Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Arti - Kultura - Tradita - Fotografia - Video :: Trupi - Shëndeti - Mjeksia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Diktatura e hormoneve
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
lissandro
Tue Apr 30 2013, 03:41pm
The pursuit of Happyness

Registered Member #1963
Joined: Sat Jun 07 2008, 04:27pm

Posts: 4764




I prodhojmë vetë, por jemi pak të ndërgjegjshëm për peshën që kanë në jetën tonë: Tërheqje, agresivitet, besim, uri, xhelozi… Ja sesi (dhe sa) kimia e trupit tonë dikton mbi sjelljen e jetës së përditshme

Dikur mendohej se ato prodhoheshin vetëm nga disa gjendra të brendshme të trupit; sot dihet se hormone prodhojnë dhe qelizat e paretet e organeve, që të transportuara nga gjaku, ja dalin shumë shpejt të shkrepin një seri modifikimesh biologjike. Por jo vetëm kaq. Hormonet kushtëzojnë edhe sjelljen tonë, sidomos atë që lidhet me mbijetesën e species: Çiftëzimi, riprodhimi, mëmësia e atësia, ushqimi, reagimi ndaj situatave stresuese… Ende kuadri njohës nuk është i plotë, ama vitet e fundit është bërë një përparim i dukshëm. Sot e dimë se i njëjti hormon, provokon reagime të ndryshme tek mashkulli dhe femra. Dhe se “urdhrat” që jep një i tillë, modulohen në varësi të pranisë së hormoneve të tjera.

Me fjalë të tjera, kjo është një lojë skuadre, çka bën që çdo individ të jetë një qenie unike. Mbikqyrësi i gjithë veprimtarisë hormonale mbetet korteksi cerebral parafrontal, selia e vetëkontrollit të njeriut, që vlerëson dhe merr vendime, të matura ose jo, në varësi sesa i stërvitur është në mbajtjen drejt të timonit. Sepse vërtet hormonet janë ato që urdhërojnë, por është njeriu ai që nëse dëshiron, vendos. Por t’i njohësh se cilat janë dhe si veprojnë hormonet, padyshim ndihmon.

Prolatina

Tek femra, është shtysa e rritjes së prodhimit të qumështit që vërehet një ditë pas lindjes natyrale dhe dy ditë pas asaj cezariane. Dhe pastaj kushtëzon sjelljen e favorshme mëmësore. Po tek mashkulli? Varet. Tek ai, prolatina rritet deri në lindjen e bebes nga cilado bashkëjetuese. Një grup studiuesish i Memorial University në Kanada ka demonstruar se meshkujt që bashkëjetojnë me femra shtatzana (s’ka rëndësi se ç’lidhje kanë me femrën), në tre muajt që paraprijnë lindjen pësojnë një rritje mesatare prej 20% të prolatinës, dhe një ulje me 33% të testosteronit. Pra, edhe mashkulli përgatitet për atësinë. Por prolatina shtohet edhe gjatë orgazmës dhe është përgjegjës për ndjesinë e “ngopjes” post-orgazmike. Nëse shtohet shumë, mund të shkaktojë rënie të dëshirës, impotencë e madje ejakulacion të parakohshëm.

Ekstradioli

Ajo është si një diell rreth të cilit vërtiten gjithë meshkujt: E qeshura e saj është provokuese, veshja joshëse, meshkujt tërhiqen si mizat. Femrat e tjera, jo më pak të pëlqyeshme, mbeten në hije. Çfarë i tërheq meshkujt? Dikush thotë “të qenit e komunikueshme”, një tjetër, “vështrimi magnetik”. Por këta janë thjesht pasoja: Përgjegjësi i vërtetë është një hormon, ekstradioli. I cili është më i lartë tek ato femra që janë në fazën fertile të ciklit.

Magneti. Në rastin e një majmuni femër, skuqja e theksuar e të pasmeve të saj janë një semafor që lajmëron për ngjarjen. Por femra e njeriut është zonjë dhe ka mësuar të maskohet. E megjithatë, efektet e ekstradiolit gjithsesi dallohen: Ky hormon e bën atë më të sigurtë tek vetja. Një studim mbi 351 femra të fotografuara në lokalet austriake të natës, ka evidentuar se ato me veshje më të shkurtra e “të reduktuara”, kishin edhe nivelin më të lartë të ekstradiolit. Por në këtë rast, gruaja është edhe më e hapur ndaj avancave të meshkujve. Nikolas Gegen, pedagog i psikologjisë sociale e konjitive në universitetin Bretagne-Sud, ka demonstruar se 22% e e grave në fazën ovulatore janë të gatshme për takime “sekrete”, kundrejt vetëm 8% të atyre që nuk janë në këtë fazë.

Testosteroni

Ai hyn në konçesionarin e makinave dhe blen një 4x4, apo një 5000 kubikësh. Ajo çka i shtyn meshkujt drejt këtyre blerjeve është testosteroni. Objektivi: Të bëjnë përshtypje tek femrat. E ka demonstruara këtë Gad Saad, studiues në Concordia University të Montrealit, Kanada. Veç kësaj, Xhejms Penebejker i universitetit të Teksasit, ka vërtetuar se sa më shumë të shtohet testosteroni, aq më pak mashkulli është në gjendje të përdorë fjalë e fraza që shprehin emocione apo që zbulojnë lidhje shoqërore. E jo vetëm kaq: testosteroni është përgjegjës për numrin më të madh të fitoreve sportive në fushën vendase, krahasuar me ato jashtë fushe. Kur lojtarët përballen me një ndeshje në fushën e tyre, nivelet e testosteronit rriten para fillimit të ndeshjes, dhe nxisin instiktin e “mbrojtjes së territorit”, njësoj si qentë ruajnë oborrin e tyre.

Por ka nga ata që edhe historinë e lexojnë me këndvështrimin hormonal. Sipas Robert Xhozefs, endokrinolog social në universitetin e Teksasit, është testosteroni ai që shpjegon “refuzimin e madh” të Papës Çelestin V (e kishte në sasi të vogla): Ai abdikoi dhe u tërhoq, sepse nuk donte të ishte vegël në lojën politike të mbretit Karl II Anzhu të Napolit. Ndërsa pasardhësi i tij Bonifaci VIII, e kishte madje me shumicë.

Oksitoksina

Lidhja mes nënës dhe birit zgjat për gjithë jetën dhe i kushtohet oksitoksinës, hormonit që stimulon kontraktimet e lindjes, i quajtur ndryshe edhe hormoni i përkëdhelive, sepse nxit përqafimin. Po tek baballarët? Ruth Feldman nga universiteti izraelit i Ramat Ganit, ka provuar se ky hormon shtohet edhe tek baballarët e rinj. Ata syresh që kanë nivele më të larta oksitoksine, luajnë e argëtohen më shumë me fëmijët e tyre, sesa baballarët me nivele më të ulëta. Nga ana e saj, loja me pasardhësit e shton edhe më shumë prodhimin e këtij hormoni, dhe forcon akoma më tej lidhjen. Si rrjedhim, konkludon Feldman, është bashkëveprimi me fëmijët ai që i bën meshkujt baballarë; kësisoj, nënat duhet t’u ofrojnë partnerëve sa më shumë mundësi kujdesi, për t’ua zhvilluar këtë aspekt.

Po nëse nuk janë në mes të vegjlit? Oksitoksina është edhe hormoni i besimit tek qeniet njerëzore. Mikael Kosfeld nga Universiteti i Zyrihut ka provuar se mjafton një “spërkatje” me këtë hormon në hundët e investitorëve, që këta të fundit t’ua besojnë paratë e tyre menaxherëve financiarë të panjohur; ky besim mungoi tek ata që në vend të oksitoksinës u spërkatën me imitacionin (ujë i zakonshëm).

Progesteroni

Shumë meshkuj të rritur kanë sjellje të padurueshme përballë të qarave, ose ankesave të kolopuçëve trazovaçë. Edhe në këtë rast, fajtor mund të jetë një hormon femëror; progesteroni. Në botën e kafshëve, tek shumë specie, meshkujt janë agresivë kundrejt këlyshëve, dhe ata me nivele të larta progesteroni mund të arrijnë tek në vrasje të të vegjëlve.

Agresiviteti atëror. Ndërsa Xhon Livajn nga universiteti Northwestern i Çikagos, ka provuar se nëse gjeni përgjegjës për prodhimin e progesteronit eliminohej, agresiviteti mashkullor ndaj këlyshëve zhdukej dhe në vend të tij shfaqej përkëdhelja atërore; por nuk eliminohej agresiviteti i mashkullit ndaj meshkujve të tjerë të rritur. Nëse normalisht, 74% e minjve meshkuj i vrasin këlyshët, ata që u modifikuan gjenetikisht i përkëdhelnin e madje i kthenin në fole, kur largoheshin. Zakonisht, tek njeriu ky hormon zbret drastikisht me afrimin e lindjes së fëmijës, duke e përgatitur për atësinë; ndërkaq është rritur niveli i oksitoksinës. Tek femrat, nga ana tjetër, nivelet e larta të progesteronit shtojnë agresivitetin e nënave me fëmijë të vegjël kundrejt ngacmimeve nga të rritur të huaj.

Vazopresina

Nuk është besnik? Mund të ketë nivele të ulëta vazopresine. Është besnik? Gjasat janë që të ketë prodhim të lartë. Mos është xheloz dhe tejet posesiv? Atëherë vazopresina është me tepricë. Me fjalë të tjera, një histori dashurie mund të rishkruhej, sipas variacioneve të këtij hormoni të prodhuar në hipofizë, që luan rol në shumë procese shoqërore, veç lidhjes afatgjatë në çift. Tek femra, vazopresina ndikon në ndjesinë e plotësimit pas bërjes nënë, dhe thekson si ndjesinë mbrojtëse për të vegjlit, ashtu dhe agresivitetin ndaj ndërhyrjeve të huaja.

Tek meshkujt, xhelozia seksuale është një formë mbrojtjeje që synon ruajtjen e lidhjes në çift, duke penguar çiftëzimin e partnerit me një tjetër. Por rritja e vazopresinës tek mashkulli shton dëshirën seksuale tek ai, duke e ulur atë tek femra; duket se kjo marrëdhënie na nxjerr në konkluzionin se vazopresina luan rol më të madh në lidhjen afektive.

Adrenalina

Dikush e quan “guxim”, dikush tjetër “kokëkrisje”. Gjithsesi, nuk janë të shumtë njerëzit që vishen me të kuqe dhe i dalin përballë një demi të egërsuar. Çfarë e shtyn njeriun drejt kësaj sjelljeje? Adrenalina. Është hormoni sekret që në momente stresi, frike apo ankthi ekstrem, shton forcën fizike dhe vëmendjen, dhe ka aftësinë të ulë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes. Objektivi: Ta fokusojë njeriun drejt një zgjedhjeje “lufto ose shpëto”, pa devijime të tjera. Në disa individë, kjo përbërje kimike ka efektin e një droge, aq shumë saqë ata krijojnë varësi: Quhen kërkues të adrenalinës, dhe janë gjuetarë të emocioneve të forta, pikërisht për të marrë këtë dozë droge natyrale. Një shembull janë praktikuesit e hedhjes me litar elastik, “bungee jumping”, apo sporte të tjera të rrezikshme. Jo rrallë, janë të njëjtët individë që në jetën e përditshme, në zyra apo shtëpi, ndihen depresivë dhe të pamotivuar.

Serotonina

Zorroja, Robin Hudi, Supermeni, janë produkt fantazie. Por ka të tjerë heronj, realë, si Oskar Shindler, biznesmeni gjerman që shpëtoi rreth 1200 hebrenj nga masakra naziste, siç tregon dhe filmi i Stiven Spilbergut. Çfarë e shtyu në këto akte? Çfarë i udhëheq këto lloj sjelljesh?

Ndjesia e drejtësisë. Hidehiko Takahashi i departamentit të psikiatrisë në Kyoto University të Japonisë, ka demonstruar (duke përdorur tomografinë me emisione pozitronesh) se kush lufton kundër padrejtësive pa ndonjë përfitim personal, përkundrazi, duke rrezikuar, ka më pak serotoninë në një zonë të trurit. “Shumëkush mendon se ai që rebelohet ndaj padrejtësive posedon një personalitet agresiv”, ka shpjeguar Takahashi për revistën shkencore Pnas, “por nuk është kështu. Kush rrezikon veten në vepra aktive kundër padrejtësisë, ka më pak serotoninë. Shtimi i kësaj substance shkakton tek individi një sjellje oportuniste dhe ndjekjen e interesave personale; ndërsa pakësimi i saj, e bën personin më paqësor, mirëbesues dhe të thjeshtë; ama pikërisht për këtë, e bën edhe të paduruar ndaj tolerimit të padrejtësive”.

Kortizoli

Mos sjellja antisociale e një adoleshenti, mund t’i kushtojë atij burgun e fëmijëve? Faji mund të jetë i mungesës së kortizolit, një hormon që e mban nën kontroll agresivitetin gjatë situatave që shkaktojnë frikë. Graem Feërçajlld, nga universitetit britanik i Kembrixhit, ka ekspozuar ndaj një videoloje të frikshme dy grupe: Një me fëmijë me sjellje antisociale, dhe një grup tjetër më të kontrolluar. Të dyja grupet luanin kundër një avatari rival dhe fituesi do të merrte një shpërblim monetar. Qëllimisht loja ishte konceptuar stresuese, acaruese dhe provokuese. Kampionet e pështymës së marrë nga 95 fëmijë të qetë, demonstruan se nivelet e kortizolit u rritën në 48%, siç pritej, për shkak të videos stresuese. Por tek 70 fëmijët me sjellje antisociale, nivelet e kortizolit ranë me 30%, në vend që të shtoheshin. Feërçajlld konkludoi se fëmijët agresivë, për shkak të një teprimi në stimulimin e tyre, nuk ishin më në gjendje të reagonin duke prodhuar kortizol. “Sillen si të mos kishin fare frikë”, shpjegoi studiuesi. Ai mendon se në këto trazime të sjelljes rebeluese të parakohshme (që vihen re që në moshën 5 vjeçare), duhet të ketë rol ana biologjike, pra ajo hormonale.

Insulina

Dihet se uria të shtyn të hapësh frigoriferin. Po çfarë është uria? Kush lë pa ngrënë një vakt, ndjen shumë shpejt sinjalet nga stomaku: Zhurma të çuditshme që i tërheqin vëmendjen. Dora-dorës që sheqernat e ushqimeve, përmes gjakut shkojnë në qeliza dhe konsumohen, rritet niveli i insulinës. Në tru ndodhet hipotalamusi, një strukturë me madhësi sa një kokërr qershi që shërben si central përzierës. Në sipërfaqe të tij janë sensorët që regjistrojnë përmbajtjen e sheqernave dhe insulinës së pranishme në gjak. Kësisoj, sistemi nervor qëndror informohet dhe vendos të nxisë oreksin. Uria është një ndjesi e fuqishme: Pjesa më e madhe e historisë së homo sapiensit rrjedh nga stili i jetës së gjuetarit e mbledhësit të ushqimit të paraardhësve tanë, karakterizuar nga mungesa e ushqimit dhe furnizimet aspak të parashikueshme. Kësisoj, njeriu gjithnjë ka ngrënë tepër në periudhën e bollëkut dhe ka shtrënguar rripin përgjatë mungesave. Nga ana tjetër, në përforcim të urisë vijnë edhe opioidët endogjenë, droga natyrale që nxisin ndjesinë e mirëqenies dhe kënaqësisë kur konsumojmë ushqime me përqindje të lartë yndyrnash e sheqernash. Sot, problemi është se jetojmë në kohë bollëku dhe vizitat e shpeshta në frigorifer kanë shkaktuar përhapje të mbipeshës.

Leptina

Pasi ke konsumuar një vakt të bollshëm, në hipotalamus, centrali i urisë në qendër të trurit, mbërrijnë informacionet e një hormoni tjetër, leptinës së prodhuar nga yndyra, që jep sinjalet e ngopjes. Në këtë pikë, në kushte normale hipotalamusi dekurajon oreksin dhe stomaku i mbushur nuk lëshon më sinjale ndihme.

Uria nervoze. Por nëse fillon një dietë, pra vendos ta pakësosh marrjen e ushqimit nën normalen e nevojshme për të ruajtur formën aktuale (edhe kur je obez), sistemi uri-ngopje e shtyn yndyrën e trupit të prodhojë leptinë dhe pompon në “rrjet” insulinë, e cila krijon sërish uri përsa kohë vazhdon dieta. Dy studiues endokrinologë në Poliklinikën e Pizës, Itali, Tomaso Picoruso dhe Margerita Mafei, kanë provuar se ekziston një metodë për t’i shpëtuar diktaturës së leptinës: Aktiviteti fizik. Në fakt, ky aktivitet ndikon tek prodhimi i hormonit dhe shton ndjeshmërinë e muskujve ndaj insulinës. Të dyja këto efekte janë veçanërisht të dukshme tek personat që merren me sport që nga fëmijëria dhe jetojnë në mjedise stimuluese. Jo rastësisht, thonë studiuesit, depresioni, ankthi, mërzia e vetmia janë faktorë vendimtarë për urinë nervoze.

Melatonina

E quajnë depresion dimëror, winter blues. Në vendet mesdhetare kjo gjendje përgjithësisht nuk njihet, por haset rëndom në veri dhe në klimat kontinentale. Kjo gjendje lidhet me dritën e pakët të ditëve dimërore, dhe kurohet duke u ekspozuar gjatë ditës nën ndriçime të forta. Gjatë 4-5 muajve të dimrave nordikë, orët e ditës pakësohen dhe kjo shkakton mbiprodhim të melatoninës. Simptomat që sjell tepria e këtij hormoni, janë vështirësia në zgjim dhe mungesa e energjisë deri në mbrëmje, shoqëruar me konsum karbohidratesh dhe shtim të peshës, madje dhe mungesë përqëndrimi dhe ndjesi vetmie. Në Oslo të Norvegjisë, vuan 14% e popullsisë; ndërsa në Nju Jork, që ka më shumë diell, vetëm 4.7% e popullsisë. Melatoninë është i njëjti hormon, shkaktar i “jet lag”, turbullimit të ritmit ditor të trupit pas një udhëtimi të gjatë ndërkontinental.


Njeriu vlen sa di, e din sa mban mend
Back to top
SuperGirl
Tue Apr 30 2013, 07:22pm
Miss.Felicity!


Registered Member #514
Joined: Thu Feb 15 2007, 10:58am

Posts: 36201
Si per qejfin tem e paske hap iket teme.
Ju kam than un, per gjithca e kane fajin vec hormonet



Bre mâ zi kem' pun't tue shkue
Se kto mend vijn' tue u pakue ka vijn' krenat tue u shtue...(Gj.F.)

Back to top
lissandro
Tue Apr 30 2013, 10:07pm
The pursuit of Happyness

Registered Member #1963
Joined: Sat Jun 07 2008, 04:27pm

Posts: 4764
SuperGirl ka shkruar:

Si per qejfin tem e paske hap iket teme.
Ju kam than un, per gjithca e kane fajin vec hormonet


Un nuk hapi tema vetem per qefin tem

[ Edited Wed May 01 2013, 12:28pm ]

Njeriu vlen sa di, e din sa mban mend
Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1870 sec, 0.0652 of that for queries. DB queries: 36. Memory Usage: 2,573kB