:::ShkoderZemer
Balkanweb - SHKODËR – 75-vjetori i vdekjes së poetit të njohur, Ndre Mjeda, është përkujtuar sot me një sërë aktivitetesh të organizuara nga komuna Bushat, ku ai jetoi dhe kreu aktivitetin e tij kryesor, ku morën pjesë studiues dhe akademikë të njohur të universiteteve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Arqipeshkvia Shkodër-Pult, etj.
Ne konferencën shkencore kushtuar poetit Ndre Mjeda, kryetari i komunës Zef Hila, tha se “ky kremtim merr vlera të veçanta në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, pasi Mjeda ishte një personalitet i shquar i letrave shqipe, ai ishte një figurë shumëdimencionale, ishte një filozof, teolog dhe një profesor me një spektër të gjërë".
“Ne duhet të ndihemi krenarë pasi të gjithë së bashku sot arritëm të bëjmë realitet ngritjen e Qendrës së Kulturës, “Ndre Mjeda”, tha ai.
Më pas, konferencën e përshëndeti edhe drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, i cili ndër të tjera tha se "në rikthimin e Ndre Mjedës, veprimtari që zhvillohen për të dytin vit me radhë, meritën kryesore e ka famullitari i Kuklit, Dom Nik Ukgjini, pasardhësi i Ndre Mjedes në këtë famulli, i cili në bashkëpunim me QSA-në dhe duke gjetur mbështetjen e veçantë të komunës së Bushatit, arriti që në një kohë të shkurtër të realizojë projekte interesante rreth kësaj figure".
Konferenca shkencore u zhvillua në dy seanca. Në të parën, qe u bashkëdrejtua nga studiuesit, Shefkije Islamaj, Mustafa Ibrahimi dhe Mimoza Priku, përkatësisht përfaqësues të Universiteteve të Prishtinës, Tetovës dhe “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, u mbajtën shtatë kumtesa. Po kaq u mbajtën edhe në seancën e dytë e cila u bashkë drejtua nga studiuesit dhe akademikët, Zeqirja Neziri, Gjovalin Shkurtar dhe Begzad Baliu nga Shkupi, Tirana dhe Prishtina, duke risjellë në vemendjen e të pranishmëve të shumtë një pjesë të madhe të jetës dhe aktivitetit të poetit dhe meshtarit, Ndre Mjeda.
(er.nu/BalkanWeb)
Vazhdo Leximin...