Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -


Twitter
13
11.2009

Koha si teknikë narrative në disa proza të shkurtra të Koliqit

:::ShkoderZemer
Arjeta Ferlushkaj - Në kohën kur janë botuar prozat e shkurtra të Ernest Koliqit1, duke ditur llojin e letërsisë me të cilën ishte mësuar shoqëria shqiptare, nuk duhej pretenduar në një receptim të“ngrohtë“ të autorit. E vetmja arsye është se Koliqi e kishte kapërcyer kohën e vet. Ai kishte shkruar disa novela a tregime të ndryshme nga paraardhësit. Kaq mund të kuptohej atëherë,




si rrjedhojë, kaq mjaftonte që të paragjykohej. Vetëm sot, pas krijimit të një shtrati studimesh për të, mund të shohim më me imtësi se si i ka shkruar “ndryshe” këto proza Koliqi.
Mjeshtëria e Koliqit në zhanrin e prozës së shkurtër është e shumëanshme (tematika, stili, gjuha etj.) por unë do të ndalem vetëm tek aplikimi i dy teorive moderne2 në katër proza të tij. E quaj mjeshtëri sepse pakkush si ai ia ka arritur të përshtasë kaq natyrshëm, në një palc aq autentik shqiptar, teori të huaja, me të cilat ai ishte njohur gjatë studimeve jashtë vendit. Vetëm duke e parë me imtësi tekstin e Koliqit, vëmë re sa i kujdesshëm është treguar ai për të bërë letërsi cilësore, vërtet duke futur teori “të huaja“, por shkrimet e tij nuk mbeten kurrsesi “kanaveta të mbylluna me shtatë çelsa krejt të shprazta përmbrenda.“3
Ndikimin nga Prust-i dhe nga Bergson-i ia kanë pikasur me kohë4 dhe unë do të ndalem përkatësisht në:
1. kujtesën e pavullnetshme, e cila: “nxitet nga një ndijim (aromë, ngjyrë, shije, tinguj etj.) ndier tek e tanishmja, tek shfaqja jodomethënëse dhe e rastit, por e aftë për të provokuar choc që përputh momente homologe të së tashmes dhe të së shkuarës.”5
2. kohën si vazhdim, që thotë: “ekziston nje kohë si proçes fluid dhe i vazhdueshëm që lëviz nga e shkuara tek e ardhmja, duke e ruajtur të shkuarën dhe si rrjedhim duke e rritur vazhdimisht si një ortek, e ku çdo moment megjithëse është rezultat i të gjitha momenteve të mëparshme, është absolutisht i ri në lidhje me to.” 6

Mirëpo, mes këtyre dy koncepteve, ka një dallim. Prust-i pranon nga Bergson-i se ekziston një kohë e brendshme7 (koha e ndërgjegjes) në të cilën përputhet e shkuara me të tashmen. por, nëse sipas Bergson-it ndjesitë e rikthyera janë gjithnjë të reja, për Prustin janë po ato; ndërsa për këtë të fundit e kaluara është humbje që nuk mund ta ndalim, për Bergson-in është orteku, përmes të cilit vazhdimisht krijojmë vetveten.8
“Kumbulla përtej murit”, ”Kopshti”, ”E gjeti mas shimshirit”, ”Hane gjaku” janë prozat ku është parë aplikimi i koncepteve të tilla. Le të shohim si dhe me ç’mjete manovron me kohën Koliqi.

1. Roli i detajit
Është e dukshme që fëmijëria është shumë e dashur për Koliqin, sepse e zgjedh pikërisht atë për të evokuar të kaluarën, por siç e pohon edhe Republika Çulli9, kjo prirje për kthim tek fëmijëria nuk është kaq e rastësishme. Koliqi kërkonte të bënte një prozë moderne dhe, një ndër elementet që do t’i duhej për këtë ishte psikanaliza,10 për të vazhduar më pas me të tjerët. Ndërsa, choc-u (që na e sjell atë të kaluar) shkaktohet nga detaje si: hëna me njolla të kuqe, kopshtet me shimshirë, kumbulla, etj.
Në këto kopshte lindin dashuri, frikëra, ëndrra, kujtime apo edhe zhgënjime.
Shuku, protagonisti i “Kopshtit”, mbas 10 vitesh larg vendlindjes, ka dëshirë të vizitojë veç oborrin e Shaqes, ilakasë së vjetër, sepse në oborrin e saj ka kaluar më së shumti fëmijëria e tij: “Ah, ai kopësht!…lamë gjelbrore e lojnave ma te bukura të fëmijnis…Ishin dhetë vjet qi Shuku s’e shifte, por ç’do kand të tij, ç’do landë, ç’do kaçubë e gati gati ç’do fije bari ai e mbante mend, porse mbi sendin ma të vogël aty mbrendë lulzonte nji kujtim i amel.”11
Kujtime të ngjashme ka edhe Leci tek “Kumbulla përtej murit”, që mund të jetë edhe ky një Shuk, me po dhjetë vite larg vendit dhe me po atë dëshirë e ndjesi për kopshtin e fëmijërisë: “Përtej atij muri në nji kopësht të huej, me do degë të nalta qi zgjateshin edhe këtej, ngrihej nji kumbull. Syt e Lecit e përshëndetën me adhurim.”12
Shuku, pasi e sheh me andje kopshtin, tani ka më shumë dëshirë të “gjejë“ shoqen e fëmijërisë, së cilës as emrin e vërtetë nuk ia di, veçse kur ishin fëmijë e thërriste Dushe. Duke shëtitur nëpër kopsht, ai mendon për fatin e saj, ka dëshirë të dijë për të: “I shkoi mendja te Dusha...shoqja ma e dashtun e fëmijnis së tij [...] përveç atij emni te amël, ai s’dinte tjetër gja për te“ ose “ Nj’aty te mjedisi i kopshtit, Shuku s’mujt m’e pritë pyetjen qi ma se nji herë i kish ardhë tu buza dhe e kish kapërdi: A din me më kallzue gja per nji vajzë të vogël qi i thojshin Dushë edhe rrinte me shtëpi këndej pari diku?“13
Edhe Leci është në kërkim të asaj kohe tashmë të humbur. Rikthimi i emocionit fëmijëror është i pashmangshëm edhe pse nusja “e tij”14 e re tani është plakur. Ky rikthim bëhet i plotë kur kjo “nuse“, po kuptonte:
“Kur ai në kopësht të heshtun kërkoi hijen e ditve të sosuna nuk dridhej i vetëm n’at ndjesi të mallëngjyeshme.” 15 Biles, ajo i servir reçelin e kumbullave “të tij”. “Ai reçel kishte një vlerë të madhe symbolike, n’at mbasdite në të cilën gjithnjë shpirti i tij përkundej në mall të nji moshe së humbun”.16
Kopshti është kujtim i lojërave të fëmijërisë edhe për Vikun dhe Naken, personazhe tek “E gjeti mas shimshirit”: “Të tanë çamërdhoket e mëhallës i mblidhshim këtu me luejtë. Ndoshta pse oborri ishte i madh”17 Tek rrinë në oborrin ku dikur kanë luajtur kukë, tashmë të rritur, kujtojnë dhe “heshtën të dy e udhtuen me mend kah largsia e parrizeve të humbuna të fëmijnis.”18 Përmes këtij kujtimi, në këtë kopsht fëminor, ata të dy marrin vendimin për të bashkuar jetët e tyre.“Tjerve nuk iu mshefshe ashtu. Po mue pse?[...] Por të gjeta e së të la me m’u mshefë ma...“ 19
Në novelën « Hanë gjaku » ndodh i njëjti ”shkapërcim” tek fëmijëria përmes detajit të hënës me danga të kuqe. Por, këtu ka një meditim më të thellë filozofik e psikologjik të gjendjes shpirtërore të personazhit.
Njëlloj si tek « Kopshti », « Kumbulla përtej murit », edhe këtu është detaji ai që bën kalimin nga një kohë në një tjetër, nga një gjendje në një tjetër: « Kur ishëm fëmijë pash nji hanë si këtë e m’u kujtue... »20
Hëna kuqalake nuk është vetëm shkak-pasojë për kthimin në kohë dhe ndryshim të gjendjes emocionale të personazhit, që autori s’i jep emër. Hëna e fut në mendime të thella personazhin për kohët e jetës së tij. Më shumë se tek çdo novelë tjetër, këtu është i ndjeshëm ndikimi i Prustit dhe është shenja e parë dhe e vetme e depresionit te Koliqi: « ..tashti s’kemi ma në shpirt tronditje të thella e s’dijmë as me gzue as m’u pikllue, as m’u trembë para nji hanë gjaku [...] Po me më dashtë mue a din? Ai ia lëshoi krahun e s’foli ma. »21 Personazhi i Koliqit, ashtu si Prusti, është i shqetësuar për të tashmen e tij. Gati-gati po prek ndjenjën e kotësisë. Koliqi e jep personazhin si vëzhgues indiferent të së tashmes, me admirim për një të kaluar (Oh ato kohë të bukura! - duket se thërret Koliqi), që nuk aludon vetëm për fëmijërinë, por për një të kaluar që vazhdimisht humb, duke mos përjashtuar të kaluarën e lavdishme të Shqipërisë. Koliqi gjuan sa gjërë gjatë. Personazhi e sheh shpëtimin e ndërgjegjes së vet vetëm në kujtimet e largëta, ashtu siç bën Prusti tek “Në kërkim të kohës së humbur”.

2. Rifitimi i së shkuarës

Rifitimin e së shkuarës Koliqi nuk e rimerr përmes përshkrimeve të traditës romantike por ashtu si Prusti, përmes “…shkreptimave të papritura të nxitura nga një ndijim i provuar tashmë, që lejojnë ate të shkuar, më mirë atë të jetuar, të përceptohet si e vertetë…”22
Personazhet e Koliqit e rijetojnë atë ndijim të provuar të së shkuarës të përceptohet si i vërtetë, ashtu siç e kanë jetuar në fëmijëri. Këtu i vjen në ndihmë Koliqit psikanaliza (kthimi tek përvojat e fëmijërisë) dhe kujtesa e pavullnetshme (choc-u që shkakton shkrirjen e së tashmes me të shkuarën).
Tek “Hane gjaku”, njollat e kuqe të hënës japin shkreptimën: “Nji hanë kuqalake pash në fmijni e më ka mbet e pashlyeme në mbamendje e prap sot m’ep, tue u kujtue, nji të dridhun misterjoz.” 23 Po të mos dilte hëna me danga te kuqe, shëtitja e dy të rinjve do të vazhdonte e qetë, e zakonshme. Në shfaqjen, ose me saktë rishfaqjen e saj (e parë një herë në fëmijëri) vepron kujtesa, e cila përputh të dy kohët: tashmen me të shkuarën.
Përdorimi i detajit si mjet për rikthim dhe bumi i çasteve që rikthehen, janë ato që realizojnë ”ndërprerjen“ e rrjedhës së kohës fizike dhe objekti (detaji) i rikthen të gjitha vlerat afektive që ndërgjegja e personazhit ia kishte atribuar atëherë.24
Ilustrojme me shembuj se si e shkuara vjen tek e tashmja:
1. “…për disa çasa, gjithçka ndërroi si për mrekull […] heshtja, qi e mbështillte kopshtin si tis i hollë, papritmas u mbush me zane e klithma hareje. Nëpër ato zane, ai njohti nji za të lehtë vajze e zemra iu dridh. Ktheu femijë.” 25
2. “Heshtën të dy e udhtuen me mend kah largsija e parrizeve të humbuna të fëmijnis[…]Këta (shimshirët-shën.im-A.F.) të pusit kanë qindrue mirë. Ku po të shkon mendja te shimshirët?” 26
3. “…iu zgjue e i vetoi përmbrenda edhe kujtimi se nji trill i atillë i a tronditi shpirtin shum vjet përpara.” 27
4. “Si tash e mbaj mend” 28
5. “…gjithçafja ishte në vendin e dikurshëm.” 29

Siç vihet re, autori luan me shkapërcimet kohore përmes ndryshimit të ndërgjegjes dhe psikes së personazheve. Ato nxiten nga një ngacmues i jashtëm, në dukje pa rëndësi. Citojmë p.sh.: “Në zgjim te tyne të papritun, shkaktue nga sendi ma i vogël i kotë, kujtimet e harrueme të fëmijnis na paraqiten të rrethueme në tisa të lylyvertë andrrue.”30
Ky ngacmues, (që tek Koliqi është edhe një detaj artistik) është ai që krijon atmosferën e përshtatshme te personazhi për kalimin nga një gjendje në një tjetër. Ky kalim është koha, vazhdimësia.
Nga shembujt e mësipërm pamë se si lëviz ajo kohë si proçes fluid, që përmend Bergson-i, nga e shkuara tek e tashmja. Këto zbulime të papritura krijojnë orteqet (e të kaluarës) të cilët, në vazhdimësi e formësojnë ndërgjegjen e njeriut. E gjithë kjo arrihet përmes kujtesës. Bergson-i dhe Prust-i janë të mendimit se kujtesa është ajo përmes së cilës ekzistojmë. Sepse, siç thotë Kundera, vetja jonë është shuma e gjithçkaje që mbajmë mend. Ndaj, rijetimi i asaj përvojë fëmijërore është i ri por jo plotësisht. Megjithëse kujtimi është po ai, ndërgjegja ka pësuar ndryshime.
Shuku dhe Leci nuk janë më gjithçka që kanë qenë. Tashmë iu është krijuar një përvojë e re. Ai vend, kopshti, iu sjell tani po ato ndjesi, si dikur fëmijë. Por në këtë të tashme (që është përputhur me të shkuarën) ndërgjegja nuk është krejt e njëjtë.
Të shohim si e ka aplikuar në tekstin e vet Koliqi kohën bergsoniane:
„....çdo vend e çdo send i zgjonte Shukut në shpirt kujtime të harrueme edhe e mbushte me përshtypje herë t’andshme e herë të mallëngjyeshme, si do qi t’ishin, të reja e të çuditëshme.“31 Të çuditshme dhe misterioze janë edhe ndjesitë e personazhit pa emër tek “Hane gjaku”: “Nji hanë kuqalake pash në fmijni e më ka mbetë e pashlyeme në mbamendje e prap sot m’ep, tue kujtue, nji të dridhun misterjoz.” 32Janë të tilla sepse tani, me nje vetëdije të ndryshuar, Shuku dhe personazhi anonim, i receptojnë ndryshe ato kujtime.

3. Loja me ndarjet klasike të kohës

Në letërsi, marrëdhëniet kohore janë të çrregullta sepse,“të gjitha veprat letrare e shfrytëzojnë kohën në drejtim të kundërt të saj.“ 33 Nga ndarjet klasike të kohës: e shkuar, e tashme, e ardhme, asnjëra nuk janë krejt të pastra.
Sipas Plotinit, të trija kohët janë të tashme: njëra është e tashmja aktuale, momenti në të cilin jam duke folur (që tani i përket së shkuarës sepse fola), pastaj është e tashmja e së shkuarës (kujtesa) dhe në fund e tashmja e së ardhmes, që mendohet se është shpresa jonë apo frika.34 Kjo vihet re edhe në prozat e shkurtra të Koliqit.
Përqëndrimi tek fëmijëria, emotiviteti që sjell ajo, është prirja e autorit për ta ndjerë të kaluarën brenda të tashmes.
Shohim që, tek “E gjeti mas shimshirit”, me fundin që autori iu rezervon personazheve, duket sikur ai kërkon ta përjetësojë fëmijërinë, (kjo është forma në të cilën shprehet dëshira për mos të humbur të kaluarën) që do të thotë, vazhdim i atij bashkimi që këta dy “fëmijë“ kanë nisur dikur. Viku me Naken janë rritur, por edhe tani munden të “luajnë” prapë bashkë.
Përjetësimi “…është shuma e të gjitha të djeshmeve tona, e shkuara, ajo e shkuar që nuk dihet se kur ka filluar e pastaj është e gjithë e tashmja e më pas e ardhmja, që ende nuk është krijuar e që megjithatë ekziston.”35 Koliqi nuk e realizon këtë me mjete tradicionale. Thërret në ndihmë psikanalizën e Frojdit si dhe kohën me ndarjet e saj: e shkuara (lojërat në kopësht), e tashmja (rikthimi në atë kopsht ku ndodh takimi me të shkuarën) dhe e ardhmja, e cila, thamë, nuk është e pranishme e që megjithate ekziston. E ardhmja që ekziston në të tashmen e shohim tek “E gjeti mas shimshirit”: ”E shifte fare qartas jetën e vet në kohë të t’ardhëshme.” 36 por, vetëm tek “Kopshti” është më e kapshme, përmes shenjave simptoma. Ato i shohim tek ndjekja e rrugës për në fund të tregimit, duke shkuar drejt zbulimit të identitetit të Dushes, shoqes së fëmijërisë së Shukut:
1. Kur Shuku vjen te ilakaja e vjeter, ia hap derën një shërbëtore, e cila “sa e pau djalin, u kuq…pse u kujtue menjihere se kush ishte me gjithë qi s’e kishte pa kurr.” 37 (sepse ajo ka parë vetëm Shukun fëmijë-shën.im- A.F.).
2. “Po ç’u ba ma kjo nuse? Shuku asht i yni: s’a nevoja m’u goditë aqë fort…”38 (nusja kërkon të zbukurohet për shokun e fëmijërisë-shën.im)
3. „Shukut iu dukte si m’e pase njohun gjithëherë...“ 39(çasti kur hyn nusja në dhomë)
4. “Nusja…rrinte tue ndëgjue me buzë në gaz. Syt e saj qesheshin, të lumë e të qetë. Krejt turpi i maparshem ishte zhdukë prej fytyrës së saj.” 40 (çasti kur Shuku kishte hyrë në kopsht e po fliste për fëmijërinë)
5. “Buzet asaj i luejten si të dojshin me thanë diça. Shuku priti por ajo s’foli.” 41 (ajo pret çastin e duhur)

Dhe, ndërthurja e tri ndarjeve të kohës (e shkuar-e tashme-e ardhme) ndodh, kur nusja e re zbulon enigmen e saj: “Shuk, a s’po më njeh a?” 42 E ardhmja është e pranishme në tregim, pasi takimi me Dushen – që dëshirohet nga Shuku – vazhdimisht është në paralajmërim. Skuqjet e nuses tregojne se në një të ardhme të afërt, do të zbulohet identiteti i saj. Një e kaluar e largët që sjell një të tashme e që kjo dikton një të ardhme.
Në asnjë nga tregimet e marra në shqyrtim nuk kemi një të tashme të pastër. P.sh., ndjesitë e së tashmes së Shukut, Lecit, Vikut etj. nuk janë të tashme të pastra, sepse tek ato veprojnë ndijimet e kohës së kaluar, ndërsa te Shuku, dëshira për të mësuar për Dushen është e ardhmja (shpresa apo frika - sipas Plotinit).

* * *
Nocioni i kohës sipas Prust-it dhe Bergson-it (i lidhur me fëmijërinë dhe detajet si: kopshti, hëna etj.) i ka shërbyer Koliqit në këto katër proza për të ndërtuar një tekst modern edhe pse jo krejtësisht i kuptueshëm për kohën e tij. Me instrumentet që tani shkenca e letërsisë na mundëson, duhet të gjurmojmë më në thellësi të veprës letrare për të parë punën e kujdesshme që ka bërë një shkrimtar i madh siç është Ernest Koliqi.



SUMMARY
This study is about the application of two modern theories- unconscious memory of Marsel Proust and time as a continuity of Henry Bergson- in some short stories written by Ernest Koliqi.
The different perception of time viewed by Bergson and Proust has influenced on Koliqi’s prose. It was this impact that brought a new kind of narration. The improvisation that Koliqi does with the classical concept of time fragments gives to his writings more artistic values and qualities. In this study we can notice how the past, present and future are not given as pure referential concepts in Koliqi’s prose; these are mixed together. We can distinguish in between the interior and the exterior. In order to draw a distinction in between these time references, Koliqi goes back to the childhood, through which he has developed Proust’s theory about regaining the lost time.
Koliqi has used such details which are so close to the albanian life, and particularly shkodra’s life and traditions including its gardens and houses. In this way Koliqi has naturally merged the modern and the tradition.


Referenca :

“Hija e maleve“ (1929) dhe “Tregtar flamujsh“ (1935)
2 Kujtesa e pavullnetshme dhe koha si vazhdim.
3 Hilushi (Koliqi): “Letra te hapuna nji te riut letrar”. Rev. “Shejzat”, Rome, nr. 4-6, 1970, fq. 101.
4 Përkatësisht: Fatbardha Hoxha për Henri Bergson tek: Rrjedhave të letërsisë së traditës. Shkodër, 2003, fq.43 si dhe Vangjel Koça për Marsel Prust-in tek: “Novela dhe noveliste”, rev. Tomorri i vogël, 1 mars, 1942, nr.5, fq. 8.
5 Sante Treré. Graziella Gallegati: Testi e instrumenti, Firenze, 2000. Përshtati: Vinçens Marku, në : Letërsi botërore moderne dhe bashkëkohore (kurs leksionesh). Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, viti akademik 2005-2006, fq.99.
6 Sante Treré. Graziella Gallegati: lit.e cit, fq. 69.
7 Bergson-i e dallon kohën e brendshme nga ajo e jashtme. Kjo e fundit është një kohë objektive, e matur me orë.
8 Sante Treré. Graziella Gallegati: lit.e cit., fq. 69.
9Republika Çulli: „Moderniteti-tonalitet dhe strukturë poetike në prozën tregimtare të E. Koliqit“, Uiversiteti i Shkodres “Luigj Gurakuqi”, Studime shqiptare 14, Shkoder 2007, fq. 135.
10 Shih mendimin e Stefan Çapalikut në lidhje me psikanalizën te Koliqi: Studime shqiptare 3, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1995, fq.19.
11 Ernest Koliqi, Vepra 2. Prishtinë, 2003, fq.117.
12 Po aty, fq.243.
13 Po aty, fq. 118 dhe 121.
14 Duke e marrë të mirëqenë mendimin e Aurel Plasarit mbi konstatimin për lidhjet emocionale të Lecit-fëmijë me nusen e re. (“Qasje tregimit të Koliqit”, revista “Nëntori”, nr.3, shkurt, 1991)
15 Ernest Koliqi, vep.cit. fq. 247.
16 Po aty, fq. 246v.
17 Po aty, fq. 205.
18 Po aty, fq. 205.
19 Po aty, fq. 206v.
20 Po aty, fq. 277
21 Po aty, fq. 281
22 Sante Treré. Graziella Gallegati: lit.e cit., fq. 97
23 E. Koliqi, vep.e cit. fq. 281
24 Khs. Sante Trere, Graziella Gallegati, lit.e cit., fq. 98.
25 Ernest Koliqi, vep.e cit, fq. 120
26 Po aty, fq. 205
27 Po aty, fq. 243
28 Po aty, fq. 280.
29 Po aty, fq. 15
30 Po aty, fq. 279
31 Po aty, fq. 113.
32 Po aty, fq. 281
33 Revista on-line “Admet”: Hiqmet Mecaj: “Modernizmi dhe mikrobotizmi”, pasthënie e romanit “Kukullat e pyllit” botuar ne vitin 2003.
34 Jorge Luis Borges: ”Koha”. Revista Aleph, gusht 1997, nr.2, fq. 35.
35 Jorge Luis Borges: po aty.
36 Ernest Koliqi, vep.e cit., fq.206.
37 Po aty, fq. 115.
38 Po aty, fq.116.
39 Po aty, fq.117.
40 Po aty, fq.120.
41 Po aty, fq.121.
42 Po aty, fq. 121.


Arjeta Ferlushkaj



Vazhdo Leximin...
Komenti 0printer friendly

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup
Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.1866 sec, 0.0497 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,269kB