:::ShkoderZemer
Panorama - Tereza në ambientin e shtëpisë (
Foto: Vlasov Sulaj)
65-vjeçarja rrëfen kujtimet e fëmijërisë në shtëpinë e famshme të Idromenove në qendër të qytetit të Shkodrës. Dashuria dhe përkujdesi që bashkëshortja e piktorit të madh, Kristina, dhe vetë Kol Idromeno i dhanë pa kushte, për shkak edhe të mungesës së fëmijëve në çiftin e tyre. Nga tablotë e mëdha të varura nëpër faqe muresh, telajot dhe kanavaca, te shtëpia-stallë gjatë periudhës së internimit në Manzë të Durrësit.
Tereza në ambientin e shtëpisë (
Foto: Vlasov Sulaj)
65-vjeçarja rrëfen kujtimet e fëmijërisë në shtëpinë e famshme të Idromenove në qendër të qytetit të Shkodrës. Dashuria dhe përkujdesi që bashkëshortja e piktorit të madh, Kristina, dhe vetë Kol Idromeno i dhanë pa kushte, për shkak edhe të mungesës së fëmijëve në çiftin e tyre. Nga tablotë e mëdha të varura nëpër faqe muresh, telajot dhe kanavaca, te shtëpia-stallë gjatë periudhës së internimit në Manzë të Durrësit.
As grida artistike e stërgjyshit, as aftësia e tij për të përjetësuar portrete njerëzish të dashur apo të zgjedhur ashtu rastësisht pa sqimë, nuk do mund të skalitnin në copëza të shkëputura jete gjithëfarë ajo ka kaluar ndër vite. Internimi i familjes së saj, për shak të punës zyrtare të të atit Ndoc Vasia, si shef i zyrës së shtypit pranë Pallatit Mbretëror gjatë regjimit zogist, ishin shkaku pse ata u goditën, i madh dhe i vogël. Ndërsa, kujtimet e bukura 13-vjeçare të rritjes së saj në shtëpinë e dajës së mamasë, Kol Idromenos, ishin tabloja më e bukur me shpërthime ngjyrash në jetën e Tereza Vasisë, edhe pse ajo do të endej mes Shkodrës dhe Manzës, fshatit të Durrësit ku familja u internua për plot 10 vjet. Babai i saj, intelektuali që u shkollua në Vjenë të Austrisë, përfundoi hamall në Portin e Durrësit, ndërsa e ëma, që njihej me nofkën Gjyzepina e bukur, u detyrua të punonte me normë në fermë dhe në punët e blegtorisë. Vite më pas, morisë së fatkeqësive familjare do i shtoheshin edhe dy viktima të tjera. Ernest Çoba, daja i Terezës, kleriku i njohur shkodran u dënua me 25 vjet burg derisa vdiq në një spital në Tiranë, ndërsa halla Maria Vasia, e diplomuar në Bolonja të Italisë për kirurgji gjinekologjike, u pushkatua bashkë me nëntë intelektualë të tjerë në Mokër, ndërsa eshtrat e saj ende sot rezultojnë të zhdukuara. 65-vjeçarja Tereza Vasia, e cila reflekton hapur gjenin e kulluar të kulturës shkodrane, nuk lejoi që vuajtja ta vinte përfund, edhe pse sot me dhimbje ajo rrëfehet për “Unë Gruaja”.
“Mbesa” titullohet një nga portretet më të njohura të Kol Idromenos. Ndodhi që muza e piktorit të madh të ishte Gjyzepina Çoba, pikërisht mamaja juaj. Mund të na thoni diçka më shumë për këtë?
Tereza me prindërit, dalë në Tiranë, disa ditë përpara internimit
Besoj se është një nga krijimet më interesante të gjyshit, sepse mamaja ime edhe pse ka vdekur, mbeti e përjetësuar në vepra arti. Shumë herë portreti i saj është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, bashkë me shumë piktura të tjera të Kolës, që janë pjesë e arkivit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Portreti është realizuar në vitin 1932, kur mamaja ishte thuajse 10 vjeçe. Për shkak të vdekjes së parakohshme të të atit, ime më u rrit në shtëpinë e famshme të Idromenove në Shkodër. Vetë piktori i madh nuk pati fëmijë nga martesa e tij me Kristinën dhe gjithë përkushtimi i tij dhe i bashkëshortes u përqendruan tek Gjyzepina, mamaja ime dhe më vonë tek unë dhe im vëlla. Është një nga pikturat e tij më të bukura, duke qenë se portretet ishin zhanri i preferuar i artistit të madh. Pasi krijoi një seri portretesh, me të cilat Kola identifikohet, njerëz të thjeshtë, apo persona të afërt të familjes, ime më bënte pjesë në këtë të fundit, ndaj pati shansin që të portretizohej nga dora e piktorit të madh.
Ju thoni se ishit pjesë e familjes së njohur të Idromenove. Çfarë lidhje gjaku keni me piktorin e famshëm?
Motra e Kol Idromenos, Antoneta, e cila njihet si ‘Motra Tone’ për shkak të portretit të pavdekshëm që i vëllai i realizoi vetëm disa ditë përpara se ajo të ndërronte jetë, u martua me një profesor italian dhe lindi pesë vajza dhe një djalë. Lindi gjyshen time, Orsolinën, dhe fëmijët e tjerë. Kolës i del detyrë shpirtërore të përkujdeset për fëmijët e mbetur jetime të së motrës, pasi Antoneta u sëmur nga tuberkulozi, e për mungesë antibiotikësh e medikamentesh, ndërroi jetë. Gjithnjë kish qenë vajzë vitale, aktive, që dashuronte muzikën, kërcente bukur vallet popullore. Nëpër dasmat shkodrane ‘Motra Tone’ gjithnjë ishte e ftuar. Ndaj, dhe në portretin e realizuar nga i vëllai, ajo shfaqet e veshur me kostum popullor. Orsolina, gjyshja ime, ishte mbesa direkte e Kol Idromenos, vajza e motrës. Atë e martojnë me Luigj Çobën, një tregtar i njohur shkodran dhe nga kjo martesë lindi mamaja ime Gjyzepina, e cila e kishte dajën e mamasë piktorin. Ime më ishte fëmija i dytë, pas atij të parit, që ishte daja Ernest Çoba, kleriku i njohur shkodran që u dënua nga regjimi komunist. Për shkak të peripecive që patëm si familje, të gjithë jemi rritur në shtëpinë e Kol Idromenos.
Keni shkuar foshnjë në shtëpinë e piktorit dhe ikët prej andej në moshën 13-vjeçare. Çfarë kujtimesh ruan nga kjo periudhë e jetës atje?
Ndoc Vasia, babai i Terezës
Mua më dërguan prindërit të jetoja në shtëpinë e dajës, ku ishin edhe gjyshja ime Orsolina, Kristina gruaja e piktorit, tri teze të pamartuara, dy dajat dhe një shërbyese që punonte në shtëpinë e Kolës dhe aty u rrita me shumë vëmendje dhe dashuri. Kur unë linda, kishte pak vite që Kola kishte ndërruar jetë. Bëhet fjalë për vitin 1945. Arsyeja se pse prindërit e mi më dërguan 40- ditëshe në shtëpinë e Idromenove, ishte sepse pas martesës së mamasë me Ndoc Vasinë, ata u internuan në Manzë të Durrësit për 10 vjet. Edhe pse fëmijë, ruaj kujtime shumë të bukura. Oborri i shtëpisë ishte si parajsë. Lulet ishin në trajtën e një qilimi, dhe gjithçka ishte kompozuar nga dora e Kolës dhe me vdekjen e tij ishin përkujdesur të gjithë pjesëtarët e familjes për të ruajtur traditën. Në hollin e shtëpisë ishin katër piktura të mëdha, ’4 Stinët’ e famshme. Portreti i një gruaje shkodrane të veshur me kostum popullor, të cilin piktori e kishte quajtur ‘Lezja Sakatja’. Quhej e tillë, sepse kjo grua shumë e bukur ishte bashkëshorte e një njeriu me emër në Shkodër, por që ky i fundit nuk e merrte asnjëherë me vete se ishte e çalë. Në dhomën ku flija unë, ishin shumë piktura, mes tyre katër portretet e familjes, autoportreti i tij, portreti i Kristinës gruas së Kol Idromenos, i dajë Ernestit, i Gjyzepinës, mamasë sime e shumë piktura të tjera të realizuara mjeshtërisht nga dora e tij.
Me rritjen tuaj a kishit kuriozitet për të mësuar më shumë rreth krijimtarisë artistike të piktorit, ndonjë pengu nga jeta e Kolës?
Shpeshherë më ngjan sikur qyteti im i lindjes, e gjithë Shkodra është krijuar nga duart e Kol Idromenos. Sepse përveçse një piktor, fotograf, artist me mendje dhe duar të arta, ai ishte edhe një arkitekt e projektues i zoti. Ai është autor i shumë veprave të njohura. Ishte i pari që ka bërë ndërtesat kryesore të bulevardit të Shkodrës, e quajtur zona e ‘Dugajve’, e cila sot mban emrin e Kol Idromenos. Ka realizuar Kishën e Madhe të qytetit të Shkodrës, Xhaminë e
Portreti “Mbesa”, i realizuar nga Kol Idromeno. Portreti i Gjyzepinës, mamasë së Terezës
Plumbit, shtëpinë e Riza Danit, ish-deputet i njohur në Parlamentin e parë komunist, që tentoi të krijonte opozitën e parë shqiptare duke kundërshtuar direkt Enver Hoxhën. Ndërsa vitet kalonin, unë u lidha shumë me të dyja gjyshet, edhe me Kristinën gruan e Kolës, edhe me Orsolinën, gjyshen time. Shpesh tentoja të mësoja më shumë për jetën e Kolës, krijimtarinë e tij. Kola ishte njerëzor në gjithçka që bënte. Shumica e portreteve që realizoi ishin njerëz të thjeshtë, por që kishin një jetë të tyren. Gjyshja më fliste shpesh për një peng të piktorit mbi veprën e papërfunduar, që protagonist kishte një afrikan, me profesion roje në prefekturën e Shkodrës. Një portret që mbeti i papërfunduar, për shkak të rënies në shtrat e sëmundjes, derisa Kola mbylli sytë disa ditë më pas. Ky ish pengu i Kol Idromenos.
Pas kujtimeve të bukura në familjen e njohur të Idromenove, flasim për familjen tuaj. Martesën e nënës suaj me Ndoc Vasinë dhe goditjen që pasoi nga regjimi komunist paskëtaj…
Time më e thërrisnin shpesh me nofkën Gjyzepina e bukur, sepse ishte vërtet shumë simpatike. Ata u martuan me shkuesi, pasi babai kishte përfunduar studimet në Vjenë të Austrisë. Dy vite të shkollës së mesme dhe shkollën e lartë për Shkenca Politike. Pasi përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera, ai u kthye në Shkodër dhe nisi punën si mësues letërsie, ndërsa paralelisht zhvillonte aktivitetin e tij artistik si regjisor, dramaturg. Ishte njeri mjaft i talentuar. Ata u njohën dhe u martuan në vitin 1939. Gjatë kësaj kohe, në Tiranë ishte vendosur regjimi zogist, dhe vetë madhëria e tij, Mbreti Zog, me porosi të tijën personale bën kërkesë që babai të nisë punën në Pallatin Mbretëror, si shef i zyrës së shtypit. Ishte urdhër i madhërisë, ndaj familja u shpërngul nga Shkodra në Tiranë. Unë duke qenë foshnjë më lanë në shtëpinë e Kol Idromenos, ku më rritën gjyshet edhe për disa vite, ndërsa prindërit dhe vëllai u shpërngulën. Sigurisht që takoheshim duke ardhur ata në Shkodër, ose duke më dërguar mua në Tiranë. Babai nisi punën me disa kolegë, si Zoi Xoxa, Nebil Çika, Abdurrahman Dibra, që ishte drejtor i përgjithshëm. Punoi për 10 vjet në atë pozicion pune, derisa me ndryshimin e regjimit dhe ardhjen e italianëve, familjen e internuan.
Për çfarë akuzohej babai juaj?
Maria Vasia, halla e Terezës, intelektualja e pushkatuar në Mokër
Gjatë kohës që ishte shef i Zyrës së Shtypit në pallatin Mbretëror të Ahmet Zogut, babai drejtonte edhe një gazetë, të njohur me emrin ‘Besa’. Pasi përfundoi regjimi zogist dhe në Tiranë zbarkuan forcat italiane, dhe shumë intelektualë e pësuan keq. Në vitin 1944, babain e akuzuan për veprimtari antipopullore dhe aktivitet intelektual kundër interesave të vendit. Mikun dhe kolegun e tij të ngushtë, Nebil Çikën, për të njëjtin shkak e pushkatuan, ndërsa babain nga pushkatimi e shpëtoi miqësia e tij me gjuhëtarin e madh, Aleksandër Xhuvani. Ai i kish shprehur se i kishte shpëtuar jetën, por jo nga internimi. Nga jeta normale, prindërit përfunduan në Manzë të Durrësit, në një stallë lopësh të shndërruar në shtëpi. Mbaj mend kur isha e vogël, që teksa shkoja tek prindërit për t’i parë, nga Shkodra më sillnin njerëz të tjerë të fisit dhe qëndroja disa muaj atje, lopa futej brenda në shtëpi e unë qaja nga frika. Babai, nga ai pozicion i rëndësishëm pune, përfundoi punëtor ngarkim-shkarkimi në Portin e Durrësit. Mamaja punonte në fermë, punonte tokat dhe fushat atje, merrej me blegtori, me normë ditore gjithçka. Unë jetoja mes Shkodrës dhe shtëpisë së internimit. Vuajtëm dhe jeta u bë shumë e vështirë për të gjithë ne.
Ju keni edhe dy ‘viktima’ të tjera në fisin tuaj që u goditën nga regjimi komunist, apo jo?
Daja im, Ernest Çoba, ishte një nga klerikët më të njohur në Shkodër, me një veprimtari të gjerë fetare. Fundi i lidhjes së shtetit socialist me fenë e ka zanafillën me revolucionin e famshëm kulturor në Kinë. Nisi periudha e bastisjes së kishave e foltoreve, shumë prej tyre u shkatërruan dhe u kthyen në stadiume, pallate etj. Në vitin 1976, daja im u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg me akuzën e spiunazhit në dëm të shtetit shqiptar. Torturat, internimi dhe goditja që pësoi, e dëmtuan shumë dhe katër vite më pas vdiq. Në 1980-n e sjellin në Tiranë, me pretendimin për ta shëruar, dhe vite më vonë mësuam se atij i kishin bërë një injeksion vdekjeprurës. Varrin e tij nuk e gjetëm për shumë kohë, deri kur unë nisa kërkimet dhe e gjeta përpara tri viteve në një gropë të humbur në Varrezat e Tufinës. Ceremoninë mortore e zhvilluam në kishën qendrore të qytetit tonë të lindjes, Shkodrës.
Ndërsa, varrin e hallës suaj, Maria Vasisë, nuk e keni gjetur ende…
Ende jo(përlotet)! Halla ime kishte studiuar në Bolonja të Italisë për Kirurgji gjinekologjike. Ajo u shqua për profesionalizëm të lartë. Pas eksperiencës në maternitetin të Tiranës, atë e vendosëm në Pogradec, pikërisht për të mbuluar nevojat shëndetësore të qytetit. Ishte periudha kur në Pogradec vjen nga Jugosllavia Dushan Mugosha me njerëzit e tij. Ai jep disa direktiva të çuditshme që 10 intelektualë që punonin në Pogradec të pushkatoheshin, sepse konsideroheshin spiunë italiane dhe njerëz me kulturë perëndimore. Njerëzit e Mugoshës trokasin një natë në derën e shtëpisë së hallës, ndërsa ajo kish menduar se ishte ndonjë vajzë që kish nevojë të lindte. E kishin quajtur tradhtare të popullit dhe, bashkë me nëntë intelektualë të tjerë, i çuan në Mokër dhe i pushkatuan. As nuk dihet se ku janë groposur trupat e tyre.
Por, asnjë vështirësi nuk ju mundi në jetë…deri sa u martuat me një artist të njohur, koreografin Ëngjëll Tërshana, jeta u zhvendos me këngëve e valleve…
Dashuria me Ëngjellin ishte dashuri me shikim të parë. Rastësisht u pamë në një koncert dhe shumë shpejt u dashuruam. Ëngjëlli ishte valltar e kërcimtar shumë i zoti. Atij i shkëputej shpirti nga trupi dhe jepej me gjithë qenien e tij në vallet e koreografitë që krijonte. I lehtë si pupël, ai hidhej gati në tavan me lëvizjet e tij. Koreograf dhe autor i shumë eventeve artistike, si Festivali Folklorik i Beratit, Festivali i Strugës, etj. Ai ishte njeriu më special për mua. Familja ime e re dhe lindja e dy djemve e transformuam tërësisht nocionin tim për jetën. Ndërsa vazhdova shkollën e lartë me ndihmesën e pashlyer të mikut të babait e profesorit të shquar, Aleksandër Xhuvanit. Duke qenë familje me biografi të nxirë, unë mund të mbetesha edhe pa shkollë, por deshi fati që kjo të mos ndodhte. Gjithë jetën punova mësuese letërsie, ndërsa dhimbjet e vuajtjet e shpirtit i ktheva në kujtime të fëmijërisë, njësoj siç ishte kjo periudhë për mua.
ERMIRA ISUFAJ
Vazhdo Leximin...