:::ShkoderZemer
Neni55 - Partia Demokratike ka fituar bindshëm Bashkinë e Shkodrës, por ka humbur besimin e zonave të përmbytura e përkatësisht Nënshkodrës. Nga 6 komunat e kësaj zone,
Velipoja, Bërdica, Guri i Zi dhe Ana e Malit kanë zgjedhur përfaqësuesit socialistë të Aleancës për të Ardhmen. Madje dy prej këtyre komunave Bërdica dhe Guri i Zi fitohen nga socialistët për herë të parë në këto 20 vjet,
ndërsa Velipojë i rikthehet të majtëve pas 8 vjetësh, pasi herën e fundit që ajo drejtohej nga një socialist ishte në vitet 2000-2003. Deklaratat e shumta të kryeministrit për investimet në zonat e përmbytura por që u ripërmbytën të paktën 5 herë brenda vitit 2010 konsiderohen si një nga shkaqet kryesore të kësaj lëvizjeje dhe fitoreve të shumta në këto zona.
Përpara zgjedhjeve banorët e fshatrave të Gurit të Zi dhe Anës së Malit u shprehën optimistë se do të mund të merrnin paratë e shumëpremtuara të dëmshpërblimeve nga ana e qeverisë për përmbytjet, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Shpeshherë në media ata deklaruan edhe faktin se edhe në paratë e ndara në përmbytjen e parë pati një padrejtësi të madhe dhe se shumë prej atyre që arritën të përfitonin ndihma në të vërtetë ishin persona që nuk i kishin vuajtur përmbytjet, ose ishin të afërm të atyre që merreshin me shpërndarjen.
Fitorja e kandidatit socialist në Velipojë u deklarua rreth orës 20:00 të së enjtes ku pas numrit të votive rezultoi se Aleanca për të Ardhmen mori 2006 vota përkundrejt 1459 votave të Aleancës për qytetarin, duke i lënë të majtëve komunën tetë vjet pas marrjes së saj.
Ndërkohë, në komunën Bërdicë dhe Gurin e Zi të majtët nuk kishin mundur të fitonin asnjëherë në këto 20 vjet, duke u konsideruar kështu edhe si bastione të të djathtëve. Por gjatë së mërkurës në këtë komunë, KZAZ nr.41 shpalli fitues Besnik Brahimin me 1273 vota përkundrejt 849 votave të kandidatit të pavarur Besnik Tahiri dhe 844 votave të Qamil Xhurretës të Aleancës për Qytetarin.
Ndarja e votave mes dy kandidatëve të djathtë që u shoqërua dhe me një fushatë elektorale me deklarata të ashpra nga PD-ja e Shkodrës dhe Xhurreta, ka ndikuar në marrjen e komunës bastion i PD-së nga PS-ja. Kjo është e dyta komunë bastion i PD-së që në këto zgjedhje merret nga PS-ja, pas asaj të Gurit të Zi. Por këto dy komuna të Nënshkodrës nuk janë të vetmet që ndryshojnë ngjyrë partie nga blu në rozë, pasi dhe
Velipoja u fitua nga PS-ja, ku kandidati i saj Pashko Ujka fitoi ndjeshëm ndaj kandidatit të PD-së Nikollë Marku. Ndërkohë Ana e Malit është mbajtur vetëm një mandate nga të djathtët dhe më pas i është kthyer sërish të majtëve.
Nga gjashtë komunat e Nënshkodrës, e cila në vitin 2010 u përmbyt pesë herë, vetëm Bushati dhe Dajçi rikonfirmuan kryekomunarët e tyre të djathtë. Kreu i Bushatit pati mbështetjen e banorëve të tij për shkak të investimeve të mëdha që ka bërë në këtë zonë. Ndërkohë për Dajçin u përfol se fitorja kishte jo pak të bënte edhe me presionet parazgjedhore ndaj kandidatit të pavarur.
Vazhdo Leximin...