:::ShkoderZemer
VIRTYT ABDYLI Metropol - Gjithkush e mban mend babain te filmi “Çifti i lumtur”, aktori nuk rron më, por personazhet përjetësisht . SHKDOER- Qyteti i Shkodrës ka nxjerrë mjaft artistë të mëdhenj, të cilët i dhanë tonin artit skenik dhe kinematografik. Pjesë e këtyre artistëve është i mirënjohuri Bep Shiroka, i cili, duke gërshetuar talentin e tij të lindur me pasionin
dhe profesionalizmin, shpalosi para artdashësve, jo vetëm të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë dhe të trevave shqiptare, gjeniun natyral të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Vlerat e këtij artisti ranë në sy që në rolet e para të tij duke filluar që nga paraqitja mjaft e këndshme skenike, batutat e menjëhershme, gjestikulacionet e përshtatshme dhe të veçanta në interpretim dhe një mimikë të jashtëzakonshme e të paharrueshme. Ndërkohë, nga shfaqja në shfaqje, profesionalizmi i Shirokës do të rritej deri në atë pikë saqë personazhet e interpretuara prej tij do të nguliteshin thellë në kujtesën e të gjithë artdashësve. I bërë i njohur për interpretimin brilant të mbi 100 karaktereve të ndryshme, në teatër dhe në filma, Bep Shiroka do të spikaste në filmat “Çifti i lumtur”(1975) dhe “Koncert në vitin 1936” (1978). Batutat origjinale, jashtë skenarit, të Shirokës, duke iu bashkëngjitur interpretimit unikal të personazheve i rritën së tepërmi dhe nxorën më tej në pah jo vetëm vlerat e tij si aktor i kinematografisë, por edhe të vetë këtyre filmave. Pikërisht gjenialiteti në interpretim, batuta dhe
humori i Shirokës ka bërë që këto filma të vijojnë shfaqen e të shihen me ëndje edhe nga brezat e sotëm, pavarësisht se kanë kaluar shumë vite nga krijimi i tyre.
Krijimtaria
Karriera 40-vjeçare, kryesisht në skenën e Teatrit “Migjeni”, do të regjistronte mbi 160 premiera në këtë teatër me vlera të padiskutueshme jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por për të gjithë vendin. Në këto premiera, ku thuajse në të gjitha,do të ishte protagonist kryesor i suksesit të tyre, artisti Shiroka do të merrte të njëjtin vlerësim maksimal si për interpretimet në drama, ashtu dhe në komedi. Pavarësisht se kritika do e rendiste në artistët më të kompletuar, të denjë si për kinematografinë, ashtu dhe për teatrin, Bep Shiroka mbeti për spektatorin si prototipi i artistit që di të fitojë zemrën dhe të mbetet në kujtesë jo vetëm për interpretimin, por dhe për humorin e jashtëzakonshëm dhe batutat e momentit. Për të kuptuar këtë vlerë të aktrimit të tij origjinal, si dhe arsyen e vlerësimit njësoj të Shirokës si artist i teatrit dhe i filmit mjafton të sjellim në kujtesë rrëfimin e bërë para disa vitesh nga vetë artisti për filmin “Çifti i lumtur”. Ky film kishte qenë fillimisht një skeç që pati shumë sukses, ndaj aktorit të shquar të humorit, Tano Banushi i lindi ideja për ta vënë në skenë dhe si komedi. Për këtë komedi u punua shumë si nga regjisori Serafin Fanko, ashtu dhe nga aktorët Vitore Nino, Nefail Piraniqi, Marie Qyrsaqi, të cilët edhe ata nuk ia përtonin t’i përgjigjeshin batutave të forta dhe të çastit të Bep Shirokës. Komedia pat një sukses të jashtëzakonshëm ndaj aktori Ndrekë Luca dhe regjisori Pirro Mani ishin të mendimit se do kishte mjaft vlera edhe si film. Në filmin “Çifti i lumtur”, Bep Shiroka, duke luajtur rolin e babait fanatik shton batutat e momentit, përsëri jashtë skenarit, çka do të shkaktonte të qeshura origjinale dhe të aktores Tinka Kurti që luante dhe rolin gruas, të “hallës” dhe të mjaft aktorëve të tjerë. Krijimi i këtyre skenave i dha më tepër origjinalitet dhe vlera filmit, ku Bep Shiroka apo “fanatiku i hallës” shpalos natyrshëm dhe karakterin e tij si një zot shtëpie me mjaft vlera që për hir të familjes linte mënjanë kokëfortësinë, apo brumosjen fetare. Me të njëjtin origjinalitet do të luante më pas dhe në filmin “Koncert në vitin 1936”, ku Shiroka do të luante rolin e xhandarit, rol të cilin e zgjodhi vetë, pasi regjisori Sajmir Kumbaro besoi në zgjedhjen e vetë aktorit dhe nuk gaboi.
Një jetë mes artit, rikthimi i bujshëm pas 10 viteve
Arstisti Bep Shiroka u lind më 25 shtator të vitit 1933, në qytetin e Shkodrës, në një familje të njohur për tradita në art. I ati tij, Kolë Shiroka ishte i njohur si një prej organizatorëve të festës së famshme të Karnavaleve të Shkodrës. Nga ai ati trashëgoi dashurinë dhe talentin për pikturën, të cilës nuk do i ndahej që nga mosha e vogël e deri në vitet e fundit të jetës. E ëma do e edukonte me dashurinë për muzikën, pasi rridhte nga familja Daija, mjaft e njohur në këtë fushë. Vetë Bepi do të rrëfente se humorin natyral e kishte trashëguar nga e ëma e tij. Aktivizimi i Shirokës në teatër do të fillonte me trupat amatore në Shkodër, ku interpreton për disa vite me radhë. Në vitin 1960, kur ishte në moshën 27-vjeçare, duke qenë se kishte spikatur në trupat amatore, drejtuesit e Teatrit “Migjeni” e përfshijnë në trupën profesioniste të këtij teatri. Pikërisht në këtë vit do të regjistrojë dhe interpretimin e tij të parë si profesionist në dramën “Nora e Kelmendit” të Andrea Skanjetit. Në këtë dramë luajti një rol jo kryesor, por interpretimi perfekt hodhi themelet e besimit për të luajtur role kryesore. Ky rol do të mbetej përherë i dashur për Shirokën, pasi, siç shprehej vetë ai, i kishte krijuar aq emocione sa i dukej vetja sikur kishte hyrë në një pyll lisash me aktorë të vjetër që ishin me emër, që i kishin dhënë fytyrë teatrit “Migjeni” dhe ai, si një filiz mes tyre, kërkonte të rritej e të shkonte sa më lart. Emocionet e para, pasioni dhe dëshira e tij nuk do e tradhtonin. Nuk vonon shumë dhe Bep Shiroka do të luajë në rolin kryesor të dramës “Histori Irkutase”. Pas këtyre dy dramave, artisti Bep Shiroka do të vijonte suksesshëm karrierën e tij si aktor jo vetëm në skenën e teatrit, por dhe në kinematografi. Në aktivitetin e tij 40-vjeçar artistik, Shiroka do të luante 160 role në teatër dhe 20 role në filma, çka e bënë të mirënjohur si një artist të gjithanshëm dhe të vlerësuar jo vetëm nga të gjithë artdashësit shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe nga kritika. Filmat “Çifti i lumtur”, “Koncert në vitin 1936” dhe dramat “Dasmë me flamur”, “Franku i V-të” do të ishin një pjesë e atyre premierave që do të përmbanin dhe personazhet që e bënë mjaft të njohur Shirokën. Aktrimit në filmin shqiptar, Bep Shiroka e fillon 10 vite pas pjesëmarrjes së tij të parë si aktor profesionist i teatrit “Migjeni”. Është pikërisht viti 1970, kur Shiroka do të luante rolin e Ram Sokolit tek filmi “Lugina e pushkatarëve”. Në këtë film bie në sy aktrimi perfekt i një karakteri të veçantë të personazhit. Kjo eksperiencë do ta bënte të dashurohej dhe me kinematografinë, ku vetëm pas pesë vitesh do të shënonte triumf me rolin e babait fanatik tek filmi “Çifti i lumtur” për të vijuar me të njëjtin sukses dhe tre vite më pas dhe në rolin e xhandar Veselit tek filmi “Koncert në vitin 1936”. Arsyet shëndetësore do të bënin që i madhi Shiroka të shkëputej nga skena për rreth 10 vite. Do të rikthehej fuqishëm në moshën 75-vjeçare, pikërisht në vitin 2008, vetëm dy vite përpara së të ndërronte jetë, me dramën “Putargat e thata” vënë në skenë nga Stefan Çapaliku, pikërisht në teatrin “Migjeni”, ku mori udhë dhe jeta e tij artistike si aktor i shkëlqyer profesionist. Roli i fundit do t’i krijonte emocione po aq të fuqishme sa në rolin e parë, pasi rikthehej pas një dekade shkëputjeje dhe mëdyshjeje e për më tepër personazhi që interpretoi ishte sa i veçantë aq dhe i vështirë. Lidhja tepër e fortë me familjen e tij, që ia njihte pasionin e pashterur, bëri që të mos refuzonte insistimin e fëmijëve të tij për t’u rikthyer në skenë. Suksesi i kësaj drame solli një gëzim të jashtëzakonshëm në shpirtin e artistit Bep Shiroka, por njëkohësisht i kujtoi dhe pengun e aktivitetit të tij të gjatë artistik. Për Shirokën kishte qenë një pasion i kahershëm interpretimi i roleve dramatike të veprave të autorëve të mëdhenj klasikë si Shekspiri, Balzaku, Molieri, Balzaku, Breht etj. Me përjashtim të Molierit, nuk iu dha asnjëherë mundësia të vinte në jetë pasionin e tij. Shiroka shprehej se, ndonëse aktorët e teatrit “Migjeni” ishin të aftë të luanin çdo rol dramatik të këtyre veprave, politizimi, formatet, skematizmi i detyronte të ishin aktorë të realizmit socialist. Pavarësisht këtyre kufizimeve, Shiroka do të vlerësonte maksimalisht teatrin “Migjeni”, pasi pavarësisht kushteve, nga ajo skenë dolën aktorë të jashtëzakonshëm.
Vlerësimet dhe pasionet
Vlerat e padiskutueshme në fushën artistike, normalisht do të merrnin dhe vlerësimin e Bep Shirokës me titullin e shumëpritur nga të gjithë “Artist i Merituar”.
-Përveç vlerave si aktor, Bep Shiroka ka marrë vlerësime tepër pozitive dhe si skenograf në teatrin “Migjeni”. Spektatorët nuk kanë qenë shumë të njohur me këtë anë profesionale të Shirokës, pasi gjithë vëmendja ishte përqendruar tek aktrimi i tij prestigjioz. Megjithatë, puna e tij si skenograf ka qenë mjaft e madhe, pasi në teatrin “Migjeni” të Shkodrës ka realizuar mbi 30 skenografi dhe dekore të ndryshme, ku bën pjesë dhe ajo e komedisë “Çifti i lumtur". Profesionalizmi i Shirokës si skenograf ishte rrjedhojë e hobit të tij që në fëmijëri, pikturës. Vetë Shiroka do të shprehej se nuk e kishte lënë kurrë pikturën, pasionin e tij të lindur që nga fëmijëria. Pikturat që bënte i mbante në shtëpi dhe madje një pjesë e tyre zbukuronin dhe muret duke i dhënë kënaqësinë e mosbraktisjes së hobit të tij.
Vazhdo Leximin...