Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Dom Lazer Shantoja
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
OLIVE OYL
Fri Mar 17 2017, 08:39am
Qukulina


Registered Member #4115
Joined: Mon Aug 23 2010, 01:29pm

Posts: 17082
E kisha postu ikyt para tre vitesh në fb. S'po mund të rri pa e pru ktu

À la franka - Lazer Shantoja

Franka (à la) «À la franka» thohet në kundershtim me «à la turka». Me shkue «à la turka» don me thanë: me shkue ne e moçme; prandej me shkue «à la franka» kishte me shenjue me shkue ne e soçme. Në praktikë jeta e njerit âsht nji mishmash à la franka e à la turka: gjinden të perzìme në tê: nova et vetera! Jo gjithshka âsht à la turka mûnd thirret e keqe; sikuer nuk mûnd thirret e mirë e e bukur nji send vetem psè âsht à la franka….
Po bìm mâ mirë disà tregime:
Kafja à la turka âsht kafja par excellence: kafe safì, shkumbore etj… . Kafja à la franka âsht vetem nji surrogat kafjet; spirilang i zì e i xèt!
Sahati à la turka shênjon 12 gjithmonë n’aksham; sahati à la franka shênjon 12 gjithmonë në mjesditë.
Vesha à la turka âsht b.f. kjo: fes i kuq, xhamadan, sharvallë, fistan, caruqe o këpucë zaganjorësh; vesha à la franka âsht: kapelë (o pà tê krejt), kolet, kravatë, gjaketë, pantallona me vì para e mrapa, çarapë të mëndafshtë, kundra gjysa me majuc….
Grueja à la turka âsht teper e mbëlueme; grueja à la franka âsht teper e zblueme.
Vajza à la turka âsht vajzë; vajza à la franka âsht zonjushë asè sinjorinë…
etj. etj. etj…
Po Shqypënìn, kà me pvetë kush, si e kena? À la franka o à la turka?…
Shqypënìn?….
Shqypënìn e kena, kà dashtë Zoti, à la franka me tanuz!





***

I once had a thousand desires,
But in my one desire to know you
all else melted away.


trokit ketu

Back to top
OLIVE OYL
Fri Mar 17 2017, 08:44am
Qukulina


Registered Member #4115
Joined: Mon Aug 23 2010, 01:29pm

Posts: 17082
Si tan priftat e qytetare intelektual e inteligjenta të asaj kohe as ky nuk i paska shpëtu regjimit. Ma poshtë nji artikull nga Pjeter Pepa

Publikue ne albanovaonline.com me 5.3.2008


5 Mars 1945, pushkatohet ne Tirane Dom Lazër Shantoja.

Lazër Shantoja (1891-1945)


Eshte martiri i pare i rradhes ne Shqiperine e “çliruar “ .
Ka lindur në Shkoder, në një familje me tradite e të shquar për patriotizëm, për intelektualizëm dhe për kontribut të vlefshëm në fushën e albanologjisë, duke filluar nga vitit 1760.
Ka qenë një klerik i devotshëm, një politikan demokrat i shquar, një orator i shkëlqyer, një stilist i rrallë i letërsisë sonë, një personalitet poliedrik
I biri i Kel dhe i Luçe Blinishtit, Lazer Shantoja ka lindur në Shkodër me 7 korrik 1891. (Në shumë botime përmendet si datë lindjet 2 shtatori 1892).
Mësimet e para dhe të mesme i mori në Seminarin Papnor Shqiptar për kurset filozofike e teologjike si dhe u dallua ne pervetesimin e latinishtes, greqishtes e italishtes; ishte gjithashtu shqiptari i parë që njihte me kompetencë gjuhën esperanto në Shqipëri.
Prof. Ernest Koliqi, Eterit Jezuit shqiptarë, Mjedja, Xanoni, etj., ishin mësuesit e tij të ndritshëm, qe iu benë shembull jete e letërsije. Le te ndjekim jeten e tij nder vite:
1914- Vizitoi Vjenën për herë të parë. Studimet e lartat i kryen në Innsbruck -Austri ku pervehtëson perkryer gjuhën gjermane.
1915- Lazër Shantoja shugurohet meshtar. Pas shugurimit meshtar, emrohet Sekretar i Imz. Lazer Mjedes në Argjipeshkvinë e Shkodrës dhe me pas famullitar në Sheldi. Fletoret e veta janë plot me krijime poetike në shqip, italisht, gjermanisht, esperanto. Fillon përkthimet dhe botimet e para shfaqen te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj.
1917-1922- eshte Famullitar në Pulaj, Beltojë,Velipojë, Rrjoll, Sheldî.
Boton “Për natë kazanash”, përmbledhje me lojra, kashë e lasha e proverba.
Qershor 1919- Arrestohet dhe mbahet në burg prej italianëve në Beltojë, Shkodër.
1922-1924- Punon si Sekretar i Argjipeshkvit të Shkodrës Emz. Lazër Mjedjes.
17.11.1923- Në Vjenë, takohet me Kancelarin e Austrisë Dr. Joseph Seipel.
1923-1924- Pater Anton Harapi nxjerrë në Shkodër gazetën Ora e Maleve. Dom Lazri eshte bashkëpuntor i parë i tij bashkë me Luigj Gurakuqin. Pater Antoni, me vonë do të shkruente: «Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit.»
27.12.1923- Në Shqiperi zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Në Shkodër fiton Opozita.
20.02.1924- Del prej shtypit “Shjor Puci”, përkthim.
Maj 1924- Jep dorëheqjen prej redaksisë së Orës së Maleve.
Janar 1925- Arrestohet e burgoset si frymëzues e organizator i Revolucionit të Qershorit 1924. Mbas disa muejve burg, falet nga qeverija e Ahmet Zogut dhe largohet për në Jugosllavi.
2.10.1925- Prej Beogradit, me zemër të piklluar, kujton me nji artikull prekës te ”Liria Kombëtare“ vrasjen e Gurakuqit.
1.09.1926- Në Cetinjë merr pjesë e mban ligjëratën në vorrimin e Kapiten Mark Rakës, vdekë në rrethana misterioze në nji aksident rrugor.
1928- Kalon prej Jugosllavijet në Austri, në Vjenë. Këtu fillon me botue gazetën “Ora e Shqipnisë”.
Eshte nacionalist e demokrat, orator, poet e muzikant, i quajtur “famullitari i pianofortit”. Por eshte edhe stilist i rralle dhe ne tingellimat e tij, “Duhia“, “Lamtumire mergimit“, “Keshtjelli e Bariu” duken ndiesite delikate te vuajtjes jasht atdheut.
Eshte edhe poliglot, njohes i mire i gjermanishtes nga studimet e kryera ne Innsbruck, por edhe i frengjishtes elegante qe me pretket e tija do te habiste besimtaret e Zvicres ndersa sherbente si famullitar per afro 15 vjete.
Oratoria e tij spikaste ne pretke, ne konferenca e fjalime ku veçohet fjalimi i tij i zjarrte prane varrit te Avni Rrustemit, ne ceremonine varrimit te tij “Një lot e një lule mbi vorrin e Avni Rrustemit“ e shumë të tjera fjalime festive si për Fishtën etj.
Eshte edhe satirik, thumbues e polemist i shkathte dhe dallohet me botimet e tij ne revisten “Ora e Maleve“ ku se bashku me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin e Anton Harapin perbejne “katershen demokratike” te kohes.
Boton ne revistat “Hylli i Drites“, “Leka“, “Cirka“, “Kumbona e se dieles“, “Zani i Shna Ndout“, “Iliria“.
Ne vitin 1919 boton vëllimin “Për natë kazanesh“, vëllim humoristik plot anekdota, proverba etj. ndersa në “Zani i Shna Ndout“, 1920, një cikël tingëllimesh kushtuar Imzot Gjergj Kolecit, i njohur në fushën e atdhetarizmit shqiptar.
Njihet poemthi dramatik “Kuvendi dëshmorëve“ botuar nga Z. Omar Mali, etj.albanovaonline.com
Ka përkthyer në vitin 1936 nga gjermanishtja “Hermandi e Dorotea“ e Gëtes si dhe fragmente nga “Fausti”.
Nuk dihet për fatin e përkthimit të veprës “Wilhelm Tel“, por dihet përkthimi i melodramës “Shjor Puci“ vënë në skenë nga Shoqëria “Bogdani”.
Mbeten me vlere te posacme perkthimet e Getes, te Heines, Shilerit.
“Kumbona“ e Shilerit eshte pa dyshim kryevepra e autorit por edhe e perkthyesit D. Lazer Shantoja.
Prozat “Femije shqiptare ne lulishtet e huaja“, “Une ne Arkadje“, “Kodra mbas bregut“ e bejne artist modern ne letersine shqiptare.
Pseudonimet e D. Lazër Shantojës jane: Athanas Ziler, Omega, Liljan, D.Lz, Sh.Lz. Sh, D. L. Sh,Y. (Në “Shkolla e re”-1921 dhe “Leka”-1932).
Ne vitin 1924 merr pjesë në Levizjen kunder monarkise dhe drejton Gazeten "Ora e Maleve", duke mbajtur krahin e opozitës. Pas dështimit të kësaj Levizjeje i kercenohet jeta dhe si L. Gurakuqi, H. Prishtina e shume patriote te tjere largohet duke jetuar shume vite në mërgim, disa vite në Jugosllavi, më pas në Vjenë dhe më në fund sistemohet si kapelan në Zvicër ku shërben për 15 vjet.
Nga Vatikani Shantoja emërohet famullitar në fshatin zvicerian La Motte, ku shërben për 15 vitet e jetës së tij. Ndërkohë, nuk e ndërpret veprimtarinë politike të tij. Në Vienë nxjerr gazetën e tij “Ora e Shqipnisë” ku ekspozohen me forcë prirjet e qëndrimet e tij opozitare.
Fillimisht eshte famullitar në Bienne, ku predikon gjermanisht e me pas në La Motte, ku mbrenda nji kohe të shkurtë fiton famen si nje predikues i perkryre ne frëngjisht.
Me largimin e Zogut nga Shqipëria, Dom Shantoja kthehet në atdhe. Ne gusht 1939 kthehet mbas 15 vjetsh mërgim bashkë me të jemen në Shqiperi. Në vendlindje i behet nji pritje tepër e ngrohtë dhe D. Lazer Shantoja çon meshë në Kishën Katedrale e mban nji omeli të paharrueshme ku shkodranëve u thotë: «Më keni mbytë me gosti.»
28. 09. 1939- mban fjalimin me rasën e dorëzimit të Flamurit të Ri. Vendoset bashkë me të jemen në Tiranë. Ka shumë shpresa te epoka e re në të cilen ka hyre populli shqiptar.
Mars 1940- viziton Egjyptin ku takohet me shqiptarët e atjeshëm prej të cilëve largohet me përshtypjet me të mira.
Dhetor 1941- mbështet plotësisht qeverinë qe krijon miku i vet i vjetër e shoku i mërgimit, Mustafa Kruja. Bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Korçën etj. themelojnë në Tiranë “Institutin e Studimeve Shqiptare”, të parin në historinë e kombit tonë.
Është anetar i ketij Instituti. President i këtij Instituti është Ministri i Arsimit Ernest Koliqi, që do te mbahej me pas edhe si dekani i studimeve mbi të drejtën zakonore shqiptare.
Përballë tij, antarët e ketij Instituti jane ata qe pa frike mund te konsiderohen si baballarët e kulturës së kombit shqiptar te asaj përiudhe. Mes tyre ka fatin dhe nderin te jete edhe Dom Lazer Shantoja. Eshte ai qe do te kishte fatin te ishte i pari i pushkatuar nga diktatura komuniste qe do te instalohej pas dy vjetesh. Por mjerisht, pothuajse i tille do te ishte edhe fati i gjithe te tjereve. Ja konkretisht permbledhtas Ata dhe fati i tyre:
1.Vangjel Koça, mbytet në Adriatik gjatë udhëtimit për në Itali.
2.Aleksandër Xhuvani, i shpëtuar si vjehërr i Ramiz Alisë.
3.Anton Paluca, i përjashtuar nga profesioni i avokatit, vdes i përsekutuar në Shkodër.
4.At Anton Harapi, “armik i popullit“ pushkatohet mbas katër vjetësh.
5.Xhevat Korça, “armik i popullit” torturohet, vdes me grevë urije në burgun e Burrelit.
6.Mustafa Merlika Kruja ”armik i popullit”, vdes në mërgim ,Sh.B.A.
7.Ernest Koliqi, “armik i popullit“ , vdes në mërgim, Romë.
8.Dhimiter Berati, “armik i popullit”, vdes në mërgim, Sh.B.A.
9.At Giuseppe Valentini “armik i popullit“ nxirret jashtë nga Shqipërija.
10.Karl Gurakuqi, “armik i popullit“, vdes në mërgim , Itali.
11.Ekrem Vlora, “armik i popullit“, vdes në mërgim, Vjenë.
12.Nicola Lo Russo, këthen në atdheun e vet Itali.
Por le te vazhdojme edhe pak me kronologjine dhe datat:
Maj 1943- vritet në Tiranë prej njësiteve guerrile Ndok Gjeloshi, ish-pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit të 1924-it. Marrin pjesë në funeral Dom Lazër Shantoja, Dr. Xhevat Korca, Shuk Gurakuqi etj.
Shtator 1943- me kapitullimin e Italisë tërhiqet prej skenës politike. Vijon të merret me përkthime ndërsa vëzhgon me dhimbje të madhe luftën vllavrasëse qi ka fillue në Shqipni.
Le te ndalemi tashti me ne vecanti tek Dom Lazer Shanotja, tek Ai qe ne moshen 53 vjecare fillon ate kalvar qe perfundon ne plumbin e pushkatimit duke mbetur i pari meshtar i pushkatuar nga diktatura komuniste mbas vendosjes se te ashtuquajturit “pushtet popullor“.
Ideali dhe shpresa e tij per te shpetuar Shqiperine ishte vetem perendimi, dhe ne rastin konkret, Italia. Aq me teper kur kishte mire parasysh rrezikun e madh qe i kercenohej Shqiperise me fitoren e forcave komuniste te lidhuna pashmangshem me jugosllavet, ruset e per rrjedhoje edhe shkeputjen prej perendimit. Ne kete drejtim ka dhene maksimalisht kontributin e tij ndaj, kur fatet e Shqiperise tashme jane vendosur e kane fituar pikerisht ata qe do te shkaterronin Shqiperine, miqte e keshillojne te largohet perkohesisht malesh deri sa te jete ngjallur ndonje shprese per me mire ne te ardhmen.
30 janar 1945- Arrestohet në Sheldî, ku ishte strehuar prej 2 muajsh dhe sillet në Shkodër. Fillojnë torturat. Dërgohet në burgun e Tiranës.
5 mars 1945- Dom Lazri pushkatohet bashkë me patriotin Sulçe Beg Bushatin në rrethinat e Tiranës. Mbasi qe e kanë ekzekutuar, thërrasin për t’ i kryer shartet e dekës Át Viktor Volajn i cili rezulton njeriu i fundit qe ka pare kufomën e martirit.





Le t’i hedhim nje sy Dosjes perkatese e te shohim pse u arrestua, pse u torturua dhe pse u vra:
Dosja 174. Arrestimi dhe hetimi.
Flet-arresti i pritet me daten 30 janar 1945, megjithese ka tashme tre dite qe ka filluar hetimi i tij me akuzen si kriminel lufte dhe veprimtari kunder pushtetit popullor. Sic shihet nuk ka as dy muaj qe eshte marre ne dore pushteti prej komunisteve.albanovaonline.com
Lexojme proces – verbalin:
Proces verbal hetuesie
…i të quajturit Dom Lazer Shantoja…akuzuar si sabotator i Frontit Nac.Çl dhe tradhëtar i Popullit. Nga proces verbali i mbajtur me dt. 28 e 29 të këtij moji me hetues prokurorin…u mor ne pyetje…i pandehuri D. Lazer Shantoja…i cili deponon sa me poshte vijon:
-Kur Mustafa Kruja u emrue kryeminister unë kam shkue ne Berat si president i Institutit “Dante Alighieri” dhe si konsulent i Kulturës Popullore dhe aty kam mbajtë nji fjalim tue tregue veprat patriotike të Mustafa Krujës dhe të shtatë mërgimeve të tija.
-Kam shkue në Strugë, Shën Naum e Dibër dhe kam mbajtë konferenca përmbi turizmin e bukuritë e Shqipnisë, i ngarkuem nga ministri i atëhershëm, Dhimiter Berati.
-Kur asht arratisë Mustafa Kruja jam arratisë edhe unë. Unë shkova ma parë në Jugosllavi e prej andej në Zvicër, ndërsa ay kaloi për në Itali dhe ma vonë jemi takue në Gjenevë.
-Unë jam arratisur nga Shkodra me dt. 26-27 nanduer 1944 mbasi më thojshin shokët, si Beqir Valteri, se do të të vrasin partizanët.
-Unë, kur isha në Tiranë kam thirrë si mysafir 3-4 oficera gjerman, por çeshtje politike me ta nuk kam biseduar. Përveç nesh kanë kenë edhe Mons. Bumçi, Beqir Valteri, Skender Muço dhe djali i Xhafer Vilës me të shoqen.
-Ne periudhen qe jam arratise kam qëndruar në shtëpinë e Kol Sheldisë gjatë 27 ditëve, dhe me anën e tij dhe me kerkimin t’em Dedë Jakova, të cilit i kam kallxue se unë isha i arratisun, më ka çue nji palë kundra, nji shishe konjak, peshk të thatë, njala dhe tre kuti marmelate.
-Unë me Kolë Ashikun jam takue dy-tre herë me raste, se ky i fundit dilte ndër katunde dhe bante propagande kundër Frontit Nac. Çl. Shprehej në popull se ka me vete 2000 vetë; njikohësisht ka lajmëruar edhe Hasan Isufin mbi forcat që ai kishte
26.1.1945.
Firma
Bie ne sy nje firme (o Zot çfarë zhgarravine nga torturat) e nje te mbeturi sapo gjalle, nga torturat ne vend te nje firme prej intelektuali sic ishte tashme “i pandehuri”.
Proces-verbali i dyte:
Sot me dt. 29 merret në pyetje D. Lazer Shantoja…që thotë:
-Letrat që më tregohen e qe janë nji pjesë shqip e nji pjesë gjermanisht janë shënime ditore që mbaja unë mbi lëvizjet e mija.
-Kur kemi kenë të mbledhun unë, Dom Ndreu, Jak Zefi dhe Lush Hila më ka ardhë lajmi se do t’bahesh nji Lëvizje e shpejtë nga Malësia për të sulmue Shkodren. Këte lajm ma tha Dom Ndreu dhe e kishte marrë nga Kolë Ashiku, mbasi ky vinte shpesh poshtë e lart neper katunde.
-Me personat që shënohen në letra private nuk kam pasë ndonji lidhje por vijshin e më shifshin dhe më binin sende ushqimore me ngranë.
-Kam shkue në Shkrel, ku kam qëndrue nji natë në shtëpinë e priftit Dom Nikoll Gazulli. N’ato anë ishin edhe Mark Gjon Markaj e Llesh Marashi por unë nuk jam takue me ta. Mandej kam ikë e kam shkue në Dedaj dhe, atje kam qëndrue 22 ditë te Mark Tom Prela.
-Unë me Dan Hasanin nga Shkodra nuk jam takue ndonjiherë por me rastin që Shefqet Celkupa erdhi në Shkodër, ka shkue te Cuf Lohja dhe i asht dorëzue atij, ata të dy janë takue me Dan Hasanin që të ndermjetësonte per faljen teme.
-Riza Danin e Dan Hasanin i kam pasë miq me kohë.
Gjithsa thashë më sipër, i pranoj…e i firmos… D. L. Shantoja - 29 janar 1945.
Dhe tashti kerkohen dhe gjenden edhe deshmitaret qe akuzojne:
Raport- kundra Dom Lazer Shantojës:
Sot me dt. 9.2.1945 u prezantue para Komisionit për zbulimin e “Krimeve të Luftës“ J.A., 24 vjeç, nga Shkodra i cili mbas betimit tha: “…Di se e kanë dërgue në Egjypt per të propagandue te shqiptarët atje mbi fashizmin…Në kohen e Luftës Italo Greke…në tribunen e oratorëve në Shkodër, hypi Lazer Shantoja i cili me fjalë bombastike egzaltoi daten historike në të cilën Shqipëria merrte pjesë në nji front me atë të ushtrisë Imperiale. Me ate rast nxiste popullin që të merrte pjesë në luften kunder Greqisë...Më kujtohet nji tjeter fjalim në Katedralen e Shkodrës me rastin e përshpirtjes se nji kushuriri të Gjon Marka Gjonit, i cili ishte vra në frontin e Greqisë dhe merrte me këte rast medaljen, “D’oro alla memoria“, ku ai egzaltoi luften që po benin këmishat e zeza, indirekt nxiti antagonizmin fetar.
Deklaruesi dhe Komisioni hetimor kanë të njejten dhe të vetmen firmë të J.A. Pra rezulton se ai vete qe ishte kryetar i ketij komisioni hetimor te kryej edhe detyren e vete deshmitarit (me vone do te perfundonte edhe ky vete ne burgjet komuniste).
Si dokumenta plotesuese Dosja ka:
Fjalimi i tij “Shqipërija në kuadrin e Perandorisë Romake”, mbajtur me 28.9.1939, shtypur ne nje broshure e cila eshte fotografuar plotësisht. Eshte fotografuar gjithashtu edhe vendi ku është mbajtë ky fjalim dhe te tjera detaje te kesaj natyre.
Gjykimi:
Bëhet me një Akt Akuzë nga Prokuroria e Shkodres më 28 janar 1945 ku akuzohet se:
-Si bashkëpuntor i ngushtë i Mustafa Krujës ka mbajtur fjalim e ka thene…
-Si bashkëpuntor i ngushtë i Gjon Marka Gjonit…
-Si fashist i flaktë e ka shpallur publikisht se Shqipnija asht koloni italiane, mbasi Italia nuk del ma nga Shqipnia…
Faje këto që provohen në proçesverbalet e mbajtura me datat 28 e 29 të këtij moji
Me pohimet e tija dredharake ai i shmanget cdo faji e pergjegjesie…
Mbi bazen e Proces-verbalit të Prokurorisë Ushtarake të Korpusit III Shkodër, me akt akuzen e saj nr.11 dt.26 janar 1945,
Trupi gjykues me Kryetar N/kolonel Esat Ndreun dhe Anetare, Mustafa Iljazi e Partizan Hysni Lamen…merr në pyetje të pandehurin Dom Lazer Shantoja i cili tha se:
Jam arratisë nga Shkodra me 26-27 nanduer 1944 mbasi me thonin shokët se do të vrasin partizanët…
Kam punue në kohen e fashizmit me konferenca tue mprojtë cilësitë e Mustafa Krujës se ashtu më ishte mbushë mendja mue.albanovaonline.com
Mundësisht të më këndohen ata qe kam thanë me daten 28.I.1945 se gjana tjera nuk mbaj mend…
Denimi:
Ju kënduen ata të datës 28 dhe 29 dhe i pranoi thenjet e më siperme…
Prokurori mbasi bën analizen e fakteve, ngjarjeve dhe deshmive kërkon dënimin me vdekje. I pandehuri kërkoi lehtesimin e dënimit. Gjykata në bazë të Nenit 1 të Ligjit 21 dt. 19.12.1944 vendosi dënimin e tij : Me Vdekje.
Ky vendim i referohet Gjyqit të Naltë Ushtarak për shqyrtim i cili e percjell me nje: Komunikate e Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë,
me 2 fruer1945 verteton se:
Dom Lazër Shantoja, i biri i Kelit dhe i Luçisë, 52 vjeç, lindur në Shkodër, prift katolik…i dënuar nga Gjykata Ushtarake e Krahinës së Shkodrës të Korpusit III me nr. 1, dt. 30.1.1945 me Vdekje si armik i popullit:
Në Fakt:
Dom Lazër Shantoja,
-Para datës 7 prill ka bashkëpunuar me tradhëtarin Mustafa Kruja për përmbysjen e rregjimit të Zogut dhe ka krijue lidhjet midis grupit të Mustafa Krujës dhe Grupit Bashkimi Kombëtar, i lindur në vitin 1938, si dhe për vëndosjen e rregjimit fashist në Shqipëri dhe sjelljen në Fron të një Princi nga Familja e Savojës si Mbret i Shqipërisë.
-Ka marrë subvencione nga fashizmi italian si i emigruar politik.
-Ka nxitë futjen e popullit shqiptar në luftë kundër fqinjëve të tij Greqi, Jugosllavi.
-Ka egzaltue jetën dhe veprat e Mustafa Krujës dhe si President i Institutit “Dante Alighieri” ka propagandue per fashizmin tue përça popullin shqiptarë.
-Mbas kapitullimit të Italisë është bërë një nga organizatorët e grupit fashist “Parti Indipendente“, i lidhur me tradhëtarin Kol Bib Mirakaj, Gjon Marka Gjoni etj.
-Ka pasë lidhje me tradhëtarin Kol Ashiku.
-Ka bashkëpunue me okupatorin nazist, është takuar me gjeneralin Filstum ku ka kenë prezent Mustafa Kruja e Mark Gjon Marku.
-Mbas agresionit fashist më 7 prill 1939 është këthyer në Shqipëri dhe ka bashkëpunue me armikun në sferat ma të lartat të rregjimit fashist.
-Më 1940 është ngarkuar nga Luogotenenca për të shkuar në Egjipt ku ka mbajtur Konferenca në koloninë shqiptare atje, ka ba propagandë pro fashizmit.
-Me radio e shtyp, agjitator e publicist, ka mbajtur shumë konferenca e fjalime.
-Fjalimi i tij me rastin e dorëzimit të flamurit shqiptar në Romë me dt. 28 shtator 1939 që është botuar edhe në broshurë të veçantë, në faqen 4 thotë: “Sot e mbrapa Shqipnia do të bëhet e do të mbetet për jetë Shqipni Romake, Shqipni fashiste. Dy kunora fatmadhe janë në stoli të kreut august të një Mbreti të vetëm dhe të pandarë. Populli shqiptar nuk ka muejtë kurrë me i tregue botës virtytet e tija të rracës së vjetër, veçse në gji të nji perandorije, në Romën e Çezarëve, në Romën e Papëve dhe sot e mbrapa, këte vlerë rraca jonë shqiptare asht shenjue t’ja tregojë botës nën Romën e Benito Musolinit“.
Vazhdojnë komentet për fq. 7 e në vazhdim
-Me trakte në muret e Tiranës, gjatë Luftës Italo-Greke është shpallur fjalimi i tij me titull: “Luften e fitojmë na“, ku ngrihet në qiell heroizmi i ushtrisë italiane dhe i aksit Romë-Berlin-Tokio që do të dilte fitues ndaj atij Anglez, Sovjetik dhe Amerikan.
Prandaj Gjykata e Lartë
VENDOSI:
Aprovimin e Vendimit të Gjykatës Ushtarake Shkodër të datës 30 janar 1945
Dënim
Me VDEKJE dhe konfiskim pasurije.[/b]
Perfundimi: Pushkatohet në Tiranë më 05.03.1945 në moshën 54 vjeçare.
Nuk ka Proces verbal të fjalës së fundit!

Ja pra perfundimi tragjik qe ai pati ne vendin e tij, per te cilin kaloi nje pjese jete te dhimbshme ne mergim dhe endrroi gjithnje te ishte prane tij. Kaq shume e deshi ate, kaq shume enderroi te kthehet e te vdese ne atdhe, por sigurisht jo keshtu.
Ja vetem disa pasazhe te shkurta , shkruar nga dora e tij, ne periudhen e mergimit:
[i]”Te falem nderes fort per kujdes qe ke me me mbajte me lajme, sepse tuj kene ketu i vetem gjindem i ndame prej shqyptarvet e prandej tuj marre ndonji shkrese prej atyne, disi me çilen syte e me bahet si me ju avite atdheut.”
“Mergimi asht nji gjyse burgut, e sikur ne burg andrrat, letrat, shortet jane ne rendin e dites.”
“Nji vjete i ri, nje kalendar i ri! Ne mesnate do t’u fikshin pak tana dritat. Ai terr simbolizonte vdekjen e vitit te vjeter. N’ata pak minuta terri, te tane Vjena do te ishte nji puthje e vetme. Me ma t’bukrin shej dashtnije kjo bote fillon vjetin e ri.
Mue ate nate m’u duk vehtja porsi nje larve. N’agonine e vjetit qi po vdiste njofta vdekjen t’ emen..” (Lazer Shantoja –Vepra, 2005, fq.9)

Dhe kur erdhi ne vendin e tij, mjerisht e priti ajo qe pame me lart. Por le t’i hedhim tashti nje sy deshmive te bashkekohesve dhe atyre qe e njohen:

Deshmi:
“Mehmet Shehu shpalli shtetrrethimin, urdhrin e dorezimit te armeve dhe brenda pak ditesh zbuloi fytyren e vertete te tijen, me vrasje, krime e raprezalje ne Malesite e Kelmendit dhe me arrestimet e klerikeve te pare. Pa kalue pak ditë nga ai i ashtuquejtuni “çlirim“ arrestohet në Sheldi prifti Dom Lazër Shantoja.
Student ndër më të shkëlqyemit e Seminarit Papnuer në Shkodër, ndërsa të naltat i pat përfundue në Insbruk t'Austrisë. Asht kenë Sekretar i Argjipeshkvit të Shkodrës, dhe famulltar në Sheldi. Edhe Ky përzihet me Opozitën në Revolucionin e 1924, dhe mbas dështimit të Tij, largohet nga Shqipnija për në Zvicërr. Atje ndej 15 vjet në mërgim. Punoi edhe atje për çeshtjen kombëtare, ashtu sikur ishte në Shqipni, tue mos kursye asgja për të mirën e Atdheut. Asht kenë edhe Drejtori gazetës "Ora e Maleve", dhe pa frigë e tham ka kenë pena ma e fortë në publiçistikë për Veriun, aq sa Faik Konica për Jugorët, "Binjokët" e Shqipnisë.
Fytyra e qeshun e Don Lazrit asht kenë gjithmonë shfaqja e shpërthimit të gazit që delte prej një zemre të gëzueme dhe një shpirti të pastër, se buzëqeshja e tij simbolizonte sinqeritetin e fjalës, që edhe pse të therte, kishte lezet me u ndigjue. Ishte i njoftun në fushën letrare të humorit. Asnjëherë letërsia shqipe nuk mund të shkruhet pa praninë e Dom Lazrit.albanovaonline.com
Dr.Prof. Angjela Çirinçione shkruen: "Historia e letërsise shqiptare pa emnin e Dom Lazër Shantojës, del e mangët dhe e vorfën".
Dom Lazri mbetet i pakrahasueshëm në fletët e gazetës "Ora e Maleve" me artikujt e shkruam për t'ardhmen demokratike. Ai ishte një antikomunist i betuem qysh i ri, prandej dhe konsiderohej prej komunistave fashist, mbasi Shqipninë Etnike e mendonte të realizueme nga rezultatet e Luftës së II. Ky ishte mendimi i shumë veteve që nuk gjejshin rrugë tjetër për realizimin e kësaj andrre, që si shifet nuk ka me dalë kurrë zhgjandërr.
Mbas arrestimit në Sheldi e mbajtën disa ditë në hetuesi të Shkodrës.
Mbasi i patën pre kambët dhe i patën thye edhe parakrahët, e lane pa asnjë mjekim.
I shtrimë në një dysheme çimentoje ushqehej me gojë dhe kafshonte ndonjë copë bukë të thatë, që xhullijt i hidhnin prej sportelit. Pinte ujë në një tas që ndodhej mbas derës. Lëvizte kalas nëpër dhomë ku nuk hynte asnjeri, mbasi qelbej nga nevojat e kryeme mbrenda dhomës. Nje dite thiren nanen e tij dhe i thane “Hajde e takoje djalin”. Nane shkreta hyni shend e vere me pa djalin. Hyni ne ate dhome qe ma mire nje dite ma pare te kishte hy ne vorr. E pau dhe i tha katilave: “Ma vritin, banje kete miresi. Mos ma leni djalin gjalle me vuejte keshtu. Aman, ma vritni sa ma pare!” A ka nane ne bote qe kerkon pushkatimin e djalit te Saj? E pra, po , kjo eshte nana e Dom Lazer Shantojes.
E nisën për Tiranë, ku edhe e ekzekutuen me datën 5 Mars 1945.”
(P. Konrad Gjolaj)

“Përpara se ta njifshem, pata ndigjue tue folë në Shkodër për këte famullitar të ri të kulturuem, i cili kishte bajtë mbi shpinë të mushkut nji pianofortë nëpër shtigjet e vështira të malit të Sheldisë. Prandej në mbarë atë zonë e quejshin “Famullitari i pianofortit.”
…Me çanten mbi shpatull e alpenstock (shkop alpinistik) në dorë iu ngjit alpeve në Shqipni, n’Austri e në Zvicër dhe mund të thuhet se ishte i paracaktuem me plane për nji vepër të madhe, e cila do të zbulonte fuqinë e tij krijuese gjeniale.
Fatkeqësisht krijimtarija e tij do të mbetet e ruejtun ndër proza të shkurta e shkëlqyese e pak në lirikat frymëzuese, margaritarë e diamanta qi dhetëfishojnë vlerën e tyne.
…Imzot Mjedja i cili mendonte me mbështetë edhe çdo nismë kulturore qytetare, muer vesh se flitesh për Shantojën dhe e emnoi Sekretar të vetin. E, poeti zbriti me librat e pianofortin e vet në Shkodër, i shoqnuem nga nji numër i madh famullitarësh të dashtun e të zemruem prej transferimit të tij. Shpesh, në mbramje, nga dritaret e katit të tretë të Pallatit Arqipeshkvnuer, n’atë kohë nji nga ndertesat ma të nalta të qytetit, ndigjoheshin nota të muzikës së Schuman-it e të Schubert-it poshtë në sheshin e katedrales e deri në arteriet e qytetit. Jehu i muzikës këndellte kalimtarët e habitun e të kënaqun me çue kryet kah dritoret e shëndrituna të pallatit.
…Më 1944 qe arrestue, hjedhë në nji burg të tmerrshëm e torturue në mënyrë shnjerzore: ia thyen eshtnat e duerve e të kambëve. Hecte tue u mbështetë mbi brryla e mbi gjuj. E ama, lejue me e vizitue, tue e pa n’ate gjëndje të mjerueshme, iu lut rojeve të burgut:
“vriteni, banie ket mëshirë, mos e leni me vuejtë kështu!”
…I rrëgjuem në mbarim të jetës nga torturat ma t’pa tregueshme, komunistat i a dhanë grushtin e fundit tue e vra me nji plumb në zverk. U vorrue në nji vend të panjoftun pa i u dijtë vorri. Po në të njajtën gropë, pranë trupit të Dom Lazrit, u hudh kufoma e Sulço Bej Bushatit, nji fisniku tetëdhetevjeçar musliman, mbasardhës i nji familjeje princore, qi sunduen në Verì të Shqipnisë gati të pavarun nga Porta e Naltë e Kostandinopolit, në shekullin e XVIII.”
(Prof. Ernest Koliqi)

“Në kulmin e krijimtarisë e të pjekurisë së tij, diktatura komuniste, pasi e akuzoi si agjent të SIM-it, të Gestapos, të Ovra-s, pasi e torturoi në mënyrë çnjerëzore, e pushkatoi së bashku me Sulço Begun, ende sot pa iu ditur varri i tyre!”
(Kolec Çefa, studjues)

“Dera hapej vetem në rastet kur merrnin ndonjë per ta pushkatuar ose per të sjellur nga jashtë. Atë natë u ndigjua dera dhe menjëherë shkuam per të pare. Mbështetur për mur rrinte Dom Lazri dhe Sulço Begu.
I kishte njohur dhe na kishte treguar i nipi, Myfit Bushati, i burgosur aty me ne.
U munduam t’i japim ndihmë e forcë, për të cilën Dom Lazri na falënderoi, por nuk vonoi shumë e erdhi menjëherë përgjegjësi që na largoi me kercënimin ”mjaft patë, ikni në vendet tuaja.”
Me ta marrë vesh se ishte si të thuash “përgjegjësi“, Dom Lazri ju drejtua:
“Ju lutem më vrisni, mos më lini ma gjatë në këte gjendje”, por përgjigja e tij, gjithë kërcënim, ishte: “kjo nuk është puna ime!”
Nuk më janë ndarë gjithë jetën ata dy sy. I hodhën ashtu si dy thasë aty poshtë në bodrum. Dom Lazri ishte i mbështjellur në një thes dhe vetëm kokën kishte përjashta.
E, në atë kokë të deformuar nga torturat, kishte dy sy të dalë që nuk munda t’i harroj gjithë jetën. I qelbeshin këmbët.
“Kujdes atë”, fliste me zor Sulço Begu. “Kam disa javë që flej me koken time tek këmbët e tija të kalbura. E kanë torturuar keqas me hekura të skuqur”.
Të nesërmen nuk i gjetëm më aty. I kishin varrosur”
(Xhemal Alimehmeti, bashkëvuajtës).

___________________________________________



Instituti i Studimeve Shqiptare, Tirane (foto e vjetit 1942)
(nga e majta): Vangjel Koça, Aleksander Xhuvani, Anton Paluca, Át Anton Harapi, Xhevat Korça, Mustafa Merlika Kruja, Ernest Koliqi, Dhimiter Berati, Át Giuseppe Valentini, Karl Gurakuqi, Ekrem Vlora, Nicola Lo Russo Attoma e Dom Lazer Shantoja)






***

I once had a thousand desires,
But in my one desire to know you
all else melted away.


trokit ketu

Back to top
OLIVE OYL
Fri Mar 17 2017, 08:46am
Qukulina


Registered Member #4115
Joined: Mon Aug 23 2010, 01:29pm

Posts: 17082
.





***

I once had a thousand desires,
But in my one desire to know you
all else melted away.


trokit ketu

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1951 sec, 0.0599 of that for queries. DB queries: 35. Memory Usage: 2,639kB