tjerë në atë kohë?

Në atë vit unë isha vetëm 23-vjeçar dhe më duhet të pranoj se, personalisht, nuk pata asnjë pasojë. Unë isha një ndër disa këngëtarë të ushtrisë, që si "ndëshkim", sikundër e thashë pak më lart, nuk u lejuam të merrnim pjesë në Festivalin e 12-të.

Kush ka qenë kompozitori me të cilin keni bashkëpunuar më shumë?

Mund të them pa frikë se, pothuajse, gjatë gjithë karrierës sime, kam bashkëpunuar me Pjetër Gacin, por edhe Kujtim Laron, Agim Prodanin. Paralelisht kam patur edhe bashkëpunim me këngëtarë të ndryshëm, me duete të ndryshme, ku mund të sjell ndërmend Lindita Theodhorin, Arta Babaramon, Luan Zhegun, Prashqevi Simakun, por edhe të tjerë.

Përse u tërhoqët nga skenat e festivaleve, pas vitit '88?

As vetë nuk e kam shumë të qartë. Ndoshta, sepse kërkoja të bëja një shkëputje, ndoshta, sepse pas këtij viti Pjetër Gaci filloi të kompozonte diçka më rinore, që nuk më përshtateshin shumë... Nuk e di. Ka shumë ndoshta.

Në vitin '97, pasi humbët shtëpinë në firmat piramidale, u larguat familjarisht nga Shqipëria drejt Greqisë...

Humbja e shtëpisë ishte një goditje e rëndë. Në korrik të '97, me ndihmën e aktorit Xhevahir Zeneli sigurova një vizë së bashku me vajzën time të madhe, e cila ka mbaruar Akademinë e Arteve, për kanto. Më pas erdhën edhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Eshtë i rëndë emigracioni. Kam qenë i detyruar të bëj punë shumë të vështira, që nga hamalli e deri në punëtor ndërtimi, për të sigurar jetesën. Nuk ka qenë e mundur të merrem me këngën, vetëm në disa raste në festa të ndryshme, por pa mundur të siguroj jetesën prej saj.

A mendoi të riktheheni në Shqipëri?

Po të kisha mundësi, nuk do të shkoja më... Por nuk kam shtëpi të banoj dhe prej tre muajsh më kanë prerë edhe pensionin, për çështje burokratike besoj, por nuk më japin asnjë shpjegim. Pavarësisht nga kjo, është gati e pamundur që me pensionin që më takon të marr, të kem një shtëpi me qira ku mund të jetoj. Kam shumë mall për vendin tim, për njerëzit e mi, por nuk kam asnjë mundësi praktike që të rri këtu. Por pas prezantimit tim në spektaklin e TV Klan, më kërkoi për një takim këshilltari i Kryeministrit, Përparim Kabo, i cili më priti me shumë respekt, së bashku me Blerta Krajën, dhe më premtuan se do të bënin diçka për rastin tim. Nga ana tjetër, organizatorët e spektaklit "100 Këngët e shekullit”, kontaktuan me ministrin e Kulturës, Blendi Klosin, i cili, gjithashtu është treguar i gatshëm të më ndihmojë brenda rregullave dhe ligjeve në fuqi. Shpresoj shumë që të bëhet diçka, pasi ndjehem si një njeri pa Atdhe, pasi kur në vendin tim nuk kam ku të rri dhe asnjë mundësi jetese, është njëlloj si të mos kem Atdhe. Shpresoj..., pasi shpresa vdes e fundit...


http://www.shkodraonline.com/galeria
Back to top
:::ShkoderZemer
Tue Apr 03 2007, 05:57pm


Registered Member #1
Joined: Mon May 22 2006, 08:16pm

Posts: 1803
Shyqyri Alushi - Artist i Merituar

Lindi ne Shkoder me 10 Maj 1934. Këngëtar i shquar i ahengut dhe këngës popullore qytetare shkodrane në gjysmën e dytë të shek. XX. Enci. Rrjedh nga një familje me origjinë fshatare. Prej babait të tij Alushit, trashëgon pasionin për muzikën popullore. Alushi ishte këngëtar dhe muziktar popullor në fyell dhe zumare. Realisht Shyqyriu bëhet këngëtar nëpër ambjentet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës duke dëgjuar drejtpërsëdrejti ose nga pllakat e gramafonit mjeshtra të ahengut si Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën etj. Në moshën 10 vjeçare këndon me shokët dhe lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e inagurimit të kinema “Republikës” në Shkodër. Për një kohë të gjatë këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe në të gjithë fshatrat e NënShkodrës, më lulishte, lokale të ndryshme si dhe në shtëpinë e oficerave. Në lulishten “1 Maji”, Shyqyriu shoqërohej nga orkestra popullore e Adil Ujkashit. Në vitin 1974-1986 këndon si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në festivalet folklorike kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj. Shyqyri Alushi mbahet si këngëtari i fundit i ahengut shkodran. Më 1984 i jepet titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare i jepet “Çmimi i Karjerës”. Me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i jep titullin “Krenaria e Qytetit”. Gjatë gjithë jetës së tij artistike ka marrë edhe shumë çmime dhe dekorata të tjera. Në Shkodër të gjithë i thërrasin “mjeshtri i ahengut shkodran”. Ndër këngët e arta të repertorit të tij përmendim: “Thotë lulja për lulen”, “Kur natyra kenka veshur”, “Nëpër fusha në kodrina”, “Pranvera filloi me ardhë”, “T’parën herë kur jena pa”, “Eni more shokë”. Regjistrimet e tij muzikore janë kryesisht pranë Radio-Tiranës dhe Radio-Shkodrës.

Prof. Dr. Vasil Tole


http://www.shkodraonline.com/galeria
Back to top
:::ShkoderZemer
Tue Apr 03 2007, 05:58pm


Registered Member #1
Joined: Mon May 22 2006, 08:16pm

Posts: 1803
Marie Kraja

Maria lindi ne Zare ti Dalmacise ne vitin 1911.
Në moshën 6 vjeçare familja e saj vendoset në Shkodër. Në vitet 1926-1928 shkon në Vjenë për shkollim dhe në vitet 1928-1934 kreu studimet e larta në konservatorin e Gracit në degën e kantos. Më 1938 kthehet në Shqipëri ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”. Në vijim japin koncerte në të gjitha qytetet e mëdha shqiptare si Korça, Vlora, Shkodra etj. Në këto koncerte brenda vendit, si dhe në ato jashtë Shqiperisë si në Austri, Itali, Gjermani, Hungari e deri në Kinë, Kore e Vietnam, Marie Kraja këndoi si pjesë të pandarë të repertorit të saj këngën popullore qytetare shqiptare. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. Regjistrimin e parë të këngës poppullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”. Për kontributin e saj në fushën e interpretimit muzikor operistik, e në veçanti atë të këngës popullore qytetare shqiptare i është dhënë titulli “Artiste e Popullit” dhe më 1996 ai i “Mjeshtrit të madh të punës”. Krahas Tefta Tashko Koços, Jorgjia Trujës- “Artiste e Popullit” (1909-1994) dhe Gjyzepina Kosturit-“Artiste e Popullit” (1912-1985), Maria Kraja ndihmoi në formimin e shkollës së interpretimit të këngës popullore qytetare nga ana e këngëtarëve lirikë.


Lit: Marie Kraja, “Prej një çerek shekulli këndoj këngët e popullit”, “Kultura popullore”, 1958, nr. 6, fq. 31-39; Gjoka Lola, “Maria Kraja”, gaz. “Drita”, 1962, 18 Mars; Harapi Tonin, “Maria Kraja dhe këngët e saj”, gaz. “Drita”, 1973, 6 maj; Kraja Marie, “Njohja e këngës popullore dhe e interpretimit të saj”, tek “Vatra e Kulturës”, 1/1974; Kalemi Spiro, “Interpretimi i këngës popullore nga Marie Kraja”, “Kultura Popullore”, 2/1986; Gurakuqi Luigj, “Me këngën e popullit”, gaz. “Bashkimi”, 1988, 21 Gusht; Koço Eno, “Tefta Tashko Koço dhe koha e saj”, Tiranë 2000 etj.


http://www.shkodraonline.com/galeria
Back to top
:::ShkoderZemer
Tue Apr 03 2007, 05:58pm


Registered Member #1
Joined: Mon May 22 2006, 08:16pm

Posts: 1803
Ludovik Ndoj Gjergji (Shkodër 13.08.1925)
“Artist i Merituar”-1969
Këngëtar i shquar i muzikës popullore shkodrane i gjysmës së dytë të shek. XX.
Enci. Biku (siç e thërrasin që të gjithë në Shkodër), gjimnazin e kreu në shkollën e vjetër “J.Misja”. Lidhur me muzikën popullore, ai e filloi këngën që në moshë të vogël, por njihet nga të gjithë se për herë të parë ai këndoi në një dasëm familjare, shoqëruar nga një prej formacioneve popullore me vegla të qytetit të Shkodrës, ku drejtonte dhe interpretonte në fisarmonikë Karlo Radoja. Gradualisht, aktiviteti i tij u zgjerua dhe më shumë nëpërmjet koncerteve që Biku dha në të gjithë Shqipërinë, si dhe në ato jashte shtetit. Ai ka kënduar një numër të madh këngësh ndër të cilat përmendim: “ S’ma din hallin [ndaluar] kam”, “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat I vogel je”, “Jare te due”, etj. Në Shtator 1999, teatri “Migjeni” organizoi 70 vjetorin e lindjes të Bik Ndojës, ku një vend të rëndësishëm zuri edhe koncerti me kengë dhe pjesë muzikore popullore nga më të zgjedhurat nga repertori i jareve të kenduara prej tij në gjithë këto vite. Bashkë me kolegët e tij Shyqyri Alushi, Luçie Miloti, Xhevdet Hafizi etj. kanë qënë dhe mbeten bilbilat e këngës popullore shkodrane. Shumica e regjistrimeve muzikore të tij gjenden pranë Radio-Shkodrës dhe RTV Shqiptar.


http://www.shkodraonline.com/galeria
Back to top
SuperGirl
Wed Apr 04 2007, 10:30pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Nice posts!!!!!!



Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
WORLD
Tue Apr 24 2007, 05:41pm
Just, SMILE

Registered Member #699
Joined: Fri Apr 20 2007, 07:20pm

Posts: 3824
baba e nana jeme marojne mas tonin tershanes e mugades xhanga ....sa her dalin ne tv kecejne te dy si ne kohet e ma perparshme lol e une qeshi se tham sa kan nderru por jo HARRU kohet e vjetra

MIND-OF-THE-WONDERFUL
"Info:fcb- Qendra e Këshillimit dhe Shërbimeve Psikologjike, Shkodër Shqipëri
Cel: +355 67 30 17 299; email: -email-

Back to top
WORLD
Tue Apr 24 2007, 05:41pm
Just, SMILE

Registered Member #699
Joined: Fri Apr 20 2007, 07:20pm

Posts: 3824
baba e nana jeme marojne mas tonin tershanes, shyqyri alushi e mugades xhanga ....sa her dalin ne tv kecejne te dy si ne kohet e ma perparshme lol e une qeshi se tham sa kan nderru por jo HARRU kohet e vjetra

MIND-OF-THE-WONDERFUL
"Info:fcb- Qendra e Këshillimit dhe Shërbimeve Psikologjike, Shkodër Shqipëri
Cel: +355 67 30 17 299; email: -email-

Back to top
belgium
Sat Mar 15 2008, 01:28pm

Registered Member #1142
Joined: Fri Aug 24 2007, 10:19am

Posts: 12123
muzika shkodrane me yjet e saja nuk vdesin kurre .i madhi PRENK JAKOVA,marije kraja,justina aliaj e shume e shume yje shkodrane i adhuroj.
Back to top
L - N
Thu May 15 2008, 06:56am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Lec Kurti lëviz kufijtë

Bota akademike e arteve i kushton dy ditë kompozitorit Lec Kurti, figurë e anatemuar gjatë dhe pas diktaturës. Prezantohen disa nga veprat - dorëshkrime të ruajtura nga familja që ka të ngjarë të përmbysin historinë tonë të muzikës

Alma Mile
Mer, 14 Maj 2008 08:10:00

Bota akademike e arteve i kushton dy ditë kompozitorit Lec Kurti, figurë e anatemuar gjatë dhe pas diktaturës. Prezantohen disa nga veprat - dorëshkrime të ruajtura nga familja që ka të ngjarë të përmbysin historinë tonë të muzikës
Nëse nuk do të ishte marrë me politikë, veprat e tij do të ishin përfshirë në antologji muzikore e letrare. Krijimet do të interpretoheshin koncerteve e do të quhej babai i kompozicionit shqiptar. Me rreth 800 faqe dorëshkrime që ruan familja e tij, do të ishte patjetër një emër i shquar i kulturës shqiptare. Por Lec Kurti zgjodhi tjetër udhë. U quajt i rrezikshëm dhe u ndalua. Vepra e tij u dënua për të mbetur sirtareve e panjohur për dekada.
Për të kujtuar një emër të lënë në harresë padrejtësisht, po edhe për të riparë historinë e muzikës shqiptare, sot në Akademinë e Arteve zhvillohet koncert-konferenca "Lindja e harruar e muzikës artistike shqiptare: Lec Kurti". Interpretohen për herë të parë vepra të kompozitorit që datojnë fillimshekullin e XX, ndërsa të afërmit sjellin kujtime. Aktiviteti i përfshirë në Stinën e Koncerteve të Pranverës në Akademinë e Arteve, përkon me 69-vjetorin e vdekjes së kompozitorit.
Për muzikologun prof. dr. Sokol Shupo, pavarësisht se sasia e partiturave që kanë arritur t'i shpëtojnë humbjes është relativisht e pakët dhe vepra e tij ka mbetur e panjohur, Lec Kurti është padyshim i pari kompozitor profesionist në historinë e muzikës shqiptare. Kur thotë këtë, Shupo mbështetet në fakte. Pasi ka kaluar nëpër duar dorëshkrimet, që ruhen me fanatizëm nga Albert Kurti, i biri i kompozitorit, Shupo vë re se çuditërisht, shumë vepra që ne i quajmë si të parat në gjininë që i përkasin, nuk janë të tilla. Studiuesi bën një krahasim, prej të cilit del se pikërisht veprat që për dekada i kemi konsideruar të parat, janë shkruar shumë më vonë se veprat e harruara të Lec Kurtit. Nëse deri më sot kemi besuar se opera "Mrika" (1959) e Prenk Jakovës është e para në llojin e vet në Shqipëri, na del se në të vërtetë e para është "Arbëreshtja" e Kurtit (1915), nga e cila kanë mbetur vetëm 11 fashikuj nga akti i parë. Për të vijuar me sonata, muzikë dhome, kuartete harqesh, romanca dramatike, trio pianistike, prelude, muzikë korale e koncerte, të cilat janë shkruar nga 20 deri në 60 vjet më vonë nga autorë si Fan Noli, Çesk Zadeja, Tonin Guraziu, Tish Daija, Limos Dizdari, etj. Që do të thotë se historia e muzikës shqiptare, ka se ç'të korrigjojë. Por nga çka mbërritur deri më sot, kuptohet se Kurti nuk ishte vetëm një ithtar i muzikës. Sot është e çuditshme të besohet se brenda një njeriu të vetëm ziente kompozitori, poeti, përkthyesi e politikani diplomat. Pa lënë asgjë pas dore. Ka shkruar vepra letrare si poemat "Kërshëndellat", "Mrashtbulli", "Sikur të mujsha", "Lula Marnesha", "Qe tuk janë" si dhe ka përkthyer në shqip veprash nga autorë të mëdhenj të letërsisë botërore si Pirandello, Gorki, Poe, Pushkin, Gauthier, Merimé, etj. Të gjitha këto u kryqëzuan për faktin se Kurti ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, Ministër Fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare në Londër, e më vonë një ndër themeluesit e partisë së Ballit Kombëtar.
Ishte lindur më 9 maj 1884 në Shkodër. Biri i kompozitorit të shquar Palok Kurtit, ishte mëse e natyrshme të vazhdonte në fushën e muzikës. Në vitin 1909 filloi studimet në Liceun e Pesaros, ndërsa më vonë, krahas kompozicionit studion edhe për Diplomaci në Venecia. Dorëshkrimet tregojnë se aty janë shkruar edhe një numër i madh veprash. Familjarët dëshmojnë se gjatë kohës që ai ishte përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, i është djegur shtëpia dhe mendohet që bashkë me të janë shkrumbuar edhe krijime të tjera muzikore. Nga dorëshkrimet e mbetura mësohet se Lec Kurti kompozoi muzikë deri në vitin 1916 dhe më pas duket se iu kushtua në fillim diplomacisë e më pas politikës.
Karrierën diplomatike e nisi në Bari si konsull i Shqipërisë (1922-1927), dhe më pas në Athinë si "I ngarkuari me punë" (1927-1935) ku bëhet edhe "Qytetar Nderi" i qytetit. Më tej e gjejmë përfaqësues të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, si Ministër Fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare në Londër ku thuhet se, pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë fashiste nuk pranon t'i dorëzojë përfaqësuesit italian ambasadën. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, megjithë ftesën e Faik Konicës për të shkuar në Amerikë, Lec Kurti kthehet në Shqipëri ku angazhohet në jetën politike të vendit. Në vitin 1942, bashkë me Mit'hat Frashërin, Abaz Ermenjin etj., Lec Kurti është një ndër 18 themeluesit organizatës Balli Kombëtar, ku zgjidhet nënkryetar i përgjithshëm i saj si dhe kryetar për Shkodrën. Disa ditë përpara 29 nëntorit të vitit 1944, siç e dëshmon edhe Ditari i tij, ai e braktis përfundimisht Shqipërinë dhe vdes në Romë në dhjetor të vitit 1948. Prej atëhere muzika e tij ka mbetur akoma fare e panjohur për publikun e gjerë po se po, madje edhe për profesionistët.


Marre prej gazets Shekullionline


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
babo
Thu May 15 2008, 10:26am


Registered Member #587
Joined: Sat Mar 10 2007, 07:01pm

Posts: 11127
na bani nji interviste me osman mulen se asht i madh

Ja! Nje kitarre degjohet,
e tingujt ndan si fllad,
ngadale kjo vasha zgjohet
t'degjoje at' serenate,
e Shkodra ra n' pushim
c'ka bahet rrugeve s'din

trokit ketu

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1881 sec, 0.0433 of that for queries. DB queries: 49. Memory Usage: 2,880kB