:::ShkoderZemer
Balkanweb TIRANE-Një koncert përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Pjetër Gacit është mbajtur mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Për violinistin dhe kompozitorin Gaci, artistë të ndryshëm morën pjesë në një koncert ku u risoll në kujtesë krijimtaria e tij. Në të u interpretuan pjesë nga opera "Toka jonë", ku aria e Files
u këndua nga sopranoja Rezarta Qevani, monologu i Lekës nga tenori Julian Gjojdeshi dhe aria e Lokes nga Shpresa Beka. Më pas ekzekutuan disa pjesë laureatët e konkursit kombëtar "Pjetër Gaci", që u ndoqën nga një pjesë në violinë nga Laura Llozi dhe një pjesë në piano nga Mikea Kakushi.
Pas tyre, nga Rossini u interpretua "Il barbiere di Sevilia", prej baritonit Armando Likaj, ndërkohë që Sabahet Vishnja interpretoi këngën "Qytetit tim" e pas saj u këndua kënga "Ky marak i shkretë" nga Rosela Gjylbegu. "Për ty Atdhe" qe kënga përmbyllëse e koncertit, një regjistrim historik i "Artistit të Popullit". Pjetër Gaci u lind në vitin 1931, në Shtiraj të rrethit Shkodër dhe me muzikë nisi të merrej që në moshë të re. Studimet e para të mirëfillta për violinë i nisi në Liceun Artistik "J. Misja", në vitet 1948-1952. Më tej ndoqi studimet në konservatorin e Moskës dhe më 1956-ën, pas mbarimit të studimeve kthehet në Shqipëri ku filloi punë në TOB si solist, duke qenë njëkohësisht edhe një ndër pedagogët e parë shqiptarë të violinës në Liceun Artistik "J. Misja". Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u për-kujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike "P.Jakova" të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptarë, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956). Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera "Toka jonë", "Përtej mjegullës", kantata "O moj Shqipni, e mjera Shqipni", "Për ty Atdhe" etj. Ka kompozuar gjithashtu dhe 6 muzikë filmash dhe muzikë teatri për dy drama të F.Krajës në Shkodër. Në vitin 1989, P.Gacit iu akordua titulli "Artist i Popullit". U nda nga jeta në vitin 1995, në Shkodër.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
Vazhdo Leximin... You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup
Shkodra ne Youtube
|