Welcome to ShkodraOnline

Shkodra - A City in Northern Albania. Beautiful landscapes, people, music and tradition.

A website for Shkodra and all who love this ancient city.


Lexime te Tjera
[news] Muzeu i diktatures i hapur per 100 vjetorin e pavaresise
Posted by menelau on 14 May : 10:36
[news] Shqiptarët janë vrarë më shumë mes veti sesa nga të huajt
Posted by lidabica on 23 Apr : 19:50
[news] Rama dhe Meta firmosin në Shkodër marrëveshjen parazgjedhore
Posted by Miri74 on 23 Apr : 13:49
[news] Përmbytjet, katërfishohen çmimet e prodhimeve sezonale
Posted by Miri74 on 16 Apr : 10:39
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 15 Apr : 20:12
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 15 Apr : 13:55
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by ALBERTSA on 13 Apr : 20:18
[news] Shkodër, treni përplas makinën
Posted by menelau on 13 Apr : 14:48
[news] Ndihma per spitalin e Shkodres
Posted by Miri74 on 11 Apr : 10:43
[news] Shkodër, braktiset by-pass
Posted by scuteri on 23 Mar : 17:44



Facebook -


Twitter
18
09.2008

Bepin Kuqani - Nje jete e tere mes idealizmit dhe materializmit

:::ShkoderZemer
Derguar per ShkodraOnline.com dhe Shkruar nga Klajd Kapinova - -email-
përkushtimin: "At Pjetër Meshkallës dhe Hafiz Ali Tare Krajës: dy bashkvuajtsve të mi; dy kundërshtarëve të pikëpamjeve të mija filozofike - religjioze; por edhe dy miqve të mij, ma të mirë e
ma të dashtun, që në debatet e tyne shumë të sinqerta dhe shumë dashamirëse, më hapën horizonte të reja në fushën filozofike - theologjike të panjohuna prej meje deri n'atë kohë. Ne shej Nderimi të thellë dhe Kujtimi të Përjetshëm ua kushtoj".



Një jetë e tërë mes idealizmit dhe materializmit

(Meditacion mbi esse-në e kredos së njohurive etiko-shkencore filozofike te Bepin
Kuqanit)


Klajd Kapinova, New York

Gjatë vizitave të shpeshta në shtëpinë konforte amerikane të ndërtuar nga duart e
arta e mjeshtërit Genc Kuqani, pranë qytetit të bukur të Stamfordit në shtetin
Kenerike në ShBA, publicisti Bep Kuqani, me një modesti e thjeshtësi fisnike më
dhuroi librin e ri: "Kredoja ime filozofike", të botuar në vendlindje. Në vorbullën
e titujve të shumtë të librave në gjuhën shqipe, që janë botuar pas vitit 2000 në
ShBA, është edhe libri i besueshmërisë së pikëpamjeve filozofike të autorit Kuqani.
Këto mendime e kanë preokupuar gjatë dekadave të jetës në vendlindje Shkodër dhe
vendbanimin aktual në Stamford, njeriun me dije të thella matematike dhe filozofike.
Që në hyrje të veprës ai ka lënë të gdhendur në përjetësi përkushtimin: "At Pjetër
Meshkallës dhe Hafiz Ali Tare Krajës: dy bashkvuajtsve të mi; dy kundërshtarëve të
pikëpamjeve të mija filozofike - religjioze; por edhe dy miqve të mij, ma të mirë e
ma të dashtun, që në debatet e tyne shumë të sinqerta dhe shumë dashamirëse, më
hapën horizonte të reja në fushën filozofike - theologjike të panjohuna prej meje
deri n'atë kohë. Ne shej Nderimi të thellë dhe Kujtimi të Përjetshëm ua kushtoj".

* * *
Si fushat e tjera të diturisë edhe filozofia, sikurse analizon autori, ka qenë një
"mollë e ndaluar". Në këtë privim ishin të përfshirë historia e popujve të vendeve
të botës, historia evoluitive e dokeve dhe zakoneve, traditave të transmetuar brez
pas brezi, kultura fetare me epërsitë dhe vlerat e shumta shpirtërore e nacionale në
historinë e popullit shqiptar e përtej, me të cilat u pasurua më tej historia e
njerëzimit. Shqiptarët ishin të përjashtuar, për të njohur të vërtetën, përmes
dritës të së vërtetës sikurse në vendet e qytetëruara dhe të lira të botës.
Kushdo e di në vendlindje dhe këtu në ShBA nga bashkëkombasit tanë, se kjo e drejtë
ka qenë privilegj i drejtuesve komunistë, për bijtë e bijat, përsonat e zgjedhur dhe
shumë të beseshëm dhe të afërt me udhëheqjen komuniste. Autori Kuqani, sqaron
lexuesit e kombit të vet, se "Këto "kuadro", të brumosuna me idena komuniste -
tipike bizantine - do të përdoreshin në vazhdimësi, jo për t'i përhapun këto dije në
popull, por për të luftue kundër çdo rryme filozofike e shkencore, që binte sadopak
në kundershtim me të ashtequajtunen filozofi markisiste - leniniste, staliniste,
maucedoniste e, në veçanti enveriste; qëllimi i së cilës ishte dhe mbeti perjetimi i
sundimit politik e ekonomik".
Ndonëse ka shkruar një libër me tematikën e dashur të filozofisë, falë modestisë që
e përshkon qënien e tij, e ndien në shpirt boshllekun e madh që solli për pasojë
sistemi komunist i antivlerave humane e shpirtërore në Shqipëri. Vetë autori u
përshkua nga kalvari i gjatë i burgut politik, ku e plandosi diktatura e Enver
Hoxhës. Por, megjithatë, autori në qelitë e ftohta të burgjeve, fati i krijoi
mundësinë të merrte një univesitet me dije të qendrueshme, pa elozhet, fodullekun
dhe pseudointelektualizimin e servileve shterpër të sistemit komunist.
Ai meditoi kështu thellë e më thellë për jetën, edhe pse trupin e kishte të sfilitur
nga vuajtjet, i izoluar dhe i stërmunduar nga trajtimi më ç'njerëzor, që iu bë të
gjithë elementëve antikomunistë. Pas punës, me orë të tëra në miniera, hapje
kanalesh, në ndërtim, mendjen dhe shpirtin e pamposhtur e kishte të lirë, që fare
lehtë të mund të fluturonte ku të donte, jo vetëm jashtë hekurave të akullta, por
edhe në vendet më të zhvilluara të botës "por edhe jashta kufijve të kohës së
tashme: në kohën e kalueme dhe të ardhshme", vlerëson ndër të tjera autori.
Edhe pse në kafazin komunist, ai e ndiente në shpirt agimin e lirisë, ndiente se një
ditë ky sistem i ndërtuar si kalaja me rërë do të shembej keqas, sikurse dhe ndoshi
në realitet në vitet 1991.

Si mundi Bepi të mbaronte universitetin në burg

Shumë intelektualë të Shqipërisë dhe të Kosovës, që ishin diplomuar në universitetet
e Evropës dhe të Amerikës dhe që i shpëtuan ekzekutimit, kishin sjellë në burg nga
bibliotekat e tyre përsonale veprat "që i ruajtëm si "libra të Shenjtë, falë
injorancës së plotë të rojeve dhe oficerave të burgut, tue i maskue me kopertina
veprash marksiste - leniniste dhe të E. Hoxhës (që s'do të ishin diktue kurrë, veçse
nga denoncimet e ndonjë spiuni të fëlliqun), mujtëm na - brezi i ri i asaj kohe -
(bahet fjalë për afro 45 vjet më parë në burgun e Burrelit), me krijue ndonjë ide të
saktë mbi filozofinë e me vu deri në njëfarë shkalle bazat e formimit intelektual e
shpirtëror". Duke medituar mbi faqet e para të autorit, buron natyrshëm mendimi, se
vetëm me dije të sakta dhe me një kulturë të vërtetë do t'a mundim të keqen, që ka
mbirë thellë gjatë viteve të zeza të sistemit komunist.
Bë qelitë e burgjeve autori qëndroi dhe bisedoi deri në orët e vona, me njërëz të
ndritur të nacionit, mësoi dhe provoi mëdyshjet i ideve dhe pikëpamjeve filozofike
mbi aspektet që ishte me shumë i interesuar. Takimet me këty njerëz të ndritur, që
patën një fund tragjik në burgje, litar e pushkatim, ishin në të vërtetë libra të
gjallë, të cilat i respektoi dhe fiksoi thellë në memorien e tij fenomenale. Njohja
dhe përvetësimi shumë mirë i gjuhëve të huaja, ishin një mundësi më shumë për të
zhvilluar biseda shoqërore pa u zbuluar nga afijet e sigurimit në qelitë e
burgjeve...

* * *
Njeriu që qënie me nivelin më të lartë arsyes, gjithnjë ka qenë i pritur për të
njohur hapësirën që e rrethon, dëshirë kjo e papërmbajtur, intensiteti i së cilës,
me kalimin e shekujve ka ardhur duke u rritur. Kozmosi, misteret, sistemet diellore,
galakrikat dhe megagalaktikat, fenomenet dhe dukuritë e mbushur me mantelin e
misteriozitetit, me pafundësi enigmash kanë zgjuar kërshërinë e dijetarëve dje dhe
sot.

Pikërisht, pafundësia që e rrethon njeriun, u bë edhe lënda e parë e marrë në studim
në të gjitha pikëvështrimet. Tërësia e të gjithë këtyre problemeve, ka bërë të
mundur që për njeriun të lind shkenca e mirëfilltë e filozofisë, që cekë të gjitha
fushat e dijet njerëzore të planetit tonë.
Këtë dëshirë të mijëra gjeneratave ka pasur dhe ka ende sot dëshirë dituraku Bepin
Kuqani, që me kulturën solide arsyetuese që zotëron, mbetet modeli i një
intelektuali të heshtur deri në madhështi. Ashtu, sikurse filozofia është e vjetër
sa vetë historia e njerëzimit, edhe kërkesa për dituritë shoqërore dhe shkencore të
autorit janë të hershme, që zënë fill në moshën e fëmijërisë, pranë shkollës fillore
privare katolike të Urdhërit të Shën Françeskut (Kolegji i Fretenve), ku zotërimi i
gjuhëve të huaja evropiane të vjetra (greqishtja e vjetër dhe latinishtja) dhe të
reja e kanë zhytur në botën e labirintheve filozofike. Si pa i kuptuar në fillim
profesorët françeskënë të shkollës, kanë filluar shpiegimin me alfen fillestare për
shkencat ekzakte, përpjekjet me dashuri për të njohur ligjet dhe fenomenet e
ndryshme të natyrës: njohja e çdo ligji të fizikës apo astronomisë, që merrte në
orën e mësimit, e ka bërë autorin e librit, të zgjojë interesim për lëndët që quhen
filozofi.

* * *
Në shkolla, universitete (college) dhe akademi botërore, filluan të rriteshin e
zhvilloheshin shkencat që nga ana e tjetër e ulte nivelin e nocionit të filozofisë,
sepse ligjet dhe kuptimi i fenomenit, tashmë kishte një emër të shkencës që i
përkiste. Por prapë njerëzimi, nuk rreshti së kërkuari, ku si gjithnjë për njerëzit
e sferës së filozofisë si objekt i përhershëm mbeti rruga e filozofisë, për të njohë
e shpieguar botën dhe kompleksitetin e saj në vetvete dhe hapësirë, përmes mendjes
së etur për të shuar kërshërinë.

Si për të gjithë edhe për Kuqanin, studimi i botës solli lindjen e një vargu
shkencash të natyrës me profile më të ngushta, si: matematika, fizika, kimia,
astronomia, biologjia e shumë të tjera, që kanë si objekt studimi botën e trupave
organikë dhe inorganikë. Nga ana e tjetër, vetë njeriu u bë gjithnjë e më shumë
objekt vëzhgimi si individ dhe komuniteti ku ai përfshihet, duke lindur kështu
shkenca e përgjithshme e Antropologjisë. Ajo në tërësinë e saj i kushtohet studimit
të shfaqjes së jashtme të veprimtarisë njerëzore. Në dobi të saj erdhën në ndihmë
edhe shkencat filozofike, me degët e nëndegët e saj, që kanë si temë studimi mënyrën
se si njerëzit flasin dhe shprehin mendimet e tyre. Të tilla janë sociologjia,
politika, drejtësia, teologjia, ekonomia politike, që e studiojnë njeriun si qënie
të komunitetit, për të mbërritur në grupin e shkencave historike, si: historia e
filozofisë,
politike, shkencore, letrare, arti, religjioni etj., që sipas kënshikimit të tyre
studiojnë jetën e njerëzve dhe ngjarjet e tyre.
Autori, pasi përshkruan grupet e shkencave psikologjike, që trajtojnë studimin e
botës së brëndshme të njerëzve (psikologjinë racionale), shtjellon objektin e
studimit, që përfshinë metafizikën e natyrës (kozmologji), me synim studimin e
prejardhjes së vetëdijës dhe botës që na rrethon. Duke qenë i pritur pas logjikës
racionale, ai përlqen të flasë dhe argumentojë pikërisht logjikën, që si objekt të
studimit të vet ka ligjet e arsyetimit, që sipas kredos së Bepit, ajo duhet t'i
prijë intelektitit në kërkimin e së vërtetës. Kështu thuhet edhe për lëmin e etikës,
e cila nga ana e saj studion mundësitë e zhvillimit dhe të pasurimit të imagjinatës
krijuese, në konceptimin sa sa më ideal të së bukurës dhe shprehjen e saj me vepra
konkrete arti etj. Jo pa rëndësi mbetet (etika), që studion mundësitë dhe rrugët, që
duhet t'i prijnë vullnetit në jetë drejt të mirës dhe psikologjia eksperimentale,
që trajton shkaqet e jashtme të vetëdijes.
Në faqet e librit të Bepit, mësojmë për shndërrimin gradual të filozofisë në shkenca
të reja, që në momente të caktuara shkaktuan lindjen e një farë konfuzioni rreth
ngushtimit gjithnjë e më tepër që mori fjala e njohur filozofi. Objektet që mund ose
duhet t'i përkasin filozofisë, assesi nuk mund të kuptohen jashtë konceptit të
fjalës filozofi pa objektin e studimit të saj.
Kushdo që ka lexuar sado pak nga historia e gjenialëve të njerëzimit ndër shekuj dhe
enciklopeditë më të njohura në gjuhët më të folura të botës, do të shoh me kujdes,
se pikërisht këtu e ka zanafillën historia e pasur e shkencëtarëve me famë botërore,
mbasi pa qenë filozof, nuk mund të mendohet që të kemi një shkencëtar të suksesshëm,
qofshin këto edhe sot e në të ardhmen e karrierës së tij, në fushën e së cilës ai
është i përkushtuar.

Për të treguar dashurinë, që autori ka për shkencën e pasur të filozofisë (e cila
sido që ta vështrosh e kupton se ajo zhvillon natyrshëm logjikën mendore), jep
shembuj përkufizimi që i ka regjistruar në trurin e pasur, kur shkruan: "Filozofia
asht "Poezia e shpirtit", "Shkenca e ideve", "Shkenca e shpirtit njerëzor", "shkenca
e ligjeve, simbas të cilave zhvillohet njohja", "Shkenca e njohjes së Zotit dhe e
vetës sonë", etj., të cilat gjatë jetës së autorit Kuqani, i ka pasur si vija
udhëheqëse në jetë dhe ka shuar kërshërinë për t'u futur edhe më tej në labirinthet
e saj.

Ndërsa, për njohuritë që i përkasin shkencave normative e, posaçe grupit të dytë të
tyre, që perifrazuam më lart (shkencave psikologjike), kemi sipas adhuruesit të
filozofisë, një larmi pafundësisht teorish, sistemesh, e interpretimesh nga më të
ndryshmet dhe shpesh herë ashpërsisht kontradiktore. I pjekur me përvojën e studimit
të disiplinave dhe këndvështrimeve filozofike, arrin në përfundimin e tij origjinal,
se: "Me gjithë përpjekjet vigane të mendimtarëve ma të mëdhenj e deri te ata të
ditëve të sotme, nuk asht ba e mundun të ndërtohet një shkencë e mirëfilltë
shoqnore, e saktë dhe e pranueshme nga të gjithë. Dhe kjo ose pse mendja e jonë ka
krijue edhe Zotin, edhe djallin, për të mos u marrë vesht kurrë njeni me tjetrin".
(Kuqani, f.12-13)

* * *
Megjithëse gjatë historisë mijëravjeçare të njerëzimit, në tërësinë e kulturave të
lashta, mesjetare dhe moderne, konfuzionet, konfliktet në lëmin e mendimit
filozofik, kanë qenë dhe mbeten, grupi i shkencave normative.

E parë më mënyrë individuale, duhet venë në dukje, se këtu spikat dukshëm epërsia e
veçantë, që ka mbizotëruar në psikologjinë racionale, e cila në vetvete përfshinë
problemin e qënies absolute të Zotit, të Shpirtit dhe Trupit, të botës së ideve
objektive (materiale), ose e shprehur ndryshe, si problemi i metafizikës së shpirtit
dhe i botës, përkatësisht i gnozologjisë dhe kozmologjisë.
Me një logjikë e fakte historike, autori ka sjellë si argument problemet dhe pasojat
me të cilat është ballafaquar njerëzimi, autori e vë theksin në mijëra trakte të
shkruar gjatë shekujve, që nga lashtësia me papirus deri në ditët tona, ku tematika
filozofike mbetet mbizotëruese, në tryezat apo debatet, librat, konferencat
internacionale, si çështje ende në diskutim dhe pa udhëzgjidhje definitive.

Në libër trajtohen disa pyetje, që natyrshëm shtrohen me përgjigje gjatë fletëve të
librit të Kuqanit. Kështu në kredon filozofike të autorit shtrohet pyetja se: A
ekziston mendja si realitet objektiv ose lëndor? A ekzistojnë edhe trupi edhe
mendja, bota shpirtërore si realitet objektv ose lëndor? A ekzistojnë edhe trupi
edhe mendja në mënyrë të pavarur ose jo njëra nga tjetra, a por të dyja këto janë
një gjë e vetme? A është realiteti shqisor produkt i mendimit, a por mendimi është
produkt i këtij realiteti? A është mendja (bota e ideve) primare dhe bota shqisore
sekondare apo anasjelltas etj.

Gjithsesi, me gjithë vorbullen e mistereve, që e shoqërojnë njeriun, për të dalë nga
gjendja paradoksale e shekujve të kaluar, sipas kredos së autorit, për kuptimin e
disa çështjeve të tjera lënda, kur do të gjendet çelësi i arsyes objektive do të
kemi do të kemi udhëzgjidhjen e tyre, për të krijuar kështu zanafillën e pikëpamjeve
të reja mbi të cilën të shpresojmë se do të ndërtohet një shkencë e re dhe e vetme e
njohurive tërësore të psikologjsë racionale, duke zgjidhur dobishëm gamën e
problemeve, që vërtiten më mendjet e njerëve të planetit tonë. Për të përforcuar
idenë e tij, autori sjell si argument shkencën e gjeometrisë, që dallohet për një
saktësi pothuajse absolute "tue u nisë vetëm nga nji "Pikë" abstrakte, premisë kjo
krejtë e pakapëshme dhe e papërkufizueme; se shoqnia njerëzore ecë vetëm përpara dhe
vetëm përpara drejt njohjes së botës dhe mistereve të saj. Çështja e
"kohës" këtu, nuk përbën asnji problem para përjetësisë". (Kuqani, fq. 15) Nëse do
të meditonim në qetësi rezultatet finale të të dy rrymave kundërshtare, çdo lexues
i kujdeshëm, do të pajtohej (ose jo) me mendimin, se fatkeqësitë më mizore mbi
popuj të ndryshëm në këtë planet janë kryer nga përfaqësues të rrymës idealiste dhe
materialiste. Kështu historia tregon shembuj të ruajtur thellë në kujtesën e
popujve, se si fashizmi e nazizmi, pjellë e kampit të idealizmit (gjatë Luftës së
Dytë Botërore, janë vrarë mbi 57 milion njerëz, ndër të cilët 7 milion kanë qenë
ebrej) dhe komunizmi ateist, pjellë e kampit të materializmit, që i shkaktuan
njerëzimit miliona viktima, vuajtje e mjerime, internime dhe masakrime të
papërshkrueshme.

Të marrim si shembull të freskët për vendin tonë rastin e komunizmit. Gjatë regjimit
komunist në Shqipëri, janë pushkatuar 5577 burra dhe 450 gra për arsye politike.
Janë dënuar politikisht 26768 burra dhe 7367 gra, kanë vdekur në internime 7022
vetë. Për të qenë më konkret i bie që çdo tre ditë një përson ekzekutohej me ose pa
gjyq për motive të pastra politike. Çdo dy javë një i burgosur politik vdiste në
burg, çdo dy ditë internoheshin tre përsona thjeshtë për motivin absurd politik. Çdo
dy muaj, një i burgosur politik pësonte gjymtime për shkak të keqtrajtimeve në
hetuesi dhe në burg. (Gazeta "Liria", organ i Shoqatës Kombëtare të ish-
Përndjekurve dhe të Denuarve Politikë në Shqipëri, Tiranë).

Pra në këtë rast, filozofia si shkencë, është keqpërdorë nga njerëz aventurierë dhe
të papërgjeshëm që në momente të caktuar kanë pasur në dorë fatet e njerëzimit. Në
kundërshtim me realitetin, në të vërtetë qëllimi i vërtetë dhe i fundit i filozofisë
"ka qenë dhe asht përfeksionimi i njeriut në shkallën ma të naltë si figura morale,
intelektuale dhe shoqnore, si dhe gjetja e një forme organizimi të jetës shoqnore,
ma të miren e mundshme mbi këtë Tokë; por te mënyra e kuptimit të tyne: ndryshe i
kupton idealizmi e ndryshe materializmi". (Kuqani, f.17)

Autori si një vëzhgues gjakftohtë në veprën e vet shpreh haptas opinionin e lirë,
duke i dhënë përgjigje pyetjes themelore kredos së vet, se: Cila nga këto dy rryma
filozofike është më reale dhe cila na jep një shpiegim më të saktë për botën, për
moralin, për të mirën, për të keqen e për gjithçka ekziston? Ai e shtrin më tej
mendimin e vet kur pranon, se idealizimi e materializmi, ndonëse me diferenca
botëkuptimesh filozofike, mund dhe duhet të bashkëjetojnë brenda individit dhe
komunitetit, duke e shtrirë argumentin me shembullin e mirënjohur si dy anët e
ndryshme të së njëjtës medalje. Ato në këtë rast zbulojnë dy cilësitë reale të kësaj
medalje, që mbetet "Gjithësia, Universi, gjithë Natyra ose Hapësina e pafund që janë
e njëjta gja", që si rreze ndriçojnë rrugën në kërkimin e së vërtetës.

Për argumentimet filozofike Kuqani ndalet edhe tek filozofi i famshëm Hegel, mbi
temën e materies, si subjekt e jo si lëndë, duke shtuar se "...kjo "gja e vetme"
asht e gjitha landë", duke pasë parasysh me fjalën "landë" një gjë që konceptohet
prej të gjithë shqisave, atë gjë që ka tingull, dritë, lëvizje, rrezatim, enërgji
etj., e, sidomos në rastin tonë si specie njerëzore edhe mendim ose shpirt. Ai
pranon se për njerëzit aspak nuk duhet të jetë e çuditshme dhe e paparanueshme
fakti, se edhe mendimi ose shpirti të mund të jenë prej lënde dhe më tej shtron
pyetjen: Pse duhet të habitemi për këtë?

Të gjithë e dimë, se kështu ndodhi edhe më pak se një shekull që ka kaluar, kur për
rastin e dritës, thuhej se ishte diçka e pa lëndë. Por shkenca, falë dureses, mundi
të argumentojë bindshëm dhe në mënyrë të pakundërshtueshme se edhe drita është e
përbërë prej lëndes (tufa e grimcave të vogla të quajtura fotone), ku ajo ka veti të
dyfishtë: valore dhe korpuskulare. I nxitur nga ky fakt ai e shtrin argumentin e vet
kur thotë se logjika, na shtynë me forcë të besojmë në vetinë e dyfishtë të botës:
edhe si "mendim", edhe si "trupësi", si vërtetim të identitetit në mes të mendimit
dhe qënies, duke hequr një paralele logjike, se ashtu sikurse drita e syrit nuk
është gjë tjetër veçse një pjesë reale e dritës së plotë, po kështu edhe mendja e
jonë s'mund të jetë tjetër veçse një pjesë reale e mendjes universale, që filozofi i
madh Leibnit e quante "monadë".

Përballë këtyre mendimeve të filozofëve botërorë dhe mendimit të pavarur të
filozofit shqiptar Kuqani, duhet pohuar, se sot në këtë epokë zbulimesh të mëdha,
është e natyrshme dhe e pritshme, që çdo hap përpara që arrinë të bëj shkenca në
tërësi dhe disiplinat specifike në veçanti, shkenca përsëri ndeshet me surpriza dhe
probleme të reja, përmbajtja e re e kuptimit të të cilave do të na lëkundë besimin
shekullor "të konviksioneve" tona në të gjitha konceptet e mëparshme, qofshin këto
me karakter shkencor apo filozofik, fetar apo politik, shkruan autori.

* * *

Në pjesën e fundit të librit, autori i rikthehet edhe një herë në mënyrë konceptuale
faktulteteve shpirtërore dhe trupore të individit, me qëllimin që të mund të
krijohet një ide më e plotë rreth tyre, dhe pse jo për një studim më të hollësishëm
të këtyre faktulteteve. Ai i ndan fakultetet në dy mënyra:

a) në fakultete shpirtërore dhe
b) në fakultete trupore.

Në grupin e parë përfshinë 10 fakultete, që janë: Koshienca, Subkoshienca, Arsyeja,
Intuita, Memoria, Logjika, Fantazia, Vegimi, Andrra dhe Parandjenja. Ndërsa në
ndarjen e dytë, bëjnë pjesë katër fakultete trupore, si: Instiktet, Ndjenjat, Veset
dhe Forca Sugjestionuese dhe Hipnotizuese.

* * *

Ndoshta vetëm paksa u mundova të cekë pjesë nga kredoja filozofike dhe diapazoni i
gjërë dhe i thellë që munda të lexoj nga libri "Kredoja ime filozofike". Mund të
them, se gjenialiteti i njeriut shpërthen në çdo moshë dhe për autorin unë mendoj,
që për shumë arsye e rrethana të jetës plot kalvare e mbijetese u zbulua në librin
modest të tij. Ai nuk i ngjason serive voluminoze të "veprave" akademike shqiptare,
që shpesh sillen e sillen rreth e përqark e nuk thojnë asgjë. Autori ka një mendim
sintezë me objekt e logjikë fine, plot mbprehtësi e logjikë të arsyeshme.

Si gjithnjë qytetari i thjeshtë e modest shkodran, me ndjeshmëri zemre e shpirti
rradhiti faqet e këtij libri. Ai thotë, se në këtë ESSE, shpreson të ndezë një
shkëndijë drite sado të vogël, në errësirën e madhe që mbulon misterin e metafizikës
së botës dhe të vetë shpirtit tonë racional, "atëherë do ta konsiderojshe të
plotësuem qëllimin tem".

Ai me dashamirësi, përmes librit përcjellë mesazhin e kjartë drejtuar studentëve në
përgjithësi dhe amatorëve të filozofisë në veçanti, që të nxiten për t'u thelluar në
këtë fushë dhe të formojnë edhe ata kredon e tyre.

Mbijetesa e kredos...

Këto mendime ose shënime në formë "skice", sikurse thekson autori i kishte
titulluar: "Mbi Përjetësinë", të përgatitur dora dorës në burgun famkeq të Burrelit,
gjatë viteve 1958-1962, duke i përmbledhur në dy fletore "kineze" asokohe, "që
shokut tem nder ma të mirët dhe të paharrueshëm, të ndjerit Lan Kraja, në përpjekjen
e tij për t'i nxjerrë jashtë burgut, ia gjetën gjatë kontrollit dhe i dogjën: ishte
mundi i nji pune prej katër vitesh", kujton Bep Kuqani.
Mbas lirimit nga burgu, autori shtrohet në spital në Sanateriumin e qytetit në
Shkodër, ku meqenëse kishte shumë kohë të lirë, u mundua, t'i "ripërtrijë" ato
mendime, por nuk mundi të kujtojë më shumë se një gjysmë fletore të zakonshme...

Falë vullnetit të hekurt dhe duresës për të risjellë në fletore tezat e shënimeve
dhe pikëpamjeve filozofike, iu rifut punës edhe një herë nga e para, duke u
mbështetur në në pikat dhe idetë kryesore, që kishte zhvilluar më parë. Pas disa
kohe që kishte dalë nga spitali dhe kishte filluar punën në gjendje "invalidi të
grupit të dytë" (i paaftë për asnjë punë), pa të drejtë ndihme materiale dhe
financiare nga shteti, humbet vullnetin dhe durimin. Tashmë në familejne tij
varfëria e tejskajshme ishte ulur këmbkryq dhe së bashku me luftën për mbijetesë, u
bënë shkak që të braktisë shënimet që I dhimbeshin në shpirt. Dhe kjo ndodhi në
vitin 1966... Sikurse dihet gjuha shkon atje ku dhëmb dhëmbi. Herë pas here Bepi
kujton, nëpër vitet në vijim më ngacmonte më forcë dëshira që t'i kthehej edhe një
herë studimit, që flinte prej vitesh në vorbullën e madhe të librave të tij. Në
pragfundin e
shekullit XX, ai rinisë edhe një herë përkujdesin për studimin, që priste autorin
t'i jepte dorën e fundit dhe jetë një librit të ri. Me sa duket, vitet kishin bërë
punën e vet, duke i marrë me vete tekstin e plotë origjinal, në sasi e përmbajtje,
që kishte hartuar gjatë kohës që vuante privimin e lirisë...
Por, gjithsesi, pasi ke përfunduar librin e kredove filozofike me autor shkodranin
Bepin Kuqanin, për lexuesit dhe admiruesit e filozofisë, vepra është më shumë se
"esenca e ideve kryesore", sikurse shpiegon ai në fund të ideve të librit, që janë
edhe idetë me të cilët ai bashkëjeton prej dekadash...
-email-





Vazhdo Leximin...
Komenti 2printer friendly
Comments
Bepin Kuqani - Nje jete e tere mes idealizmit dhe materializmit, engjelli 19 Sep : 15:23 Reply to this

urime z. klajd kapinova. ka ba nji shkrim te bukur. e moj shkoder sa ke vujt. ti ke vujt e tironsit bajn qef tujlaku emnin tand. e thojn se tirana asht kryeqytet i kultures moderne. ska kultur moderne pa baze tradite, se perndryshe tirona del kopje e nji katundi gjigand sic asht kthye tash sa kohe. rreziku jon qi e shohim prej hallit at qytet. tan bota ka pallate prej qelqi, por turistet su merr malli me pa tonat se kan lan te tynet me pa rruget e rrugicat karakteritike origjinale te shqipnis. e per fat te keq tirona ska. e shkodra ka me dhjetra, por torina ka eurot, tuj mendu se merr vlera.
Bepin Kuqani - Nje jete e tere mes idealizmit dhe materializmit, ::albweb:: 22 Sep : 15:58 Reply to this

Asht gjyna kur shef vlerat muzeale teqytetit tone qe po zhduken.E nji nder to asht Asht dhe shpia ku kane jetu familja e Bepinit deri pak para demokracise.
Ish shpia e atdhetarit Filip Shiroka.

You must be logged in to make comments on this site - please log in, or if you are not registered click here to signup
Shkodra ne Youtube
Any use of the name and content of this website without the explicit written consent of the owners is strictly prohibited and it is protected under law. Email:webmaster@shkodraonline.com Per cdo ankese ju lutem mos hezitoni te na shkruani Flm. info@shkodraonline.com
Theme created by Free-Source.net
Render time: 0.2142 sec, 0.0306 of that for queries. DB queries: 37. Memory Usage: 2,286kB