Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Poeti heretik Havzi Nela (1934 - 1988)
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:05am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Të due

Me të thanë: “Të due!”, kjo asht fare pak,
Oh, sa e vogël më duket kjo fjalë!
Dashuninë time nuk e shpreh aspak;
Zemrën që buçet, derdh shkumb’ e valë.

Me të thanë se bota pa ty asht nji hiç,
Ti s’do ta besosh, do t’qeshësh me mue;
Për ty sot jam nda me tanë shok’ e miq,
Më shohin me inat, veç pse unë të due.

Kur unë them: “Je dielli, hana pesëmbëdhjetë”,
Të tjerët të shajnë, nxjerrin helm e vner,
Ti për mue, e dashtun, gjithmonë ke me mbetë,
Trandafil i bukur, kur çel në pranverë.

Të due, oh, të due, po digjem si zjarri,
Të due sa s’thuhet, nuk shprehet me gojë,
Për dashuninë tande nuk më kalb as varri,
Për nji puthje buzësh, u thava, o zonjë.

Të due për trupin, shtatin si selvi
Për synin filxhan, vetullën kaleshë,
Për faqet, për gojën, buzët si qershi,
Por ma shumë për shpirtin, kur ambël më qesh.

Dil, oh dil, e dashtun, mos më le të vuej!
Bota le të flasin, e kanë nga zilia;
Dil, mos rri e mbyllun, fjalën mos ma luej!
Kush flet keq për ne, i vraftë Perëndia!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:07am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Ma mirë le t’i mbylli sytë!

Ma mirë le t’i mbylli sytë
Ma mirë zemra le t’pushojë
Ma mirë mos me pa ma dritë
Kur harbuti t’më sundojë!

Ma mirë nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krimbat le t’më hanë
Ma mirë gur e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shanë!

Ma mirë plis, lëndin’ a fush’
Ma mirë bar, kullotë bagëtie,
Ma mirë mos me m’njohë kërkush
Kur zuzarin kam mbi krye!

Ma mirë bota le të thonë:
“Vdiq i mjeri, shkoi me nder!”
Se i rrëzuem përgjithmonë
Me më shkelë nji derr beter!

Burrel, 1977




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:08am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
O liri, o vdekje

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, nandor 1987




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:10am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Nuse më dhanë robninë

Jo or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen
S’u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë;
Më ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen
Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!

Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,
M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë gjallë
Shtëpinë ma rrënuen, nuse më dhanë robninë
Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.

Gjithë jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi
S’paç me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë
Trup e shpirt plagosur, s’gjeta kurrë qetësi,
Sot në moshë të shkueme, maleve kam dalë.

Nëpër male t’Arrnit, pa anë e pa fund,
Në këto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën
Më përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,
Më rrëzuen mos me u çue, o zot banu gjamën!

E prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur më shohin,
Thue se u zuna fronin, u prisha humorin,
Më vrejnë me inat e fort mirë më njohin,
Nuk më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.

Arrën, tetor 1987




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:11am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Malet e Arrnit

Male dhe male dhe male gjithkund
Male të pasosun janë pa anë e fund;
Gjithkah hedh vështrimin veç shkëmbinj e male
Kodrina e lugina, me bjeshkë, prroje, zalle.

Vendi i thatë, pak ujë, rrallëkund sheh burim,
E rezervuarë të gatshëm që mbledhin vërshimet,
Përgjojnë bagëtinë e mjerë, etjen me ua shue,
Jo gjithmonë kënaqen, i gjejnë bosh, shterrue.

Lisa të mëdhenj, viganë, çojnë kryet përpjetë
Sikur prekin qiellin, përleshen me retë.
Lisa gjithfarlloj, të moçëm, shekullorë,
Lisa që u bëjnë ballë stuhive në shi e në borë.

Lisa që nuk i shtruen as rrufetë e qiellit,
Lisa që rriten e plaken, kërkojnë dritën e diellit,
I mposht, i lëshon përdhé dora e sharrtarit
Zvarrë i çon traktori si kufomat drejt varrit.

Arrën, nandor 1987




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:15am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Arrnit me arna

Arrën të thonë dhe me arna je
Syni s’të sheh tjetër veç shkëmbinj e male.
Shkëmbinj, thepa e grepa, ma shumë gurë se dhé,
Arrnor, ti në shekuj vendit tand iu fale.

Mbi themele t’fortë vendose shtëpinë
Nji copë arë nën të, koshin, pak misër.
Si burim jete ti kishe bagëtinë,
Mish e bulmet pate, me ta bleve drithin.

Shit andej e blej këndej, veten ke arnue
Nuk ta pati kush lakminë, ato kohë hardalle.
Me mund e me zor, me t’keqe ke jetue,
Siç jetohej jeta dikur në këto male.

Vueje për shumë gjana, për bukë e për krypë
Për sapun e gaz, për rrugë, ujë e dritë;
Nuk t’i sillte kush, vinin veç me të lypë.
Gjithë jetën mbas tufës, natën e bane ditë.

Pagueje e s’pagueje “të dhjetë” e “xhelep”
Pagueje “xhelepin”, por e kishe mallin,
Kur u thoje: “S’kam”, sturreshin me të rrjepë,
S’i doje, as të donin, vetë e qaje hallin.

U përmbys e vjetra, erdhën kohë të reja,
Qytetnim e dije u ngjitën mbi maja,
Po mbi malet tua s’pushoi kurrë rrufeja
Nuk t’u hoqën dertet, e keqja, belaja.

Bagëtinë krejt t’i morën, shekat mbetën bosh,
Çoban i të tjerëve u bane, o arrnor,
T’lanë nji lopë për bishti, gomarin balosh,
S’të mbeti as mali, veç sopata në dorë.

Këputesh, dërmohesh, tan ditën e gjatë,
Pesë lekë t’paguejnë, “Kaq”, - thonë, - “jepka vendi”.
Burrat morën malin, në parcela gratë,
Punojnë e robtohen vetëm për bukë thatë.

Arrën, tetor 1987




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:17am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Tirani ynë

Ka ca ditë e mjaft do kohë
Tirani ynë s’po ndihet mirë
Me miq e shokë sikur rri ftohtë
Dhe kur i shikon i vjen të pështirë.

Thonë: asht tretë e asht ligshtue
Thonë: asht sëmundë, me kriza nervore,
Në shtrat kur bie ma shumë rri zgjue
Nji libër të kuq s’e lëshon prej dore.

Ajo asht vepra e xha Stalinit
Jo cilido nuk mund ta dijë
Fshehtas doli prej Kremlinit
E nën këmishë erdhi n’Shqipni!

Ajo asht vepra e tiranit trumyk
Gjithë komplote, intriga e dredhi!
Çka s’përdori ai xhelat pa cipë
Për të shtypë e gjakosë popujt sovjetikë.

Tirani ynë gjithë karrierën e tij
Këtë libër nuk e lëshoi prej dore
E tash vet ka ba volume të rinj
Plot me krime e vepra çnjerzore!

Shpesh të dy veprat i merr në dorë
Herë i peshon e herë i krahason
Kërkon të gjejë cili asht ma mizor
Cili xhelat xhelatit ia kalon!

Po merr inat sa do të pëlcasë
S’ia ha mendja se e arrin mikun e tij
E mendon të vrasë, sa ma shumë të vrasë,
Sa ma shumë gjak të shohë me sytë e tij!

Sikurse duket po e ndjen i shkreti
E sheh të afërt dhe fundin e tij
Dhe dëshiron të marrë sa ma shumë me veti
Që të krahasohet në skëterrë me kolegun e tij.

Rrëshen 1975 (vetëm me mend dhe në mendje)




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:18am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Kur të vdes

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”,
A e dini se çfarë kam hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urreu mizorin”,
Thoni: “Dheu s’ka m'e tretë!”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi”,
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritën ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”,
Thoni: “Për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!”.

Thoni se e qorroi terri,
Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”,
Thoni se e trishtoi tmerri,
Ai të shtypunit i tha: “Çohu!”.

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue,
Mbi vorr tim me gur’e ferra
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur ta ngushlloni
Thoni: “Gjallë kërkush s’ka mbetë!”.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:20am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Fryma e Helsinkit

Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:21am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Në qelit’ e burgut

Në qelit’ e burgut pa ajër e pa dritë,
Fryma po më merret, m’janë terrue sytë.
Po dergjem i mjeri, mbahem, rroj me shpresë,
Jeta m’u randue, dëshirë nuk kam të vdes.

Mishnat po shkallmohen, kockat më kërcasin,
Barkun gjithmonë unshëm, policët bërtasin.
Pres t’afrohet ora, pres të hapet dera,
Pres t’më sjellin ngranjen si kafsha e mjerë.

Unshëm ulem ha, ma unshëm kur çohem,
Nuk qahem pse soset, skamjes s’i nënshtrohem;
I nënshtrohem ligjit, jetoj me rregulloren,
Dhe po t’jesh lypsar s’ke kujt t’ia shtrish dorën.

Dit’ e net i mbyllun si zogu n’kuvli,
Për shtrojë e mbulojë me tri batani!
Batani të vjetra, as njena as tjetra,
Gjith pluhun e llum, janë ma trashë se letra.

Kur vjen orë e gjumit, kur shtrihem me fjetë,
Mendja m’arratiset, shpërndahet si retë,
Po merr fushat, malet, ikë më le mue t’zinë
Fluturon e s’ndalet, s’e duron robninë.

Sa n’nji krah në tjetrin, ikë nata, kalon,
Mpi e fort ligshtue, polici më zgjon!
Lind nji ditë e re krejt si ditët e tjera,
Unë shpend i ngujuem, pres të hapet dera.

Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitën trupin, zemra s’ndihet fare;
Me durim përgjoj kur do t’ma hapin derën,
Po e pres lirinë si zogu pranverën!




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:23am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Fjala e poetit

Jam i vorfun, nuk gjej dot fjalë për poetin
Për vargjet plot vrull që ngrejnë e joshin detin,
Për vargjet burrnore, për kangët që due,
Urimin ma të mirë kërkoj me ia çue.

Sa thekshëm e ndjej kur e ze trishtimi
Kur del në horizonte, kur e ndez frymëzimi
Kur mbi maja t’nalta ndrit çdo skut’ e hon
Kur vargjet si rrufe mbi tiranët i lëshon.

- Të lumtë, poet, - i them, - poet revolucionar!
Me synim drejt së ardhmes ndriço si pishtar!
Çaj përmes furtunës, hovin mos e ndal
Jepi krahë vargut të kapë çdo shteg e mal!

Kjo natë sa e gjatë, e gjatë s’pati fund
Errësinë e thellë, poet, errësinë, lëngim gjithkund.
E qielli mbushë me re, vetin e bubullin
Thellë deri në palcë të gjithë e ndjejmë stuhinë!

Ballsh, nandor 1981




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:26am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264



Havzi Nela



Profilit të heretikut Havzi Nela, mund t’i përshtatet një venerim i Arshi Pipës se “heretiku është i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij, ka një vijë të veprimit dhe një strategji të sjelljes, që buron nga parimet”. Friedrich Nietzsche pat shkruar:

“Ndër ata që shkruajnë dua vetëm atë që shkruan me gjak. Shkruaj me gjak dhe do të mësosh se gjaku është shpirt”.

Ndoshta ka pasë të drejtë kur ka menduar për një kod të veçantë komunikimi, kod që mund të vinte realisht vetëm përmes gjakut dhe më mbrapa lehtë mund të dallohej se gjaku qe vetëm shpirt, apo si forma më e dukshme e shpirtit. Në pamje të parë, kjo thënie e tij, sikur parasheh vuajtje dhe trandje të mëdha dhe jo vetëm në aktin e krijimit (krijuesi i zhytur në ftohmën e vuajtjes, si shenjë e parë paralajmëruese për të dhënë një krijim realisht të besueshëm). Në rast se krijuesi nuk e ka si të veten një ftohmë të tillë, me fjalë të tjera, në rast se i mungojnë ethet e mundimit të paprajshëm, atëherë krijimi është i jashtëm, i zbehtë dhe pa efektin që mund të pritet.

Havzi Nela nëpër burgje ka vazhduar të krijojë (vitet 1967-1986), por edhe ne internim (1987 -1988, para se ta ekzekutonin me varje), por çdo varg duke e mbajtur natyrshëm brenda në tru, pa pasë mundësi ta hedhë në letër. Vargjet është përpjekur t’i rimojë me anë të gishtave.

Kur ka gjetë mundësinë t’i hedhë vargjet në fletore, sikur është liruar prej etheve të gjata dhe të stërlodhshme të krijimit. Por vinte edhe shqetësimi tjetër se nuk dinte kujt do t’ia dorëzonte dhe, nëse ia dorëzonte dikujt, të mos i ruante kurrsesi pranë vetes (“I lutem atij që do të mund t’ia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund t’ia dorëzoj, të m’i ruejë me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbajë pranë vetes” - Qafë-Bar, me 5 shkurt 1983).

Mund të thuhet se mendja e tij mbeti një zonë hyjnore, e pacënueshme dhe e paprekshme prej askujt. Fijet e ferrit s’mund të mbërrinin ose s’patën shteg të çeltë deri aty. Ajo s’mundi të izolohej dhe të mbyllej në shtatë dryna, siç e patën mbyllë trupin e tij. Ajo kish nisë shtegtimin dhe krejt e plotpushtetshme dhe sovrane, kapërcente muret e hekurta dhe të mjegullta njëkohësisht.

Kësisoj, vetëm në mendjen e tij ai qe i lirë: e modelonte atë sipas shijes së vet dhe mendimet shtegtonin prej burgut në vendlindje, tek njerëzit më të afërt, por edhe në vende të qytetëruara si Amerika, Franca, Austria, etj.

Krijimtaria e tij është një biografi poetike e të vuajturve në diktaturë, është një lloj ditari lirik dhe epik i vuajtjes së madhe, të pamatë, është shprehje e një rebelimi të vazhdueshëm, një vizatim i ferrit të kohës, një ndriçim i pjesëve më të pandriçueshme dhe të padukshme të këtij ferri.

Në këto poezi të shkruara me emocion, dhimbje dhe plagë, që mund të ndërtohen të tilla vetëm në kohë të humnershme, mund të shihet dukshëm arratisja prej ferrit, prej errësirës, dhe në vargjet e tij, H. Nela u përpoq të krijonte lirinë e vet, të pazëvendësueshme, të gjithëpushtetshme dhe të pacënuar prej askujt. Vetëm këtu ai qe i lirë dhe kjo liri e çuditshme funksiononte realisht vetëm në trurin e tij.

Ai qe i vetëdijshëm për mungesat estetike në krijimet e veta, dhe s’kishte si t’ish më ndryshe, kur të gjitha vjershat i ka krijuar dhe mbajtë për shumë kohë në mendje, derisa ka gjetë mundësinë t’i hedhë në letër. Kishte shënuar se do t’i rikthehej përpunimit të vjershave në të ardhmen (“Këtë punë ia la të ardhmes, po qe se dal vetë i gjallë prej këtu”), por e ardhmja mbeti gjithmonë e ardhme për të, s’u bë asnjëherë si kohë e tashme fizike, si kohë realisht e krijuesit, sepse 10 gushti i 88-s do t’i jepte një fat shumë tragjik. Mund të thuhet gjithashtu se përpjekjet e regjimit për të ndërhyrë edhe aty, në mendjen e tij, aty ku ai kish zonën e tij më të pushtetshme edhe mbas gjithë atij stërmundimi fizik mbi trupin e tij, mbetën të zbehta, periferike. Kjo ndodhte se ai kish kapërcyer mbiprovën fizike dhe morale në mënyrën më të përkryer.

Ndërsa, ajo çka ruhet prej tij është pak, shumë pak, kur dihet se vriste trurin në mënyrë të pandalshme. Përveç humbjes fizike, kjo është pa dyshim një humbje tjetër e madhe. Kanë mbetur copëza rrëfimesh të bashkëvuajtësve të tij për të. Por kanë shpëtuar gjashtë fletore me poezi të viteve të burgut dhe një e vetme në kohën e internimit, një pjesë e letrave dërguar bashkëshortes nga kamp-burgjet, ose letrat që çuditërisht kapërcyen ferrin si dhe disa letra që ua pat drejtuar njerëzve t’afërt. Janë mbledhë andej-këndej rreth 50 foto të tij, kryesisht tek të afërm ose tek miqtë e tij të hershëm të shkollës (kur qe nxënës, por dhe kur punoi mësues). Kanë humbur, ose të paktën nuk janë gjetë deri tani, shkrimet që kishte marrë me vete në arratisjen e ‘67-s, siç ka humbur edhe romani “Jeta e zezë”, i shkruar në burgun e Burrelit, apo dhe një fletore me legjenda të përpunuara. Ndërsa, dosjet hetimore dhe gjyqësore janë gjithashtu një dëshmi tjetër ku mund të gjykojmë edhe mbi mendimet e tij rreth moralit të atij regjimi të jashtëkohshëm.

Nëse do t’i mëshonim prap mendimit të F. Niçes, do të vinim në dukje se sakrifica tek H. Nela shpalohet si një sakrificë e sjellë nga rrethanat që mbërrin deri në cakun e një martirizimi në emër të lirisë.

Për shkak të lirisë ai krijoi edhe kodin e veçantë të komunikimit, një komunikim përmes gjakut e shpirtit, kur i mungonin edhe kushtet më fillestare për të shkruar, saqë detyrohej t’i rimonte vargjet përmes gishtave. Për shkak të lirisë ai braktisi shumë e shumë gjëra dhe mu për shkak të sakrificës së tij për lirinë do ta futnin krejt dhunshëm në tokë.

Petrit Palushi



[ Edited Wed Mar 08 2017, 06:27am ]


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 06:31am

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264
Libri i përkujtesës dhe reflektimit
- nga Petrit Palushi

Poeti nobelist Pablo Neruda kur rrëfente për vdekjen e Frederiko Garsia Lorkës, ndërmjet të tjerave shënonte se, "Vrasja e Frederikos qe për mua ngjarja më e dhimbshme e gjithë kësaj lufte të gjatë dhe të tmerrshme. Spanja paskësh qenë gjithmonë një arenë gladiatorësh, një tokë e larë me gjak. Por vrasja e Frederikos e bëri atë edhe më të zezë, sterrë. Dhe, sa herë që e kujtoja këtë arenë vdekjeje, më ngjallej edhe kujtimi për luftën vdekjeprurëse, të vjetër disa shekuj, mes dritës dhe hijes". Vdekja tragjike e Lorkës kish ndodhur në vitin 1936.

Mbytja e të panënshtrueshmit Havzi Nela
Gjithsesi, historia vjen e gjallë, por me nota shumë të ashpra.
Më 10 gusht 1988, në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një "arenë vdekjeje", siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës. Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të madh të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm tashmë si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të pushtetarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët.
Për fat të keq, n'ato vite, bashkëjetesa me të keqen, një lloj konformizmi i çuditshëm, qe kthyer pothuajse në një përditshmëri, qe shndërruar në psikikë, në një bashkëjetesë patologjike dhe liria, qe kthyer thjesht në një iluzion.

Krimi ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm
Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij m'u në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit n'Evropë.

I njëjti prokuror që do të dënonte poetin Visar Zhiti
Ndërkaq, si për ironi, i njëjti prokuror që e dënoi atë më 1967, në dënimin e parë të tij, do dënonte edhe poetin Visar Zhiti më 1980. Visar Zhiti do të dënohej mu në atë ndërtesë të gjykatës ku Havzi Nela do të merrte dënimin e katërt dhe njëkohësisht më të mbramë në qershor të 1988-ës (pra, në qytetin e ndërtuar rishtaz për shkak të përmbytjes së atij qyteti që u bë zakon të quhej Kukësi i vjetër, qytet ku qe dënuar Havzi Nela për herë të parë në vitin 1967).
Mbasi qe dënuar për të parën herë me 15 vjet heqje lirie dhe për të dytën herë me 8 vjet, në dënimin e tij të tretë (internimi), në vendimin përkatës shënohej se internimi i fillonte me datën 26.9.1987 dhe i mbaronte me datën 26.9.1992. Kësisoj, pushtetaria komuniste ende e mendonte përjetësinë e vet, pra, e kish kthjelltuar mendjen të vazhdonte të ushtronte një mizori të përhershme, një lloj tiranie të tejmizortë në të gjitha stinët.

Mbytja e Havzi Nelës, dy vjet para se të shembej regjimi komunist
Por duhej të vinte dënimi i katërt, dënimi i mbramë dhe fatal për Havzi Nelën, një vit mbasi kish nisur odisejadën e internimit dhe ç'prej verës përvëluese të 1988-ës, ai do gjendej nën dhé, si për të shpëtuar gjithsaherë nga bota e mjegullt, e mbrapshtë dhe trazuese e të gjallëve, ndërsa, në tjetrën anë, në dhjetor të 1990-ës, lëvizja historike studentore shënoi fillimin e ndarjes së madhe me atë të kaluar të terrtë të mesjetës shtetërore, pothuajse më mizorja ndër regjimet e mbasluftës së Dytë Botërore në Evropë.

Është folur shpesh për Havzi Nelën se edhe për dy vjet dhe s'e mbërriti lirinë, por pakkush mund ta merrte me mend në atë gusht të përvëlimtë të 1988-ës, ose më saktë, në ditën e këputjes së frymës së tij, se liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Kur flitet kësisoj, duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose plotësimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike të parakohshme pas një jete të stërmundimshme, por njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s'arriti ta shihte lirinë, atë gjë për të cilën kish sakrifikuar së tepërmi.

Ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës
Në anën tjetër, ndërkaq në këtë nëntor të vitit 2005, kur po përgatitet për botim ky libër, ekipi që realizoi shtatëmbëdhjetë vjet më parë krimin ndaj Havzi Nelës, ose, me fjalë të tjera, ekipi i krimit, ose ekipi entuziast i dënimit më të mbramë të tij, është pothuajse në të njëjtën lartësi detyre shtetërore si shtatëmbëdhjetë vite më parë, pavarësisht se është përmbysur regjimi i diktaturës. Afërmendsh, krejt natyrshëm të duket gjithashtu se në këtë Shqipëri të sotme, ka ndodhur prej kohësh përmbytja e moralit, që i mban njerëzit e këtij vendi ende të stresuar, sa ia vlen të besosh se ata ende ndihen fatkeqë në vendin e tyre.

Mungesa e pendesës
Për fat të keq, në rastin e Havzi Nelës, s'mund të flitet kurrsesi për pendesë ose, çështja mund të shtrohej pak si më ndryshe: përpjekja e jashtëzakonshme e atyre që projektuan dhe realizuan krimin ndaj tij për të shmangur me çdo kusht pendesën, si shenja më e parë dhe më e dallueshme për të fshehur krimin. Kjo gjë, pra mund të jetë e barazvlefshme me përpjekjen për të mbuluar përsëri krimin, si shenjë tjetër se ky lloj krimi kish ndodhur në tjetër planet dhe jo në një nga udhëkryqet e rrugëve të Kukësit, sikur ky krim të kish ndodhur në një kohë tjetër, ndoshta dhe para lashtësisë, por jo dy vite më parë se të rrëzohej diktatura dhe mbi shtatëmbëdhjetë vite më parë prej ditës së sotme kur po përgatitet për botim ky libër.

Kjo do të thotë kthjelltas se një përpjekje e nënzëshme për t'u justifikuar, e bën ende më absurde dhe cinike luftën e përhershme ndaj martirit Havzi Nela.
Kjo do të thotë gjithashtu se ekipi i krimit ndaj Havzi Nelës, thënë pak më ndryshe, ekipi i marrjes së frymës, duke mos shfaqur as shenjën më të vogël të pendesës, pa dyshim që fitoi mëvetësinë e plotë të një ekipi, që jo vetëm i kish kapërcyer edhe vetë ligjet më drastike të diktaturës, por edhe theu rekordin e mosvrasjes së ndërgjegjes dhe të mosreflektimit edhe në vitet e pasdiktaturës.

Havzi Nela nuk arriti të bëhej 55 vjeç.
Ai gjithashtu nuk pati mundësi t'i jepte kujt lamtumirën, as nuk i dha kush lamtumirë, në orën 2 të pasmesnatës të 10 gushtit 1988, por, edhe me mungesën e një lamtumire të dyanshme, për të nuk erdhi harresa; sakrifica atë vetëm sa e lartësoi, e vendosi aty ku mund të zënë vend vetëm martirët. Ai nuk mundi t'i shpëtonte mbytjes, por mundi t'i ikte humnerës mortore të harresës; me një qetësi dhe krenari gati-gati sublime, mundi të ikte nga libri i të vdekurve të gjithmonshëm.




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
Cen Durimadhi
Wed Mar 08 2017, 10:54am
Marakli hesapi

Registered Member #4092
Joined: Mon Aug 02 2010, 08:37pm

Posts: 8730
Njof disa stermbesa te Havizit, shume e padrejt historia e gjithe familjes Nela me ju than te drejten.

Po e pate baben fukara,dmth ke lind pa fat.
Po e pate vjerrin fukara,dmth qe je bedall

Back to top
LUPEN
Wed Mar 08 2017, 04:07pm

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56am

Posts: 10264


Pjesa që vijon asht shkëputun nga nji artikull që ka postu Leci në vitin 2009, e që sot nadje nuk arrita me e gjetë...

Dita e mërkurë e 10 gushtit 1988 në qytetin e Kukësit ngjante me një shtetrrethim: postblloqe e patrulla me policë e civilë nëpër rrugë... Në mëngjez herët, sapo morëm gazetën lokale në shtypshkronjë, policia na ndaloi veturën në rrugë e pas formaliteteve të rastit, na drejtoi me gisht e mburrje mbi 300 metra më larg, për tek katër rrugët, te agjensia e udhëtarve, vendi më i populluar i qytetit. Aty, pak orë më parë, ishte kryer akti tragjik mesjetar i marrjes së frymës njerëzore nga terrori shtetëror komunist: varja në trekëmbësh nazisto-komunist e poetit Havzi Nela, i vetmi poet i varur në Shqipëri dhe i fundmi ekzekutim komunist i një disidenti në të gjithë Europën Lindore.

Ende edhe sot më shfaqet ajo skenë tragjike: Mbi trekëmbësh qëndronte e varur një parullë e dizenjuar mjeshtërisht në karton: “Havzi Nela (me ngjyrë laramane) armik (me të zeza) i Partisë e Popullit (me të kuqe)”. Poshtë saj, si në gjallje, tundej e tundej me litar në qafë e trup në ajër poeti atdhetar. I kishte dy sytë të dalë e dukej sikur vështronte. Nga buzët kishte rrjedha gjaku të pandalun e dukej sikur fliste. Kishte një palë pantollona të përdorur me dok të hollë kinez. Këmisha e tij e hollë, e zbërthyer keqas, i valëvitej e valëvitej dhe gjoksi i dalë i jepte atë pamjen e martirit. Mbante, në atë çast, një opingë prej llastiku në këmbën e djathtë... Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë kujdeseshin për parullën e trekëmbshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave, me njërën opingë luanin futboll...(!). Edhe të vdekur nuk e linte të qetë hakmarrja komuniste, urrejtja biologjike e patologjike e diktaturës enveriane kundër kundërshtarëve politikë...

vazhdimi trokit ketu




Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2292 sec, 0.0663 of that for queries. DB queries: 48. Memory Usage: 2,896kB