Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -


Twitter
17
04.2011

Gara për Shkodrën Luka: Do ndërtoj rrugët Uruçi: Mirëqeverisje

:::ShkoderZemer
SHKODER- Për të konkuruar për kryetar bashkie në zgjedhjet e 8 majit është Lorenc Luka i PD-së , kryetari aktual i bashkisë. Duke kërkuar një mandate të dytë nga shkodranët ai premton zgjidhjen e problematikës së liqenit. Zoti Luka beson se zgjedhjet do i fitojë bindshëm. Përballë tij, do të konkurojë kryetari i PS-së në Shkodër, Genc Uruçi. Duke deklaruar se militantët e PD-së uzurpuan qytetin për 20 vjet, Uruci beson se në këto zgjedhje PS do fitojë gjysmën e njësive vendore. (Intervistat e gazetares Brikena Shllaku janë botuar në Gazeta Shqiptare)


KANDIDATI PD: DO NDERTOJ TE GJITHA RRUGET E SHKODRES
Një pikë e fortë e imja në këto zgjedhje vendore është se e kaluara ime është e njëjtë me të kaluarën e qytetit tim, me vuajtjet dhe persekutimin e gjatë nga regjimi komunist". Kështu pohon Lorenc Luka, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës. Ai është aktualisht kryetar bashkie dhe në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", ai konsideron si pikë të fortë edhe eksperiencën e gjatë të tij në politikë, në administratën lokale, Këshillin e Qarkut dhe në Bashkinë e Shkodrës si dhe projektet e shumta që ka mundur të realizojë gjatë këtij mandati.
Si e keni menduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 Majit? Do të kemi fushatë elitë, apo do të jetë diçka tjetër që mund të kalojë në sharje dhe fyerje? Do të hyni në jetën private të kandidatit tjetër?
Partia Demokratike në Shkodër, në respekt edhe të qytetarisë së votuesve, gjithmonë ka bërë një fushatë elektorale model, larg sharjeve dhe fyerjeve. Rasti konkret ishin zgjedhjet e vitit 2007, ku Partia Demokratike tregoi nivelin e saj elitar jo vetëm në sloganet, por edhe në spotet, materialet publicitare etj. Ne në asnjë mënyrë nuk kemi pse të merremi me jetën private të kujtdo qoftë e aq më tepër të një kandidati të një force politike tjetër.
Sa e njihni kundërshtarin? Cilat janë pikat e forta të kundërshtarit tuaj dhe pikat e dobëta të tij?
Kundërshtarin tim e njoh vetëm si kandidat të PS-së në zgjedhjet e 8 majit
Cilat janë pikat e forta tuajat? Po pikat e dobëta tuajat?
Disa nga pikat e forta të miat kanë të bëjnë me eksperiencën e gjatë në politikë, në administratën lokale, Këshillin e Qarkut dhe në Bashkinë e Shkodrës. Njëkohësisht një pikë e fortë e imja është realizimi i pothuaj të gjithë atyre pikave që unë kam shpalosur në programin tim para 4 vitesh për përmirësimin e jetës së qytetarit, kualifikimin e shërbimeve në përgjithësi për të pas një qytet sa më të mirë sa më me standarde dhe të jetueshëm për të gjithë. Një pikë tjetër i fortë e imja është se e kaluara ime është e njëjtë me të kaluarën e qytetit tim me vuajtjet dhe persekutimin e gjatë nga regjimi komunist. Ndërsa në lidhje me pikat e dobëta, është e natyrshme që çdo njeri kur punon dhe gabon. E rëndësishme është t'i njohësh gabimet dhe të punosh për përmirësimin e tyre. Për mua rëndësi ka që këto gabime të kenë qenë njerëzore e jo të qëllimshme.
Ju rikandidoni. Sa nga premtimet e dhëna i keni mbajtur dhe a mund të thoni diçka që keni premtuar 4 vite më parë, por që nuk keni mundur të realizoni?
Mendoj se rikandidimi do të japë mundësinë e vazhdimit të punës së nisur. Bashkia e Shkodrës tashmë është në fazën përfundimtare të realizimit të projekteve strategjike që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës së qytetit. Disa projekte kanë filluar implementimin, disa janë në fazën e prokurimit. Gjatë këtij mandati premtimet që ne kemi bërë jo vetëm që janë mbajtur, por ato edhe janë tejkaluar. Të tillë mund të përmendin hartimin e planit rregullues, i cili përcakton një zhvillim urban dhe të gjithanshëm të qytetit të Shkodrës, shtrirjen e qytetit në drejtim të liqenit dhe zhvillimin e tij në këtë zonë. Vitalizimin e zonave muzeale dhe rikonstruksionet e tyre me qëllim zhvillimin e turizmit kulturor si një nga strategjitë lokale për thithjen e turistëve si nga vendi ashtu dhe nga turistë të huaj. Realizimi në nivel lokal të shërbimeve ndaj qytetarit ka qenë një ndër arritjet e mira të Bashkisë së Shkodrës gjatë këtyre viteve. Kjo përvojë e realizuar për herë të parë në vendin tonë jo vetëm që ka pasur impaktin e vet pozitiv dhe ka marrë vlerësimet maksimale si nga institucionet qendrore, por edhe nga donatorët që operojnë në vendin tonë, aq sa tashmë kjo përvojë po tentohet të merret si shembull edhe në njësitë e tjera vendore të vendit tonë.
Cili është prioriteti juaj për këtë mandat të ri?
Realizimi i mbrojtjes së qytetit nga problematika me Liqenin e Shkodrës, pra ndërtimi i By Passit; vazhdimi i rikonstruksionit të rrjetit inxhinerik të të gjitha akseve rrugore si dhe rikonstruksioni i plotë i të gjitha akseve, të para të dyta dhe të treta të qytetit. E thënë në një mënyrë më të përmbledhur, fundi i mandatit të ri do t'a gjejë qytetin e Shkodrës të kompletuar me infrastrukturën nën dhe mbi tokësore në të gjithë sistemin e rrugëve . Përmirësimi i mjedisit natyror që ka lidhje direkte me kurorën e gjelbër të qytetit që do të thotë: Përmbyllja e fushës ekzistuese të vend depozitimit të mbeturinave dhe kthimin e saj në një ambient të gjelbër, shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta, shtrirja e qytetit në drejtim të liqenit dhe urbanizimi i kësaj zone .
Pse duhet t'ju votojnë ju shkodranët?
Shkodranët duhet të votojnë kandidaturën e PD-së sepse gjatë këtij mandati ne jo vetëm që i realizuam premtimet që i bëmë elektoratit shkodranë madje i kemi tejkaluar ato. Gjatë këtyre 4 viteve, qyteti i Shkodrës ka pasur ndryshimin më të madh se 15 vite të tjera që kaluam, ka pasur realizimet e investimeve më të mëdha. Këto ndryshime janë të dallueshme jo vetëm nga qytetarët e Shkodrës, por edhe nga vizitorët e ndryshëm.
Vazhdimi i një mandati të dytë do të shkurtojë kohën e investimeve të filluara dhe realizimin e projekteve që kemi iniciuar A mund të parashikoni rezultatin me përqindje për Bashkinë e Shkodrës?
Them se do të fitojmë bindshëm për të gjitha ato që citova më sipër, ndërsa për përqindjet ia lëmë elektoratit që të shprehet me votën e lirë me 8 maj.

KUSH ESHTE LORENC LUKA
Lorenc Luka ka lindur më 1 maj 1958, është i martuar dhe ka dy djem. Ai është anëtar i PD-së që në fillimet e vitit 1992. Angazhimet e tij konkrete në administratën publike i kanë fillesat në vitin 1994, kur zgjidhet sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të rrethit, pozicion që e mban deri në vitin 1996, kur zgjidhet kryetar i PD-së Shkodër. Po në të njëjtin vit populli shkodran i jep votën për ta përfaqësuar në parlamentin shqiptar gjatë asaj legjislature. Në vitin 1997, z.Luka zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Ndërsa, viti 1999 deri në 2001 e gjen të angazhuar me detyrën e drejtorit të Departamentit të Shpërndarjes pranë Kryqit të Kuq Amerikan.Z. Luka zgjidhet sërish kryetar i PD-së në prill të 2001, pozicion që e mban deri në korrik 2004. Në vitin 2007 është zgjedhur kryetar i Bashkisë së Shkodrës.
 
KANDIDATI PS: PUNESIM E MIREQENIE NE SHKODER
Përtej klimës së nxehtë politike në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit, kandidati i Partisë Socialiste për kryetar Bashkie në qytetin e Shkodrës deklaron se absolutisht nuk mendon për një fushatë me sharje dhe fyerje dhe se kemi nevojë për qytetari. Genc Uruçi thotë me bindje se di të bëj mirë atë që merr përsipër dhe se do të luftojë deri në fund për zhvillimin e qytetit të tij, i cili është keqqeverisur për 20 vjet nga strukturat e Partisë Demokratike. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", ai pohon se prioriteti i tij dhe i forcës politike që përfaqëson për këtë mandat është punësimi. Sipas Uruçit, varfëria është ulur këmbëkryq në qytetin e Shkodrës dhe se niveli ekonomik i familjeve shkodrane ka shkuar në minimumin jetik, për shkak të papunësisë ekstreme. Kandidati i PS-së thotë se kanë një plan të qartë, zbatimi i të cilit do të mundësojë shtimin e vendeve të punës. Ndërkohë, ai deklaron se do të rrisë kualitetin e shërbimeve të administratës së Bashkisë së Shkodrës; do të rrisë besimin tek donatorët vendas dhe të huaj, për të krijuar klimën e nevojshme për zhvillimin e biznesit; do të zgjidhë problemin e mbeturinave urbane si dhe do të ketë në qendër të vëmendjes liqenin e Shkodrës, i cili sipas tij është kthyer në një depo stërmadhe mbeturinash ku dominon plasmasi. Ndërkaq, Genc Uruçi sqaron se të djathtët e kanë "fituar" Shkodrën vetëm nëpërmjet manipulimit ekstrem të proceseve zgjedhore, me blerje të komisionerëve dhe me vjedhje të votave që në mbushjen e kutive të votimit deri në ndërrimin e kutive të mbushura të votimit në ambientet e Pallatit të Sportit, aty ku është qendra e KZAZ-së. Gjithashtu, kandidati i PSsë deklaron se gara në këto zgjedhje nuk bëhet me kundërshtarin aktual as me kryetarin aktual, por me një grup militantësh të PD-së, që aktualisht kanë uzurpuar qytetin dhe po e shfrytëzojnë barbarisht resurset e tij të komanduar me telefonata nga Tirana. Genc Uruç shpreson që PS-ja të fitojë më 8 maj gjysmën e njësive vendore në rrethin e Shkodrës.
Si e keni menduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 majit? A do kemi fushatë elitë apo do kemi diçka tjetër që do të kalojë në sharje dhe fyerje? Do të hyni në jetën private të kandidatit tjetër?
Fushatën e mendoj si një periudhë kohe intensive ku do të paraqes vlerat dhe alternativat që afron Partia Socialiste dhe unë si kandidat i saj. Sigurisht do të përpiqem me të gjithë mënyrat e mundshme t'i argumentoj votuesit aq serioz dhe të kulturuar shkodran pse duhet të më japë mua shumicën e votave. Për mua është e rëndësishme që t'i sqaroj shkodranët se në Shkodër për të realizuar ndryshimin aq të pritur mbas një qeverisje 20-vjeçare të konsumuar dhe të degraduar të Partisë Demokratike duhet që pjesëmarrja e votuesve në votim të jetë mbi 50%. Është e nevojshme që diferenca në favor të kandidatit të Partisë Socialiste të jetë shumë e madhe. Kjo me qëllim që të përballohen manipulimet dhe vjedhjet tradicionale të Partisë Demokratike. Absolutisht nuk mendoj një fushatë me sharje dhe fyerje, siç nuk ka kuptim të ndërhyhet në jetën private të kujtdo, me përjashtim të rastit kur është përdorur mandati për këtë qëllim. Fushata ime do të bazohet në parashtrimin e programit tim që votuesit të kuptojmë pse duhet që vota e tyre të jetë për mua. Ne kemi nevojë për qytetari. Mjaft situata të tensionuara kemi kaluar.
Brenda partisë tuaj a kishte shumë konkurrencë për të qenë kandidat për kryetar Bashkie dhe si doli emri juaj?
Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave në Partinë Socialiste ka kaluar të gjitha etapat e parashikuara. Por, duhet të them edhe këtë që shumë emra kandidatësh kanë qenë në media dhe televizione sipas preferencave të gazetarëve apo shitjeve të gazetave. Pavarësisht asaj çfarë është thënë e shkruar, ne tashmë kemi kaluar fazën e përzgjedhjes dhe unë jam kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës. Unë kam marrë përsipër atë detyrë që më takon duke qenë në pozicionin e drejtuesit të partisë në rreth.
Sa e njihni kundërshtarin? Cilat janë pikat e forta të kundërshtarit tuaj dhe pikat e dobëta të tij?
Nuk shoh pika të forta të kundërshtarit. Gara nuk bëhet me kundërshtarin aktual as me kryetarin aktual , sepse për sa i përket vlerave që ka, nuk duhet të ishte kandidat edhe para 4 v j e t ë s h . Gara bëhet me një grup militantësh të PD-së që aktualisht kanë uzurpuar qytetin dhe po e shfrytëzojnë barbarisht resurset e tij të komanduar me telefonata nga Tirana.
Tani të flasim për ju. Cilat janë pikat e forta? Po pikat e dobëta tuajat?
Unë nuk e vlerësoj veten me pika të forta dhe të dobëta. Unë di të bëj mirë atë që marr përsipër. Di të bëj mirë punën time, sepse kam arsimin përkatës me dy fakultete të përfunduara në moshën time të rinisë. Kam eksperienca në drejtim dhe mbi të gjitha përkushtimin dhe respektin për bashkëqytetarët e mi. Unë e dua qytetin tim dhe dua më të mirën e mundshme për të.
Cili është prioriteti i juaj për këtë mandat?
Cilido njeri normal në drejtim në një qytet si i yni, prioritet të parë duhet të ketë punësimin. Varfëria është ulur këmbëkryq në qytetin e Shkodrës. Niveli ekonomik i familjeve shkodrane ka shkuar në minimumin jetik, për shkak të papunësisë ekstreme. Ky realitet është një e vërtetë e prezantuar edhe nga institucionet e qeverisjes së Partisë Demokratike. Sipas tyre, papunësia në qytetin e Shkodrës përbën një nga rekordet në shkallë kombëtare. Pra prioritet i parë është punësimi, në mënyrë që gradualisht me një plan të plotë dhe të qartë t'i largojmë forcat aktive të qytetit nga klubet e mbushura plot. Kemi hartuar një plan të qartë, zbatimi i të cilit do të mundësojë hapjen e vendeve të punës. Prioritet tjetër, i cili natyrisht ka lidhje me të parin është rritja e besimit tek donatorët qofshin këto vendas apo të huaj. Është shumë e rëndësishme që investitorët të jenë të bindur se do të gjejnë në Shkodër klimën e duhur për biznes dhe se do të gjejnë të gjitha lehtësirat, të jenë të bindur se nuk do të ketë për disa privilegje dhe për të tjerë masa shtrënguese. Bashkia do të jetë një bashkëpunëtore shumë e mirë me të gjithë që të bëjmë të mundur shfrytëzimin e resurseve aq të bollshme që na ka dhënë natyra. Prioritet tjetër do të jetë rritja e kualitetit të shërbimeve në të gjithë aktivitetin e administratës së Bashkisë së Shkodrës, e cila ka munguar në këto vite të qeverisjes blu dhe që e ka kthyer Bashkinë në një institucion në shërbim të militantëve të PD-së. Qytetarët duhet të binden se Bashkia si institucion është i të gjithëve: Nuk i përket asnjë force politike. Natyrisht do të merrem me sistemimin e mbetjeve urbane që janë të rrezikshme me prezencën aktuale ne qytet. Deri tani është bërë një menaxhim i gabuar i këtij problemi duke bërë që situata të kthehet në një shqetësim të madh. Do të merrem me liqenin e qytetit tim, i cili është kthyer në një depo të madhe mbeturinash ku dominon plasmasi. Tashmë pas 20 vitesh, Liqeni i Shkodrës duhej të ishte kthyer në një pikë shumë të rëndësishme për zhvillimin e qytetit, por që realiteti është krejt ndryshe. Ajo që shikohet me sy, ajo që preket çdo ditë nga shkodranët është jashtëzakonisht larg me ato që flitet dhe që është premtuar prek kaq vitesh. Bregu i Liqenit po pronësohet dhe po përdoret në mënyrën më barbare nga kjo qeverisje lokale pa asnjë vlere reale. Pjesë shumë e rëndësishme e prioriteteve të mia do të jetë kthimi i vlerave të qytetit tim. Kthimi i qytetit të Shkodrës në traditën e vet si një qendër kulturore dhe artistike me shumë rëndësi në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për mua ka shumë rëndësi fakti se do të punoj me njerëz të përkushtuar dhe të specializuar të cilët profesionalizmin e vënë në plan të parë. Unë kandidoj sepse dua të kontribuoj për qytetin tim dhe jam i bindur se jam i aftë ta ndryshoj këtë realitet.
Prej 20 vitesh pushteti lokal është i forcave të djathta. Ky fakt ju bën ju që të hyni inferior në zgjedhje?
Po ju them dhe do jua përsëris gjatë gjithë fushatës se pushteti lokal nuk ka qenë dhe nuk është i forcave të djathta. Po ju them dhe do t'jua përsëris gjatë gjithë fushatës që mandatet në Bashkinë e Shkodrës të marra nga PD-ja në këto 20 vjet nuk kanë lidhje as me cilësinë e kandidatëve për kryetar Bashkie të PDsë dhe as me vete PD-në. Mandatet janë përfituar nga Partia Demokratike me manipulim të proceseve zgjedhore, me blerje të komisionerëve dhe me vjedhje të votave që në mbushjen e kutive të votimit deri në ndërrimin e kutive të mbushura të votimit në ambientet e Pallatit të Sportit, aty ku është qendra e KZAZ-së. Një fakt të tillë e dinë shumë mirë shkodranët, të cilët janë dëshmitarë të faktit se vota reale e tyre nuk numërohet. Ky skenar vazhdon në Shkodër për 20 vite.
Keni bërë ndonjë analizë mbi faktin pse në këtë qytet PS-ja ka humbur?
Duhet të jemi të qartë në një pikë: Në Shkodër PS-ja nuk ka humbur nga mosvotimi. Sigurisht që kemi bërë analizat tona si struktura partie dhe ndaj jam i bindur në këtë që them. Një pjesë të shkaqeve i thashë në përgjigjet paraardhëse. Në vazhdim mund të them këtë: Një pjesë të përgjegjësisë ka edhe indiferenca e një pjese të qytetarëve të Shkodrës, të cilët të mërzitur dhe të shpërdoruar nga militantët e PD-së, kanë neglizhuar të shkojnë në kutitë e votimit. Ata janë të lodhur nga fakti se një pjesë e madhe e listave të votimit manipulohen në mënyrën me ekstreme nga pushteti lokal i PD-së apo nga përdorimi i kartave të falsifikuara ose janë përfundimisht të dekurajuar nga fakti që megjithëse vota jepet sipas mendësisë personale, numërimi bëhet në favor të PD-së. Realisht jemi në këtë situatë zhgënjimi të votuesve. Ndaj ne duhet të punojmë shumë që t'i kthejmë besimin qytetarëve se vota e tyre nuk do të tjetërsohet. Nuk është e lehtë që të arrihet në gjë e tillë. Zhgënjimi është i vështirë të largohet. Shpresojmë edhe tek vëzhguesit e huaj dhe tek faktori ndërkombëtar. Ne u garantojmë votuesve ruajtjen e votës. Për këtë jemi duke punuar shumë.
Me çfarë pretendimesh hyn PS-ja në zgjedhjet lokale si në Shkodër qytet ashtu edhe në rreth, pasi ju jeni edhe kryetar i Partisë Socialiste të rrethit?
Këtë herë ne kemi objektiv fitoren e gjysmës së njësive vendore të rrethit. Është një pretendim normal, pasi këtë shifër e kemi pasur edhe në vitin 2003. Do të ishte dhe më i lartë, sikur procesi zgjedhor të ishte vërtet sipas ligjit.
Pse duhet t'ju votojnë ju shkodranët?
Bashkëqytetarët e mi do të dinë të votojnë për vlerat. Jemi prej 2 dekadash në demokraci dhe tashmë votuesit kanë inteligjencën për të dalluar forcat politike. Ne do të bëjmë gjithçka që do të kemi në dorë që procesi zgjedhor dhe i numërimit të votave të jetë real.
A mund të parashikoni rezultatin në përqindje për Bashkinë e Shkodrës?
Do të jetë i mjaftueshëm për të fituar zgjedhjet.
KUSH ESHTE GENC URUÇI
Genc Uruçi ka lindur në Shkodër më 13.09.1953. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka mbaruar studimet e larta duke u diplomuar në dy fakultete. Ai është diplomuar në vitin 1976 për inxhinieri dhe në vitin 1983 ka mbaruar studimet për ekonomik. Z. Uruçi ka ushtruar profesionin kryesisht si inxhinier ndërtimi në sistemin e ujërave dhe të bonifikimeve. Ka pasur detyra me përgjegjësi që nga kryeinxhinier deri tek drejtor ndërmarrjeje. Për tri vite me radhë ka qenë dhe drejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurivenë Shkodër. Lidhjet me Partinë
Socialiste kanë qenë të hershme, ndërkohë që angazhimin politik brenda kësaj strukture e ka nisur në vitin 2003. Që nga kjo kohë ka marrë disa detyra brenda partisë, ndërkohë që tani është kryetari i Partisë Socialiste.

Vazhdo Leximin...
Komenti 0printer friendly

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup
Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1863 sec, 0.0514 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,268kB