Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -


Twitter
17
03.2011

42 vite mes nxënësve: Mësuesi është human

:::ShkoderZemer
ANILA DUSHI 42 vitet e kaluara në mësimdhënie nuk janë pak për Fiqiret Hoxhën. Flokët e bardhë kërkojnë respekt për të prej kujtdo që i afrohet, e ndërkohë nuk janë vetëm ato. Mes bankave të nxënësve ka ecur për vite me radhë, por tani, edhe për shkak të shëndetit, "është postuar" pak, por jo me më pak dashuri për nxënësit dhe për arsimin. Rreth një vit më parë botoi librin "Fletët e Jetës", ndërkohë që pritet që së shpejti të publikojë një tjetër studim të tij.



Tek e takon Fiqiretin, nuk të rrihet pa e pyetur pikërisht për personin me të cilin jeta e tij u lidh vite më parë, me nxënësin Aldi Nikolli. Të përgjigjet, por lot i nxjerrin sytë, ndërsa thotë se djaloshi dikur 14-vjeçar i shpëtuar prej tij, tashmë nuk jeton më.

"Kam mbajtur kontakte telefonike me të në Itali, madje ai më pati ftuar dhe në dasmën e tij në Itali kur u martua në vitin 2003, por mungesa e vizës e bëri të pamundur vajtjen time atje. Ai nuk më harronte dhe u bë një qytetar i denjë e i nderuar, krijoi familje dhe kishte dy fëmijë.

Një aksident automobilistik i shkaktoi dëmtime të rënda dhe pasi qëndroi disa muaj në koma nuk mundi të mbijetojë.

E kam përjetuar me dhimbje lajmin për vdekjen e tij dhe pas ca kohësh, kur familja erdhi nga Italia dhe priti ngushëllime në Shkodër, shkova atje dhe më nderuan si të isha i afërm i tyre",-shprehet mësues Fiqireti. Me Aldin jeta e tij u lidh që në vitin 1992, kohë në të cilën, nxënësin atëherë 14-vjeçar, tentuan ta vrisnin me thikë në klasë. E në vend të tij, plagët i mori mësuesi, plagë të hapura edhe sot, kohë kur Aldi nuk jeton më.

42 vjet edukues dhe mbrojtës i nxënësve

Ka hyrë në vitin e 42-të të punës si mësues dhe përkushtimi e pasioni për profesionin e jetës duket i njëjtë si në fillimet e veta: në vitin 1969.

Një jetë e tërë e mbushur me dashuri për nxënësit, me dëshirën për të përçuar tek ata jo vetëm dije, por dhe kulturë e edukatë, me pasionin për punën e që e bëjnë të ndihet i nderuar në breza mësuesish e nxënësish.

Një vit më parë Fiqiret Hoxha botoi librin e tij të parë, që është një vepër me vlera të vërteta shkencore e historike. "Fletët e Jetës", një monografi arsimore si "Histori Pedagogjike" ndër vite.

Një hap dhe nismë të tillë të mundimshme, që i kushtoi gjashtë vite hulumtim për gati 100 vite arsim në lagjen "Rus" dhe Shkodër, dhe ku ai ka arritur të japë një shembull tjetër, atë të studiuesit autodidakt, që ka mundur të sjellë në kujtesën e brezave punën e madhe të bërë nga brezat e mësuesve e nxënësve në Shkodër. Dhe puna e tij hulumtuese nuk ndalet këtu.

Duke folur me Fiqiret Hoxhën, mëson se ai prej disa muajsh ka nisur punën për një tjetër libër, që lidhet me historinë e arsimit shqiptar, atë të shkollës së lagjes "Parrucë", libër të cilin dëshiron ta sjellë të botuar në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Përveç kësaj, ai është i angazhuar në hartimin e një enciklopedie për arsimin në Shkodër, punë e cila është në hapat e para dhe ku janë të përfshira figura të njohura të arsimit e kulturës jo vetëm në Shkodër. Duket se ky aktivitet shkencor e krijues është një element më shumë për të plotësuar figurën e mësuesit Fiqiret Hoxha, figurë kjo që imponon respekt të veçantë.

Dashuria për nxënësin

Ishte 20 shkurt i vitit 1992. Atë kohë Fiqireti punonte mësues i historisë dhe gjeografisë në shkollën 8-vjeçare "Ndre Mjeda" në qytetin e Shkodrës. Ndërsa ishte duke zhvilluar mësim në klasën e 8-të, katër persona hapin derën e klasës dhe kërkojnë nxënësin Aldi Nikolli, duke u shprehur se kishin punë me të.

Duke parë dhe reagimin e nxënësit që ishte zverdhur në fytyrë dhe duke parandier se kishte diçka që nuk shkonte, mësuesi Hoxha nuk pranon t'ua japë nxënësin dhe derën e klasës e mbyll me çelës. Por vetëm pas 5 minutash dera hapet me forcë, personat e mëparshëm hyjnë në klasë dhe njëri prej tyre me thikë në dorë drejtohet tek banka ku ishte ulur nxënësi 14-vjeçar.

Mësuesi i del përpara nxënësit dhe zgjat duart për të penguar personin që kishte thikën në dorë. Aty merr goditje. Thika i hyn 14 cm në trup duke i dëmtuar mushkërinë, brinjën dhe një arterie të zemrës. Kolegët e dërgojnë në spital ku pasi qëndron 2 javë në spitalin e Shkodrës, i cili në atë kohë kishte kushte të papërshtatshme, dërgohet në Tiranë dhe më pas dërgohet për mjekim në Gjenevë të Zvicrës.

Atje qëndron dy muaj dhe ndonëse mjekët i japin raport mjekësor për të pushuar 1 vit, 4 muaj pas kthimit rifillon punën. Kishte shpëtuar jetën e nxënësit të tij, që donin ta thernin brenda në klasë, duke rrezikuar jetën e tij. Nxënësi shpëton, falë veprimit të mësuesit të tij, i cili dhe sot vuan problemet shëndetësore të shkaktuara nga ajo goditje me thikë.

Nderimet

Më 3 mars të vitit 1992, për aktin e kryer, dekorohet nga Presidenti i vendit me medaljen e trimërisë civile. Ndërsa më 2005-n, këshilli bashkiak i Shkodrës e nderon me titullin "Mirënjohje e qytetit të Shkodrës" me motivacionin "për ndjenjën e lartë humanitare dhe aktin e lartë e të guximshëm në kryerjen e detyrës së mësuesit, në mbrojtjen e jetës së nxënësit duke derdhur gjakun e tij".

Dhënia e këtij titulli është bërë në një atmosferë të veçantë. Ai i është dorëzuar në ceremoninë e dasmës së djalit të madh të mësuesit. Të pranishëm, mes dasmorëve, qenë dhe prindërit e Aldi Nikollit, Vasili e Terezina, pasi Aldi ishte emigrant në Itali. Ata kanë qenë aty dhe në emër të Aldit, dhe jo pa emocion kanë përgëzuar për këtë titull, mësues Fiqiretin, shpëtimtari i jetës së djalit të tyre.

Puna e sotme

Për shkak të gjendjes shëndetësore, Fiqiret Hoxha prej vitesh është zëvendësdrejtor në shkollën 9-vjeçare "Skënderbej", punë të cilën vazhdon ta kryejë edhe sot. Gjithnjë aktiv, në krye të punëve, model në mësimdhënie, ndonëse gjendja shëndetësore si pasojë e asaj ngjarjeje nuk është shumë e mirë.

Të gjithë ata që kanë punuar e punojnë me të, e njohin Fiqiretin për punën e palodhur që bën, për përgjegjshmërinë e sakrificën në shërbim të nxënësve, mësimdhënies e arsimit. Për qytetarët e Shkodrës dhe komunitetin e mësuesve, ai është një shembull që nuk duhet harruar asnjëherë.

Mësuesi është njeri human

Fiqeret Hoxha, me modestinë e fisnikërinë e tij, ndjehet i nderuar nga njerëzit e thjeshtë dhe komuniteti i mësuesve që flasin me respekt për atë që ai ka bërë. Ai pret pensionin, ndërsa si prind është i lumtur, pasi tre djemtë e tij, Denisi, Indriti e Saimiri kanë mbaruar studimet e larta jashtë Shqipërisë dhe kanë marrë drejtim në jetë.

Me shumë sakrifica, pasi mbështetja nga shteti, dhe pse fëmijët kishin rezultate shumë të mira, i ka munguar. "Unë ndjehem krenar për fëmijët e mi, dhe nuk jam penduar për atë që kam bërë para 19 vitesh, edhe pse me kalimin e viteve pasojat duken më tepër. Mësuesi është njeri human që i jep dije të tjerëve, dhe ky humanizëm duhet treguar kudo ku jepet mundësia",- shprehet Fiqiret Hoxha, që vazhdon të punojë e kontribuojë për arsimin.

Vazhdo Leximin...
Komenti 1printer friendly
Comments
42 vite mes nxënësve: Mësuesi është human, jimm 17 Mar : 12:48 Reply to this

respekte per presor fiqiretin, asht i nerum, ky dite me i respektu nxansit dhe ne at koh kur ushtrohej dhun prej mesuesave

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup
Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1530 sec, 0.0405 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,237kB