Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Erion Temali. ''Une jam endrra''
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
SuperGirl
Mon Mar 31 2008, 06:08pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
'Une jam endrra' nga Erion Temali do jete shpejt ne librarite e Shkodres.
po ju sjellim disa tregime nga ky liber, uroj t'ju pelqejne







Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
SuperGirl
Mon Mar 31 2008, 06:09pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
PARATHANIE

ME TREGUE KUNDËR BREZIT TË VET, BREZ I KARAOKES EGZISTENCIALE

Proza e Erion Temalit asht nji prozë origjinale dhe e legjitimueme nga nji ngarkesë narrative e veçantë në panoramën e çoroditun të letrave të sotme shqipe. Regjistri i tij asht nji regjistër sanguin, krejtësisht endemik ndaj realitetit. Për ma tepër, disa prej këtyne tregimeve që ne u paraqesim me këtë përmbledhje, janë perla të humorit të zi. Përmendim këtu të paharrueshmin “Kasaforta” (parabolë e destinueme me ba xhiron e botës), si dhe magjisterinat e tjera “Re arabo-berbere”, “Dylbitë” e me radhë.
Anmik i kitsch-it, Temali parapëlqen kurdo ma mirë vulgaren (pse vulgarja asht autentike siç dijmë prej Bodlerit) me rrëfye horrorin e përditshëm. Në këtë horror, ai dhe protagonistët e tij, janë, të vetëdijshëm, epikë të absurdit.
Nji pjesë e rinisë shqiptare të sotme, e sheh veten të ngujueme në këtë anije në mëshirë të rrjedhës që asht Shqipnia. Kjo anije e skërdejun, që tjetërkund ishte anija e leprozëve, dhe mandej u ba anija e të marrëve, asht ndër figurat ma të gjetuna për me pëshkrue jo vetëm izolimin e rinisë shqiptare në veçanti, por edhe izolimin e njeriut të ditëve tona.
Ky njeri, ose i ndjeri njeri, në këtë brez të cilit i përkasim porsi pengje, - ky njeri po thoshim, jeton në nji brez që e ka humbë dashninë. Fat-humbun e dashunihumbun, në agoninë e tij errcake ai kthehet në filozof të dhimbjes, i cili na pohon se kjo e jona, nuk asht aspak nji dhimbje filozofike, por asht nji dhimbje tradhëtare e absurdit. Asht dhimbja tradhëtare e jetës, ajo që na detyron të stolisim me gjak spektaklin që kënaq dikend ose askend tjetër.

Përsa i përket stilit të Temalit, duhet thanë se ai asht fragmentar por intelegjibël (këtu të dyja gjanat janë të lidhuna). Ai rrok atë çka asht esenciale te narracioni, dhe pikërisht prej zotnimit të kësaj magjie, nuk asht i primun me grumbullue rrethana mbi rrethana dhe ma ba roman.
A janë edhe filozofike këto tregime? Patjetër që po. Temali asht shum i dhanun mbas mendimit afabulant, dhe në këtë i ngjason tërthuer prozatorit Ridvan Dibra. Origjinaliteti i tij asht te guximi i tij stilistik, sinqeriteti i tij pa kompromis, dhe energjia narrative e krijimeve të tij.
Temali gjithashtu asht pjesë e asaj vazhde që e çliron përfundimisht letersinë tonë nga nacionalizmat dhe patetizmat, tue e ba atë konkuruese në nivele filozofike dhe estetike. Kësaj primje’ i bashkangjitet edhe futja e humorit të zi në letërsinë shqipe, zhanër që po lulëzon në mënyrë të papërmbajtshme në mbarë Lindjen Europiane.
Europianolindori i sotëm ndihet kurdoherë i gjykuem nga Perëndimi, por edhe i thirrun në kauzë për tana çashtjet e rinivelimit kulturor gjithëeuropian. Në këtë moment, shqiptarët, nji popullsi e lashtë e njiherit me moshën ma të re n’Europë, vazhdojnë të receptohen si sllavë të bastardhuem në rastin ma të mirë, dhe thjesht si barbarë “pa vorre” në rastin ma banal. Sidoqoftë, ata janë ende t’izoluem nga sfera e qytetnimit, dhe mbahen si popull pa klasë intelektuale. Të gjendun në nji paradoks këlthitës, psikologjia e tyne asht e minueme.
Pikërisht e minueme asht edhe psikiologjia e personazheve temalianë, njerz në zgrip për të cilët nji grip i thjeshtë mund të shndërrohet në problem egzistencial.
Nji rini e dënueme me mungesën e iluzionit, ose luksit të çdo rinie. Por e dënueme edhe me diktatin e mitit. Nji rini për të cilën monotonia bahet teologjia, kurse banaliteti lëkurë shagreni. Në këtë klimë, asht e natyrshme që nji shkrimtari t’i vijnë ndoresh absurdi, në nji kohë kur njifarë rinie “europiane” harbon në pornokraci. Patafizika bahet burim sherri egzistencial të përhershëm, llaçi i rrugëve bahet institucioni kafkjan që mban të bashkangjituna tana fatet personale dhe përvojat jetësore.
Tue lexue Temalin kuptojmë se nuk ka gja ma patetike dhe skandaloze, se njeriu i lanun në mëshirë të vetes, pa Zot, pa Sot, pa Dashni.
Kemi nji vend që i ka mbet në fyt banorëve të tij: «Nata këtu e ka emrin Shqipëri» (Nga Edra në Eden). Ata që duhet t’a bashin të banueshëm përtojnë, kurse ata që duhet ta bashin të jetueshëm nuk egzistojnë. Atëherë ky mos-vend, mbetet veçse i mendueshëm; i mendueshëm dhe i utopizueshëm. Në këtë patafizikë çmerritëse, letërsia mund të mbetet magmë e derdhun në forma të rastit, tardhëti premisash dhe lojë mendësh.
Por asht disiplina e shahut dhe e ligjit, që e ndihmon shkrimtarin të bajë planimetrinë e këtij ferri, ti ngjesë e t’i zbresë shkallat e tij pa humbë drejtpeshimin, pa pesimizëm, pa patetizëm. Asht kjo logjikë e ftohtë ajo që e mundëson derdhjen e materies magmatike në kallëpet pothuejse të përsosuna të formës letrare. Me anë të kësaj teknike të arsyes, ai bart porsi nji Atlant peshën e (padurueshme) të botës, pikërisht tue ia njohtë asaj pikat nevralgjike.
Erion Temali nuk merr pozë në asnji moment, siç bajnë shumica e shkrimtarëve shqiptarë. Shumica e këtyne shkirmtarëve janë aq shum të zanun tue ba si shqiptarë, sa harrojnë se duhet qenë shkrimtar në radhë të parë.
Temali nuk i përçmon personazhet e tij e as nuk i idealizon ata. Ai nuk thotë “kjo po i ndodh atyne”, apo “ky mundem me qenë unë”. Për ndërgjegjen mundësia asht realitet. Temalin e vret ndërgjegja edhe për çashtje që s’i tokojnë drejpërdrejt.
Nga ana tjetër Temali i përçmon ata pseudoartistë të rinj krejtësisht injorantë, që e mbajën veten tepër modernë, bashkë me ato tyfyçka që simbas nji shprehje’ të Kamysë “e kanë kthye poltronën e tyne në drejtim të historisë”. Temali ua ka falë atyne artin e neveritshëm të karaokes. Tue kallëzue nji realitet të neveritshëm, Temali asht përpjekje për nji nivel realiteti ma t’naltë.
Atij sikurse çdo diftojsi nuk i intereson historia si ide pozitiviste e kohës progresive, por historia si narracion. Koha njerëzore e narracionit asht ma e mirë (ma e jona), se koha çnjerëzore e historisë.


Intelektual i ri dhe guximtar, Temali ka fillue me shkrue prozë qysh në vitet e vështira të gjimnazit. Prej atëherë, shikimi i tij asht ba gjithmonë e ma i mprehtë, kritika e tij gjithmonë e ma e vërtetë. Sot ma në fund jemi të gëzuem që e paraqesim librin e tij të parë me tregime. E të mos harrojmë se diftojsi nuk i vjen shpesh nji letërsie.
E vetmja rezervë që do shfaqim për këtë përmbledhje asht prania e tepërt e përmasës autobiografike, por edhe kjo nuk jipet si e dhanë vetëjetike, por në konotacionin e saj narrativ e universal(izant). Rinia, asht padyshimi mosha kur iluzioni i Unit asht ma i fortë e ma fatal se kurrë.
Pavarësisht dimensionit të kudogjindun të ankthit, marramendjes së ndërgjegjes dhe tradhëtisë së historisë ndaj jetës, prapë, te këto tregime të shkrimtarit të ri, përhihet diku nji rreze drite, nji moral, nji etikë e të pamundunës: etika e zgjimit.
Tue na përshkrue në thelb këtë gjumë mbushë me andrra të këqija, Temali me nji dush të ftohtë na bërtet: zgjohuni! Mes tana andrrave tona, asht jeta andrra ma e keqe, prandej “zgjohuni”, “mos e flini jetën”!
Tregimi i tij asht nji variacion kulturor e filozofik mbi jetën si fat dhe si mort.
Erion Temali arrin me tregue, çka sot në kohën kur gjithkush e var mirëqënien te pasja, don me thanë: me qenë nga ana e së drejtës.


Astrit CANI,
Milano, Dhetor 2007




Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
SuperGirl
Mon Mar 31 2008, 06:16pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Unë jam një libër…

Unë jam një libër i harruar në tavolinën e një kafeneje, ndoshta i braktisur.
Kafeneja është plot. Askush nuk denjon të vijë të më shfletojë. Ndoshta të gjithë që më kanë vënë re, presin që imzot të kthehet për të më marrë. Ndoshta ndokush mendon se imzot më ka lënë qëllimisht këtu, me shpresë që një tjetër (njeriu i duhur) të më marrë e të më lexojë. Ndoshta ata që më shohin as nuk e mendojnë një rresht për mua, mandej edhe kopertinën e kam të dalur boje e aspak ftuese. Ndoshta ndokujt që më ka parë i kam shkaktuar një habi filozofike: «Akoma paska njerëz që lexojnë?!» Ndoshta ndokujt i kam ngjallur thjeshtë neveri. Ndoshta këtu ndodhet edhe xhaxhai i njërit prej lexuesve të mi, që më pat marrë ndër duar pa ma lexuar një gërmë e i pat thënë djaloshit: «Librat nuk t’ japin as pare as punë, hala s’ e more vesh se librat t’ bajn’ dam?!»
Ndoshta dikujt tjetër i kam kujtuar shprehjen që e ka mësuar qysh i vogël: «Librat t’ bajnë të marrë!»
Por ndoshta ndonjeri prej atyre që më ka vënë re, ka me t’ vërtetë kureshtje të më shfletojë, të pakten të lexojë emrin e autorit e me ndonjë mrekulli të vogël, të lexojë edhe faqen time të parë. Por ndoshta ky kureshtarë ka frikë të vijë drejt meje, pasi mendon se imzot po më ruan në distancë prej të huajve.
Pra hamendësitë janë të ndryshme. Por ndërkohë, unë jam vetëm, megjithatë, për momentin po ndjehem më mirë se i byllur në raftin e librave; jam mërzitur nji çikë duke ndenjë pjesën më të madhe të kohës me librat e tjerë. Këtu që paska shumë vajza e djem, koha kaloka hareshëm. Tymi i duhanit po më kujton lexuesin tim të fundit. Ai pinte duhan sa të gjithë këta bashkë. Fletët e mia janë zverdhë me atë rast. A thua me t’ vërtetë unë jam kaq depresiv sa u shkaktoj mërzi lexuesve të mi?! A thua tashmë unë i mërzis njerëzit veç me praninë time? Fundja, ata vetë më kanë shpikur, megjithëse ka teori që thonë edhe të kundërten.
Kur kujtohem se një bjonde sy bojëqielli ka recituar disa fragmente tek më lexonte, ndërkohë që gëzonte, detyrohem të besoj se nuk qënkam vetëm mërzitës njerëzish, përkundrazi.
Ja, tashmë lokali po zbrazet avash e shpejt. Më kot shpresoj që ndonjëri të zgjasë dorën për të më marrë me vete në botën e tij.
Kafenesë nuk iu desht as një gjysëm ore që të boshatisej gati komplet. Mbeti vetëm një tavolinë me rinusha: tre vajza dhe nji fatlum. Biseduesit flasin lehtë, por zbrazëtia e lokalit amplifikon fjalët e tyre. Banakieri lan e shpërlan filxhanat që i ka larë edhe tri herë tjera rresht, shikimin e ka të tretur diku përtej mendimeve të palexueshme. Kamarieri rregullon karrikat pranë tavolinës që sapo ka pastruar; afrohet tek unë. Më kap, fshinë tavolinën dhe më lë përsëri aty. Ky është kulmi i durimit. Nuk kuptoj pse nuk më mori me vete. Ndoshta më ngatërroi me tavllon; as nuk më ka vënë re fare.
Ja dhe klientët e fundit tek çohen. Janë shpresa ime e fundit. Djali seç bëri një batutë tek vishte xhaketën. Vajzat qeshin të trija, sikur janë në garë me njëra-tjetrën dhe qeshja zgjatet e zgjate e zgjatet. Kamarieri me banakierin, të cilët tashmë po zgjidhin një fjalëkryq tek tavolina pranë banakut, megjithëse kanë dëgjuar shakanë e djalit, nuk reagojnë; ata sikur nuk janë fare aty. Por kur vjen koha e pagesës, kamarieri fluturon drejt djalit; djaloshi paguan, kamarieri falendëron me përulje, duket se mori një bakshish të mirë.
Njëra prej vajzave, më e bukura më duket, po afrohet drejt meje. «Eja, eja, eja!» telepatia ime po funksionon. Më vështron. Ka sy të mëdhenj, flokë të derdhura ngjyrë kashtë, hundë majuce e gojë të vogël. Sa elegancë lexohet në kurmin e qëndrimin e saj! A thua vallë do kemë fatin të lexoj sytë e saj ndërkohë që ajo do më lexojë?! Më merr në duart e saja delikate. Më shfletonë, e ndalet tek kapitulli shtatë, që hapet me shprehjen: «Keqardhja që ndjej për duart tua, që prekin libra të pluhrosur prej mosleximit, më bën të dua të jemë ndonjëri prej librave.»
«Ua, qënka libri i filanit, ka qënë shkrimtar i madh francez!» ia pret befas gëzueshëm. Sa gëzon rinia edhe kur ia fut kot! Sa gëzon rinia edhe kur nuk është e gëzuar! Unë e di mirë që autori ka qënë zvicerran, por e di po aq mirë që sikurë autori ta kish parë e dëgjuar këtë vajzë, do e kishte ndërruar nënshtetësinë menjëherë. E pastaj ajo shton se heret a vonë do më lexojë. Dhe duart e saj më lëshojnë butësisht. mbi tavolinë. Siç duket ajo as e lexoi e as e këndoi shprehjen e kapitullit shtatë. Kjo është një tragjedi e vogël. Miqtë e saj, që kanë dalë prej lokalit, i bëjnë me shenja që të nxitojë se janë vonë, ajo nxiton duke bërë hapa fluturakë.
Çfarë do bëjë kamarieri me mua?! Kalon edhe nji orë, as nuk hynë as nuk del njeri nga lokali. Unë jam mbi tavolinë. U mpiva. Kamarieri me banakierin diskutojnë vetëm për fjalëkryqin. Iu ka mbetur edhe një emër pa gjetur. Mundohen boll, por e kanë të pamundur ta kujtojnë, është emër shkrimtari. Mjafton t’ i hedhin një sy kopertinës time dhe do gjejnë emrin që iu ka çoroditur kujtesën. Por unë jam larg, hamendja e tyre është edhe më larg meje. Më në fund dorëzohen.
«Ça t’ bajmë me njikte libër?» thotë banakieri.
«Cilin libër?!» pyet kamarieri pa interes.
«Ate te tavolina n’ mes.» përgjigjet banakieri po pa inetres.
«Un thash’ se asht tavlloja!» thotë kamarieri pak i buzëqeshur e mandej shton, «Po e lam’ te bufeja, ndoshta vjen e e merr i zoti.»

***


Tashmë unë kam disa javë i harruar në bufe, kështu, ti mos u mërzit miku im i ri…ty do vijnë të të marrin shpejt, sepse je «bestseller».

Nëntor. 2007.




Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
SuperGirl
Mon Mar 31 2008, 06:20pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Njëmijë

Po mërzitej shumë në atë diskotekë sepse edhe vajzat ishin me pakicë. Vendosi të shkonte në shtëpinë e një shoku ku kishte lënë biçikletën dhe të bridhte diku. Kur mbërriti atje, babai i shokut e pyeti «Përse nuk erdhi edhe Timi me ty?» dhe ai u përgjigj «Timi po bënte qejf, ndërsa unë kisha mbetur thatë.» Në atë çast i ati i Timit mendoi se bëhej fjalë për para dhe kështu mori një njëmijëlekësh, e palosi mirë e mirë dhe deshi t’ia jepte. Mirëpo ai i refuzoi dhe u shpjegua: «E kisha fjalën për vajzat zotëri, vajzat, ato ishin me pakicë.» «E mirë mirë, vajzat venë e vinë kurse paraja të siguron gjithçka edhe femrat po deshe!» tha babai i shokut i cili mori një hije solemne, ia hodhi paratë tek këmbët.
Atëherë djaloshi e shpalosi njëmijëlekëshin me delikatesë, e nuhati si majmun i uritur dhe filloi ta hante. Disa herë përsëriti «I mirë qenka, shumë i mirë.» Në fund fërkoi barkun dhe tha «Faleminderit, kisha me të vërtet nevojë.»

~`~


Spermatozoidët e harresës

Shuhen. Duan errësirë, aty mund të çajnë me dritën e tyre…ndoshta. Një fill shprese. Por jo, qenkan vetëm spermatozoidë harrese dhe harresa nuk kujton as emrin e vet.


~`~


Zhurma

Një natë kur po bëja një gjumë të thellë dhe me siguri me ëndrra të bukura, ndjeja se diçka po më bezdiste. Sillu e pështillu nëpër shtrat, nuk po arrija të gjeja se çfarë ishte ajo zhurmë acaruese që të tendoste nervat. Me një vullnet prej milingone arrita të zgjohesha nga ajo gjendje surreale në të cilën ndodhesha. Me sa dukej ishte maçoku im me emrin Suçi i cili po lëpinte pjatat e palara në lavaman. Ashtu i shastisur siç isha, e thirra: «Puçi – puçi, çushi – çushi!» Maçoku solli njërin vesh nga ana ime, zhurma pushoi. E thirra dhe njëherë: «Puçi – puç!» Maçoku u hodh menjëherë drejt meje, sytë i vezulluan. M’u afrua pranë gjithë kënaqësi duke gërrhitur me shpresën prej maçoku: «Se do fitonte ndonjë gjë për të ngrënë, ose edhe thjesht për ta përkëdhelur.» E unë t’ia futa dy shpulla sa më hëngri dora. Maçoku u struk për një çast, pastaj u strehua në qoshkun e divanit.
Në përpjekjen e fuqishme për të fjetur pa zhurmë, mbeta se mbeta zgjuar në qetësi. M’u dhimbs shumë maçoku i gjorë. Ai ka një shpirt të mirë… megjithëse thonë që ka nëntë!





Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
SuperGirl
Sun Apr 13 2008, 10:03pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Instikt

Remineshencë, ca fjalë «Ma che freddo fa!» dhe
fytyra fillon e rrudhet. Lotët kërkojnë rrugë të reja
nga të shpërthejnë. Lëkura e trupit të vyer plasaritet,
nga aty dalin gjarpërinj të pafajshëm. S’kalon shumë
kohë dhe fillojnë ta ledhatojnë trupin, sikur duan të
falenderojnë babë – nënën hermafrodit. Ai çuditet
prej këtyre krijesave enigmatike.
Pastaj fillon uria. Babës s’kanë çfarë t’i bëjnë,
veçse t’i tregojnë egërsinë e tyre. E kështu fillojnë të
hanë njëri – tjetrin. Në fund na mbetet vetëm një i
madh sa hermafroditi babë – nënë, që na dinka edhe
të flasë. E thotë:
«Tashti mund të të ha edhe ty babë!» E babai
vetëm diçka thotë nëpër dhëmbë: «Ma che freddo fa!»
20. 08. 2000



Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
SuperGirl
Sun Apr 13 2008, 10:04pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Debati

Një natë po grindeshim se e kujt është Hëna.
Dikush thoshte e Turqisë, dikush thoshte e të gjithëve,
dikush e imja. Në atë çast u dëgjua një zë: Unë jam vetëm
e vetes time. Të gjithë ngritëm kokat nga Hëna e cila
po shndriste si rrallë ndonjëherë. Pas pak momentesh
ra një meteorit i madh në Hënë që e shkatërroi fare.
(Dikush mund të thotë «Po të shkatërrohej Hëna me
doemos do të shkatërrohej edhe Toka.» Fundja ku i
dihet, se mos kemi parë ndonjëherë se çfarë ndodh pas
shkatërrimit të Hënës.)
Që nga ajo natë planeti Tokë mbeti pa dashnore.
Ja përse tani ai masturbon aq fort.



Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
SuperGirl
Sun Apr 13 2008, 10:33pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Letër Vetmisë

E dashura ime Vetmi!
Sonte po të shkruaj letrën time të parë, ndoshta edhe të fundit, ku i dihet, lojrat e së ardhmes kurrë s’i kam kuptuar! Ti gjithmonë ke qenë e urtë, çmendurisht e urtë si një filozofe e vjetër. Ti më zgjodhe mua ndoshta ngaqë t’u duka djalë simpatik dhe ëndërrimtar dhe unë të pranova ashtu në heshtje, ashtu siç të pëlqen ty. Kështu, unë u lidha pas teje si bebja pas gjirit. Ty të hapa gjoksin, t’i tregova, rrëfeva të gjithë sekretet, frikët, pasionet, emocionet, degjenerimet, dashuritë, fatet, flirtet; t’u rrëfeva edhe për atë që kam patur frikë t’ia rrëfej vetes, dhe ti më ngushëllove me heshtjen tënde.
Thonë që një dashuri të zgjasë duhet që çdo ditë të ndizet një zjarr i ri në gjokset e të dashuruarve, në ne ka mbetur i ndezur gjithmonë i njëjti zjarr, zjarr që ushqehet vetëm me heshtje. Dashuri origjinale kjo e jona, ndoshta «moderne», ku ta di unë, se mos jam
«arkitekt urash». Arkitekt urash ka qenë im atë, ai po, ai ishte më i kërkuari në vend. Nuk e di pse e kishte këtë maninë e urave. Edhe rrudhat në ballë më dukeshin në
formë urash. Së koti nuk thonë se dikujt fati i lexohet në ballë.
Kur kaloi në moshë të thyer edhe kurrizi i mori formën e urës me hark ose «ura deve» siç quhej edhe ura më e famshme e tim eti.
…Edhe dashnorja e atij ke qenë. E mbaj mend mirë kur ulej në cep të dhomës në karriken prej kashte, ndizte cigaren dhe fiksonte muret në heshtje derisa cigarja i fikej në buzë, pastaj ndizte tjetrën. Ai ishte i ftohtë akull, sikur nuk kishte gjak fare, kështu
si unë. Gjithmonë i kundroja ato mure. Aty shikoja gjithmonë të njëjtin imazh: Fytyrën e babait tim që më shikonte. Si duket edhe unë isha «mur». Dreq o punë,
muret gjithmonë më kanë ngjallur neveri, ndoshta më shumë se dashuria jonë; janë kaq të ftohtë, kaq të pandryshueshëm, kaq të shurdhër, kaq të pakalueshëm,
kaq kokëfortë, kaq… Edhe unë ka kohë që ndërtoj mure, biles gjithnjë të njëjtin mur. Murin e vetmisë. E ndërtoj enkas për ty, për të vërtetuar dashurinë që kam
për ty.
Mbaj mend përvjetorin e parë të dashurisë tonë që e festuam me qirinj të fikur, të solla si «souvenir» një tullë nga muri që kisha filluar të ndërtoja. Ti u çudite duke
heshtur zhurmshëm. Pastaj unë ndeza një qiri dhe para nesh u ndriçua një objekt që mbulohej nga një çarçaf bojëzi. Ta mora dorën dhe e zbuluam bashkë. Ishte një
metër mur i çimentosur mirë. Ti u mrekullove. Unë të pohova se muri ishte vërtetësia e dashurisë tone, e çdo vit do ta ndërtoja gjithnjë e më të madh e të fuqishëm. Atëherë ti më shikove në sy gjithë pasion gri e më puthe në heshtje. Pasionante.
Duhet ta shikosh tani se sa është bërë, vigan, hijerëndë që s’ka rreze drite që ta përshkojë, apo alpinist që ta shkallmojë. Ai është muri i vëtmisë, morgu im.
Dashuria ime nuk ka kuptim pa murin tim: «Murin Kinez».



~ ~ ~


Ps. shume e bukur kjo...me lejoni te hapi nje teme 'Leter vetmise' - me pelqen



Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
:::ShkoderZemer
Mon Aug 25 2008, 03:53am


Registered Member #1
Joined: Mon May 22 2006, 08:16pm

Posts: 1803
tE LUMSHIN DUART supper, shume bukur, Te fala nga ke Erioni

http://www.shkodraonline.com/galeria
Back to top
SuperGirl
Mon Aug 25 2008, 11:43am
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Flm do ve edhe te tjera. Librin e kam lexu komplet...asht shume i bukur!



Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
whatishappiness
Thu Aug 28 2008, 04:15am

Registered Member #1947
Joined: Tue Jun 03 2008, 06:44pm

Posts: 339
Edhe ai filozofi shkroi e shkroi shume tregime.
Ai propozoi dhe ai u refuzua. E nese nje liber te ofron endrra...ce do. I vetmi liber qe mund ta 'falesh' eshte ai qe po te ofron ca njohuri mbi realitetin. E nese ai apo ky realitet ishte vetem nje enderr, mos e deno librin apo autorin. Po nese nje liber te shpreh trillimet apo endrrat e tija apo te saja mbreme...??

Une spajtohem me ate qe imagjinata ska kufi.
Realiteti e ka limitin me larg se cmund ta kete imagjinata.

happiness

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2041 sec, 0.0632 of that for queries. DB queries: 44. Memory Usage: 2,764kB