Forums
Shkodra -Lajme - Forum - Chat - Muzik - Radio -Video - TV :: Forums :: Temat Shoqërore - Shkencat :: Letersia
 
<< Previous thread | Next thread >>
Dhurata 40 mijë $ Bibliotekës Kombëtare
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
L - N
Fri Sep 04 2009, 08:25am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Dhurata 40 mijë $ Bibliotekës Kombëtare

Elsa Demo | 03/09/2009

Amaneti i Safete Sofia Jukës, përmbushet: kursimet e jetës, 40 mijë dollarë i dhurohen Bibliotekës Kombëtare.

Plasari tha se do të përdoren për pasurimin e fondit të albanologjisë dhe balkanologjisë: "Një akt bamirës dhe një model i jetës gjithnjë e më i rrallë në ditët tona."

Lume Juka, murgeshë e urdhrit të Nënë Terezës, i shkruan më 19 qershor 2009 nga Nju Jorku, drejtorit të Bibliotekës Kombëtare:

"I ndershmi Dr. Plasari... Prof. Dr. Safete Sofia Juka - motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë - ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mij dollarë) që t'i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare."

Dje, drejtori Plasari tha se kjo shumë është tashmë dhurata më e madhe dhe më e pazakontë që i është bërë ndonjëherë nga ndonjë individ, madje edhe nga ndonjë subjekt tjetër, Bibliotekës Kombëtare. Ai sqaroi se këshilli shkencor i këtij institucioni që e drejton prej më shumë se një dekade, ka marrë tashmë një vendim për administrimin e kësaj shume.

Ajo do të shfrytëzohet për pasurimin e Bibliotekës me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë dhe ky koleksion do mbajë shënimin: "Nga dhurimi i Znj. Safete Juka".
Ata që e njohën disi në vitet e fundit të jetës, e quajtën Safete Sofie Jukën "Dora D'Istria e dytë shqiptare".

E lindur në Shkodër nga Musa dhe Sofie Juka. Musa Juka ka qenë kryetar bashkie në Shkodër, në vitet 1916-1925, dhe ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë në vitet 1925-1939.

Me zhvendosjen e familjes në Tiranë, ajo mori mësimet e para në Shkollën "Nana Mbretëreshë". Ishte 13 vjeçe kur prindërit e nisën në një shkollë austriake në Vjenë. Prej andej në Paris për të studiuar arkeologji, histori arti e letërsi dhe më 1950-ën merr Licence et Lettres, diplomën për filozofi në Sorbonë.

Iu bashkua familjes që ndodhej në ekzil në Aleksandri, Egjipt, ku për disa vjet dha mësime historie në Liceun Francez. Viti 1956 e gjen në SHBA, ku për afro dy dekada jep mësime gjuhe gjermanishteje e frëngjishteje në Fieldstone School në Nju Jork dhe më 1970-ën emërohet profesoreshë në Lehigh University në Pensilvani, ku dha letërsi franceze të shekujve të 19-të dhe të 20-të.

Artikujt dhe esetë e saj janë botuar në disa revista akademike Réalités ("G. Rouault peintre des âmes") Ecrits de Paris ("Le mythe de l'âge d'ore et le mythe de mémorie chez Mircea Eliade"), South Asian Revieë ("The 'self' in Marcel Proust's Remembrance of things Past"), Les Letters Romanes (Christianisme et sentiment de la nature chez André Suarès et chez Georges Rouault").

Ajo ka kontribuar për përkthimin e artikujve nga shqipja në anglisht dhe frëngjisht. Më 1984-ën do të botohej në Nju Jork në anglisht eseja e saj "Kosova, The Albanians in Yugoslavia in Light of Historical Documents".
Në nëntor të vitit 2005, ajo ndërroi jetë. Trupi i prehet në varrezat e Shkodrës pranë prindërve dhe të vëllait Fiqret.

Duke qenë se kjo dhuratë bërë kulturës kombëtare është një shembull që s'ka të dytë, "Shekulli", duke mos dashur t'i copëtojë dy letrat, njëra e Lume Jukës, në një gegërishte të pastër, dhe tjetra e drejtorit Plasari, po i botojmë të plota, sepse janë në vetvete një homazh për S.S.Jukën dhe vetëm sa ia ngrenë velin portretit të panjohur të një gruaje që habit pas vdekjes me këtë dhuratë të saj.

"ÇKA MUNDENI JU ME BA, UNË NUK MUND TA BAJ,
ÇKA MUNDEM UNË ME BA, JU NUK MUND T'A BANI.
POR SË BASHKU, MUND TË BAJMË DIÇKA TË BUKUR PËR ZOTIN."
NANË TERESA




Lume Juka New York, 19 qershor 2009

I ndershmi Dr. Plasari.

Uroj që të jeni mirë me shëndet, gjithashtu edhe njerëzit që ju don zemra.

Do të kishe dashtë me ardhë me ju takue unë vetë. Tash përtash nuk kam mundësi. Shpresoj të vij ma vonë. Por i jam lutë zonjës Shpresa Hudhrit - mikeshë e motrës dhe e jemja - të më përfaqësojë dhe ia dijta shum për nderë që e pranoi.

Prof. Dr. Safete Sofia Juka - motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë -ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mij dollarë) që t'i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare.

Nuk ka kenë e pasun. Ia ka hjekë vetes me ia dhurue bibliotekës. Ka çue nji jetë fare të thjeshtë. Ka banue me qerá në nji apartament të vogël, pa lukse, por të mbushun me piktura të sajat dhe me libra në gjuhë të ndryshme.

Ka pasë nji kulturë të gjanë, por gjithashtu nji modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Lexonte pa u ndalë, qysh se ka kenë fmí dhe i thojshim: "TI KÉ LÉ ME LIBËR NË DORË".

Nuk ka mendue kurrë me u ba "e njoftun". Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t'i shprehi ato në mënyrë të përsosun.

Me sá dij unë, asht e vetmja zonjë shqiptare që të ketë shkrue direkt n'anglisht nji libër për Kosovën, jashtzakonisht të dokumentuem, botue në vitin 1984. Ishte tué shkrue nji tjetër edhe ma të dokumentuem kur vdekja mjerisht e rrëmbeu.

Për familjen t'onë, mërgimi ka kenë tepër i vështirë. Me sakrifica shum të mëdhaja motra i ka ba studimet e saja.

Ndofta edhe pse ka vuejtë kaq shum i ka kuptue e ndihmue të rijtë që nuk kanë mundësi me u edukue si duhet dhe ka thanë: (në nji intervistë) "Unë kam shumë besim në popullin t'em e mbajë në vetvete nji shpresë të thellë se të rijtë e sotëm Shqiptarë - djelm e vajza - kanë me pasë mundësira me krijue e prodhue, e kur të rriten kanë me pasë çka me diftue, për jetën e krijimtarinë e tyne, gjana mâ të vlefshme se kam unë sot."

Dashtninë për atdheun e gjuhën t'onë të mrekullueshme na e mbajtën prindët. Tue shkue në shkolla të hueja na vinte ma lehtë me folë me njeni-tjetrin në gjuhë të huej. Por, posa kalojshim prakun e shtëpisë, na thojshin: "Këtu asht tokë shqiptare e flitet vetëm shqip."

Kët dhuratë, motra e ka ba me gjith zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e bibliotekës. Nuk ka vue asnji kusht apo konditë...Vetëm në se, ju dhe komisioni, do t'a shifni të arsyeshme me nderue nji gjest të tillë tue mendue se mund të frymëzojë edhe njerëz të tjerë me ba të njajtën gjâ, e kështu do t'u ndihmonte biblioteka (sugjerim i jemi).

Kam përpara nji artikull (Illyria, 18-24 mars 2006) dhe firmosë nga Ridvan Dibra, Bujar Hudhri e Dashnor Kaloci:
BIBLIOTEKAT SHQIPTARE SIMBAS ISMAIL KADARESË
Kadaré tërhoqi vëmendjen e qeverisë shqiptare për mos kujdesin e duhur ndaj bibliotekave shqiptare.

Lexuesit nuk kanë aq para sa të blejnë të gjithë librat, ndaj duhen biblioteka të mira, të kompletuara, dhe me gjitha kushtet, në mënyrë që të tërhiqet sa më shumë lexuesi drejt librit. Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare që të ua bëjnë të lehtë leximin e librit lexuesëve.

Ju lutem, më njoftoni sa më parë:
1. Emnin e Bankës në Tiranë, gjithashtu edhe adresën e numrin e telefonit
2. Numrin e llogarisë
3. Emnin në të cilin figuron kjo llogari
4. THE SWIFT CODE
5. Emrin e Bankës correspondente (në se ká)
Më ka marrë malli shum për Shqipni, kët vend kaq të bukur që na e ka falë Perendija. Punojshim të gjithë që të ndriçojë me Dritën e Tij! Në Tiranë kam banue prej 1995- 2005, e sërish do të vij të banoj aty.

Kjo letër u bá si shum e gjatë, por m'u duk sikur po bisedojshim... Deshta gjithashtu të kishit nji idé mbi personalitetin e motrës...A më lejoni, ju lutem të ju kallxoj edhe diçka tjetër?.

Ksanthipi Dilo - pedagoge fiskulture - vajza e avokatit të mirënjoftun Vasil Dilo, vinte përditë në shtëpinë t'onë. Motrën e gjente gjithmonë tue lexue, ndërsa né të tjerët luejshim nëpër kopësht. Nji ditë, i thotë Nanës: "Safeten do t'a quajmë SOFIA, se është shumë e mençur." Në kujtim të sajë, Motra e mbajti kët emën. Ksanthipi ka kenë mikja ma besnike e familjes t'onë.

Paçim bekimin e Perëndisë!... Veprojshim me urtësí, mirësi e vetmohim që kështu edhe shpirti i motrës të qetësohet e të gëzohet, edhe - si thotë Nana Jonë Terese-"SË BASHKU BAJSHIM DIÇKA TË BUKUR PËR ZOTIN!"

Tue ju urue çdo të mirë

Me nderime
Lume Juka
P.S. Më ka marrë malli për Shqipní.
Në Tiranë kam banue prej 1995- 2005
e sërisht do të vij të banoj aty.

L. J.


P.S. Kjo letër u ba si shum e gjatë po m'u duk sikur po bisedojshim.
Në të njajtën kohë, deshta me ju dhanë nji ide mbi personalitetin e motrës.

L. J.

Tiranë, më 24 korrik 2009

Për Znj. Mrs. Lume JUKA
5330 Netherland Ave. 6F
Riverdale, NY 10471-2362
USA

E nderuar Znj. MRS. Lume JUKA,

Me emocion lexova njoftimin që më dërgoni, nëpërmjet letrës Suaj dashamirëse të mbushur me dashuri për librin dhe me vlerësim për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Në emër të Institucionit që, në këto momente, e drejtoj Ju falënderoj dhe Ju shpreh mirënjohje Juve për aktin fisnik të motrës Suaj të nderuar, Znj. Safete (Sofija) Juka.

Kam pasur fatin, para disa vitesh, ta takoj zonjën e ndjerë në zyrën time të punës - duke marrë me të unë një kafe, ndërsa ajo një gotë ujë - dhe të konstatoj drejtpërsëdrejti lidhjen e saj intime me librat, dashurinë e saj për kulturën shqiptare, pasionin e spikatur për historinë, posaçërisht Albanologjinë. Përshkrimi që i bëni Ju tani motrës suaj në letrën tuaj - e cila të jeni e bindur që nuk na duket aspak "e gjatë" - e plotëson për ne portretin e saj.

A do të më lejoni t'Ju siguroj që e përkap fort mirë portretin që Ju i bëni, duke qenë edhe vetë njeri që e kam lidhur ngjashëm jetën me librin? Që shpenzimet e mundshme të hequra nga paga e nëpunësit i shpenzoj - pikërisht sikurse tregoni Ju për motrën Tuaj - për libra?

Apartamenti i saj i vogël, që ka pasur për "pasuri" vetëm libra dhe piktura, sikurse Ju tregoni, më kujton apartamentin tim, gjithashtu krejt modest, që për pasuri ka jo më shumë se "libra" dhe "piktura". Ndaj dhe ndihem dyfish i emocionuar për aktin bamirës të motrës Suaj dhe për modelin e jetës së Saj gjithnjë më të rrallë në ditët tona.

Dhurimi që motra Juaj Safete (Sofija) Juka i kushton Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përpos vlerës reale financiare, - ndihmë e vërtetë për Bibliotekën tonë, - përbën në vetvete edhe një akt mistik devocioni.

Si drejtues i Bibliotekës Kombëtare dëshiroj, gjithashtu, t'Ju siguroj që shuma e lënë prej motrës Suaj të nderuar për Bibliotekën tonë jo vetëm do të miradministrohet në respekt të legjislacionit shqiptar në fuqi, por sipas vendimin të njëzëshëm të Këshillit Shkencor të Institucionit do të përdorët vetëm-e-vetëm për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë, të cilat ishin edhe fushat që pasiononin motrën Tuaj dhe në të cilat ajo bashkëndihmoi, me sa mundi, me modestinë e saj të spikatur.

I gjithë koleksioni në fjalë do mbajë shënimin e dallueshëm: "Nga dhurimi i Znj. Safete Juka".

Në këtë mënyrë kam bindjen se akti i saj do të ketë edhe shpërblesën e merituar, ndërsa kujtimi i saj do të mbetet i nderuar për përdoruesit e Bibliotekës Kombëtarë: ata të sotmit dhe ata që mbas nesh do të vijnë. Shpresoj që edhe Ju do të bini në një mendje me këtë përdorim të "kursimeve" të së ndjerës motrës Suaj.

Me respekt dhe pa padurim për t'Ju takuar këtu në Tiranë, ku Ju siguroj që do të merrni së rishti falënderimet e institucionit tonë,

Juaji
Dr. Aurel Plasari

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP





[ Edited Fri Sep 04 2009, 08:25am ]

Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
L - N
Fri Sep 04 2009, 08:33am
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00am

Posts: 10623
Dr. Safete Juka, Dora D’Istria e mosnjohur nga shteti, ku lindi dhe ku u varros në shuarje të jetës...

nga DALIP GRECA, Nju Jork

Dr. Safete Juka deshi me zemër Shqipërinë dhe Kosovën deri në çastin e mbramë të jetës. E gjithë jeta e saj është një përkushtim shembullor ndaj vendit që e lindi. E formuar si një intelektulae e klasit të parë, studiuesja, filozofja, poliglotja, piktorja, eseistja, ajopërbën një shembull të rrallë atdhetari. Është tjetër të flasësh për kombin, dhe tjetër t’i shërbesh kombit. Dr. Safete Juka bën pjesë tek të dytët. Me librin "Kosova" ndriçoi mjegullën që kishin endur akademikët serbë në SHBA e Europë...Si arkeologe e pasionuar ëndërroi, që të punonte në Shqipëri, por dëshira mbeti e paplotësuar...Si piktore ishte e dashuruar pas ngjyrave dhe qe cilësuar"Piktorja e luleve".Ismail Kadare shpërndante nga Parisi kumtin:"Thojuni shqiptarëve se kemi në Nju Jork një Dora D’Istre të dytë...Po kasnecët e shtetit nuk ia kishin ngenë ta merrnin kumtin sepse ata merreshin me ndarje kolltuqesh e vjedhjen e votave për të realizuar abortin e demokracisë, që kishte si asistent-mami Ramiz Alinë...Inxhinierja shkodrane në vitin 2002 jepte alarmin në Presidencë: Shpalleni Nderi i Kombit Safete Jukën se nderi do të jetë në anën tuaj...Po ëhë...Ato kohe dekoratat qenë lënë për Fatos Nanon që mbushte 50 vjeç dhe ia kishte shtuar vuajtjet Shqipërisë, apo edhe për Fehmi Abdiun, që në prag të demokracisë kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje të poetit, që të vetmin krim për të cilin i morën jetën, ishte shkrimi i poezive…...A mund të dekorohet krimi?…

***
E patëm aq pranë dhe papritur nuk e kemi më intelektualen e shquar. Kur Eduard Dilo, më dha i pari lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Dr. Safete Sofi Juka, ndjeva një sëmbim të thellë në gjoks. Kisha folur disa herë më Safeten në telefon. E kishim dhe të abonuar në gazetën Illyria, madje gazeta ende shkon në shtëpinë e saj në Bronx. E kishim lënë që së bashku me Edin të shkonim në shtëpinë e saj për një intervistë. Vetë shkencëtarja, piktorja, kritikja, esteistja, Dora D’Istria e dytë siç e ka quajtur shkrimtari ynë i madh Ismail Kadareja, e kishte pranuar takimin, por gjithçka shtyhej për shkak të problemeve të shëndetit të saj... 
-Nesër, arkivoli me trupin e së ndjerës niset për në Shkodër, më mbeti në veshë jehona e informacionit që më përcolli Eduardi, i cili qe mik shtëpie më Safeten. Të nesërmen ne Illyria botova lajmin e shkurtër të ndarjes nga jeta dhe nisjen e trupit për në qytetine lindjes, sipas amanetit të saj.Gjithçka ishte shumë dhënë shumë shkurt me kërkesë të familjes.
Të nesërmen shfletova në online të gjithë shtypin shqiptar,por mbeta i zhgënjyër; gjëkundi nuk pashë shkrime për ikjen e shkencëtares tonë, me përjashtim të gazetës "Shkodra" që jepte njoftimin e vdekjes dhe të varrimit në qytetin e lindjes. Në fakt është po kjo gazetë, që ka shkruar më shumë për jetën dhe veprën e Dr. Safete Sofia Juka.
Mbajta veshë se mos komuniteti ynë ringjallej në ndonjë veprimtari përkujtimore a përcjellëse për të ndjerën, që sa pati jetë s’pushoi së punuari për çështjen kombëtare, veçanërisht për Kosovën, por jo, askush nuk u kujtua! Ndoshta ngaqë Safete Juka nuk u mor kurrë me Partitë politike, ndofta dhe shoqatat tona qenë shumë të zëna ato ditë. T’na i ruaj Zoti shoqatat! Dhe unë jam i bindur se shumica prej kryetarëve të shoqatave tona të shumta, një ditë do të harrohen, ndërsa emri i Safete Jukës, jo. Emri i saj ka mbetur arkivave, bibilotekave, ka mbetur në kujtesë të kombit, edhe pse burrat që na udhëheqin kombin nuk janë kujtuar që t’i japin asaj ndonjë titull, medalje, a urdhër...Edhe pse të tillë kanë marrë edhe batakçinjtë që e kanë cfilitur kombin, ndoshta nga "dashuria" e tepërt për ta zhvatur...
Safete Sofia Juka: "Unë dhe të parët e mi kemi le’ në Shkodër..."
Ajo fliste dhe shkruante një gegënishte të ëmbël. E kam pasë fatin që t’ia dëgjoja zërin e ëmbël në telefon. Na kishte shpëtuar diku një gabim ortografik për Kosovën dhe ajo ëmbël-ëmbël, na këshilloi që të ishim të kujdesshëm, pasi ne shqiptarëve nuk na lejohej të gabonim me pjesën më të martirizuar të kombit tonë, qoftë dhe gjuhësisht.
Safetja, kur ishte mirë telefononte në redaksi dhe bëntë vrejtje ose na përgëzonte për shumë shkrime që trajtonin çështjen kombëtare.
Zërin e saj të ëmbël e ruaj të freskët, dhe tani, ndërsa lexoj biografinë e saj të shkurtër, të shkruar me dorën e saj, me një kaligrafi të zilishme, më duket se ç’ka lexoj aty në dy fletë e gjysëm letër, jam duke e dëgjuar prej gojës së saj…
"Shkodra asht vendlindja e të gjithë të parëve të mi.Edhe unë aty kam le’.Pak kohë pas lindjes t’eme prindët u instaluen në Tiranë e unë mësimet e para i bana në shkollën"Nana Mbretneshë të kryeqytetit t’onë, Tiranë.
Në moshën 13 vjeçare, prindët më dërguan në një shkollë austriake në Vjenë.
Mësimet e mesme i kam ndjekë në gjermanisht e në këtë gjuhë i kam ba provimet e maturës.
Mësimet universitare i kam ba në Paris, ku kam studju arkeologji, Histori Arti e Letërsi.
Në 1950 kam marrë prej Sorbone diplomën Licence e’s letters.
Kam kenë gjithmonë e pasionueme për arkeologji e dëshira e jeme ma e madhe ka kenë me punue në këtë degë në vendin t’em. Por fati nuk ma plotësoi kët dëshirë. Pas marrjes së diplomës në Paris kam shkue menjëherë në Egjypt, ku bashkë me familjen teme kam banue disa vjet e kam dhanë mësime historije në Liceun Francez t’Aleksandrisë.
Në SHBA kam ardhë në vitin 1956. Në kët vend vazhdoj të banoj(Jetshkrimi është shkruar në të gjallë nga vetë Safete Juka).
Ç’prej vitit 1957-1970, mbas një viti në Maine, ku isha profesore frengjishteje, kam dhanë mësim gjermanishteje dhe frëngjishteje në Fieldston School, shkollë private në Nju Jork, e njohur në vend për standardet e nalta akademike.
Falë një garnt-i që më dhuroi kjo shkollë, muejta, ndërkohë të shkoj në Paris për të përgatitë një doktoratë në Filozofi. Kjo doktoratë m’asht dhanë prej Sorbonne-s në 1969.
Në vjetin 1970 jam emnue prefesore në Lehigh University në Pennsylvania, ku kam dhanë mësime Letërsi Franceze të shekujve 19 dhe 20.
Kam dhan mësim gjithashtu si"Visiting lecturer" në Lafayette College e në Seaton Hall University…." Ndërsa shoh shkrimin e saj të shkruar bukur, tamam bukurshkrim, më duket se i dëgjoj zërin e kthjellët me atë shqipen e pastër që ajo e ruajti si gjënë më të shtrenjtë gjatë të gjithë jetës së saj edhe pse zotronte shumë gjuhë:Gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, arabisht etj.…A nuk iu bie në sy një modesti e tejskajshme në këtë jeshtshkrim kaq të shkurtër të firmuar nga vetë Safetja?Po ta kishte këtë ndonjë akademik i vetshpallur që kohët e fundit na janë shtuar shumë edhe në diasporë, do të kishte shkruar një serial veprash.
Në letërkëmbim të inxhinieres shkodrane Zenepe Dibra, Safetja shkruan:"…por unë kam shumë besim në popullin tem e mbajë në vteëdije nji shpresë të thellë se të rinjtë e sotëm, djelm e vajza, kanë me pasë mundësina me krijue e prodhue kur të rriten, kanë me pasë, ç’ka me diftue për jetën dhe krijimtarinë e tyre, sigurisht gjana ma të bukura e ma të vlefshme se kam unë sot".
"Kosova" e Dr. Safete Juka, libri që erdhi në kohën e duhur
Safete Juka nuk u mor me politikë, por u mor me Kombin. Kosovën e kishte në zemër gjatë të gjithë jetës. Pengu mbetet libri tjetër që kishte në duar po për Kosovën, të cilin nuk arriti që ta përfundonte. Ishte shumë aktive për fatet e Kosovës dhe intelekti i saj u vu në shërbim të mjekimit të plagëve të Kosovës. Studjonte vazhdimisht dhe shkruante për të, gërmonte nëpër arkiva dhe evidentonte gjithçka të mirë që qe shkruar për gjysmën e martirizuar të Kombit. Në vitin 1982 ajo është ideatorja e një Konference për Kosovën, një konferencë shkencore që do të nxirte në shesh shumë nga të"palarat" e serbëve, të cilët kishin shtrembëruar historinë duke fabrikuar mitetet e rreme, të veshura me aureolë sllave. Edhe pse mitet shqiptare e ndjenin veten keq nën kostumet sllave, akademikët e Serbisë prodhuan në seri shumë e shumë nga këto lloj mitesh.
Kumtesa e Dr. Safete Jukës në Konferencën e Nju Jork-ut vlerësohet për kthjellësinë e mendimeve, forcën e argumenteve dhe përfundimet logjike. Më pas kumtesa e pasuruar do të botohej si libër më vete me titullin"Kosova" dhe me nëntitull"Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumenteve historike", për të cilin shtypi është shprehur si ky libër përbënte në kohën që u botua një kamxhik për perëndimin e qytetëruar, që kishte bërë sehir dhe ishte engëldisur me mitet serbe, të fabrikuara nga pseudo studiues mitomanë, që kërkuan të ndërtonin Serbinë e Madhe duke shfarosur racën shqiptare, e cila ishte autoktone në trojet e veta ilire.Libri i shkruar në gjuhën angleze, i ndërtuar vetëm mbi fakte historike, erdhi në kohën e duhur dhe shpërndau një pjesë të reve dhe mjegullnajës me të cilin kishin veshur librat serbë bibilotekat e Amerikës dhe të Europës.
Që kur libri s’qe më shumë se kumtesë dhe që Dr. Safete Juka e mbajti në një konferencë për Kosovën, e cila u organizua në Nju Jork, u dhanë vlerësime pozirtive maksimale.Ndërsa kur kumtesa mori përmasat e librit dhe u shpërnda nëpër librari, univeristete, iu dhurua presidentit Klinton, senatorit Bob Dole, Kongresit e gjithandej, vlerësimi dhe shërbesa ndaj kombit shënuan ngritje. Vlerësim tepër pozitiv ka bërë për librin dhe autoren e tij,Dr. Safete Juka, Prof. Peter Titonsky i Universitetit George Town në Uashington.Ai shkruante kështu në kohën kur mori në duar librin:"Libri i mrekullueshëm për shqiptarët në Jugosllavi, me titull"Kosova", më ka bërë një impresion të thellë. Ai më ka lënë të mahnitur si nga hapësira e gjërë e njohurive historike, ashtu edhe nga materialet burimore, aq të shumta në gjithëfarë gjuhësh, që ka përdorur autorja e librit…Unë e konsideroj këtë vepër si një kontribut rrënjësor për kuptimin e historisë dhe të politikës në Ballkan. Asnjë studiues nuk mund të shkruaj për Kosovën pa iu referuar këtij vëllimi të shkëlqyer…
Dr. Safete Juka, me librin e saj, me citimet, argumentet, faktet, interpretimet, arrin që të grisë perden e mashtrimit serb për historinë e glorifikuar dhe të arnuar me fallsitete..Ajo arrin me shumë sukses që t’i nxjerrë"bojën" mashtrimeve serbe, të cilët janë përpjekur që ta paraqesin veten si autoktonë, jo ardhacakë, siç janë në realitet.
Duke komentuar rreth librit "Kosova" të autores Dr. Safete Juka, juristi Mexhit Kokalari shkruante në Gazetën Shkodra të datës 17 nëntor 2002 në shkrimin me titull"Mjerimi i Kosovës është mjerimi i Shqipërisë" se: Autorja Juka në librin"Kosova" na jep të kuptojmë se ajo nuk ndrit vetëm në njohjen e thellë të gjuhëve të ndryshme dhe në letërsinë e artin francez, por edhe në arenën politike. Ajo parashikon drejt pasojat e rrezikshme të politikës grabitqare, thellësisht antishqiptare, të fqinjëve tanë shovinist dhe na këshillon që të mos presim shumë nga Fuqitë e Mëdha që kanë qenë gjithmonë pro serbëve dhe grekëve. Kjo intelektuale e shquar ka jetuar përjetësisht me shqetësimin për fatin tragjik të popullsisë shqiptare që jetontë në Kosovë dhe shkruante"Mos ndodhtë kurrë fatkeqësia prej së cilës kam frikë.Mjerimi i kosovarëve është mjerimi i gjithë Shqipërisë.." Dhe që të mos realizohej kjo parandjenjë ajo këmbëngul që shqiptarët t’i dalin të keqes përpara vetëm duke qenë të bashkuar.
Me kujdesin e një studiuesje të dispilinuar Dr. Safete Juka parashtron në librin e saj fakte dhe vetëm fakte. Ajo nuk eci në rrugën e historianëve akademikë serbë që përvetësuan historinë e shqiptarëve autoktonë për t’u shitur vetë si të tillë, madje dhe mitet e legjendat shqiptare u përpoqën që t’i serbizojnë, t’u ndërrojnë emrat nga shqiptar në sllavë, madje të përvetësonin edhe origjinën ilire, të privatizonin Luftën në Fushë-Kosovë më 1395 në emër të popullit të zgjedhur serb,paçka se ajo ishte Luftë e Koalicionit ballkanik, luftë që u tradhëtua nga Brankoviçi, dhëndri i krajl Llazarit. Serbët nuk e patën për gjë që edhe vrasësin shqiptar të Sulltanit, Millosh Kopilin ta paraqesin si serb, duke e kthyer në "Kopiliç". Mitologjia serbe në librin e Safete Jukës thërrmohet vetëm nga argumentet dhe interpretimi shkencor që ajo u bën atyre. Shkencëtarja jonë i vjen në ndihmë racës shqiptare me argumente që vijnë nga njerëz të mëdhenj. Ajo kujton se në vitin 1878 Goshen shkruante:"vetëm një Shqipëri Etnike, lehtëson zgjidhjen e çështjes së Lindjes dhe të Ballkanit të sotëm."
Libri"Kosova" me nëntitullin"The Albanians in Yogoslavia in light of historical documents" është një kontribut me vlera shkencore i dr. Safete Juka. Ky libër i ardhur në fillim të viteve ’80 ishte parathënie se Kosova do ta ndryshonte statusin e saj nga robëria në liri, realitet që erdhi nga mbështetja amerikane.
"Golgota shqiptare", zbulimi në bibliotekën e Harvardit
Në kërkim të përhershëm për dokumente, shkrime e libra që marrin në mbrojtje racën shqiptare, apo që pasqyrojnë ngjarje e masakra, Safete Juka arrin që të zbuloi në bibliotekën e Hravardit një libër me vlerë "Albanians’ Golgotha", libër që qe botuar në vitin 1913 nga njeri prej njerëzve të shquar në fushën e politikës dhe të letrave, deputeti dhe gazetari austriak Leo Freundlich, një mik i hershëm i familjes Juka. Është një fotografi që shoqëron këtë shkrim, ku paraqitet Safete Juka në moshë të re me autorin e librit dhe bashkëshorten e tij. Shqiptarja e dashuruar pas popullit të vet arrin që ta përkthejë librin nga gjermanishtja në anglisht dhe në vitin 1991 arrin ta botojë, ndërsa në vitin 1998, në agun e betejës finale kundër serbëve, e riboton librin duke "përgënjështuar" mitet e rreme serbe.
Ky ishte një kontribut i jashtëzakonshëm dhe një freskim kujtese për njerëzimin. Duke botuar librin "Golgota Shqiptare" në anglisht, studiuesja Safete Juka, e paralajmëronte botën:"Kujdes se shqiptarët e kanë provuar Holokaustin para hebrejve"… I revoltuar nga ofensiva serbe për të zhdukur një popull të tërë, Leo Freundlich ngriti zërin e tij kundër asaj që ai e qujati "Golgotha Shqiptare", e që u shoqërua nga masakra të atij tipi që nuk i kishte njohur Bota më parë. "Unë e dënoj dhunën që ushtrohet padrejtësisht ndaj çdo populli. Ai që nuk bën kështu sot, të mos çuditet nëse nesër edhe ai vetë do të bëhet viktimë e një Golgothe tjetër" – shkruan shkrimtari hebre Frojdlih i përshkroi masakrat e serbëve kundër shqiptarëve në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni në vjeshtën e 1912 –pranverë 1913, me një vertetësi rënqethëse:"Me qindra mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjëve. Ata që mundin t’i shpëtonin sëmundjeve , urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre.Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjendeshin lehtë dhe thereshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzana, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku vendosej në majë të bajonetës apo të hunjëve.Pas masakrimit serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle.Kishte raste që ata gjatë therjes, mblidhnin gjakun në kupa dhe hapnin gostinë me të.’ Leo Freundlih, mik i familjes Juka nga Shkodra, nën titullin"Akuza që ulërijnë" dha alarmin në botën e shurdhët të asaj kohe, duke botuar dëshminë e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian, para atij Ebraik, duke dëshmuar se ishin shfarosur gati 500 mijë njerëz, mbi 250 mijë të masakruar vetëm në veriun e Shqipërisë. Në koment të librit të Leo Freundlih, gazetari gjerman Hans Peter Rullman, shkruan se "Në fillim të Luftës Ballkanike, Shqipëria ishte gjysëm e shkretuar dhe trupat serbe, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane,ndërmori një sërë pushtimesh, të cilët i shoqëëruan me masakra masive kundër një popullsie krejtësisht të paarmatosur, ku sipas shtypit Europian humbën jetën 250 mijë shqiptarë, ndërkohë që ka të dhëna se shifra mund të jetë dhe gjysëm miloni. Nga 180 mijë Kilometra katrore, me një popullsi rreth 2 milion banorë, që numëroheshin brenda territoreve shqiptare në fund të Shekullit XIX, në vitet ’30 kishin mbetur territore shqiptare vetëm 80 mijë km katrore dhe këto në pjesën më të madhe jashtë shtetit shqiptar...
Nxjerrja në dritë e këtij libri ishte një kontribut i jashtëzakonshëm i studiueses shqiptare. Dr. Safete Sofia Juka.
Profesorja e përkushtuar, studiuesja e pazëshme
Ish nxënëse e shkollës"Nana Mbretneshë" në Tiranë, ajo shumë shpejt do të binte në kontakt me rrethe që përçonin kulturë. Shkuarja në Austri që më 1937 me synim për të kryer shkollën e mesme, ishte një shans i saj për të rënë në kontakt me kulturën perëndimore. Rrugët e përfitimit të dijeve nuk u mbyllën kurrë për të. Deri në fund të jetës shfletoi, studioi dhe shkroi.Studimet universitare në Francë, përbëjnë një tjetër urë lidhje me Perëndimin, Letërsinë dhe Kulturën frënge. Pra pas kulturës austro-gjermane, ajo depërton në atë frëngë, për të trokitur më vonë denjësisht edhe në kulturën anglo-amerikane. Në vitet ’50 kryen studimet dhe merr diplomën"License es Lettres" Për 6 vjet nga 1950 deri në 1956 është një ndër profesoret më të respektuara nga studentët në Aleksandri të Egjyptit, një dritare tjetër që e çoi në kulturën e lashtë arabe. Studentët e Liceut Frëng të atij qyteti i ndiqnin me dëshirë dhe pasion orët e Letërsisë Frënge dhe të historisë, pasi vetë profesoresha e re ishte pasionante pas lëndëve. Profesoresha kishte dhe një pasion tjetër, atë të pikturës. Arrin që të hap në Aleksandri dy ekspozita dhe të fitojë vëmendjen e shtypit."Piktorja e luleve" zuri faqet e para në gazetat dhe revistave të specializuara të artit.
Në vitin 1957, Safete Juka shpërngulet familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendoset në Nju Jork dhe jep lëndën e gjuhës frënge dhe të gjermanishtes në shkollën private Fiedelson School, një shkollë shumë e njohur për standartet e larta të mësimdhënies.
Profesoresha jep mësim, por nuk heq dorë nga studimet. Shkolla dhe biblioteka ishin vendet që ajo kalonte pjesën më të madhe të kohës.Punon intensivisht për të përgatitur doktoraturën, të cilën e arrin ta finalizojë në vitin 1969. Pasi kthehet me doktoraturë të Sorbonës, fiton të drejtën e dhënies mësim si profesoreshë në Universitetin e Pensilvanias, si profesore e Letërsisë Frënge të shekujve XIX-XX, vend pune që do ta mbante me dinjitet e vlerësime sipërore derisa doli në pension.
Profesoresha ishte frekuentuese e rregullt e rretheve shkencore e kulturore.Ishte jo thjesht pjesëmarrëse, por dhe një ligjëruese që dëgjohej me vëmendje. Ajo ishte kontribuese me shkrime të një standarti të lartë në revistat prestigjioze si"The French Review", Revue de Mitaphisyque et de morale","Les Lettres romanes","Ectrits de Paris", "Relites","La nouvelle","Revue Française","South Asian Review". Dr. Safete Juka ishte jo thjeshtë amatore e pikturës, por një penel i spikatur dhe një studiuese, që zotëronte në mënyrën autoritare elementët e analizës. Është i njohur studimi i saj për piktorin Zhorxh Ruo apo studimi i saj për mitolgun e shumënjohur me origjinë rumune të shekullit të XX, Mirce Eliada. Ndër studimet e saj përmenden edhe botimet"Krishtërimi dhe ndjenja e natyrës e Andrea Suarezit dhe të Zhorzh Ruoit" si dhe "Vehtja në veprën e Marsel Prustit". Me kompetncë janë shkruar edhe botimet e saj "Njerëzorja dhe abstraktja në ujëdhesat e Zhan Grenies".
Çështja shqiptare ishte ajo që e shqetësonte në vazhdimësi dr. Safete Juka. Ajo iu përkushtua kësaj çështjeje duke botuar shkrime për Kosovën në gazetat me zë të kohës si"Le Mond", në France-Amerique, në revistën"East Europian Quartely", në gazetën"Dielli", organ i Federatës"Vatra" etj.
Kombi do të kishte nder po të nderonte Safete Jukën
Kam mbi tavolinë një letër që inxhinierja shkodrane Zenepe Dibra, i ka drejtuar Presidentit shqiptar, Alfred Moisiu. Letra mban datën 18 tetor 2002 dhe është publikuar në gazetën "Shkodra". Letra është një apel që i bëhet numrit Një të shtetit shqiptar nga inxhinierja, që flet jo thjesht në emrin e vet, por në emër të shoqatës "Gruaja intelektuale shkodrane" dhe të një grupi të madh intelektualësh për një vlerësim të figurës të intelektuales së madhe të qytetit me tradita të lashta kulturore e historike, Shkodrës… "Është në nderin Tuaj që të bëjë vlerësimin maksimal për Safete Sofia Juka…", shkruan Zenepe Dibra.
Duke plotësuar mendimin e inxhinieres shkodrane, unë them se do të nderohej kombi nëse Dora D’Istria e Dytë shqiptare do të shpallej së paku Nder i Kombit… Edhe Tirana edhe Prishtina duhet t’i kërkojnë falje pas vdekjes Safete Jukës, që nuk e nderuan në gjallje…


Botuar ne gazeten shqiptaro-amerikane "Illyria", New York Data e Publikimit: 09/12/2005





Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search
Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2070 sec, 0.0508 of that for queries. DB queries: 34. Memory Usage: 2,613kB