::bud::
Mbi 15 000 shikues kanë ndjekur deri tani filmin “Falja e gjakut” në kinematë shqiptare. Ndërkohë filmi ende vazhdon të shfaqet duke u bërë filmi më jetëgjatë në kinema i këtyre 20 viteve të fundit.. “Falja e gjakut” i kompanisë kinematografike “Lissus Media” është jo vetëm suksesi më i madh i një filmi shqip në arenën ndërkombëtare, por me sa dëshmon edhe suksesi më i madh i distribucionit të një filmi shqip në territorin shqiptar.
Kompania “Lissus Media” e ka organizuar në mënyrë indipendente distribucionin e filmit “Falja e Gjakut”, duke bashkëpunuar me të dy rrjetet “Millenium” dhe “Imperial”, gjë që është risi në kinemanë shqiptare.
Producenti i “Lissus Media”, njëkohësisht dhe bashkëskenarist i filmit, Andamion Murataj, shprehet se ndjehet tejet i lumtur me pritjen që i ka bërë publiku shqiptar “Faljes së gjakut”. “Ky film nuk shënon rekord vetëm për nga numri i shikuesve por edhe për grupmoshën, pasi 90% e shikuesve të filmit janë të grupmoshës 14-21 vjeçare gjë që e thyen tabunë që rinia shqiptare i është larguar kinemasë”, vëren Murataj, ndërsa shton se “të rinjtë nuk janë indiferentë ndaj ndaj kinemasë cilësore as këtu as në botë”. “Gjithë puna është që me ta duhet punuar. Për mua puna me distribucionin e filmit është po aq e rëndësishme sa puna në para-produksion. Në esencë unë aplikova të njëjtën tenikë duke komunikuar me të rinjtë atje ku janë ata, në shkolla apo në organizata rinore. Ne kemi pasur një bashkëbisedim të gjerë mbi filimin me të rinjtë. Filmi ka pasur një impakt të fortë social duke frymëzuar jo vetëm një debat të gjerë mbi zgjidhjen paqësore të konflikteve, ku mund të përmend diskutimin e gjerë me të rinjtë e gjimnazit Çajupi në Tiranë, si edhe një iniciativë kundër gjakmarrjes nga ‘Shoqata Internacionale për Solidaritetin” në Shkodër”, vijon producenti dhe skenaristi shqiptar Murataj. Filmi “Falja e Gjakut” ndërkohë shënon dhe një rekrod tjetër si lajmi kulturor më i raportuar në median e shkruar dhe vizive.
Ftesa nga kommuniteti shqiptar për shfaqje të filmit
Kërkohet të prezantohet filmi në Boston, Milano dhe Firenze
Fenomeni i gjakmarrjes në shoqërinë shqiptare ka qenë tema e takimit të organizuar në Shkodër mes drejtuesve të organizatave që ndjekin këtë fenomen dhe shoqërisë civile. Frymëzim i këtij takimi ka qenë pikërisht subjekti dhe mesazhi i filmit, “Falja e Gjakut”. I ftuar në këtë takim ishte skenaristi Andamion Murataj, i cili foli për idenë e realizimit të këtij filmi, studimit që i kanë bërë këtij fenomeni në vend dhe vështirësive të hasura gjatë rrugës së realizimit të tij.
Pjesë e takimit të organizuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin” ishin edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe të policisë, si aktorë që përballen pothuajse çdo ditë me të tilla raste në qarkun e Shkodrës. “Falja e Gjakut”, është fitues për skenarin më të mire, i Festivalit Ndërkombëtar të Berlinit, si dhe se fundmi i atij të Chicago-s. Ky film jep realitetin e zymtë të shumë familjeve shqiptare të ngujuara nga ky ligj kanunor dhe sfidës së të rinjve për të ndryshuar këtë panoramë të shëmtuar. “Falja e Gjakut” është një film i cili hedh një vështrim realist por edhe modern mbi këtë fenomen, i cili ka tërhequr vëmendjen per mënyrën e trajtimit në ato vende ku nuk ekziston një dukuri e tillë. Në këtë takimin në Shkodër ishte dhe Senad Keroja, koordinator “Dora e Pajtimit”, i cili u shpreh se nga shoqata e tyre me qendër në Milano, janë të gatshëm të punojnë dhe të mundësojnë një premierë të filmit “Falja e Gjakut” në Milano.”

E njëjta gjë është ofruar pak kohë më parë nga Arta Nikaj, presidentja e shoqatës së studentëve shqiptarë në Firenze. “Shoqata jonë organizon shumë evenimente e aktivitete nga më të ndryshmet: kulturore, sportive etj. Idea është të prezantojmë filmin ‘Falja e Gjakut’ në Firenze ku ndër spektatorët do të jenë studentë shqiptarë në Toskana, shqiptarë në Toskanë dhe intelektualë italianë. Sigurisht do të jetë e hapur dhe për cilindo që mund t’i interesojë ky film. Pas filmit kemi menduar të ketë një bashkëbisedim të lirë me autorët”, shprehet Nikaj.
Ndërkohë një tjetër ftesë për shfaqjen e filmit është bërë nga Shoqata Amerikano- Shqiptare me qendër në Boston, e cila kërkon që “Falja e gjakut” të shfaqet edhe në Boston.
Shfaqja në Nju Jork
Mbrëmjen e 21 Tetorit, filmi “Falja e Gjakut” ka pasur shfaqjen e tij në Nju Jork, SHBA, në një sallë të mbushur plot në kinemanë e qendrës kulturore, ‘Brooklyn Academy of Music’ (Akademia e Muzikës të Brooklyn). “Në një sallë të mbushur me plot shqiptarë dhe amerikanë, ne spektatorët shijuam një ngjarje të thurur me hollësi dhe plot imagjinatë komplekse. Edhe pse jam rritur në Shqipëri dhe kam dijeni për problemet shoqërore që na kanë plogështuar me shekuj, ‘Falja e Gjakut’ më tërhoqi në thellësi të psikozës dhe të jetës së të ngujuarve në një mënyrë që nuk mund ta kisha pritur”, shprehet Anisa Dëma, një aktore e re shqiptare që jeton në Nju Jork. “Edhe pse një çështje që mund të na duket kaq antike, si hakmarrja apo ngujimi dhe që rrezikon të tregohet dhe realizohet në një mënyrë ekzotike apo të dramatizuar ne ekstrem, regjia e kujdesshme nuk e kaloi kurrë këtë pikë. Madje, realizimi i filmit është aq real sa, në sinkronizim me lojën e përsosur të aktorëve, të grabit vemendjen derisa harron që je duke parë një film e jo një ngjarje të vërtetë të filmuar fshehurazi. Filmi i tejkaloi të tëra pritjet e mia, kur me shumë kujdes arriti të thurte humorin dhe bukuritë e jetës së përditshme me një ngjarje kaq tragjike si hakmarrja”, thotë Dëma, ndërsa flet për lojën e natyrshme të aktorëve Sindi Laçej, Tristan Halilaj, Refet Abazi, Ilire Vince Çelaj, Çun Lajçi dhe Zana Hasaj. “Përveç kënaqësisë që ndjeva nga ana artistike duke shijuar filmin, për një moment u kujtova se sa kuptimplotë ishte kjo eksperiencë: për herë të parë po shikoja një film në gjuhën time në një kinema që është një nga pikat më të larta të kulturës të Nju Jorkut: Brooklyn Academy of Music dhe më tepër akoma po shikoja një film bashkë me shumë spektatorë të tjerë amerikanë apo të huaj, e jo vetëm shqiptarë. Kjo kureshtje që u tregua nga publiku i përgjithshëm për ngjarjet tona si shqiptarë është një arritje dhe krenari tepër e veçantë”.
Vazhdo Leximin...