Forums
Moderators: :::ShkoderZemer, SuperGirl, babo, ⓐ-ⓒⓐⓣ, Edmond-Cela, ::bud::, ~*Christel*~, Al Bundy, :IROLF:, ::albweb::, OLIVE OYL
Author Post
Dergutsiani
Mon Jul 27 2009, 08:02AM

Registered Member #3136
Joined: Tue Jul 07 2009, 07:35AM

Posts: 3023
prenk jakova ishte muzikanti qe beri orkesten e par ne shqiperi ...

12 klube ka Shqipnia,por nuk gjen asnji si VLLAZNIA !!!

E kaluara i perket Vdekjes , Enderrat Sperseriten , Jeta Vazhdon...:)

Back to top
L - N
Tue Mar 23 2010, 12:32PM
Registered Member #1228
Joined: Wed Sep 12 2007, 10:00AM

Posts: 10623
Prenk Jakova, kur e burgosën se vuri në skenë Fishtën

Nga: GJOVALIN LAZRI

TIRANE-Prenk Jakova, i lindur në Shkodër në vitin 1917, arsimin profesional fillestar e kreu në kolegjin françeskan "Ylliricum", drejtor i së cilës në atë kohë ishte At Gjergj Fishta. Mësuesi që i dha edukatën e parë artistike, mësimet fillestare të muzikës së bashku dhe me disa njohuri të instrumenteve muzikorë si klarinetë, violinë, fizarmonikë dhe dirigjim, ishte Padër Martin Gjoka. Është detyrim moral e qytetar të evidentojmë vlerat e vërteta të krijimtarisë sonë kombëtare, pikënisjen dhe arritjet cilësore të kësaj krijimtarie, në taban të së cilës do të kemi mjeshtrit tanë të merituar, kompozitorët dhe artistët e ardhshëm: Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Kristo Kono, Simon Gjoni, Luk Kacaj, Tonin Harapi etj. Emri i kompozitorit Prenk Jakova tek ne është i lidhur ngushtë me një histori të caktuar, me atë të zhvillimit artistik mbarëkombëtar, kompozitori që ne sot i atribuojmë zanafillën e muzikës sonë të kultivuar në kuptimin më të gjerë të fjalës, në krijimtari e në ekzekutim. Ai duke u nisur nga kënga e thjeshtë burimore shkodrane, shumë shpejt do të shpërthejë në gjinitë e mëdha muzikore, duke marrë kështu vlerat e merituara në rang kombëtar si kompozitori i parë i vendit në zhanrin më të madh të krijimtarisë sonë muzikore - operas. Që në periudhën e fëmijërisë tek Prenka spikat talenti muzikor, dalin në pah ato aftësi muzikore që premtojnë për një të ardhme të sigurt, që në një periudhë kohe jo të largët ky talent i rrallë do të quhet krenaria e kombit tonë.
Kolegji françeskan "Ylliricum"
Nga dokumentacionet që kemi, na rezulton që kjo shkollë në strukturën e vet të ketë pasur programe shumë të avancuara në të dy kulturat. Në themel të kësaj shkolle si mësimdhënës do të kemi figurat dhe personalitetet më të larta të dijës dhe të kulturës sonë kombëtare. Që të gjithë të shkolluar në institucionet arsimore më të mira të Europës, duke filluar me më të madhin e tyre At Gjergj Fishtën, Pader Martin Gjokën, Donat Kurti, Vinçenc Prendushi, Mikel Koliqi, Bernardin Palaj, Nikoll Gazuli, Lazer Shantoja, Anton Harapi, Pjeter Meshkalla, Justin Rrota, e shumë tjerë, të cilët si nga përgatitja profesionale ashtu dhe nga përkushtimi shpirtëror, do të mbeten për gjithë jetën figurat më të shquara të kombit tonë. Shkodra në periudhën e viteve '30-'35 ishte bërë një vatër e ngrohtë për artdashësit, me një aktivitet të ngjeshur në veprimtaritë artistike. Në mes tyre duhen përmendur koncertet e para të artistëve të sapokthyer nga shkollat e Perëndimit, si pianistët Tonin Guraziu, Lola Gjoka, këngëtarët Tefta Tashko Koço, Marije Kraja, Gjyzepina Kosturi, Jorgjia Truja, Mihal Ciko, Kristaq Antoniu, të cilët me aftësitë e tyre profesionale krijuan një atmosferë shumë të ngrohtë me koncerte recitale cilësore, duke i dhënë këtij qyteti vlerat e tij të merituara. Janë të njohura përpunimet e disa këngëve të thjeshta popullore si dhe disa krijime fillestare të kësaj periudhe nga ky kompozitor, të cilat luhen dhe ekzekutohen bashkërisht me këta artistë të ftuar. Pas evidentimit të talentit të tij, ai do të shkojë për studime në Itali. Jemi në vitet '42 kur Prenk Jakova së bashku me shokët e tij Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli etj, do të fillojë studimet në Konservatorin "Santa Çiçilja" të Romës, studime të cilat për fatin e tij jo të mirë, për arsye të përmasave që mori Lufta e Dytë Botërore, do të detyrohet që t'i ndërpresë shumë herët. Megjithatë dhe me ato njohuri të marra në aq pak kohë të qëndrimit të tij në atë Konservator, do të arrijë një përgatitje profesionale mjaft të mirë, përfitim ky që shpejt do të ndjehet në krijimtarinë e tij muzikore. Me shumë vullnet do t'i dedikohet kryesisht studimeve teorike të muzikës, lëndëve të solfezhit dhe të harmonisë, orkestracionit dhe dirigjimit koral. Me një pasion të veçantë do t'i kushtohet plotësisht dhe përvetësimit të instrumentit të klarinetës, instrumentit më të dashur të tij, i cili shumë shpejt do t'i shërbejë si një mbështetje e fuqishme për njohjen e të gjitha instrumenteve të tjera të frymës.
Shfaqjet
Me kthimin e tij në vendlindje, kompozitori Prenk Jakova do të krijojë në një kohë të afërt madhështinë e figurës së tij. Duhet thënë që te kompozitori Prenkë Jakova shkolla vërtet ka ndikuar fillimisht në formimin e tij, por akoma më fuqishëm ka qenë prania e talentit të tij që e ka ndihmuar në jetë dhe që i ka dhënë kaq dorë në vazhdimësinë e krijimtarisë muzikore. Do të jenë vitet 1944-'45. kur Jakova do të thellojë krijimtarinë e tij muzikore, ndonëse në rrethana jetësore të vështira. Është koha kur Prenka mbahej familjarisht i izoluar në një shtëpi-burg për arsye tashmë të njohura. (Ndoc Jakova, vëllai i tij, një nga patriotët e njohur të kësaj periudhe, në këto momente ndodhej i arratisur, e mbas disa muajsh do të mbetet i vrarë nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të shtetit.) Megjithatë lirohet nga ky izolim i shëmtuar për të punuar në realizimin e premierës së melodramës kaq të njohur, "Juda Makabej", vepër kjo me të njëjtën titull e At Gjergj Fishtës, ku me një punë intensive e përfundon dhe arrin që ta shfaqë më 28 Nëntor 1945, në kuadrin e njëvjetorit të Çlirimit. Vepra pati një sukses të jashtëzakonshëm, u shfaq për disa net në Teatrin e Jezuitëve të Shkodrës, deri sa iu fut në vesh e në tru qeveritarëve të rinj komunistë, ku iu bë menjëherë censurimi i saj si një vepër dekadente. Vepra u pezullua për të mos u shfaqur kurrë më, ndërsa autori u burgos. U burgos vetëm për frymëzimin e fuqishëm fishtjan që autori dha në këtë vepër, si dhe për ndjeshmërinë e madhe që ky krijim muzikor ngjalli në popull. Do të jetë viti 1947 koha kur Prenk Jakovës do t'i jepet përsëri dora e krijimtarisë. Këtë radhë do të jetë drejtues artistik i Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Shkodrës, përgjegjësi artistike kjo që do ta mbajë deri në ditët e fundit të jetës. Në vitin 1951, angazhimi i dendur artistik i kompozitorit Prenk Jakova do të na çojë në krijimin e Orkestrës Simfonike të qytetit të Shkodrës. Është koha që tani Prenka fillon të kompozojë për këtë orkestër, si tablo muzikore për kor, solistë e orkestër, suita vokale e orkestrale, pjesë për orkestër simfonike, për banda muzikore, vepra madhore të kompozitorëve tanë e të huaj si nga: Çesk Zadeja, Kristo Kono, Tish Daija, Simon Gjoni, Tonin Harapi, vepra nga Bethoven, Mozart, Brahms e Shubert. Kësaj periudhe i takon edhe vepra skenike, tabloja muzikore "Dritë mbi Shqipëri", e shfaqur në nëntor të vitit 1952. E vlerësuar me çmimin e parë në Tiranë në takimin e grupeve artistike kombëtare. Është tashmë i njohur suksesi i kësaj operete, si dhe efekti i madh kompozicional që kjo vepër pati në krijimtarinë tonë të atyre viteve. Aktivitete të tjera cilësore që do të rrisin ndjeshëm nivelin kulturor të këtij qyteti, paralelisht dhe personalitetin e Prenk Jakovës si kompozitor, dirigjent dhe organizator i shquar janë: Kënga e bariut, Merdhin trumcaku, Hymni i kolegjit françeskan, Ave Maria, Litianit e Zojës, Marshi i fiskulturistëve, Elegji për Luigj Gurakuqin, Margjelo, mjaft krijime vokale të fuqishme të kohës. Të kësaj periudhe janë dhe opereta për fëmijë: "Xhuxhimaxhuxhat"; "Dasma shkodrane"; Melodrama "Juda Makabe"; veprimin muzikor "Dritë mbi Shqipëri", romancat vokale dhe tabloja muzikore "Guri i Zi"; kompozime për piano, violinë, violonçel, klarinetë etj.
Kompozitori
Prenk Jakova nëpërmjet krijimtarisë së tij muzikore duke filluar nga kënga e thjeshtë te oratori, apo nga suita te kantata, do të japë sinjalin e parë dhe më të bukur të festave, të gëzimeve, të datave historike e përkujtimore. Më tej nëpërmjet zhanreve më të arritura, me guxim do të ecë nga melodrama e opereta deri në faqet më të ndritura të krijimtarisë sonë kombëtare duke na dhuruar operat "Mrika" e "Skënderbeu", vepra këto që kanë hyrë në fondin e muzikës sonë si faqe të rëndësishme të krijimtarisë muzikore, me vlera sa profesionale, aq dhe historike për kombin tonë. Shpirti i tij i trazuar edhe në këtë periudhë mbas këtij triumfi artistik s'do të gjejë akoma pushim dhe qetësi. Në pikën më kulmore të shpërthimit të talentit të tij, në rrethana sa misterioze, aq dhe akoma të panjohura, mbas triumfit të operas së dytë "Skënderbeu", në një gjendje depresive, në qershorin e vitit 1969 do t'u lërë lamtumirën e fundit të afërmve, miqve, shokëve e kolegëve, duke i shkaktuar mbarë opinionit shoqëror një dhimbje aq të madhe shpirtërore që nuk do të harrohet kurrë. Kam në mendje disa episode e kujtime të paharrueshme që kam pasur fatin t'i kaloj si orkestrante me këtë kompozitor, kujtime këto që i përkasin periudhës së përgatitjes së operas së parë shqiptare "Mrika" në Teatrin "Migjeni" të Shkodrës, që nga fillimi i shtatorit deri më 1 dhjetor të vitit 1958. Kompozitorin Prenk Jakova do ta cilësoja si një talent të rrallë, krijues i përmasave të gjera muzikore, dirigjent i aftë, klarinetist i shkëlqyer, njohës i të gjitha instrumenteve të orkestrës, i përgatitur mirë teorikisht, me një nivel të lartë profesional, por mbi të gjitha një njeri të mrekullueshëm. Pra kushdo nga ne që e ka njohur Prenkën, por edhe më shumë për ata që kanë pasur fatin të punojnë me të, figura e tij do të mbetet kurdoherë shembulli më i mirë në fushën e jetës artistike si dhe asaj shoqërore. Jam një ndër ata orkestrantë që kam pasur fatin të punoj me këtë kompozitor të shquar që në vitin 1952, kur opera "Mrika" ishte ende në fillimet e saj, e njohur fillimisht si vepër në vete, "Dritë mbi Shqipëri" e më pas në vitin 1958 në rrugën e plotë të kurorëzimit të saj: Opera e parë shqiptare "Mrika", premiera e së cilës u dha më 1 dhjetor 1958 në Shkodër. Mbi të gjitha duhet thënë që suksesi i gjithçkaje për këtë opera fillimisht ishte puna e kualifikuar e me cilësi të lartë profesionale që bënte me individë e me grupe të caktuara në mënyrë të pandërprerë dirigjenti e kompozitori i kësaj opere, Prenk Jakova. Në punë e sipër Prenka ishte shumë i organizuar, kërkonte përpikmëri e disiplinë gjatë provave. Falë përgatitjes profesionale që kishte, shumë probleme i zgjidhte dhe vetë. Jepte këshilla nga më të vlefshmet për shumë probleme teknike, sidomos në veglat e frymës; demonstronte vetë në çdo instrument, kujdesi i tij shkonte deri në ato raste të veçanta kur ndërhynte edhe në riparimin e tyre. Kishte vesh muzikor absolut. Dallonte dhe ndalej edhe në momentet më të vogla të intonacionit. E thënë më saktë, ishte vërtet një talent i lindur. Shumë rrallë mund të sjellin kohërat njerëz të aftë si Prenk Jakova. Mund të them që quhemi vërtet njerëz me fat dhe të privilegjuar që kemi të regjistruar në jetën tonë një periudhë kohe që të kemi jetuar dhe punuar me një mjeshtër kaq të madh e të aftë, por mbi të gjitha me një njeri të mirë e të respektueshëm si Prenk Jakova

Marre prej Ballkanweb.com
trokit ketu


Ju pershnes tanve. Ju falemnders per shoqnin tuej, e ju prift e mara tanve pa perjashtim. Kam ndryshue shpin, e kam shkue me shpi te
... Me vjen keq po s'kam mundsi me u dukt ma ktej parit. Ju pershnes me mirnjohje e dashamirsi.

Back to top
LUPEN
Fri Feb 17 2017, 02:34PM

Registered Member #2813
Joined: Tue Mar 24 2009, 12:56AM

Posts: 10264
Vdekja tragjike e Prenk Jakovës, kollosit të muzikës shqiptare
-- nga Dashnor Kaloçi - Gazeta Shqiptare


Ka qenë data 9 shtator e vitit 1969 kur në të gjithë qytetin e Shkodrës, u përhap menjëherë fjala se kishte vdekur në mënyrë tragjike, Prenk Jakova, një nga mjeshtrat e mëdhenj të muzikës shqiptare, i cili kishte shkruar dhe vënë në skenë operan e parë shqiptare. Po kush ishte Prenk Jakova, nga ç'familje rridhte, ku kishte studjuar dhe si arriti ai që të bëhej një nga kollosët më të mëdhenj të muzikës në Shqipëri?

Familja dhe mësuesit e parë

Prenk Jakova u lind në 27 qershor të vitit 1917 në qytetin e Shkodrës dhe origjina e familjes së tij është nga Gjakova, prej së cilës ata patën marrë dhe mbiemrin. Gjyshi i Prenkës quhej Dedë Jakova dhe që në rininë e tij ai ishte dhënë pas muzikës, duke luajtur me klarinetë në Kolegjin Saverian të qytetit të Shkodrës. Deda vdiq në moshë fare të re dhe ai la një djalë të quajtur Kolë, i cili nga kushtet e vështira ekonomike të familjes, u fut në punë si shegert në Pazarin e Shkodrës. Prenka ishte fëmija i parë i Kolë Jakovës i cili në atë kohë punonte në një dyqan argjendarie dhe njëkohësisht njihte e këndonte mjaft mirë këngën popullore të ahengut shkodran, gjë e cila ndikoi shumë dhe në formimin e mëvonshëm të djalit të tij, Prenkës. Përveç Prenkës, Kola kishte dhe djem të tjerë më të vegjël se ai në moshë, ku dy prej tyre: Deda e Çesku, punuan si fotografë e muzikantë. Që në moshën shtatë-vjeçare, i nxitur nga babai i tij, Prenka u aktivizua në role të ndryshme që viheshin në skenë nga Shoqëritë Teatrore të asaj kohe "Bogdani" dhe "Vllaznia". Arsimin fillor Prenka e mbaroi në vitet 1924-29 në shkollën "Skanderbeg" dhe më pas ai u regjistrua e vazhdoi mësimet në Liceun "Illyricum", po në qytetin e Shkodrës. Nga dega klasike që Prenka vazhdoi në atë Lice, ai kaloi në degën e përgjithshme të gjimnazit të shtetit po në Shkodër, ku u diplomua në vitin 1935. Që kur fillloi Liceun "Illyricum", ai mori pjesë në bandën muzikore të asaj shkolle, e cila më vonë u bë dhe banda e qytetit të Shkodrës, duke qenë klaniretist i saj. Në këtë periudhë Prenka u formua si muzikant dhe filloi të drejtojë disa grupe korale e formacione të vogla orkestrale, me anë të cilave nisi të stilizonte e përpunonte këngën e re popullore, si p.sh.: "Delja rudë", "Hajredini", "Besa e një trimi", "Shkoj e vi flutrim si zogu" etj. Dy nga mësuesit e parë të Preknës prej të cilëve ai mori dhe mësimet e para në muzikë, ishin Martin Gjoka dhe Zef Kurti. Kur nuk ishte më shumë se 18-vjeç, Prenk Jakova u bë drejtuesi artistik i bandës muzikore të Liceut "Illyricum" dhe nxënësit e tij të parë ishin: Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tonin Rrota, Zef Gruda etj. Në atë kohë që Prenka mori drejtimin e bandës së qytetit të Shkodrës, ai filloi dhe shkroi partiturat e para duke kompozuar marshe për bandë dhe potpuri këngësh popullore shkodrane.

Mësues në Bërdicë e Orosh

Në 2 janar të vitit 1936 Prenka u emërua mësues në fshatin Bërdicë të Prefekturës së Shkodrës. Lidhur me këtë, në kujtimet e vëllait të tij Çeskut, midis të tjerash shkruhet: "Në atë fshat Prenka kreu jo vetëm detyrën e arsimtarit, por ai u kujdes dhe u mësoi këngën pothuaj të gjithë nxënësve të asaj shkolle. Gjatë asaj kohe Prenka mësoi vetë pa pasur asnjë metodë dhe kitarrën, e kur i erdhën metodat nga jashtë, ai pa se aty nuk kishte asgjë të re nga ato që ai kishte mësuar nga nevoja. Në pushimet verore të vitit 1939, Prenka me kursimet e tij bleu një fizarmonikë të markës "Settimio Sopreni" e cila kishte 80 base dhe metodën e saj. Brenda një kohe shumë të shkurtër Prenka e mësoi në mënyrë të përsosur atë instrument, që në atë kohë njihej vetëm me veshë dhe jo me metoda. Pasi kishte mësuar të luante në mënyrë virtuoze me klarinetë, kitarrë dhe fizarmonikë, Prenka fitoi njohuri të mjaftueshme edhe në instrumentat e tunxhit e të drurit, mësimin e të cilave e kishte filluar që në gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1939 Prenka u shkëput për herë të parë nga familja e tij, pasi u emërua mësues në fshatin Orosh të Mirditës. Në atë fshat, ai shkroi një pjesë për fizarmonikë të titulluar"Mall" dhe më pas edhe këngën "Fyelli i Bariut", teksti i së cilës edhe sot ka ngelur i panjohur. Kjo gjë shënoi provën e parë të Prenkës për të shkruar fjalët edhe melodinë së bashku, pasi ashtu ishte koncepti i këngës popullore të ahengut shkodran. Pasi qëndroi për më shumë se një vit në Orosh, në 1940-ën, Prenka u transferua në qytetin e lindjes në Shkodër dhe në atë kohë ai shkroi një cikël këngësh për fëmijë dhe operetën me dy akte të titulluar "Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve". Në vitin shkollor 1941-42, Prenka u transferua në Katër-kollë të Ulqinit dhe Oshos të Krajës, ku për të mos humbur aktivitetet artistike në qytetin e Shkodrës, ai e bënte përditë me biçikletë vajtje-ardhje atë rrugë, duke përshkuar 50 km. Në katër-kollë Prenka nuk qëndroi shumë, pasi në shtatorin e vitit 1942 ai shkoi për studime në Itali, ku u regjistrua në Konservatorin e Muzikës "Santa Cecilia" të Romës në degën e klarinetës, të cilin e përfundoi shkëlqyeshëm", thuhet në kujtimet e vëllait të tij Çeskut.

Përgjegjës i Shtëpisë Kulturës

Fundi i vitit 1944, e gjeti Prenk Jakovën si mësues në qytetin e Shkodrës, ku atë e morën për të ndihmuar në aktivitetet që zhvillonte në atë kohë kori i Brigadës së Parë partizane në Shtëpinë e Rinisë, ku ai u emërua përgjegjës i saj. Në atë kohë Prenka u arrestua nga komunistët dhe u mbajt për disa muaj në hetuesi, pasi një vëllai i tij u vra duke luftuar kundrave forcave partizane të ndjekjes diku në një fshat të Shkodrës. Ish nxënësit e tij Çesk Zadeja e Tonin Harapi, të cilët më pas u bënë kollosët e muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre Prenk Jakova dëshmojnë se gjatë asaj periudhe Prenka shkonte në punë në orën shtatë të mëgjezit dhe punonte pa pushim deri në orët e vona të natës, me korin, solistët dhe instrumentistët e shumtë që kishte në patronazh. Aq i prerë, strikt dhe konsekuent ishte Prenka në punën e tij me amatorët, saqë për të justifikuar mungesat e tyre në prova, ai u kërkonte vërtetim nga drejtoria e ndërrmarjes ose e shkollës, apo nga Komiteti Profesional. Në atë kohë me grupet që përgatiste, Prenka dha shfaqje të ndryshme jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në Ulqin, Cetinjë, Titograd etj. Në vitin 1947, Prenka përgatiti dhe përpunoi një cikël këngësh të titulluar "Dasma Shkodrane", me të cilat përveç shfaqjeve tepër të suksesëshme që dha në Shkodër, u paraqit dhe në Festivalin Kombëtar që u zhvillua në Tiranë. Përveç asaj pune raskapitëse, Prenka gjente kohë dhe punonte përsëri edhe në shtëpinë e tij, duke u marë me përpunime këngësh popullore. Ajo periudhë shënon dhe formimin e plotë të Prenkës si muzikant në mënyrë autodidakte. Në vitet 1948-1951, Prenka punoi si mësues i muzikës pranë shkollave "11 janari" dhe "Vasil Shanto" të qytetit të Shkodrës dhe nuk u shkëput për asnjë ditë nga provat e korit dhe orkestrës të Shtëpisë së Kulturës. Në atë kohë ai kompozoi këngën "Gruri i ri" me tekst të Dhimitër Shuteriqit, e cila u inskenua nga aktori Pjetër Gjoka bashkë me disa këngë të tjera që u paraqitën në Festivalin e vitit 1950 në Tiranë.

Shkruan operën e parë

Një nga kulmet e krijimtarisë së kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, është konsideruar opera e parë shqiptare "Mrika", e cila u shfaq për herë të parë në vitin 1958. Po si e ka zanafillën kjo opera dhe si arriti Prenka ta shkruante atë? Për këtë ngjarje të madhe të kulturës shqiptare, i vëllai i tij Çesku në kujtimet e tija midis të tjerash ka shkruar: "Në prag të çeljes së festivalit të vitit 1952, ishin formuar kushtet që në muzikën shqiptare të hidheshin hapa të mëtejshëm, të cilat duhet ta kalonin pragun e këngës. Kjo gjë vinte pasi ishin krijuar rrethanat me solistë të aftë dhe të përgatitur dhe me orkestër me formacion simfonik. Kështu në qershorin e vitit 1952 u thirr poeti Llazar Siliqi që të shkruante diçka mbi Hidrocentralin që po ndërtohej mbi lumin Mat. Në fillim ajo nisi si këngë dhe më pas mori formën e një veprimi me dy tablo të titulluar "Dritë mbi Shqipëri", e cila u shfaq në korrikun e vitit 1952 në Tiranë. Kjo gjë ishte dhe embrioni i operës së parë shqiptare "Mrika", që i filloi përgatitjet që nga data 2 maj e vitit 1958, ndërsa vënia në skenë filloi 12 nëntor të vitit 1958. Provat për atë shfaqje bëheshin paralelisht në Shtëpinë e Kulturës, në Teatrin e vjetër dhe në Teatrin e ri "Migjeni", pas orës 15.00, të cilat vazhduan deri në datën 27 nëntor që u dha prova e përgjithshme. Pas kësaj pune të lodhshme, më 1 dhjetor 1958 u shfaq premiera e saj në Teatrin "Migjeni" dhe pas disa shfaqjes në atë qytet, më 27 e 28 dhjetor ajo u dha në sallën e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë. Në atë shfaqje asistoi dhe Enver Hoxha së bashku me pjesën më të madhe të udhëheqjes e trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Në fund të shfaqjes doli në skenë Kadri Hazbiu, i cili pasi falenderoi të gjithë artistët e saj, ngriti një dolli të veçantë për Prenk Jakovën. Vënia në skenë e operas "Mrika", pati një jehonë të madhe edhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Suedi, Çekosllavaki etj, gjë e cila u mësua prej letrave e telegrameve të shumta që i erdhën Prenkës nga këto shtete. Një personalitet i artit nga Praga që merrej me historinë e operas botërore, me anë të një letre e përgëzoi Prenkën për suksesin e arritur me amatorët shkodranë dhe i kërkoi atij t'i dërgonte pamfletin, afishet, fotografitë e reklamat e shfaqjes", ka shkruar në kujtimet e tij për suksesin e operas "Mrika", i vëllai i Prenkës, Çesku.

Shokët e pasionet e Prenkës

Ish-nxënësit e Prenkës, Zadeja, Harapi, Gruda, Rrota, Daija etj, që më vonë u bënë mjeshtrit më të mëdhej të muzikës shqiptare, në kujtimet për mësuesin e tyre, kanë treguar se Prenka ka qenë një njeri shumë i thjeshtë dhe në vitet 1945-49 ai pati disa oferta për të shkuar në Tiranë, por i refuzoi ato sepse nuk ndahej dot nga Shkodra dhe Shtëpia Kulturës e atij qyteti. Po kështu ai e refuzoi edhe oferëtn që iu bë në vitin 1953 për të ardhur si dirigjent në Tiranë. Disa vite më vonë Prenka refuzoi edhe disa oferta për të vazhduar studimet e larta në Pragë apo në Moskë. Sa herë që ai kthehej nga ndonjë turne i zhvilluar jashtë shtetit, në valixhen e tij gjeje vetëm albume muzikore dhe partitura, si dhe grepa peshku për shokët e tij amatorë të gjuetisë me të cilët ai shkonte shpesh në Bunë dhe Liqenin e Shkodrës. Prenk Jakova gjithashti ishte i pasionuar pas futbollit shkodran dhe kur u ndërtua stadiumi "Vojo Kushi", ai shkroi marshin e Sport-Klub "Vllaznisë", të cilin e këndonin shpesh tifozeria e zjarrtë shkodrane. Ndonëse në mosha të ndryshme, shokët e miqtë më të ngushtë të muzikës për Prenkën, ishin Kolë Jakova, (klarinetist e mësues) Loro Kovaçi, (ish-klarinetist) Gjon Karma, (ish-flautist) Pjetër Gjoka, (tenor dhe aktor) Ndoc Shllaku, violinist dhe Pjetër Gjergji, kitarrist e këngëtar. Më pas shokë dhe bashkëpuntorë të ngushtë të Prenkës u bënë dhe dirigjenti Mustafa Krantja, kompozitori Tonin Harapi dhe sidomos poeti Llazar Siliqi.

Vdekja tragjike e Jakovës

Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare "Mrika", gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: "Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë". Pas përgjigjies së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t'i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën "Skënderbeu", kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën. Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjezi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha. Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas "Skënderbeu" dhe për disa muaj me rradhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorrën shumë pengesa dhe ata që ishin nhgarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit. Ndonëse opera "Skënderbeu" u shaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjëndjen shpirtrore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjëndjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu krijuan, më 9 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës.. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte krijuar vetë katër dekada më parë. Krijimtari muzikore që la Prenk Jakova, është shumë e pasur e konsiston në dhjetra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzkë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga viuortiziteti i tij dhe krijimtaria e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kollosët më të mëdhej të muzikës shqiptare për të gjitha kohrat.


Edhe lumi ka kangen e vet. Nga një herë e zhurmshme dhe e vrullshme: kanga e randë e vajit. Mandej me një rrëmbim gazmor që kënaq çdo gja që natyra ka falun: kanga e hovshme e haresë.
Lot e gaz. Si jeta e njerëzve...

Back to top
 

Jump:     Back to top

Syndicate this thread: rss 0.92 Syndicate this thread: rss 2.0 Syndicate this thread: RDF
Powered by e107 Forum System
Kerko ne Google dhe ShkodraOnline.Com
Custom Search


Mire se Vini
Emri i Identifikimit:

Fjalkalimi:




Me Kujto

[ ]
[ ]
Muzik Shkodrane - Sagllam


 
Chat Box
You must be logged in to post comments on this site - please either log in or if you are not registered click here to signup

G F 3D Photography
Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1714 sec, 0.0192 of that for queries. DB queries: 42. Memory Usage: 1,628kB