Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -


Twitter
24
11.2009

DOM NDRE MJEDA PËRSËRI NË SHKODËR

:::ShkoderZemer
Gazeta Metropol -MENTOR QUKU Në kujtim të Mjedës, me rastin e ditës së lindjes - Pasi bëri botimin e dytë të librit “Juvenilia” (1928) si dhe të poemthit “Lissus”, (1928), Ndre Mjeda erdhi në Shkodër për të jetuar rregullisht, duke prekur kështu një ëndërr të tij të vjetër e shumë të dashur. Qyteti i Shkodrës ishte


si një magnet që e tërhoqi poetin në mënyrë të përbindshme. Shkodra për poetin ishte dashuria e tij e përjetshme. E gjithë jeta e tij, është e mbushur me episode, që flasin për tërheqjen fatale të Mjedës drejt qytetit të lashtë në këmbët e Rozafës. Ishte ndofta kodi gjenetik që trashëgonte nga të parët e tij, për të cilët Shkodra ishte ëndrra që duhej ta preknin, ishte talismani që duhej ta zotëronin. Në vitin 1929, Mjeda u emërua profesor në Seminarin Papnor dhe Kolegjin Saverian të Shkodrës.

Në fillimin e vitit shkollor 1929-1930, Mjedën e thirrën që të jepte mësimin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë klasike në Seminarin e Jezuitëve në Shkodër, detyrë që ai do ta bënte për tetë vite shkollore, duke shërbyer me pasion të madh deri në ditën e fundit të jetës së tij. Mjeda e kishte ëndërruar tërë jetën që të bëhej mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në një gjimnaz, gjë që më në fund iu realizua. Me rastin e shtatëdhjetëvjetorit të lindjes, në LEKA, thuhej: “...sod, shtatëdhetë vjeç tui kenë, mëson se mëson me atë gojë tamblë qi ka me atë vullndesë të patundshme, e në Gjimnas të sipërm e në Lice”. Mjeda ishte një autoritet në letërsi, gjuhë e histori, por duke ardhur në Shkodër, ai u kthye në një idhull, sidomos për rininë shkollore. Ardhja e Mjedës në Shkodër duhet të jetë shoqëruar me probleme, të cilat ai vetë i krijonte me natyrën e tij karakteristike konfliktuale, debatuese, pse jo edhe rrebeluese. Në pamje të parë mund të duket paradoksal kthimi i Mjedës në rrethet e jezuitëve, pikërisht në ata rrethe, nga të cilët ai ishte larguar rreth tri dekada më parë. Dokumentet provojnë se ai ka pasur ndër jezuitë shumë miq, dashamirës, përkrahës personalë dhe mbështetës, disa prej të cilëve në majë të hierarkisë së tyre. Në këtë rreth bënte pjesë edhe vetë gjenerali i përgjithshëm i Jezuitëve Vladimir Ledohovski, i cili kishte qenë bashkënxënës i Mjedës në Seminarin e Jezuitëve në Krakov në kursin e Teologjisë.

At Vladimir Ledohovski SJ, lindi në Loosdorf, të Polonisë, në vitin 1866, në familjen e kontëve Ledohovski, në të njëjtin vit me Dom Ndre Mjedën. Ishte nip i kardinalit Miaceslao Ledohovski († korrik 1902). Mësimet e para i kreu në kolegjin tereziane të Vjenës. Prindërit e dërgojnë për të bërë studimet në drejtësi në Vjenë, por ai hyn në Seminarin e Tarnovis dhe pastaj në kolegjin gjermane të Romës. Bëri teologjinë në Krakov së bashku me Ndre Mjedën. Shugurohet meshtar në Krakov në vitin 1894. Shkruan në revistën Jezuit, ku më vonë do të emërohet si drejtor i saj. Emrohet Rektor i Kolegjit të Lartë të Krakovit dhe më pas Provincial i Provincës Jezuite të Galisies. Në vitin 1906 kur Atë Vernz bahet Gjeneral i Përgjithshëm i Jezuitëve, At Vladimiri qe çue në Romë si asistent i tij, ku qëndroi për tetë vite, deri sa me vdekjen e Vernz-it, qe emruar Gjeneral i Përgjithshëm (1914), ku qëndroj deri sa vdiq më 13 dhjetor 1942.

Kemi të drejtë të besojmë se Vladimir Ledohovski ka lëshuar emërimin e shokut të tij të rinisë, bashkënxënësin e dikurshëm, Dom Ndre Mjedën. Ai ka pasur shumë arsye që ta afrojë atë në rrethet e jezuitëve në Shkodër, aq më shumë, duke njohur nga afër talentin e jashtëzakonshëm të Mjedës.

Një tjetër përkrahës dhe mbështetës i fuqishëm ishte edhe jezuiti At Zef Valentini. Ja çfarë thotë ai për lidhjet që pati At Vladimir Ledohovski me Shqipërinë: “Qysh se Parimet e Selis Shejte të shtjellueme, sidomos prei Benediktit XV e prei Piut XI në çështjet kombëtare sikurse i ides familjare, kundra internacionalizmës masonike e komuniste, edhe pëlqimi i plotë i të gjitha traditave të ndryshme, qi s i kundërshtojnë Fes sanë, madje nji interesim sa ma i gjall e nji nderim sa ma i përzemërt i këtyre traditave prei anës së Misjonarvet, Shoqnija e jezuitëve e kryesueme e drejtueme në këtë shteg prei At Ledohovskit, u da në shej tui marrë prap metodat e lumnueshme të vetat qi kishin krijue mrekullit misjonare e kulturore t At R. De Nobili, sbuluesi i Sanskritishtes, të Lumit Gjon Britto, martyr, të Etenvet Aricci, Schiall, Verbiest, astronom t”Oborrit të Cinës e shkrimtar klasik tasai giuhe. Qatëherë dhe tradita e vjetër albanologjike të mbëkambun prei hartuesish sIllyricum Sacrum, prei Etensh Jungg, Vassilico, Xanonit, D. Ndre Mjedës e Bazhdarit, muer hov të hapun, ku mund të jet ma i madh, tui pasë gjithmonë At Ledochovskin, jo aq si pelqyes a si mprojës, por vereverte si shtytës.” Revista e jezuitëve Aurora Consurgens, përshëndeste rolin e At Vladimir Ledohovskit në themelimin e revistës Leka: “Ai kje ma i pari qi Kolegjes Papnore i dha nji randsi të veçantë gjuhës shqipe, për vullnet të cilit duel në dritë rivista e madhe LEKA.” At Zef Valentini ishte një personalitet i fuqishëm në Shoqërinë e Jezuitëve, por njëkohësisht edhe bashkëpunëtor dhe dishepull i Dom Ndre Mjedës.

Jezuiti tjetër, Atë Johan Baptista Della Pjetra, qe gjithashtu një përkrahës dhe dishepull i Ndre Mjedës. Duke pas qenë nxënës i Ndre Mjedës në seminarin e Krajlevices, ai u emërua si Delegat Apostolik i Vatikanit në Shqipëri, (më mars 1927), emër i cili u përshëndet në Shqipëri.

Emzot Della Pjetra SJ lindi në Comeglia pranë Udines Itali, më 17 tetor 1871. Më 9 nëntor 1892 hyn në Shoqërinë Jezuitëve, në Kraljevice, ku ishte edhe seminari i rishtarëve të provincës së Venedikut. Në vitet shkollore 1897 e 1898, ka si profesor filozofie Ndre Mjedën, i cili sapo ishte graduar padër jezuit. Mbasi bëri tre vitet e kursit të filozofisë, kalon në kolegjin e jezuitëve të Brescias, ku bën katër vitet e Teologjisë. Në 1904 shugurohet meshtar në Goricje, kthehet në Kraljevice për të dhënë leksionet e filozofisë. Pasi bën në Firence vitin e tretë të sprovës, vjen në Shqipëri në vitin 1909 si profesor në seminarin Papnor dhe Kolegjën Saveriane të Shkodrës. Jetoi rrethimin e Shkodrës 1912-13, në v. 1913 ishte Rektor i Kolegjit Papnore e Kolegjit Saveriane të Shkodrës. Gjatë periudhës së luftërave nuk është në Shqipëri për tu rikthyer në Shkodër në vitin 1919, përsëri në detyrën e mëparshme si Rektor. Në vitin 1927 shugurohet ipeshkëv dhe emërohet Delegat Apostolik në Shqipëri. Ky vit është i rëndësishëm se i paraprin emërimit të mësuesit të tij si profesor në gjimnazin e Shkodrës, si edhe në themelimin e dy shoqatave LEKA dhe asaj Jeronime. Në katër vitet e fundit ishte rektor i Seminarit të Fiumes, ku edhe vdiq më 26 gusht 1940

Më 1922, ishte emëruar si argjipeshkëv metropolit i Shkodrës, i vëllai, Emzot Lazër Mjeda. Rezulton kështu se, të paktën tre autoritete shumë të larta të kishës, qenë njohës të mirë të aftësive të poetit dhe po ashtu edhe mbështetës të tij. Po të shtojmë edhe talentin, si edhe energjitë e jashtëzakonshme të Mjedës, mendojmë se është plotësisht i argumentuar dhe emërimi i Dom Ndre Mjedës në detyrën e profesorit të gjimnazit, si edhe të afrimit të tij me rrethet jezuite në Shkodër.

Të dhëna të shumta vërtetojnë se periudha që Mjeda jetoi në qytetin e Shkodrës, përkon me një riaktivizim të energjive, me një jetë tepër intensive të tij, si edhe me disa ngjarje të rëndësishme që bënë bujë në qytet dhe që do të kenë jehonë në të ardhmen e tij. Gjatë kësaj periudhe do të njohim veprimtarin e guximshëm, vizionarin largpamës, misionarin e devotshëm, gjuhëtarin e ditur, Dom Ndre Mjedën, i cili i rikthehet me pasion detyrës së pedagogut, mësuesit të shqipes, studimeve gjuhësore, por edhe botimeve në kuadrin e dy shoqatave të reja kulturore që do të formohen në atë kohë: Shoqata LEKA dhe Shoqata Jeronime.

Mjeda do të falë punën e tij ndër autorë vendas e të huaj. Ai përpunoi dhe bëri botimin e tretë të librit Visari i Kongregacionit, vepër e Junggut, ndihmoi Cordignanon në hartimin e fjalorëve të tij, Valentinin për manualin Gjuha shqipe, (pjesa gramatikore është tërësisht vepër e tij,132 faqe), Mario Bindonin në fjalorin tekniko-bujqësor, (italisht-shqip e shqip-italisht), të rinjtë e Lekës për përkthimin e Saulit të Alfierit, redaksinë e revistës Leka për drejtshkrimin, si dhe përpunoi përkthimin në shqip të Unjillit të Shën Lukës e atë të Shën Markut.

Në v. 1929, në Shkodër u themeluan njëkohësisht dy shoqata kulturore: Shoqata LEKA dhe Shoqata Jeronime. Që të dyja luajtën një rol të dukshëm në jetën qytetare shkodrane. Shoqata LEKA kishte në statutin e vet qëllimin për të vazhduar edukatën dhe kulturën e fituar, duke u përpjekur për ti përhapur ato në popull. Shoqata LEKA zhvilloi mbledhjen formuese më 9 dhjetor 1928, por aktivitetin në të vërtetë e filloi në prill 1929, kohë kur botohet numri i posaçëm i revistës “L.E.K.A.” (me nistoret L=Lidhja, E=Edukata, K=Kultura, A=Argëtimi). Prej vitit 1930, do të nxjerrë rregullisht revistën e përmuajshme “LEKA”, e cila do të vazhdojë me sukses deri në vitin 1944.

Jup Kastrati ka vërejtur me të drejtë: “Vitet e fundit të jetës së tij karakterizohen nga një punë e madhe, intensive, në lamën e gjuhësisë dhe studimeve historike. Ke përshtypjen, se nuk ke të bësh me një plak shtatëdhjetë vjeç të kërrusur nga vitet e shumta, që rëndojnë mbi supet e tija, po me një Mjedë të ri, që i ka hi- sikurse në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të nandëmbëdhjetë- me entuziazëm problemit të gjuhës sonë amtare”.

Vazhdo Leximin...
Komenti 0printer friendly

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup
Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1926 sec, 0.0621 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,239kB