:::ShkoderZemer
Sot - Këngëtari Frederik Ndoci rikthehet në edicionin e 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH me këngën me titull “Jeta ime”. Me tekst dhe interpretim të tij, kënga është një kompozim nga Lejla Agolli dhe me orkestrim të Endri Sinës. Këtë herë këngëtari, i cili është vlerësuar në skenën e festivaleve disa herë me çmime, vjen me një baladë për të cilën pohon se është një meditim për jetën. “Kënga “Jeta ime” është me tekst nga unë, dhe ajo është baladë.
Kënga është një dialog për jetën, pasi dihet si jeta ime ashtu dhe jeta e gjithsecilit prej nesh ka uljet dhe ngritjet e veta”, pohon këngëtari. Fredrik Ndoci këtë herë i bashkëngjitet 28 emrave, që do të jenë në garën e muzikës së lehtë shqiptare në skenën e festivalit të RTSH, ndërsa publiku ruan akoma këngët e tij që dikur kanë qenë dhe fituese. Në natën retrospektivë të Festivalit të Këngës në RTSH këtë vit pritet do të jenë dhe disa nga këngët fituese ndër vite të këngëtarit, i cili është vlerësuar për zërin dhe talentin e tij në festival. Këtë vit në jubile të Festivalit të Këngës në RTSH Frederik Ndoci ngjitet në skenë me këngën që ka kompozitore Lejla Agollin, ku falë këtij bashkëpunimi në një tjetër eveniment të këngës qytetare ata janë vlerësuar dhe me çmim të parë. “Me Lejla Agollin unë kam bashkëpunuar dhe më parë dhe jam vlerësuar me çmime. Është një bashkëpunim shumë i mirë dhe e vlerësoj”, pohon këngëtari Frederik Ndoci. Si një nga zërat më të vlerësuar nga publiku dhe kritika, Frederik Ndoci e vlerëson interpretimin live në festival, pasi për të aty dallohen dhe këngëtarët e vërtetë. Publiku në këtë jubile të festivalit, i cili nuk ka kaluar pa komente dhe debate në çdo edicion të tij, do të këtë mundësi që të dëgjojë një emër i cili gjithmonë e ka vlerësuar të bukurën dhe profesionisten në krijimtarinë muzikore. “ Këngët e mia kanë mbetur të pavdekshme në festival dhe këtë vit unë do të them sërish fjalën time me baladën “Jeta ime””, pohon këngëtari. Kompozitorja Lejla Agolli pas tre dekadash rikthehet në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH në këtë bashkëpunim me këngëtarin Frederik Ndoci. Për Agollin, një këngë e bukur në Festivalin e Këngës në RTSH quhet kur ajo ka identitet shqiptar, është origjinale dhe këndohet nga një zë i bukur. “Kënga ime në festival është një meditim për jetën dhe teksti është shkruar nga Frederik Ndoci, i cili dhe do ta interpretojë në skenë. Kënga është me orkestrim të Endri Sinës dhe me kompozim nga unë. I jam shumë mirënjohëse të dyve dhe jam e bindur se nëse kënga ka disa vlera interpretimi i Frederik Ndocit do t’ia shumëfishojë ato. Frederiku ka shumë talent dhe në tekste”, ka pohuar më herët për kompozitorja Lejla Agolli.
Frederik Ndoci, fitues i edicionit të 45 të me “Balada e Gurit”
Festivalin e Këngës në RTSH, këngëtari Frederik Ndoci e shikon si një ngjarje të rëndësishme, e cila përveçse një garë e fortë muzikore prezanton më së miri dhe vlerat e këngës së lehtë shqiptare. Një baladë me atmosferë krejtësisht ballkanike, tinguj muzikorë nga veriu i Shqipërisë dhe një zë potent e i veçantë. Frederik Ndoci, me këngën “Balada e gurit” është shpallur fituesi i festivalit të 45-të këngës në RTSH. Me tekst të Pandi Laços, kompozuar dhe orkestruar nga Adrian Hila, “Balada e gurit” ishte njëkohësisht edhe kënga e radhës, përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovizion. Të jesh i kompletuar në një profesion siç muzika, aspak nuk është e lehtë. Që t’ju dalësh na ballë gjithë atyre barrierave të cilat ti sjell jeta artistike, nevojitet forcë, durim, kurajo e mbi të gjitha dashuri për një gjë të tillë. Këngëtari i njohur Frederik Ndoci është një ndër artistët të cilët asnjëherë nuk u dorëzua, megjithëse jeta e përplasi në shumë vende të botës. Përplot suksese, albume dhe hite të regjistruara në shtëpitë më të njohura botërore diskografike, prezantime dinjitoze dhe vlerësime ndër më të lartat, janë disa nga karakteristikat të cilat do e pasqyronin këngëtarin Frederik Ndoci.
Vazhdo Leximin...